31.7 C
Tirana
E hënë, 6 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MARTESA DHE RITI I SAJ ZAKONOR NË TREVËN E MIRDITËS

MARTESA DHE RITI I SAJ ZAKONOR NË TREVËN E MIRDITËS

0
Kanuni i Lekë Dukagjinit

Gjon Marku Nga Gjon Marku

Martesa përbën një nga institucionet më të rëndësishme të organizimit shoqëror në traditën shqiptare. Ajo nuk është vetëm bashkimi i dy të rinjve, por një akt me rëndësi juridike, ekonomike, shoqërore dhe shpirtërore, që përfshin familjen, farefisin dhe mbarë bashkësinë. Në trevën e Mirditës, martesa ka qenë e rregulluar nga e drejta zakonore dhe është shoqëruar me një sistem të pasur ritesh, ceremonish dhe besimesh, të trashëguara brez pas brezi.

E drejta dokësore e Mirditës, e lidhur ngushtë me normat e Kanunit, i kushtonte rëndësi të veçantë martesës, jo vetëm si mjet për vazhdimësinë e familjes, por edhe si mekanizëm për ruajtjen e strukturës fisnore, të marrëdhënieve të farefisnisë dhe të rendit shoqëror.1 Përmes martesës krijoheshin aleanca të reja ndërmjet familjeve dhe forcoheshin lidhjet shoqërore ndërmjet fiseve dhe bajraqeve.²

Ritet e martesës në Mirditë përfaqësojnë një pasuri të çmuar të kulturës shpirtërore shqiptare. Në to gërshetohen elemente të së drejtës zakonore, të besimeve pagane, të simbolikës së pjellorisë dhe të traditës së krishterë. Shumë prej këtyre riteve – si vajtimi i nuses, kërcimi i kalit, ritet e ujit, buka dhe kulaçi i nuses, këngët dhe vallet e dasmës – mbartin shtresa të lashta kulturore, të cilat kanë mbijetuar për shekuj të tërë, duke ruajtur një vazhdimësi të admirueshme historike.³

Riti i martesës ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor dhe të organizimit shoqëror të kësaj treve. Nëpërmjet tij pasqyrohen konceptet tradicionale për familjen, farefisninë, vazhdimësinë e trungut familjar, nderin, mikpritjen dhe organizimin shoqëror.⁴

Studimi i këtyre dukurive paraqet rëndësi të veçantë, sepse një pjesë e konsiderueshme e riteve të dikurshme sot janë zhdukur ose kanë mbetur vetëm në kujtesën e brezave të moshuar. Për këtë arsye, dokumentimi dhe botimi i tyre përbën jo vetëm një detyrë shkencore, por edhe një shërbim ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare.

Martesa dhe dasma janë dy emërtime të ndryshme, por ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën dhe secila shpjegon tjetrën. Dasma përbën shfaqjen më të plotë dhe më të gëzueshme të ritit martesor. Ceremonitë më të veçanta të martesës vërehen në fazat e ndryshme të paradasmës dhe të dasmës, ku çdo veprim, këngë, simbol dhe rit mbart një kuptim të caktuar shoqëror e kulturor.

Përmes studimit dhe dokumentimit të këtyre riteve evidentohet jo vetëm pasuria e kulturës tradicionale të Mirditës, por edhe roli që ka luajtur martesa në ruajtjen e identitetit kulturor dhe të organizimit shoqëror të kësaj treve.

Vetë Mirdita ishte një prej krahinave shqiptare që ka ruajtur më gjatë dhe më besnikërisht institucionet e së drejtës dokësore dhe format tradicionale të organizimit shoqëror. Martesa, si një nga institucionet themelore të jetës njerëzore, zë një vend të rëndësishëm në kulturën popullore shqiptare dhe paraqet interes të veçantë për etnologjinë, antropologjinë kulturore, historinë e së drejtës dhe folkloristikën.⁵

Ajo nuk ishte një moment i thjeshtë, por një proces i gjatë e i ndërlikuar. Duke filluar nga fejesa, përgatitjet e dasmës, marrja e nuses, ceremonitë martesore dhe ritet e integrimit të nuses në familjen e re, çdo veprim kishte rregulla dhe norma të mirëpërcaktuara nga e drejta zakonore dhe tradita popullore.⁶

Evidentimi i elementeve të përbashkëta dhe të veçanta të traditës martesore të Mirditës në raport me trevat e tjera shqiptare përbën një vlerë të jashtëzakonshme shkencore dhe etnokulturore, sepse vjen si një dëshmi e kujtesës historike dhe e vazhdimësisë kulturore të kësaj treve.⁷

Në këtë këndvështrim, martesa në Mirditë paraqitet si një institucion kompleks, ku ndërthuren elemente juridike, ekonomike, fetare, morale dhe simbolike. Ajo përfaqëson jo vetëm një ngjarje familjare, por edhe një akt me rëndësi të madhe për bashkësinë, përmes të cilit sigurohej vazhdimësia biologjike dhe shoqërore e familjes dhe e fisit.⁸

Nga koha në kohë, shumë rite dhe tradita të martesës e të dasmës kanë pësuar ndryshime, duke u tjetërsuar në simbolikë, në përmbajtje dhe në praktikat e tyre, të cilat dikur kishin një karakter të theksuar etnomoral dhe dokësor.9

Në Mirditë, në dymbëdhjetë bajrakët, dikur të quajtur edhe “Dymbëdhjetë Dhenat”, ka ekzistuar një ekzogami e theksuar. Tre bajrakët e fisit – Spaçi, Oroshi dhe Kushneni – që përbëheshin nga më shumë se pesëdhjetë fshatra, nuk jepnin dhe nuk merrnin vajza për martesë ndërmjet tyre, duke e konsideruar veten vëllezër dhe pasardhës të një trungu të përbashkët.10 Kjo normë, e mbështetur në të drejtën zakonore dhe në besimin popullor, përbënte një nga shtyllat e organizimit familjar dhe fisnor të krahinës.

Tre bajrakët në fjalë lidhnin martesa me të gjithë bajrakët e tjerë të Mirditës dhe me krahinat përreth. Djemtë merrnin vajza në Kthellë, në Selitë, në Dibër, në Fan, në katër bajrakët e Malësisë së Lezhës dhe në Rranzë.11

Martesa e fëmijëve, veçanërisht e djemve, konsiderohej një çështje me rëndësi jetike për prindërit. Shpesh ata përpiqeshin t’i fejtonin fëmijët që në moshë të vogël, madje në disa raste edhe në djep, ndonëse martesa zakonisht realizohej kur të rinjtë arrinin moshën shtatëmbëdhjetë deri në njëzet vjeç, e ndonjëherë edhe më vonë.12

Për martesën e djalit, këshillat për zgjedhjen e vajzës jepeshin nga burra ose gra që njihnin mirë familjen e saj, prindërit dhe vetë vajzën. Ata jepnin mendimet e tyre për përshtatshmërinë e fejesës dhe për cilësitë e familjes së ardhshme.13

Lidhjen dhe sqarimet më të hollësishme për fejesën i bënte shkuesi ose ndërmjetësi, i cili, sipas traditës, ishte gjithmonë burrë dhe gëzonte besimin e të dy familjeve.14 Ai kishte detyrën të shqyrtonte me kujdes rrethanat e familjes së vajzës, të njihte prejardhjen, gjendjen ekonomike dhe reputacionin e saj.

Një rëndësi e veçantë i kushtohej edhe shëndetit të familjes së vajzës. Kërkohej që te prindërit e saj të mos kishte sëmundje të trashëguara dhe vëzhgohej me kujdes gjendja fizike e anëtarëve të familjes.15

Shkuesi bënte lidhjen e fejesës dhe për këtë shpërblehej nga prindërit e djalit. Ai shkonte te familja e vajzës dhe u paraqiste prindërve të saj cilësitë më të mira të familjes së djalit, virtytet e vetë djalit dhe gjendjen ekonomike të shtëpisë së tij.

Pasi arrihej marrëveshja, të dyja familjet caktonin ditën e fejesës. Në shtëpinë e vajzës shkonin i zoti i shtëpisë së djalit dhe shkuesi. Ata qëndronin aty një natë dhe sillnin një shami me ngjyrë dhe disa stoli, të cilat përbënin simbolin e fejesës dhe të lidhjes së re ndërmjet dy familjeve.16

I zoti i shtëpisë së dhëndrit i jepte një shumë të caktuar parash babait të vajzës, ndërsa gratë e shtëpisë i nderonte me dhurata të vogla në të holla.

Kur të fejuarit afroheshin me moshën e martesës, prindërit e djalit, së bashku me shkuesin, shkonin në familjen e vajzës dhe përcaktonin veshjet që do të përgatiteshin për nusen e ardhshme. Këto përbëheshin nga rroba prej lini, pambuku e mëndafshi dhe përfshinin elementet tradicionale të veshjes së Mirditës.17

Pajisja e nuses përbëhej zakonisht nga pesë palë petka, e në disa raste edhe më shumë. Shpenzimet për përgatitjen e tyre i përballonin zakonisht prindërit e djalit, ndërsa punimin dhe qepjen e tyre e kishte për detyrë nëna e vajzës.

Në shumë raste, prindërit e djalit i jepnin familjes së vajzës një shumë më të madhe sesa vlera e veshjeve të nuses, ndërsa herë pas here e gjithë pajisja e saj përgatitej nga shtëpia e dhëndrit.

Pasi përfundonin përgatitjet dhe kryheshin pagesat e kërkuara, i zoti i shtëpisë së djalit dhe shkuesi shkonin sërish te familja e vajzës dhe caktonin ditën e ardhjes së krushqve për marrjen e nuses.

Me këtë rast vendoseshin edhe kushte të ndryshme për familjen e djalit, si pagesa të papërfunduara, sendet që duhej të sillnin me vete, numri i krushqve dhe detyrime të tjera, pa plotësimin e të cilave nusja nuk vishej dhe nuk mund të merrej nga krushqit.

Kur dita e martesës caktohej me marrëveshje ndërmjet dy familjeve, ajo nuk mund të shtyhej në asnjë rrethanë. Në kujtesën popullore ruhet rasti i viteve 1920-1930, kur një vajzë, megjithëse ishte rëndë e sëmurë, u vesh nuse dhe u hip në kalë për shkak të ngulmimit të krushqve dhe të detyrimit zakonor për të mos e prishur ditën e caktuar të martesës.18

Krushqit udhëtuan për disa orë me nusen dhe nënën e saj. Gjatë rrugës, nusja kërkoi të zbriste nga kali, sepse sëmundja i ishte rënduar. E zbritën dhe, pas një ose dy orësh, ajo ndërroi jetë. Me vdekjen e saj, dasma u ndërpre dhe ngjarja mbeti gjatë në kujtesën e banorëve si dëshmi e forcës së normës zakonore.

Një natë para nisjes, krushqit darkonin te miku, ku shtroheshin gjellë dhe ushqime nga më të zgjedhurat. Ata zgjoheshin pa zbardhur dita dhe menjëherë shtroheshin për mëngjes, sipas zakonit të mikpritjes mirditore.19

Në ngrënie i shoqëronin një ose dy burra të shtëpisë, ndërsa të pranishmit e tjerë hanin më vonë. Pasi mbaronin së ngrëni, krushqit falënderonin për bukën, mikpritjen dhe sajdinë e treguar ndaj tyre.

Shoqëruesi i tyre, i cili kishte ngrënë me krushqit, thoshte sipas zakonit: «Na bini prapë bukë, se këta kanë rrugë të gjatë dhe i kap uria.»

Në këtë rast, njeriu i shërbimit sillte një bukë të madhe dhe ia jepte krushkut të parë, i cili ia dorëzonte shoqëruesit të krushqve, njeriut të shtëpisë. Ky e vendoste bukën mbi tepsinë e fundit ku kishin ngrënë krushqit. Kjo quhej “buka e nuses”.20

Më pas, sillnin një kulaç, një bukë të vogël, të rrumbullakët dhe të hollë, të cilin ia jepnin po atij shoqëruesi. Ai e thyente në copa të vogla dhe ua shpërndante krushqve e të pranishmëve, të cilët e hanin sipas ritit. Ky quhej “kulaçi i nuses”.21

Ky rit kishte një karakter të qartë simbolik dhe përbënte një formë sajdie dhe bekimi për nusen, duke shprehur dëshirën për mbarësi, begati dhe pjellori në jetën e saj të re bashkëshortore.22

Sipas traditës, pasi vajza vishej nuse, ajo qante me psherëtima dhe puthte magjen e bukës dhe derën e shtëpisë, si shprehje e ndarjes nga familja e origjinës dhe e shkëputjes nga vatra prindërore.23 Kjo dukuri lidhet me shtresa shumë të lashta të martesës me rrëmbim, të njohura në traditat e popujve të Ballkanit.24

Ky vajtim ritual është një traditë me rrënjë shumë të lashta, e cila me kalimin e kohës ka ndryshuar përmbajtje dhe është shndërruar në një akt ceremonial. Në thelb, ajo ruan kujtimin e një periudhe të hershme, kur vajza merrej me forcë për martesë dhe përpiqej t’i shpëtonte rrëmbimit. Këtë brendi të lashtë e pasqyron edhe kënga që gratë këndonin kur niseshin krushqit për të marrë nusen:

Udha e mbarë, o krushku i parë,

M’i thuaj nuses të qajë ngadalë,

Të qajë ngadalë e të qajë me lot,

Se s’ia bëri kush me zor.

Dasma, në një të kaluar jo shumë të largët, por edhe në kohë më të hershme, thuhet se zgjaste tri ditë.25 Dy ose tri ditë para fillimit të saj vinin për shërbim gra nga fshati ose të afërme me lidhje miqësie e gjinie. Ato pastronin oborrin, rregullonin shtëpinë, sillnin dru për gatim dhe fier për t’u shtruar në vendet ku do të uleshin të ftuarit.

Mbi fier shtroheshin shtresa prej lëkurësh delesh me lesh, ndërsa në disa raste përdoreshin edhe postaqe të punuara në avlëmend, sipas traditës së vjetër të krahinës.26

Për dasmën caktoheshin nga i zoti i shtëpisë njerëz të specializuar për përgatitjen e ushqimeve, për therjen e bagëtive, për copëtimin e mishit dhe për përgatitjen e kafesë. Kafexhinjtë duhej të ishin mjeshtër të njohur në zierjen e kafesë, sepse mikpritja dhe shërbimi ndaj mysafirëve konsideroheshin çështje nderi.27

Këta njerëz, të ngarkuar me detyra të ndryshme në dasmë, vinin zakonisht që të enjten, e në disa raste edhe më herët, për të përgatitur gjithçka që nevojitej për ceremoninë.

Krushka, pra e ëma e nuses, qëndronte tri ditë në shtëpinë e dhëndrit dhe gjatë dy netëve të para nusja flinte në një shtrat me nënën e saj. Vetëm ditën e tretë, pasi largohej e ëma, nusja bashkohej me burrin e saj.28 Ky zakon përfaqësonte një periudhë kalimtare dhe simbolike të integrimit të saj në familjen e re.

Kur nusja, hipur mbi kalë, mbërrinte në oborrin e shtëpisë së dhëndrit, e zbrisnin nga kali dhe një grua, deri në treqind metra larg oborrit, prishte gjurmët e kalit. Besohej se në gjurmët e tij mund të bëhej magji kundër nuses dhe se prej saj mund të vinte ndonjë fatkeqësi.29

Në oborrin e shtëpisë mblidheshin shumë dasmorë dhe fëmijët vraponin për të mbledhur arrat që hidheshin para nuses, të cilat konsideroheshin simbol i begatisë dhe i pjellorisë.30

Një nga ritet më të veçanta të dasmës ishte kërcimi i kalit të nuses. Në këtë rit përfshihej një djalë i vogël, pesë deri në shtatë vjeç. Dy burra qëndronin në të dy anët e kalit: njëri e ngrinte fëmijën mbi shpinën e kalit, ndërsa tjetri e merrte dhe e kalonte nën barkun e tij, për ta ngritur përsëri mbi shpinë. Ky veprim përsëritej tri herë.31

Ky rit lidhej me besime të lashta mbi pjellorinë, vazhdimësinë e trungut familjar dhe dëshirën që nusja të lindte djem dhe të siguronte trashëgimtarë për shtëpinë e re.32

Nusja, në këtë moment, qëndronte e ulur në karrigen e nuses dhe po atë fëmijë që kishte kryer kërcimin e kalit ia vendosnin në prehër, ku ai qëndronte për dhjetë deri në njëzet minuta. Në disa raste, një ose dy gra e merrnin fëmijën nga gjunjët e nuses dhe e rrotullonin nga njëra anë në tjetrën të krevatit të nuses, ku pas dy ose tri ditësh ajo do të flinte me burrin e saj.33

Me këtë rast, nusja i dhuronte djalit një palë çorape të qëndisura. Këto praktika rituale mbështeteshin në besime të lashta, sipas të cilave sigurohej mbarësia dhe lumturia e çiftit, si edhe pjelloria e nuses dhe lindja e djemve, të cilët konsideroheshin vazhduesit e trungut familjar. 34

Në pjesën më të madhe të Mirditës, martesa dhe dasma zhvilloheshin në ditën e festës më të rëndësishme të bajrakut. Disa bajrakë i kremtonin dasmat në ditën e Shën Kollit, disa në ditën e Shna Premtes, të tjerë në festën e të Shëlbuemit, ndërsa disa të tjerë në ditën e Shën Mërisë.35 Martesat zhvilloheshin më së shumti gjatë festave të vjeshtës, kur kishte më shumë prodhime dhe ushqime, por sipas rastit ato organizoheshin edhe në festat e pranverës.

Dita kryesore e dasmës ishte gjithmonë e diela, edhe pse kremtimet mund të zgjasnin tri ose katër ditë. Në Mirditë, muaji dhjetor quhet edhe “muaji i lidh”, dhe gjatë tij nuk zhvilloheshin martesa e dasma, sepse besohej se ato do të sillnin fatkeqësi dhe mbarësi të pakët për çiftin e ri.36

Në traditën popullore, të gjitha veprimtaritë që lidhen me këtë manifestim lumturues quheshin thjesht “dasmë”, ndonëse në brendinë e saj mund të dallohen disa faza dhe dukuri të veçanta sipas rendit kronologjik të zhvillimit të tyre.

Ritet e hyrjes së nuses në oborrin e shtëpisë së dhëndrit, kërcimi i kalit, vendosja e djalit në prehërin e nuses dhe ritet e ujit përbëjnë praktika me simbolikë të qartë të pjellorisë dhe të integrimit të nuses në familjen e re.37

Dasma në Mirditë përfaqësonte një institucion të rëndësishëm shoqëror, ku përfshihej e gjithë bashkësia. Kënga, vallja, lojërat e burrave dhe të shtënat me armë ishin pjesë e pandarë e shprehjes së gëzimit, të nderit dhe të prestigjit familjar.38

Në mendësinë popullore, dasma konsiderohej si një rilindje e familjes, sepse përmes saj sigurohej vazhdimësia e trungut familjar dhe përjetësia e emrit të shtëpisë.39

Një rëndësi të veçantë kishte paradasma. Kjo fazë, e cila përgjithësisht fillonte të enjten, por ndonjëherë edhe më herët, përfshinte përgatitjen e shtëpisë nga gratë për pritjen e krushqve dhe të të gjithë të ftuarve, sigurimin dhe therjen e kaut, lopës, deleve apo deshve që do të përdoreshin si ushqim për dasmorët, si dhe argëtimin me këngë e valle, me çifteli e më rrallë me lahutë, të shoqëruara me batuta e thumba për njëri-tjetrin.40

Më pas vinte ardhja e krushqve dhe e të ftuarve në dasmë. Të ftuarit sillnin me vete dhurata, më së shumti një dash, por në raste të veçanta edhe një ka ose bagëti të tjera. Ata që nuk kishin mundësi të sillnin bagëti, hidhnin para në filxhanin e kafesë si shenjë nderimi dhe pjesëmarrjeje në gëzimin e familjes.41

Momenti kur krushqit mbërrinin në shtëpinë e dhëndrit së bashku me nusen shënonte fillimin e dasmës së madhe, me pjesëmarrjen e një numri të madh të ftuarish. Dita më madhështore ishte e diela, e mbushur me këngë, valle, lojëra dhe me sofrat e pasura me ushqime dhe pije të ndryshme.

Fundi i dasmës ishte zakonisht dita e hënë, ndonëse në disa raste kremtimet vazhdonin edhe të martën. Ditën e fundit, para se burrat të uleshin për të ngrënë, nusja u hidhte ujë duarve për t’u larë, një veprim që kishte karakter simbolik dhe lidhej me mbarësinë dhe pastërtinë.42

Po atë ditë nusja shkonte për të mbushur ujë. Në përgjithësi, kroi i fshatit ndodhej larg shtëpisë dhe te kroi e shoqëronin krushqit, burra e gra të dasmës. Nusja mbushte ujë dhe ua jepte të gjithëve për të pirë, por secili pinte vetëm pak, sa për të lagur buzët. Më pas ajo e mbushte përsëri enën dhe të gjithë ktheheshin në shtëpi.43

Në oborr e prisnin dasmorët dhe ajo u jepte përsëri ujë për të pirë. Vjehrrit ose ndonjërit prej të zotëve të shtëpisë, nusja u hidhte pak ujë për të larë faqet, një veprim krejtësisht simbolik.

Ritet e ujit, ashtu si edhe disa veprime të tjera të kësaj dite, shërbenin për të treguar se nusja tashmë ishte bërë pjesë e familjes së re, kishte marrë mbi vete detyrën e gruas së shtëpisë dhe ishte integruar plotësisht në marrëdhëniet familjare e shoqërore të fisit të burrit.44

Në dasmat tradicionale të Mirditës bie në sy organizimi i përkryer i të gjitha veprimeve që zhvilloheshin gjatë tyre. Që para fillimit të dasmës caktoheshin njerëz të veçantë, të aftë dhe të përkushtuar, me detyra të mirëpërcaktuara, në mënyrë që gjithçka të zhvillohej sa më mirë dhe mysafirëve t’u ofrohej shërbimi më i denjë.

Përgatitej ushqimi, rregullohej shtëpia, shtroheshin vendet ku do të uleshin të ftuarit dhe siguroheshin enët e nevojshme për sofrat. Zgjidhej kafexhiu, një njeri me përvojë dhe i njohur për mjeshtërinë e tij në përgatitjen e kafesë, të cilit i viheshin në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme. Po ashtu caktoheshin njerëz të veçantë për drejtimin e dasmës dhe të kuvendit të burrave.45

Kënga dhe vallja fillonin natyrshëm që në periudhën përgatitore të dasmës, por ato merrnin përmasa më të mëdha dhe më të gjalla gjatë dy ditëve qendrore të saj. Gratë këndonin në grup, dy, tri, shtatë apo edhe dhjetë së bashku, ndërsa burrat këndonin zakonisht veç e veç, të shoqëruar nga tingujt e çiftelisë ose, më rrallë, të lahutës, të cilës i binte vetë këngëtari ose një tjetër në shërbim të tij.46

Këngët këndoheshin që në fillim të dasmës dhe lidhnin ngushtë përmbajtjen e tyre me shërbimet dhe veprimet që zhvilloheshin gjatë ceremonisë. Në jo pak raste ato kishin karakter ngacmues, humoristik ose lavdërues për personin të cilit i drejtoheshin:

Mirësevjen, o kafexhi,

Na piq kafe sheqerli,

Se sheqerin e kemi gati,

Se na e kanë dërguar në Shqipni.

Mos qit një, po qit nga dy,

Mbushe mirë barkun e bardakut,

Zbardhja faqen të zotit të konakut.

Kur kafexhiu vononte, sepse përgatitja e kafesë kërkonte kohë, gratë e ngacmonin me këngë të shpotitshme:

Kafexhi, more dembel,

Je ndry mbrenda e nuk po del,

Me na pru xhezmen me kafe,

Po bajmë gaz e po bajmë llafe.

Grupet e grave këndonin edhe në konakun e burrave. Këngët më mbresëlënëse dhe më të pëlqyera shoqëroheshin me të shtëna pushkësh nga dritaret, të kryera nga një ose disa burra, si shenjë vlerësimi për bukurinë dhe forcën artistike të këngës.47

Vallet, të cilat ishin krejtësisht vendase, shoqëroheshin me këngë të ndryshme gëzimi dhe hareje. Ato përbënin një pjesë të rëndësishme të ceremonisë dhe shërbenin si mjet argëtimi, por edhe si shprehje e identitetit kulturor të bashkësisë.48

Në dasmë këndoheshin shumë këngë gazmore, por edhe këngë me kunja e me humor të hollë. Një numër i madh këngësh i kushtohej nuses dhe kishte për qëllim të lartësonte bukurinë, virtytet dhe cilësitë e saj etiko-morale. Po kështu, këngë të tjera kishin natyrë urimi dhe bekimi për nusen, për dhëndrin dhe për anëtarët më të rëndësishëm të familjes ku zhvillohej dasma, sidomos për të zotin e shtëpisë.49

Në çdo moment kulmor të dasmës shtiheshin pushkë. Të shtënat shoqëronin ardhjen e nuses në oborrin e shtëpisë, vendosjen e saj në nusërim, urimet drejtuar të zotit të shtëpisë, si dhe përfundimin e këngëve më të bukura e më të fuqishme të dasmës.50 Në traditën popullore, pushka ishte shenjë gëzimi, nderimi dhe madhështie dhe përbënte një element të rëndësishëm të ceremonisë martesore.51

Studimi i martesës dhe i riteve të saj zakonore në trevën e Mirditës dëshmon se ky institucion ka përbërë një nga shtyllat themelore të organizimit shoqëror dhe familjar të krahinës. Martesa nuk ishte thjesht bashkimi i dy të rinjve, por një ngjarje me rëndësi juridike, ekonomike, morale dhe shpirtërore, e cila përfshinte jo vetëm familjet e të rinjve, por edhe farefisin dhe bashkësinë në tërësi.51

Një nga tiparet më të rëndësishme të organizimit martesor në Mirditë ishte ekzogamia e theksuar. Ndalimi i martesave ndërmjet tre bajrakëve të fisit – Spaçit, Oroshit dhe Kushnenit – dëshmon për mbijetesën e një ndërgjegjeje të fortë të përkatësisë fisnore dhe të lidhjeve të gjakut. Kjo normë zakonore, e ruajtur për shekuj, luajti rol të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve shoqërore dhe në ruajtjen e rendit tradicional.53

Nga analiza e riteve të fejesës dhe të dasmës del qartë se ato mbartin shtresa të ndryshme kulturore, të krijuara në periudha të ndryshme historike. Disa prej tyre lidhen me normat e së drejtës dokësore, të tjera me besime të lashta popullore, ndërsa një pjesë pasqyrojnë ndikimin e traditës së krishterë në jetën shpirtërore të banorëve të Mirditës.54

Ritet e vajtimit të nuses, kërcimi i kalit, buka dhe kulaçi i nuses, ritet e ujit, të shtënat me armë dhe këngët rituale dëshmojnë për mbijetesën e elementeve të lashta kulturore, të cilat, ndonëse kanë ndryshuar me kalimin e kohës, vazhdojnë të ruajnë një simbolikë të pasur dhe një rëndësi të veçantë për identitetin kulturor të krahinës.55

Dasma mirditore përfaqësonte një institucion të gjerë shoqëror, ku merrte pjesë e gjithë bashkësia dhe ku çdo individ kishte një rol të caktuar. Përmes saj forcoheshin lidhjet e farefisnisë, ripërtëriheshin marrëdhëniet e miqësisë dhe afirmoheshin vlerat themelore të shoqërisë tradicionale, si nderi, mikpritja, solidariteti dhe vazhdimësia e trungut familjar.56

Dokumentimi dhe studimi i këtyre riteve paraqet një rëndësi të veçantë shkencore, sepse një pjesë e madhe e tyre sot janë zhdukur ose kanë mbetur vetëm në kujtesën e brezave të moshuar. Për këtë arsye, ruajtja dhe botimi i tyre përbën jo vetëm një detyrë shkencore, por edhe një shërbim të vyer ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare dhe kujtesës historike të Mirditës.57

Ritet e përcjelljes së nuses, vajtimi i saj, puthja e magjes së bukës dhe e derës së shtëpisë, kërcimi i kalit, vendosja e fëmijës në prehërin e nuses dhe ritet e ujit përbëjnë dëshmi të rëndësishme të një trashëgimie kulturore shumë të lashtë. Këto rite, në thelb, synonin të siguronin mbarësi, pjellori, vazhdimësinë e familjes dhe integrimin e nuses në shtëpinë e re.58

Dasma, si manifestimi më i rëndësishëm i jetës familjare, paraqitet si një ngjarje kolektive ku merrte pjesë e gjithë bashkësia. Organizimi i saj i përkryer, ndarja e detyrave, këngët, vallet, lojërat, mikpritja dhe ceremonialet e shumta dëshmojnë për nivelin e lartë të organizimit shoqëror dhe për pasurinë e kulturës shpirtërore të Mirditës.59

Këngët e dasmës, urimet, shpotitë dhe lojërat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të folklorit shqiptar. Ato pasqyrojnë botën shpirtërore të banorëve të Mirditës, idealet e tyre për familjen, bukurinë, nderin, mikpritjen dhe vazhdimësinë e fisit. Në to ruhen elemente të rëndësishme të kujtesës kolektive dhe të identitetit kulturor të krahinës.60

Në psikologjinë popullore, martesa konsiderohej si një rilindje e familjes. Përmes saj sigurohej vazhdimësia e trungut familjar, lindja e brezave të rinj dhe përjetësimi i emrit të shtëpisë. Në këtë kuptim, dasma nuk ishte vetëm një festë familjare, por edhe një akt me rëndësi të madhe shoqërore, juridike dhe kulturore.61

Sot, një pjesë e konsiderueshme e këtyre riteve është zhdukur ose ka mbetur vetëm në kujtesën e brezave të moshuar. Ndryshimet shoqërore, lëvizjet demografike, modernizimi i jetës dhe dobësimi i traditave kanë bërë që shumë prej zakoneve të dikurshme të mos praktikohen më ose të ruhen vetëm në forma të pjesshme.62 Për këtë arsye, mbledhja, sistemimi dhe botimi i tyre përbëjnë një detyrë të rëndësishme shkencore dhe një kontribut të çmuar në ruajtjen e trashëgimisë etnokulturore shqiptare.

Studimi i martesës dhe i riteve të saj në Mirditë nuk ka vlerë vetëm për njohjen e historisë së kësaj treve, por edhe për kuptimin më të thellë të qytetërimit tradicional shqiptar, të normave të tij dokësore dhe të pasurisë së kulturës sonë kombëtare.63 Nëpërmjet këtyre riteve bëhet e mundur të kuptohet më mirë mënyra e organizimit të shoqërisë tradicionale shqiptare, raportet ndërmjet individit, familjes dhe bashkësisë, si edhe sistemi i vlerave morale e shpirtërore që ka udhëhequr jetën e shqiptarëve ndër shekuj.

Martesa dhe riti i saj zakonor në trevën e Mirditës përfaqësojnë, kështu, një pasuri të vyer të trashëgimisë sonë kulturore, e cila meriton të studiohet, të dokumentohet dhe të ruhet si pjesë e identitetit historik dhe kombëtar shqiptar.64

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.