Nga Diadema Stil
Vajzat dhe gratë shqiptare janë të pambrojtura nga dhuna, jo se mungojnë ligjet, porse ata nuk zbatohen. Mbeten në letër, ndërkohë që një pjesë e femrave shqiptare i nënshtrohen një kalvari të egër.
Çdo ditë dëgjojmë lajme të trishta, që rrëfejnë për femra të dhunuara dhe krime makabre, deri me marrjen jete, nga elementë kriminalë, me të cilët ata kishin nisur rrugëtimin e jetës familjare. Krime pasioni, xhelozie apo me motive të tjera, brenda e jashtë vendit, në emigracion e diasporë, ku vajzat dhe gratë shqiptare ndihen të ekspozuara ndaj një dhune ekstreme, pa alibi. Një realitet mbytës, shpellor, ku instinktet më të ulëta dhe një ego e shfrenuar, vënë në veprim psikoza të errëta, kriminale.
Duket se psikologjia mesjetare e disa meshkujve shqiptarë, psikologjia e zotërimit të femres si një “pronë”, ushqen një mendësi të tillë përjashtuese e kriminale. Në mjaft raste, institcionet heshtin, nuk reagojné me forcën dhe autoritetin që iu jep ligji për garantimin e lirive dhe të drejtave qytetare.
Vera P. Gjinaj, e datëlindjes 22.06.1971, nga Lezha, mësuese e Ciklit të ulët, ka një histori të trishtë, që është pjesë e një sage keqtrajtimi e dhune sistematike, që po përjetojnë shumë gra e vajza shqiptare, në këtë tranzicion të vrazhdë e problematik.
Një martesë e shoqëruar me akte dhune fizike e psikologjike do të çonte në marrjen e urdhërit të mbrojtjes ndaj saj, në vitin 2008. Por kjo nuk do ta pengonte ish bashkëshortin e “fyer” për të vazhduar përndjekjen dhe kërcënimet ndaj saj. Telefonata anonime, mesazhe të koduara që shprehnin dhunë të egër etj, ishin disa nga format e kësaj përndjekje. Kulmi arriti më 31 mars 2022, kur P.M, me dy persona të tjerë, të maskuar, i zënë pritë Verës kur po dilte nga shkolla, e godasin dhe tentojnë ta rrëmbejnë, por fatmirësisht nuk munden, për shkak të reagimit të personave që ndodheshin në vend-ngjarje dhe policisë që erdhi, por ndërkohë autorët qenë larguar pa iu hyrë ferrë në këmbë. Kërcënimet ndaj Verës do të vazhdonin, ndërkohë që “mungesa e provave” do të mbyllte çdo hetim ndaj dhunuesit të saj dhe personave të tjerë në shërbim të tij.
Shoqatat e shumta në mbrojtje të grave të dhunuara, megjithë fondet e shumta në dispozicion, nuk ia dalin të pengojnë këtë agresion kriminal ndaj femrave të pambrojtura, të cilat gjenden të zbuluara ndaj këtij realiteti të vrazhdë dhe klithës.
Realiteti i trishtë i kësaj dhune po kthehet në një rreth të mbyllur sindromik, në një shoqëri të traumatizuar, e cila ka nevojë pér një mbështetje të fuqishme nga institcionet ligjzbatuese, për të dalë nga kthetrat e këtij vektori uzurpues.











