Nga Gjon Marku
- Tregim
Nata qe në të sosur, ndërsa yjet puthnin agimin, kur Mark Bregu doli prej kullës dhe mori udhën. Hëna hidhej flokëshprishur mbi kataraktet e atyre anëve. Yjet regëtinin mbi ujëvara, si lulet që çelin e vdesin. Fshati hepoheshte rrëzë maleve me borë, ndërsa alpet, kreshtëbardha e shtatgjelbra, ngriheshin krenare drejt qiellit.
Rruga drejt stacionit të autobusit përdridhej si një gjarpër i zi. Duke zbritur teposhtë, ndjeu aromën e lisnës që vinte nga shpatet e malit. Në kroje gurgullonte uji i kulluar, i kthjellët si një lot, ndërsa lugjet ishin mbuluar me blerim. Nëpër livadhe harliste bari i njomë. Në sukën përtej lumit, në malin përballë, pa dy kaproj që ia jepnin vrapit, kaluan një përtejqafë dhe u zhdukën mes pyllit. Kur mbërriti te stacioni i autobusit, dita kishte dalë.
E hodhi vështrimin drejt qiellit: kupë e kaltër, pa njolla, qelibar. Pas bjeshkëve kishte dalë dielli. Ndërsa autobusi filloi të rrëshqiste teposhtë rrugës, përskaj lumit valëbardhë, nga shkrepat e majëmaleve brofën shqipet drejt qiellit.
– Eh… katundi ndërron si ujku qimen; tash mbulohet me borë e tash bleron gjithkah.
Kështu e la katundin e tij mes bukurish atë mëngjes dhe, duke u afruar dreka, mbërriti në kryeqytet, ku i biri priste të merrte diplomën universitare. Kjo e bënte të ndjehej krenar dhe i lumtur.
Në një tërthore rruge e la autobusi. Ai mori udhën për nga Korpusi Qendror. Kaloi pranë një dyqani ku shiteshin zogj dhe e hodhi vështrimin drejt kafazëve, prej nga dëgjohej veç gugama e papagajve. Për një çast mërmëriti me vete:
– Po, po, këtu veç papagaj dërdëllisin. Atje ku kam lindur unë është tjetërsoj. Ta dëgjosh këngën e zogjve, ajo ia kalon çdo simfonie.
Fjalën e fundit dukej se e kishte lidhur pikërisht me vendin ku ndodhej, pasi ishte krejt pranë Akademisë së Arteve.
Pasi mbërriti para Korpusit Qendror të Universitetit, zuri vend në njërën nga kafenetë në të djathtë dhe porositi një kafe, që të mblidhte veten pas asaj rruge të gjatë. U mbështet mbi bërryla dhe e hodhi vështrimin nga dalja e universitetit, prej nga dilnin grupe-grupe studentësh.
Takoheshin me të dashurat apo të dashurit e tyre dhe, pasi ua cakërronin buzët si gotat, merrnin dorë për dore rrugën drejt Qytetit Studenti apo kodrave të Liqenit Artificial. Ndonjë çift, më rrallë, drejtohej drejt ndonjë kafeneje. Edhe kur ndaheshin, kur njëri hynte e tjetri dilte, ata sërish putheshin dhe, si kaproj të lehtë, i hidhnin hapat gjithë krenari.
Teksa shihte puthjet e tyre, mendimet iu bënë të zjarrta.
– Oh…
Lëshoi frymën dhe sikur iu lehtësua gjoksi.
– Është koha e tyre, – mërmëriti me vete.
Trupat e tyre plot musht, vrull e energji, plot jetë.
Është koha e tyre. Mosha e tyre. Ditët e tyre të arta.
Në tavolinën ngjitur zuri vend një çift studentësh, që dukej se po e tepronte me përkëdheljet dhe joshjet ndaj njëri-tjetrit. I vështronte në tërthore të shikimit dhe nuk deshi t’ua prishte qetësinë me përqendrimin e vëmendjes së tij. Aq më tepër që vetja iu duk si i ardhur prej një tjetër kohe, të cilit nuk i kishte mbetur gjë tjetër veçse të vështronte çiftet kur putheshin.
Kështu, e piu me një frymë kafenë dhe bëri të dalë.
– O Zot, – mërmëriti me vete, – atje në ato fshatrat tona, mes maleve, vajzat e bukura rrinë fshehur prej djemve, ndërsa ndonjërit prej këtyre të fundit i vjen era vodkë. Ndonjë tjetër, si hardhuca që fshihet nëpër gardhe, përgjon të shquajë diku, qoftë edhe vetëm me sy, atë që ia ka trazuar ndjenjat, pa mundur t’i afrohet, pale më ta puthë e ta përkëdhelë.
Po i biri, a ishte mes tyre? Ndoshta diku ishte strukur duke puthur të dashurën e vet. Gjithsesi, ai nuk i kishte thënë asgjë të tillë.
U ngjit në sheshin që shtrihej para Korpusit Qendror, pasi ngjite shkallët që të nxjerrin në sheshin pranë Akademisë së Arteve. Ndoshta do ta shquante diku mes tyre, duke dalë nga ndonjë leksion apo nga ndonjë orë konsultimesh, pasi ishin ditët e fundit të studimeve.
Mbështetur në njërën prej kolonave, e pa. Bisedonte me një shoqe, së cilës i rrinte pothuajse ngjitur; qeshte dhe i gëzohej pranisë së saj. Pastaj pa që i biri i hodhi krahun rreth qafës.
Marku menjëherë ktheu rrugë mbrapsht.
Nuk deshi që djali ta shihte. Ndoshta edhe ai donte të shijonte zjarrin e buzëve të saj. Nuk deshi që ajo të ishte një puthje e lënë përgjysmë.
Teksa zbriste shkallëve, dëgjoi zërin e të birit që e thërriste dhe u ndal. Nuk dinte çfarë t’i thoshte. Vetja iu duk si një shegë e mbyllur.
I biri fliste dhe e pyeste për gjithçka. Madje i tregonte për provimet e mësimet, por për atë që ai donte të dinte, nuk i thoshte asnjë fjalë.
T’i njoh dëshirat e heshtura, mendoi me vete, teksa e pa djalin të burrëruar.
– Dje u kam dhënë fund studimeve, – i tha i biri. – Tani pres të marr diplomën.
– A ke ndonjë nevojë? – e pyeti i ati.
Por në të vërtetë kishte dashur t’i thoshte: A ke ndonjë gjë tjetër për të më thënë?
– Jo, baba, gjithçka shkon mirë. Kam dalë mjaft mirë dhe dje, në mbrojtjen e temës, kam marrë maksimumin e vlerësimit.
– Tani, a shkojmë për një drekë së bashku, apo ke ndonjë punë?
– Jo, baba. Po ti rri sonte tek unë.
– Jo, jo. Sot do të jemi bashkë për drekë. Ti na gjej një restorant të mirë; rri me mua sa të duash dhe më thuaj ndonjë gjë të re. Pastaj, sonte do të jem te motra ime dhe nesër vij në ceremoninë e marrjes së diplomës tënde.
U futën në një restorant dhe hëngrën një drekë të mrekullueshme. Por i biri nuk i tha asgjë për shoqen e tij. Kështu që, kur po bëheshin gati të dilnin, i ati e pyeti:
– Kristjan, a ke zgjedhur ndonjë shoqe?
Tjetri u skuq.
– Dëgjo, baba, bisedojmë kur të vij atje.
– Mirë, si të duash. Veç hap sytë dhe kujdesu për vete.
Kështu, biseda që kishte mbetur përgjysmë në atë restorant pranë stadiumit më të madh të vendit, u hap një natë tjetër, atje në odën me oxhak, në katin e tretë të kullës. Por tani mori një udhë të paparashikuar për të dy.
– Po, baba, unë dua një vajzë të bukur e të pashme, të sjellshme, që më do dhe që më përshtatet. Dua ta kaloj jetën me të.
Deri këtu, gjithçka kishte shkuar mirë.
Por gjithçka ndryshoi kur ai tha se vajza ishte myslimane.
I ati mori një pamje të rreptë dhe, për një çast, nuk deshi ta besonte. Pas kësaj, biseda u bë e ftohtë dhe e tendosur si tehu i shpatës. Dhëmbët sikur i lëshonin xixa.
Gjithsesi, mundohej të përmbahej. Përpiqej t’i vinte fre inatit që i cingriste në zemër, por qetësia e humbur i dukej haptazi. Kishte filluar të ndizte e shuante një llullë shqope.
Iu duk sikur kishte rënë në fund të një pusi.
Ky bredharak nuk ka pyetur fare për trollin. Tri degë lisi ka fisi ynë, e tash dega jonë do të marrë një njollë, sikur ta kishte vrarë rrufeja.
Nata sikur kishte rrudhur ballin mbi pezmin e tij. Ishte një natë pagjumësie. Sikur vetmia i ulërinte te porta.
Ai kishte bërë të pamundurën që i biri të shkollohej, e tani ai do t’i sillte për nuse një vajzë të një feje tjetër…
Po farefisi? Po katundi? Po bajraku? Po prifti?
– Kund a ke, o Zot? – iu drejtua të birit pas një heshtjeje të gjatë.
Por ai u ngrit dhe u largua për në dhomën e tij pa folur.
Mesnata kishte dy a tri orë që kishte kaluar, ndërsa Marku rrinte ende pranë votrës, duke fikur e ndezur çibukun e shqopës.
Mëngjesi i zuri të dy zgjuar. Dolën herët prej kullës dhe morën udhën drejt stacionit të autobusit. Ecnin prapa njëri-tjetrit, pa folur.
I biri nuk i tha gjë të atit, por së ëmës i kishte thënë se do të shkonte në kryeqytet.
Pra, tek ajo, mërmëriti me vete Marku, kur zbriti nga autobusi dhe vijoi rrugën, pasi lëshoi një ofshamë të pikëlluar.
Edhe pse lodhja i ishte ulur mbi vetulla, Mark Bregu mori udhën dhe e ndali hapin në oborrin e kishës së madhe, në kryeqendrën e katolicizmit në vend. Atje takoi dom Palin.
Fill e për pe, ia rrëfeu gjithçka që kishte ndodhur dhe i kërkoi mendimin.
– I mbështjellë jam në rrjetën e zezë të dhimbjes. Jam aty ku gjunjëzohet burrëria…
Tjetri heshtte. Dëgjonte me vëmendje, por nuk fliste. Mundohej të hynte në shpirtin e tij, të gjente pjesën e palatuar.
I është ndryshkur shpirti, si parmaku i dyerve të vjetra, mendoi me vete dom Pali, por ende nuk kishte shqiptuar asnjë fjalë.
Është si një copë dru mështekne që vështirë merr formë. I përket një kohe tjetër, një mentaliteti tjetër. Ndërsa i biri, edhe pse ishte diplomuar në nivelet më të larta universitare, e kishte pasur të vështirë të bindte të atin për gjënë më të shtrenjtë të tij: dashurinë.
Dom Pali uli syzet në kodrën e hundës.
Ishte dita e Shën Valentinit, dita e të dashuruarve. Po ku dinte Marku për këtë? Pikërisht për të festuar atë ditë, i biri kishte shkuar në Tiranë. Edhe pse plaku dyshonte, djali nuk po i shkelte parimet e veta.
Dom Pali nuk po dinte nga t’ia niste.
Marku i kishte treguar për atë ditë në kryeqytet, kur të rinj e të reja putheshin pa pyetur nëse i shihte kush.
– Dëgjo, Mark, – iu drejtua ai krejt butë. – A është me rëndësi që buburrecat i shkelin me këmbë kalimtarët?
Tjetri mori një drejtqëndrim, sikur donte të thoshte:
Lëri buburrecat. Ti më thuaj ç’të bëj me djalin që po bën mëkat.
Prifti vijoi gjatë. Pastaj, në fund, tha:
– Nuk është aspak gabim, Mark. Ti merr një vajzë myslimane për djalin, pra për re, e pagëzon dhe e kthen katolike. Edhe nipin që do të lindë, e pagëzojmë. Përkundrazi, Mark, është mirë.
Pas asaj bisede të gjatë, Marku mori udhën drejt kullës së tij. E zuri muzgu mbi kodër. Shpirti i hënës pikonte ëmbëlsi mbi arat në shpat të malit.
Por brenda tij kishte zënë vend një brengë e pikëlluar.
– A ka mbërritur djali? – e pyeti të shoqen në oborrin e kullës.
– Jo, – u përgjigj ajo shkurt.
Mbrëmja ia mbushi sytë me terr. Brenda vetes ndjeu të përshkohej nga ankthe që bulëronin si dema.
Fërshëllimat e bulkthave kishin marrë jetë nëpër hatulla.
Edhe pse kishte rrugëtuar gjithë ditën, priti gjatë që të kthehej i biri. Por ai nuk erdhi as atë natë, as të nesërmen.
Po pse? – e pyeste disa herë veten Marku. Ti këtu, në këtë shtëpi të vjetër, duhet të kërkosh fëmijërinë tënde, mor bir.
Pas tri ditësh, kur i biri mbërriti në oborrin e kullës, Mark Bregu po kërkonte në një lëpizë një teskë, për të gdhendur një bisht lopate.
– Përshëndetje, baba. A u lodhe? – i tha ai.
Por Marku as që e ktheu kokën.
Kishte pritur që djali të vinte e të bisedonin edhe një herë, shtruar, por më kot.
Në mesnatë doli te dritarja dhe pa të fikur dritën në dhomën e të birit.
E pa siluetën e tij tek zhvishej nën dritën e hënës, me dritaren hapur, që fresku të hynte lirshëm.
– Nuk është mëkat…
Iu bë sikur zëri i dom Palit foli ndër muret e kullës.
Mos ka zënë vend ndonjë gjë e keqe në rrënojat e zemrës sime të prishur? mendoi.
Pastaj e mbylli dritaren dhe i tha së shoqes:
– Ma thirr djalin.
– Ka fjetur gjumë, ishte i lodhur.
– E di se ka fjetur, po ma thirr.
– Pash hatrin e Zotit, mos m’ia thyej zemrën djalit. E kam si dritën e syve.
– Ani, ani, ma thirr djalin.
Ajo, duke mërmëritur me vete një lutje, u drejtua nga dhoma e të birit.
– Po të pret yt atë.
– Po fle, moj nënë.
– E di, po më tha të të thërras.
U ngrit.
– Të pastë nana, mos e nxeh më atë. Do t’i lutemi të dy. Nuk ta prish nana ty…
– Nana ty, ti e di.
– Të thirra të të pyes edhe një herë për punën e asaj vajze.
– Ajo punë ka marrë fund, baba. Unë e dua dhe s’kam pse t’i hyj në hak, përderisa ajo është një vajzë e mirë.
– A je menduar siç duhet?
– S’kam ç’të mendoj më gjatë. Ne kemi vite që njihemi, kemi mbaruar shkollën bashkë. E njohim mirë njëri-tjetrin.
– Sak, ke ba mend mos me na pyet?
– Ti fol për vete, babë. Nana s’e ka thënë hala asnjë fjalë.
– Si? – pyeti tjetri.
– Po ti mos ia prish djalit, mor burrë. Pash hatrin e Zotit! Ai prandaj e mbaroi këtë të flamosur shkollë, që të dijë të vendosë për veten e vet.
– Ashtu.
Marku heshti një çast. Pastaj, me një ton sikur donte të bënte ironi, tha:
– Mirë, nesër do të shkojmë të kërkojmë dorën e saj tek i ati. Apo nuk ka baba?
– Ka baba që ç’ke me të. Alamet burri!
– Nesër të dy bashkë do të shkojmë tek i ati.
U ngrit dhe doli jashtë, në oborrin e kullës, pa lënë mundësi që të thuhej asnjë fjalë tjetër.
***
Të nesërmen herët, të dy morën udhën teposhtë drejt stacionit të autobusit. Ecnin pranë njëri-tjetrit, por pa folur.
– A je menduar mirë? – e pyeti edhe një herë të birin.
– Si ç’ke me të? Më mirë nuk bëhet për mua, mor babë.
– Dakord, – tha tjetri.
Pasi zunë vend në sediljet e autobusit, që ishte pothuajse bosh, Kristjani, sikur donte t’ia zbuste inatin të atit, filloi ta merrte me të mira.
– Baba, ti e di vetë, po s’ka pse miku të dijë çfarë kemi biseduar ne. Pastaj, po të pyeti se ku banon ti, i thuaj: aty afër qytetit.
Marku e dëgjonte pa folur.
– Natyrisht, po të pyeti si jetojmë, nuk ka nevojë t’i themi se hamë mish derri.
Aha, mendoi tjetri. Duket se nuk qenka krejt ashtu siç më duket. Edhe ata paskan problemet e tyre. Eh, do Zoti e thotë i ati se nuk na e jap vajzën, e pastaj e di vetë unë.
***
Kështu mbërritën te miku.
Nisën të bisedonin me njëri-tjetrin.
– Unë të kam ardhur për mik, – tha prerë Mark Bregu, krejt pa takt.
– Mirë se ke ardhë, – ia priti tjetri.
– Këto punë i dinë më mirë fëmijët, po ne, sidoqoftë, duhet të njihemi.
– Prej nga je dhe si jeton?
Erdhi zogu në dorë, mendoi Mark Bregu. Tash po i rregulloj mirë punët e s’po la me m’u ngatërrue ferra nëpër kambë.
– Unë, me të thënë të drejtën, jetoj nja gjashtë orë larg qytetit me autobus.
I biri e hodhi vështrimin nga ai, por tjetrit nuk po i tundej qerpiku. Dukej sikur i kishte matur hapat e breshkës që rrokulliset shkëmbinjve. Nuk foli, edhe pse i erdhi të qeshte me ironinë e të atit, që po bënte pikërisht të kundërtën e asaj që i kishte kërkuar.
– Sa për të jetuar, nuk jetoj keq, – vijoi Marku. – Një herë në dy muaj ther një derr, mbi njëqind okë mish të kuq e të bardhë.
– Ani, ani, – tha tjetri, krejt i qetë, sikur fjalët e Mark Bregut të mos kishin qenë për të.
Por Marku kishte vendosur t’i shkonte kësaj pune deri në fund. Kishte edhe një gur tjetër në dorë.
– Unë, të them të drejtën, nuk e kisha me qejf këtë punë. Po, para se të vija këtu, kam pyetur dom Palin dhe ai më ka thënë se nuk është mëkat të marrësh nuse ndër myslimanë. Ne po e marrim, e pagëzojmë dhe e kthejmë katolike. Kështu, nuk ka dert.
Tjetri e pa drejt në sy.
– Bash, o mik, edhe unë nuk e kisha me qejf dhe nuk kam qenë tue ta dhanë vajzën. Po kam qenë te hoxha dhe e kam pyetur. Ai më ka thënë se nuk ka dert. Jepja vajzën. Po kur të lindë nipi, e bajmë synet dhe nuk ka problem.
Kristjanit i shpërtheu e qeshura.
Në derë ishte ndalur kandidatja për nuse.
– Dëgjoni, – ndërhyri Kristjani, kur pa se puna nuk po merrte rrugën e duhur. – Ju pyetni sa të doni priftin e hoxhën. Ne e duam njëri-tjetrin dhe do të martohemi bashkë.
Dy baballarët u panë sy më sy.
Fjalët e tyre e humbën fuqinë.
Nuk kishin më vend.
Ishte koha e tyre.











