
MIKEL GOJANI
Sarë Gjergji: Isak Ahmeti Poet dhe studiues i letërsisë, botoi SHB LENA, Prishtinë 2026.
Shkrimtari dhe studiuesi i shquar Sarë Gjergji, këto ditë ka botuar monografinë letrare me titull: Isak Ahmeti poet dhe studiues i letërsisë.
Vepra është botuar në jubileun e 80–vjetorit të lindjes dhe 60-vjetorit të veprimtarisë së shkrimtarit Ahmeti.
Shkrimtari dhe studiuesi Sarë Gjergji u lind më 15 dhjetor 1965, në Stubëll të Epërme, Viti, është shkrimtar, poet dhe studiues i frytshëm dhe kualitativ. Pas përfundimit të studimeve universitare, ai vijoi angazhimin në fushën e kërkimeve filologjike si doktorant në Universitetin “Shën Çirili e Metodi” në Shkup, ku u mor me studimin e ndikimit të tekstit biblik në letërsinë shqipe.
Veprimtaria e tij letrare përfshin poezi, ese dhe studime letrare, të vlerësuara për ndjeshmërinë artistike dhe trajtimin e temave kombëtare, shpirtërore e kulturore. Ndër veprat e tij më të njohura janë: Golgotë (1994), Kontrast ngjyrash (1996), Terapia e vdekjes – Requiem për Kosovën? (2000), Peizazh toke (2004), vëllimi poetik në gjuhën rumune Foc nestins (Zjarr i pashuar) (2007), Ave Aelia (2018) etj. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i disa shoqatave letrare e kulturore ndërkombëtare.
Me krijimtarinë dhe punën e tij studimore, Prof. Dr. Sarë Gjergji ka dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e letërsisë dhe mendimit kulturor shqiptar
Libri i Prof. Dr. Sarë Gjergjit hapet me një recension të studiueses së njohur, Prof. dr. Luljeta Isaku, e cila duke shkruar rreth vlerave të kësaj vepre studimore, shprehet se shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë sonë, Sarë Gjergjit, përbën një përpjekje serioze për ta vendosur krijimtarinë e Isak Ahmetit në një kornizë më të plotë vlerësimi letrar dhe studimor. Vepra e Prof. Dr. Gjergjit, sjell një lexim të organizuar, të matur dhe kritik të një autori që ka vepruar në disa fusha të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
“Qasja e autorit është e kujdesshme dhe e përmbajtur. Ai e ndërton tekstin mbi lexim konkret të veprave, mbi vëzhgim të motiveve dhe mbi evidentim të veçorive që e dallojnë Isak Ahmetin si krijues. Kjo e bën librin të besueshëm, sepse vlerësimi mbështetet në analizë dhe në argumentim të brendshëm,” shprehet studiuesja Isaku.
Ndërkaq, në Hyrje të veprës autori Prof. Dr. Gjergji shkruan se ky libër synon të japë një vështrim kritik mbi dy përmasa kryesore të veprimtarisë së Isak Ahmetit: Isak Ahmetin si poet dhe Isak Ahmetin si studiues të letërsisë. “Këto dy drejtime nuk paraqiten si fusha të shkëputura nga njëra-tjetra, por si pjesë të një formimi të përbashkët krijues, intelektual dhe kulturor. Në pjesën e parë trajtohen vëllimet poetike të autorit, duke u ndalur te poetika, figuracioni, sistemi simbolik, raporti me mitin, historia, kujtesa, besimi, atdheu dhe përvoja ekzistenciale e njeriut. Poezia e Ahmetit lexohet si një krijimtari që ndërtohet mbi përqendrimin e fjalës, dendësinë e figurës, kërkimin e dritës përmes errësirës dhe përpjekjen për ta shndërruar dhimbjen, vetminë, kujtesën dhe përshpirtshmërinë në strukturë poetike.
Në këtë rrafsh, vëllimet e tij poetike dëshmojnë një zhvillim të brendshëm të qartë. Nga poetika e kondensimit simbolik dhe moderniteti i hershëm te Gallatea, te zbulimi, transfigurimi dhe figuracioni në Uratë zbulimi, e më tej te përmasat e besës, përshpirtshmërisë, kujtesës dhe dritës në veprat e mëvonshme, poezia e Isak Ahmetit shfaqet si një hapësirë ku fjala nuk është vetëm mjet shprehjeje, por edhe mënyrë njohjeje. Ajo nuk e shpjegon drejtpërdrejt botën, por e sugjeron atë përmes figurës, ritmit, heshtjes, aludimit, lutjes dhe kujtesës,” pohon autori Prof. Dr. Gjergji.
Prof. Dr. Sarë Gjergji, ndër të tjera shquhet për përkushtimin e tij në fushën e studimeve monografike e të kritikës letrare, i cili ka botuar disa vepra në këto fusha të letërsisë. Studiuesi Prof. Dr. Gjergji me punimet e tij të vepra “Isak Ahmeti poet dhe studiues i letërsisë, nuk janë vetëm një vlerësim i thjeshtë i një vepre letrare, mirëpo përbëjnë një proces analitik që përfshijnë interpretime të thukëta dhe shumëdimensionale të veprës, duke u përqendruar në tema, figura dhe kontekste letrare e kulturore.
Një nga aspektet më të rëndësishme të këtyre këndvështrimeve letrare, është interpretimi tekstual, duke ngërthyer edhe përbërësit e tjerë të brendshme të tekstit, si strukturën narrative, veçantitë artistike, përdorimin e shtresave poetike, si dhe mënyrën se si këto elemente ndërveprojnë për ta krijuar kuptimin e veprës. Nga ana tjetër, autori e zbaton edhe analizën e kontekstit letrar dhe kulturor e historik, për të tërhequr përqasje në rrjedha kohësh.
Vepra e Prof. Dr. Sarë Gjergjit “Isak Ahmeti poet dhe studiues i letërsisë,” është e konceptuar në dy pjesë: Pjesa e parë: Isak Ahmeti si poet dhe pjesa e dytë: Isak Ahmeti si studiues i letërsisë. Që të dy pjesët ngërthejnë një koncept unifikues përmbajtjesor.
Poeti Isak Ahmeti zë një vend të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare
Në pjesën e parë, Isak Ahmeti si poet, përfshihen disa vepra poetike, si Gallatea (972), Uratë zbulimi (1976), Kushtimebëse (1976) dhe Dritë e përjetësuar (2029). Poezia e tij karakterizohet nga një ndërthurje e mendimit filozofik, përjetimit shpirtëror dhe shprehjes artistike me një gjuhë të pasur poetike. Në krijimtarinë e tij vërehet prania e vazhdueshme e motiveve universale, si dashuria, atdheu, besimi, kujtesa historike, identiteti kombëtar dhe kërkimi i së vërtetës.
Katër vëllimet poetike Gallatea, Uratë zbulimi, Kushtimebëse dhe Dritë e përjetësuar paraqesin faza të rëndësishme të krijimtarisë së autorit, ku harmonizohen dimensioni estetik dhe ai filozofik. Përmes tyre poeti ndërton një univers poetik që fton lexuesin në reflektim mbi njeriun, jetën dhe përjetësinë.
Një nga tiparet themelore të poezisë së Isak Ahmetit është thellësia e vlerave të mirëfillta ideoartistike. Poezitë e tij nuk kufizohen vetëm në përshkrimin e ndjenjave, por paraqesin edhe një vizion të qartë filozofik mbi ekzistencën njerëzore.
Sipas këndvështrimit të Gjergjit, në vëllimin Gallatea dashuria nuk paraqitet vetëm si ndjenjë intime, por si forcë krijuese dhe burim frymëzimi. Figura e Galateas merr kuptim simbolik dhe shndërrohet në ideal të bukurisë, harmonisë dhe përsosmërisë shpirtërore. Dashuria në këtë vepër tejkalon kufijtë e personales dhe merr përmasa universale.
Sipas autorit Gjergji, historia, identiteti dhe hapësira e Kosovës, Sipas tij, e dhe pse Gallatea është libër i ndërtuar mbi figura simbolike dhe mbi gjuhë të përmbledhur, ai nuk është i shkëputur nga historia. Përkundrazi, historia hyn në poezi përmes shenjave, objekteve, hapësirave urbane dhe imazheve të përditshme. Ahmeti nuk shkruan poezi programatike historike; ai krijon një poezi ku historia ndihet si prani e brendshme, si pluhur, si gjak, si gazetë, si rrugë, si kujtesë dhe si ankth kolektiv.
Në poezinë “Me ty ose pa ty” (f. 12), hapësira e Kosovës shfaqet nëpërmjet një imazhi të ngarkuar simbolikisht:
“rrugët e asfaltuara të KOSOVËS
i ka mbuluar pluhuri e në qoshk ku shiten
gazetat 24 është varë RILINDJA
si flamur ngadhënjimi pas betejës.”
Ndërkaq në vëllimin poetik, Uratë zbulimi, sipas autorit, poeti trajton procesin e njohjes së vetvetes dhe të botës. Zbulimi nuk është vetëm intelektual, por edhe shpirtëror. Ai paraqitet si një rrugëtim drejt së vërtetës, ku njeriu përballet me dilemat, sfidat dhe përgjegjësitë e tij morale.
Vëllimi Kushtimorëse mbështetet mbi motivin e kujtesës dhe të mirënjohjes. Poezitë kushtuar figurave të ndryshme shprehin respektin për personalitetet që kanë lënë gjurmë në kulturën, historinë dhe jetën kombëtare. Në këtë mënyrë poeti ndërton një dialog ndërmjet brezave dhe afirmon rëndësinë e trashëgimisë kulturore.
Në Dritë e përjetësuar, autori ofron një gamë të gjerë dhe të thellë të kontributit të këtij studiuesi të rëndësishëm në letërsinë shqipe. Sipas autorit Gjergji në vargjet e Ahmetit mbizotëron dimensioni metafizik. Drita simbolizon të vërtetën, dijen, besimin dhe shpresën. Përmes këtij simboli poeti trajton raportin ndërmjet jetës dhe përjetësisë, ndërmjet materies dhe shpirtit, duke i dhënë poezisë një karakter meditativ.
Cikli “E jeta” e zhvendos librin drejt një meditimi më të drejtpërdrejtë mbi ekzistencën. Nëse cikli i parë merrej me burimin e këngës, ky cikël merret me kushtet themelore të jetës: pragun, derën, qytetin, brendësinë, vdekjen, qiellin, diellin, gjuhën dhe tokën. Këto nuk janë thjesht motive të veçuara; ato janë kategori përmes të cilave subjekti poetik përpiqet ta kuptojë vendin e vet në botë. Në poezinë “Gjakon hapjen e derës” (f. 15), dera është figurë e kalimit, hapjes dhe kërkimit të strehës:
“do të kalojë
nëpër plasën e murit
do të shpëtojë
qan
dhe
shan
e gjakon
fundin e nostalgjisë hapjen e derës së shtëpisë”
Metafora një tipar karakteristik i vargut artistik
Përveç përmbajtjes ideore, poezia e Isak Ahmetit shquhet edhe për nivelin e lartë të vlerave ideo-artistike. Një nga elementet më të rëndësishme është përdorimi i simbolit. Figura si drita, ura, rruga, qielli, deti dhe guri nuk kanë vetëm funksion dekorativ, por mbartin kuptime të shumta filozofike dhe kulturore. Simbolika e pasur e bën poezinë shumëplanëshe dhe të hapur ndaj interpretimeve të ndryshme.
Metafora, si mbretëresha e tropeve, autori Gjergji, pohon se është një tjetër tipar karakteristik. Ajo krijon lidhje të papritura ndërmjet ideve dhe objekteve, duke pasuruar shprehjen poetike. Përmes metaforës poeti arrin të materializojë përjetimet shpirtërore dhe të ndërtojë imazhe me fuqi të madhe emocionale.
Gjuha poetike është e përzgjedhur me kujdes. Ajo ndërthur fjalorin tradicional me shprehje moderne, duke ruajtur një ekuilibër ndërmjet qartësisë dhe figuracionit artistik. Vargu është kryesisht i lirë, gjë që i jep autorit mundësi të shprehë lirshëm mendimin dhe emocionin.
Një vlerë tjetër artistike është muzikaliteti i vargut. Ritmi, përsëritjet dhe organizimi fonetik krijojnë një harmoni të brendshme që e bën poezinë të lexohet me kënaqësi dhe të mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit.
Dimensioni filozofik dhe shpirtëror
Sipas autorit, në të katër vëllimet poezia paraqitet si një mjet meditimi mbi kuptimin e jetës. Poeti trajton tema të përhershme si koha, vdekja, kujtesa, dashuria, besimi dhe shpresa. Në shumë poezi njeriu paraqitet si qenie që kërkon vazhdimisht të vërtetën. Ky kërkim nuk është i lehtë, por përbën thelbin e ekzistencës njerëzore. Për këtë arsye poezia e Isak Ahmetit ka karakter refleksiv dhe fton lexuesin të mendojë mbi përvojën e vet jetësore. Elementi shpirtëror është gjithashtu shumë i pranishëm. Besimi nuk paraqitet në mënyrë dogmatike, por si një dimension human që ndihmon njeriun të ruajë dinjitetin, shpresën dhe ekuilibrin moral.
Rëndësia në letërsinë shqiptare
Autori Gjergji në dritën e mendimit të tij konstaton se krijimtaria poetike e Isak Ahmetit përfaqëson një ndërthurje të traditës me modernitetin. Ai arrin të ruajë identitetin kulturor shqiptar, duke e vendosur atë në dialog me vlerat universale të letërsisë botërore. Sipas tij, poezia e tij shquhet për seriozitetin artistik, kulturën e gjerë letrare dhe pasurinë e mendimit filozofik. Përmes figuracionit të pasur dhe gjuhës së përpunuar artistike, autori krijon një model të poezisë bashkëkohore shqiptare, ku estetika dhe ideja funksionojnë në harmoni të plotë.
Sipas tij, Ahmeti të bëhet personalitet i shquar në letërsinë e sotme shqipe e ka arritur pa dyshim përmes punës së pareshtur dhe vepeve të tij në poezi, që është vokacioni kryesor i tij. Këtë fakt e argumentoi edhe përmes poezive në vëllimet poetike Gallatea, Uratë zbulimi, Kushtimorëse dhe Dritë e përjetësua duke dëshmuar pjekurinë krijuese të tij dhe vendin e rëndësishëm në poezinë shqipe bashkëkohore. Në to gërshetohen vlerat ideore me ato artistike, duke krijuar një univers poetik të pasur me simbole, metafora dhe meditime filozofike.
Poezia e Isak Ahmetit afirmon dashurinë, humanizmin, kujtesën historike, identitetin kombëtar dhe besimin në vlerat e përhershme të njeriut. Përmes gjuhës artistike të kultivuar dhe mendimit të thellë filozofik, autori arrin të komunikojë me lexuesin në nivele të shumta interpretimi, duke e bërë krijimtarinë e tij një kontribut të rëndësishëm në letërsinë shqiptare.
Kontributi studimor i Isak Ahmetit në hulumtimin e letërsisë shqiptare, letërsisë fetare dhe trashëgimisë kulturore.
Studiuesi Gjergji shpreh mendimin se shkrimtari dhe studiuesi i shquar Isak Ahmeti zë një vend të veçantë në studimet bashkëkohore të letërsisë shqiptare. Veprimtaria e tij shkencore shquhet për një qasje ndërdisiplinore, ku ndërthuren letërsia, historia, filozofia, kultura dhe studimet fetare. Përmes veprave të tij, ai ka ndriçuar dimensione të rëndësishme të traditës letrare shqiptare, duke dëshmuar se identiteti kulturor shqiptar është ndërtuar mbi bashkëjetesën e vlerave shpirtërore, fetare dhe artistike.
Veprat Kleri katolik shqiptar dhe letërsia (1994), Letërsia kishtare dhe filozofia e saj (2000), Bibla në letërsinë shqiptare (1999), Kur’ani në letërsinë shqiptare (2006)etj., studiuesi Gjergji i vlerëson vepra vlerash të mëdha poetike – Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës (2018) dhe Letërsia shqiptare e Kosovës (2021) përbëjnë një tërësi studimore që pasqyron interesimin e autorit për historinë e letërsisë, ndikimet fetare në krijimtarinë artistike dhe zhvillimin e mendimit kritik shqiptar.
Kleri katolik shqiptar dhe letërsia (1994)
Në këtë studim, sqaron studiuesi Gjergji, Isak Ahmeti trajton kontributin e klerit katolik shqiptar në zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës kombëtare. Ai argumenton se figura të shquara të klerit nuk kanë qenë vetëm udhëheqës shpirtërorë, por edhe krijues, përkthyes, studiues dhe mbrojtës të identitetit kombëtar. Sipas tij, autori ndalet në veprimtarinë e autorëve të letërsisë së vjetër shqiptare, duke analizuar ndikimin e tyre në formimin e traditës letrare dhe në kultivimin e gjuhës shqipe. Ky studim dëshmon se kleri katolik ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare.
Ndërkaq te vepra Letërsia kishtare dhe filozofia e saj (2000), sipas autorit Gjergji, Ahmeti analizon bazat filozofike dhe estetike të letërsisë kishtare shqiptare. Ai e trajton këtë letërsi jo vetëm si krijimtari me karakter fetar, por edhe si bartëse të vlerave universale morale, etike dhe humaniste. Sipas autorit, letërsia kishtare ka ndikuar në zhvillimin e mendimit filozofik shqiptar, duke promovuar ideale si drejtësia, dashuria ndaj njeriut, liria shpirtërore dhe përgjegjësia morale. Studimi paraqet një ndër analizat më të plota mbi raportin ndërmjet fesë, filozofisë dhe letërsisë në kulturën shqiptare.
Bibla në letërsinë shqiptare (1999)
Kjo vepër konsiderohet ndër studimet më origjinale të Isak Ahmetit. Autori analizon ndikimin e Biblës në letërsinë shqiptare gjatë periudhave të ndryshme historike.
Nëpërmjet analizës së motiveve, simboleve, figurave biblike dhe ndikimeve stilistike, ai dëshmon se Bibla ka qenë një nga burimet më të rëndësishme frymëzuese për shumë autorë shqiptarë. Studimi evidenton mënyrën se si teksti biblik është transformuar artistikisht në poezi, prozë dhe eseistikë, duke fituar dimensione të reja estetike.
Kur’ani në letërsinë shqiptare (2006)
Në këtë studim Ahmeti zgjeron fushën e kërkimit duke analizuar ndikimin e Kur’anit në letërsinë shqiptare. Ai argumenton se tradita islame ka ushtruar ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës dhe krijimtarisë letrare shqiptare.
Autori shqyrton përdorimin e motiveve kur’anore, simboleve fetare dhe elementeve filozofike në krijimtarinë e autorëve shqiptarë. Njëkohësisht, ai dëshmon se letërsia shqiptare ka arritur të ndërtojë një dialog harmonik ndërmjet traditës islame dhe asaj të krishterë, duke pasqyruar tolerancën fetare si një nga tiparet themelore të kulturës shqiptare.
Vepra vlerash të mëdha poetike – Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës (2018), Isak Ahmeti i kushton vëmendje krijimtarisë së Anton Nikë Berishës, duke analizuar strukturën poetike, simbolikën, universin artistik dhe dimensionin estetik të veprës së tij. Autori evidenton pasurinë gjuhësore, figuracionin poetik dhe filozofinë e krijimit, duke e vendosur Anton Nikë Berishën ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Studimi karakterizohet nga analiza të hollësishme tekstuale dhe një metodologji moderne e kritikës letrare.
Kurse te vepra Letërsia shqiptare e Kosovës (2021), vlerëson studiuesi Gjergji, kjo vepër paraqet një panoramë të gjerë të zhvillimit historik të letërsisë shqiptare në Kosovë. Isak Ahmeti trajton periudhat kryesore të zhvillimit letrar, autorët më përfaqësues dhe veprat që kanë ndikuar në formimin e identitetit kulturor shqiptar në Kosovë, sqaron studiuesi Gjergji.
Në analizat e tij ai ndërlidh zhvillimet historike me proceset letrare, duke dëshmuar se letërsia kosovare është zhvilluar në rrethana të veçanta shoqërore e politike, por gjithnjë ka ruajtur lidhjet organike me letërsinë kombëtare shqiptare.
Në përfundim lirisht mund të konstatojmë se monografia studimore me titull: Isak Ahmeti si poed dhe si studiues i Prof. Dr. Sarë Gjergjit, përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në albanologji dhe në historinë e mendimit kritik shqiptar.
Korrik 2026











