Tymi ngrihet nga një rafineri nafte pas një sulmi me dron në Moskë muajin e kaluar. nëpërmjet Reuters
The New York Times – Bota, 2 korrik 2026
Nga Katrin Bennhold – Përktheu Arben Çokaj
Mirëmëngjes, botë. Gjatë muajve të fundit, Ukraina e ka çuar luftën në Rusi.
Qindra dronë dhe raketa tani fluturojnë rregullisht në territorin rus, duke shkaktuar ndonjëherë kaos. (Pamjet e një sulmi të kohëve të fundit treguan të gjithë çatinë e një rafinerie nafte në Moskë duke u katapultuar në qiell, ndërsa kalimtarët shqyen sytë.) Ukraina ka sulmuar Krimenë – e cila u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014 – deri në atë pikë sa autoritetet në gadishull kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Katër vjet e gjysmë pasi Rusia pushtoi, diçka cilësore duket se ka ndryshuar në këtë luftë të gjatë dhe të ashpër. Sot kolegu im Paul Sonne, shefi i zyrës sonë në Moskë, shkruan nëse është e mjaftueshme për ta detyruar Presidentin Vladimir Putin ta përfundojë atë. (Paralajmërim për spoilerët1: Jo ende.)
Nga Paul Sonne
Vladimir Putin nuk po kalon një vit shumë të mirë.
Rusët tashmë po ankoheshin për rritjen e taksave, me të cilat u përballën për të paguar luftën kundër Ukrainës, kufizimet jopopullore të internetit, që Kremlini ia fajësoi masave të sigurisë së kohës së luftës dhe vështirësive më të gjera ekonomike të vendit të tyre.
Pastaj Ukraina e përkeqësoi situatën.
Një sulm që dërgoi 419 dronë në Rusi këtë javë, përfshirë më shumë se 60 drejt Moskës, ishte i fundit në fushatën e përshkallëzuar të Kievit në muajt e fundit, për ta sjellë luftën në shtëpi për më shumë rusë dhe për të sjellë një fazë të re të konfliktit.
Disa nga këto sulme, të cilat synojnë rafineritë dhe infrastrukturën tjetër, kanë çuar në skena dramatike. Putinit iu desh të niste konferencën e tij të rëndësishme ekonomike në qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburg, më 3 qershor nën qiellin e mbushur me tym – rezultat i një sulmi të afërt ukrainas. Më 18 qershor, Ukraina kreu sulmin e saj më të madh ndaj Moskës që nga fillimi i luftës, duke mbuluar qiellin e kryeqytetit rus me re të zeza nga shpërthimet në një rafineri nafte.
Fushata ka shkaktuar mungesa të karburantit në të gjithë vendin. Stacionet e benzinës kanë futur racionimin dhe disa shoferë po rreshtohen me orë të tëra për të mbushur rezervuarët e tyre. Pavarësisht se është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, Rusia po i drejtohet vendeve të tjera për të importuar furnizime emergjente me karburant.
Në Krime, gadishullin që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, i cili kohët e fundit është bërë një fokus i veçantë i Kievit, ka ndërprerje të rregullta të energjisë. Gazi praktikisht nuk gjendet askund. Pompat e ujit që funksionojnë me energji elektrike nuk po funksionojnë.
Qëllimi i Ukrainës është i thjeshtë: Të ushtrojë presion të mjaftueshëm mbi Putinin në frontin e brendshëm saqë ai të pranojë përfundimisht t’i japë fund luftës. Por deri më tani ai nuk ka treguar asgjë tjetër përveçse sfidës. Edhe pse jeta për rusët përkeqësohet si pasojë e konfliktit, nuk është aspak e qartë nëse njeriu i vetëm që ka rëndësi do të preket mjaftueshëm.
Vladimir Putin në Moskë të martën, në një fotografi të publikuar
nga media shtetërore ruse. Foto nga Gavriil Grigorov
Pragu i dhimbjes së Putinit
Një nga surprizat e qëndrueshme të luftës ka qenë se sa dhimbje ka qenë i gatshëm të tolerojë Putini në vend, për të ndjekur qëllimet e tij të luftës.
Kur pushtimi i tij në Ukrainë u kthye në një bumerang në rajonin rus të Belgorodit, pak gjëra ndryshuan. Kur dronët ukrainas shpërthyen mbi Kremlin, konflikti vazhdoi. Kur Ukraina pushtoi një pjesë të territorit rus në Kursk, ai qëndroi në kurs (dhe Ukraina përfundimisht u tërhoq).
Është gjithmonë e mundur që kjo herë të jetë ndryshe. Popullariteti i Putinit ka rënë në sondazhe. Rusët me të vërtetë po e ndiejnë përkeqësimin e situatës ekonomike dhe po vënë re përçarjen në rritje në jetën e tyre. Në një sondazh të kryer nga Gallup midis marsit dhe majit, 60 përqind e rusëve thanë se situata ekonomike në qytetin ose rajonin e tyre po përkeqësohej.
Por mendimi popullor nuk ka vetëm aq shumë rëndësi në një komb pa liri demokratike, apo edhe alternativa politike.
A do të jetë kjo herë ndryshe?
Siç vuri në dukje kolegia ime Valerie Hopkins, Putini fillimisht heshtte përballë sulmeve të intensifikuara të Ukrainës, në përputhje me përpjekjen më të gjerë për të izoluar pjesën më të madhe të shoqërisë ruse nga lufta. Zyrtarët përdorin eufemizma si “mirëmbajtje e paplanifikuar” për sulmet ukrainase ndaj objekteve ruse të karburantit, dhe madje kanë shmangur zbulimin e vendndodhjeve të strehimoreve kundër bombave ose përdorimin e sirenave kur qytetet ruse sulmohen – në fund të fundit, kjo nuk është luftë, vetëm një “operacion ushtarak special”.
Por ndoshta hendeku midis gjuhës që përdorte qeveria dhe realitetit që shumë rusë po shihnin përfundimisht u bë shumë i gjerë. Sepse, fundjavën e kaluar, Putini më në fund u ul me gazetarin e tij të zgjedhur shtetëror të lajmeve, për të dhënë një përgjigje zyrtare.
Ai u përpoq të fuste fijen e gjilpërës, nga njëra anë duke u treguar rusëve se qeveria e tij po u përgjigjej nevojave të tyre, por nga ana tjetër duke minimizuar ashpërsinë e situatës.
Ai tha se sulmet ndaj infrastrukturës ruse me të vërtetë “krijonin probleme” dhe rezultonin në “një mungesë të caktuar”, por e quajti situatën “jo kritike”.

Një ndërprerje e energjisë në Krime të martën. Alexey Pavlishak/Reuters
Sulmet ukrainase ishin luftë psikologjike “me qëllim që të na bënin të ndiheshim të pasigurt për veten dhe forcën tonë“, duke përçarë shoqërinë ruse dhe duke “e detyruar Rusinë të pezullonte, të paktën për një kohë të shkurtër, ofensivën e trupave tona në vijën e frontit“.
“Ne nuk do t’u japim atyre këtë shans“, tha Putin. Më pas ai e kaloi pjesën më të madhe të intervistës duke folur me hollësi të madhe se sa larg ishin trupat ruse nga marrja e qyteteve të ndryshme ukrainase në front – një ushtrim që një analist ushtarak rus vuri në dukje se përdorte “matematikë interesante”, duke përgjysmuar vazhdimisht distancat reale midis forcave ruse dhe qyteteve ukrainase.
Qasja e re e Ukrainës po ka sukses në një nivel. Po projekton fuqi në territorin rus. Rusët e kanë vënë re dhe nuk u pëlqen. Edhe Putini e ka pranuar pakënaqësinë e tyre.
Por për një udhëheqës që ka dërguar rreth 350,000 deri në 450,000 rusë drejt vdekjes në vijën e frontit, por që ka pësuar reagime minimale – pjesërisht falë shtypjes së kohës së luftës – shpërthimet tërheqëse dhe mungesat e karburantit mund të mos i ndryshojnë gjërat aq sa shpreson Kievi. Ekziston madje mundësia, që Putini të përgjigjet jo vetëm me sfidë, por edhe me përshkallëzim.
Kjo lë dy pyetje të mëdha: Sa më tej mund të shkojë Ukraina me fushatën e saj? Dhe sa gjatë mund të rezistojë Putini? Për momentin, udhëheqësi rus po përpiqet shumë.
Alina Lobzina dhe Oleg Matsnev kontribuan në kërkim.
- Një spoiler është një informacion që zbulon detaje thelbësore të komplotit të një libri, filmi ose shfaqjeje televizive – siç janë kthesat kryesore ose fundi – përpara se shikuesi ose lexuesi ta përjetojë vetë.











