31.5 C
Tirana
E shtunë, 11 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi TREGTARI I QUMËSHTIT

TREGTARI I QUMËSHTIT

0
Gjon Marku

nga Gjon Marku

  • tregim

Samiu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat, megjithatë i duhej të përballonte një lodhje të dyfishtë. Jeta e kishte përplasur me lloj-lloj njerëzish e problemesh, por ai kishte ditur t’ia dalë mbanë. I kishte provuar të gjitha: humbjen e prindërve në moshë të re, rritjen me njëmijë mundime të motrave dhe vëllezërve, varfërinë e tejskajshme, rrëzimin nga makina, përbuzjen dhe nderimin, madje edhe burgun. Por ajo që e kishte gjunjëzuar kishte qenë vdekja e djalit të vetëm dhe e të vëllait, të cilët ishin aksidentuar një natë furtune dimri. I heshtur, pinte vazhdimisht duhan, aq sa krijohej përshtypja se nuk mund të jetonte pa atë tymosje. Që pas daljes prej burgut, ai ishte bërë fjalëpak dhe fytyra i kishte marrë një pamje të vrazhdë; vuante përbrenda.

Çdo ditë ngrihej herët që të kapte trenin e parë dhe lëvizte me të drejt një qyteti të vogël, strukur mes malesh, me dy çanta ku kishte vendosur shishet e qumështit, me të cilat mbante njëkohësisht dy palë jetimë: ato të të vëllait, i cili kishte lënë tetë fëmijë si zogj pule, dhe ato të djalit të vetëm që ia kishte tharë zemrën. Kthehej darkave vonë, i lodhur e raskapitur, e merrte në krahë nipin, po zemra gati e linte. Pastaj ndalej te shtëpia e të vëllait, ku jepte paratë e shitjes së qumështit të lopës së tyre, dhe pasi hante darkën, bëhej gati për të nesërmen. Kështu, me qumështin e dy lopëve të tij dhe të fëmijëve të të vëllait, rrugtonte sërish herët drejt qytetit mes malesh. Kështu, dimër verë, e njëjta gjë.

Vitet iknin e ai plakej, fuqitë e linin, pastaj bora dhe shiu kishin bërë të vetën, e kishin filluar t’i shfaqeshin një zot e di se çfarë sëmundjesh, veçse mezi vente e kthehej.

Një natë, në televizorin shtetëror, kishte parë ministrin në krye të një ekipi që derdhnin qumësht në lumin që rridhte mespërmes kryeqytetit. “O zot”, kishte mërmëritur, “po sikur një ditë t’i dilnin para atij e t’i derdhnin ‘bukën’ e dy palë jetimëve në ndonjë përroskë të atyre anëve?” Ishte përqendruar i tëri në kronikën televizive dhe pinte duhan gjithë hidhërim. Atë natë s’e zuri gjumi. Ishte përpëlitur në krevat në mundimin që të gjente një moment qetësie, po më kot. Një ofshamë kishte dalë prej thellësisë së shpirtit kur kishte kujtuar ditëmortin e të vëllait dhe të të birit, që ishin vënë në arkivole pranë e pranë.

O zot, tridhjetë vjeç, në kulmin e rinisë së tij. Fëmijët nuk kuptonin pse “flinin” aq gjatë, aty në arkivol, baballarët e tyre. Ai vetë s’kishte mundur ta mbante veten dhe ishte shkrehur në atë vajë me dënesë. Ashtu duke dënesur e kishte zënë mëngjesi, kur i ishte dashur të nisej me çantat në krah, të cilat i ishin dukur plumb të rënda. Vetëm pasi kishte dalë prej shtëpisë, e kishte kuptuar se kishte vuajtur shumë në krevat, ku nuk kishte mundur të flinte as edhe një minutë të vetme.

Kishte zënë një vend në vagonin bosh të trenit dhe kishte tymosur njërën pas tjetrës disa cigare. Në shpirt ndjente një shtrëngim të fortë. Edhe pse ishte një ditë korriku, koha ishte e errët.

Ardhja e fatorines e kishte zgjuar nga ato mendime të trazuara që po ia coptonin zemrën. Ajo e kishte parë disa çaste të vetmin udhëtar në atë vagon, ndërsa Samiu diku në xhep kërkonte një qindëlekëshe. Por kur ai kishte nxjerrë kartëmonedhën, ajo ishte duke kapërcyer në fund të vagonit.

“O zot, më le mendjen e kokës”, kishte mërmëritur me vete. Po afronte stacioni ku duhej të zbriste. Binte një shi kokërrmadh, megjithatë ai ngarkoi çantat dhe u nis drejt furgonit që lëvizte asaj lugine të thellë dhe mbërrinte në qytetin mes malesh, ku ai shiste atë të bekuar qumësht.

E hodhi vështrimin përjashta, ku vërshonte një lumë i tërbuar, duke sjellë kërcunj e pemë që kushedi se ku i kishte përlarë. Kurrë nuk kishte rastisur ta shihte atë lumë ashtu, edhe pse kishte vite që rrugtonte brigjeve të tij. Ndoshta ai vetë ishte i trazuar, dhe tani lumi i dukej ndryshe. Në vesh sikur i buçiste këngëvajë e një gruaje, ditëmortin, kur kishte vajtuar pikërisht Samiun për barrën e rëndë që tani kishte për të rritur njëherësh dy palë jetimë.

Ishte tërësisht i zhytur në vetvete, kur në një buzë kthese kishte ndaluar furgoni dhe brenda kishin hyrë një polic dhe një mesoburrë i kollarisur, që ishte më i gjerë se i gjatë, dhe e kishin urdhëruar të zbriste. Përnjëherësh, në mendje i kishte ardhur kronika televizive dhe derdhja e qumështit.

Ashtu tejet i lodhur, mundi t’i zbresë çantat e qumështit para një grupi policësh dhe disa civilësh. Njëri prej këtyre të fundit kishte nisur të shkruante, nën strehën e një kioske të vjetër e të braktisur, mbi një letër. Disa metra më tej, një përroskë vente drejt lumit të tejmbushur. Asnjë dokumentacion nuk kishte ai i ngrati për të tregtuar atë qumësht të flamosur. E ku kishte kohë ai të merrej me letra.

– Sa shishe janë?

– Shtatëmbëdhjetë, shef Astriti – kishte thënë njëri prej kontrollorëve – të gjitha në ambalazh plastik, të destinuara për një përdorim. Samiu e kishte drejtuar vështrimin nga ai shef që kishte emrin e të birit, tashmë të vdekur.

– Si do të bëjmë? – kishte pyetur ai, të cilin dikush, pak minuta më parë, e kishte thirrur “shef”.

– Do të derdhet – kishte këmbëngulur mesoburri – si në gjithë vendin, a nuk e patë ministrin?

– E kam parë, e kam parë – u përgjigj tjetri, ku dukej haptazi pakënaqësia – po ne mund…

– Do të derdhet! – tha mesoburri, pa e lënë shefin të mbaronte mendimin, dhe vrullshëm kishte rrëmbyer njërën prej shisheve, kishte nisur të derdhte, me gjithë nxitim, atë lëng të bardhë në atë shesh të asfaltuar.

– Mos, bre burra! – kishte ndërhyrë Samiu. – Më lejoni ta marr në shtëpinë time. Aman, bre Astrit. Kam dy palë jetimë. – Një ligështim e kishte pushtuar dhe nuk kishte mundur të thoshte gjë tjetër.

– Le t’i marrë – kishte ndërhyrë shefi.

Kjo fjali e tij i ishte dukur si një lutje Samiut, dhe ishte përqendruar tek ai. Ishte një djalë i ri, aty rreth të tridhjetave. Për një moment, Samiu gati sa nuk e kishte pyetur për moshën, pse kishte menduar se ishte në një moshë me të birin. Në atë mjegullim sysh, i ishte dukur krejt si ai.

– Në asnjë mënyrë, kështu bëjnë këta. Do të derdhet dhe pikë! – kishte ndërhyrë sërish mesoburri, që vazhdonte vrullshëm dhe gjithë zell të derdhte njërën pas tjetrës shishet e qumështit.

– Për hatër të zotit, mos! Jo aty, mbi asfalt, se nuk më ecën më lopa – kishte lëshuar atë thirrje-lutje Samiu.

– Mjaft! – kishte urdhëruar shefi. – Mjaft!

Të gjithë ishin përqendruar atje. Fytyra e tij kishte marrë një pamje të rreptë dhe toni i fjalëve ishte tepër i prerë. – S’keni turp!…

Polici dhe mesoburri kishin mbetur me shishet e qumështit ndër duar, ndërsa Samiu sikur kishte ngrirë.

“Po sikur të urdhëroj ta lëmë të ikë” – kishte menduar një moment – pastaj ishte kujtuar për kritikat në mbledhjen e fundit, ku ishin pale edhe përfaqësues nga të gjitha institucionet e kontrollit. Ai e dinte mirë përpjekjen e vartësit të tij për t’i zënë vendin. Por më së shumti e njihte karakterin e tij për thurje intrigash.

– Jo aty. Pse e poshtëroni? Derdheni në përroskë, po jo mbi asfalt.

Mesoburri e kishte shikuar në sy, dhe me vete kishte menduar atë sharje banale, por nuk kishte folur; ishte spostuar disa metra dhe, me një mllef edhe më të madh, kishte vijuar derdhjen e shisheve vetëm pak metra më tej.

Djaloshi kishte kërkuar një cigare, dhe pasi e kishte ndezur, u kishte kthyer shpinën kolegëve të vet, që në fakt bënin detyrën.

Samiu ishte ulur në një gur, aty në strehën e asaj kioske, me vështrimin përtokë. E kishte mbërthyer ndër duar kokën dhe nuk kishte folur më asnjë fjalë, po ishte zhytur në atë botën e tij.

Makina e kontrollorëve ishte nisur për në qytet. Astriti ishte ndjerë zbrazët tek e kishte parë Samiun në atë gjendje, dhe vështrimi i tij kishte mbetur tek ai, derisa makina kishte kaluar kthesën dhe nuk mund ta shihte më.

Makina ishte kthyer sërish pas një ore, dhe ashtu e kishte gjetur Samiun duke vajtuar me vete.

Astriti kishte zbritur menjëherë prej makinës dhe ishte ndaluar përpara tij. Kur ia kishte parë fytyrën e lodhur e të drobitur dhe sytë e skuqur, gjunjët gati sa e kishin lëshuar përdhe. Inspektorët, si të ngrirë, vështronin atë plak në atë gjendje të mjerë.

– Sa kushtonte gjithë qumështi, Sami? – kishte pyetur, me zërin e tij që dridhej, shef Astriti.

Vështrimi i Samiut ishte ndalur tek ai, i cili i kishte ngjarë me të birin.

Tjetri kishte nxjerrë nga xhepi disa kartëmonedha dhe ia kishte zgjatur.

– Jo, bre bir, kurrsesi. Merri, merri – kishte mërmëritur – kushedi si e ke hallin. Po ne s’kishim ç’të bënim…

– Jo, jo – kishte mërmëritur Samiu – unë po marr vetëm këtë, sa për biletë, dhe ta kthej nesër… – Sytë e tij të lagur ia kishin mjegulluar vështrimin, por zërin e Astritit e dëgjonte.

– Më fal, Sami… – i dukej si një zë që vinte nga nëntoka, si të ishte zëri i të birit. Dhe as vetë s’e kishte kuptuar se si e kishte artikuluar atë fjali, që askush s’e kishte kuptuar.

– Për hatër të zotit, edhe një herë, më lini ta përqafoj tim bir…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.