Kur ikin korriku e gushti,
së bashku me ta
ikin edhe lulet.
Ditët fillojnë të shkurtohen,
dielli humb fuqinë,
barinjtë zbresin më herët
bagëtitë nga stanet.
Zogjtë shtegtarë largohen
drejt vendeve të ngrohta,
atje ku ditët janë më të gjata
dhe dielli, me rrezet e tij,
ndriçon e ngroh më fuqishëm.
Ata sikur thonë:
“Rrofshin korriku dhe gushti,
muajt më të këndshëm të vitit!”
Kur ikin korriku e gushti,
më pak zogj e bilbila
shihen në fusha.
Drurët humbin gjethet,
natyra humb gjelbërimin,
kurse fëmijëve
u përgjysmohet loja dhe gëzimi.
Kur korriku e gushti ikin,
natyra bie në heshtje.
Ardhjes së vjeshtës dhe dimrit
u gëzohen vetëm
lakuriqët e natës
dhe arinjtë gjumashë.
Do të ishte një mrekulli e rrallë,
sikur të kishim gjithnjë behar
e të mos përballeshim kurrë
me shtrëngata dhe acar.
Arif Ejupi
Gjenevë, 31 gusht 2026











