– Mendime rreth vëllimit poetik “Ngjyrat e shpirtit” të poetit të njohur Llesh Ndoj –
Nga VLASH PRENDI
Kohët e fundit doli nga shtypi libri më i ri i poetit të mirënjohur Llesh Ndoj “Ngjyrat e shpirtit” në të cilin shihet qartë se tashmë poeti në vëllimin e tij të trembëdhjetë me poezi ka sjellë para lexuesit një konsolidim të vlerave ideoartistike, duke pasur kurdoherë në fokusin e saj vlerat emocionale dhe realitetin e sotëm. Poezia e tij, kohë pas kohe ka ardhur duke u rritur, duke forcuar karakterin kombëtarë, frymën popullore dhe pasqyrimin e realitetit të sotëm, mbështetur në jetën e gjallë. Kjo arritje e poetit në këtë vëllim poetik, tregon qartazi se poeti është bazuar në pasurimin e mjeteve të shprehjes emocionale, përdorimin me vend të vlerave poetike duke transmetuar tek lexuesi emocione të thella dhe në shumë raste edhe kenaqësi shpirtërore.
Poezitë e këtij vëllimi, janë një deshmi e qartë e talentit të lindun dhe forces sintetike dhe shpirtërore të këtij poeti, pasi edhe tematika e tyre është mjaft e gjërë dhe e pasur, qëndrimi i poetit ndaj realitetit të sotëm ngjan me dallgët e detit here të qeta dhe të buta, e here të trazuara plot shtërngata dhe fortune. Kështu, i gjithë materiali poetic përshkohet nga shqetësimi i natyrshëm i poetit për shumë dukuri negative që shihen dhe jetohen në ditët e sotme. Diku poeti shprehet: … Një lot më sillet rrotull mbi një re të zezë, / Një kengë më ngacmon shpirtin që nuk vdes. / Kë të zgjedh unë, / lotin apo këngën?… dhe e thellon mendimin poeti duke na argumentuar me vargje të gjetura artistikisht në perputhje me realitetin qe po jetojmë: … Më kot e mundoj veten t’a zgjidh këtë dilemë, / Ndoshta për të gjithë jetën të dyja rreth do t’i kemë. Poezi të tillai sjellin freski dhe ngjyrim të ri poezisë sonë dhe janë pergjithësisht një menyrë efikase për të mbajtur qëndrim kritik ndaj realitetit të sotëm.
Në shumicën e poezive të përfshira në këtë vëllim, autori ka ndjerë nevojën e shprehjes së mendimeve dhe ndjenjave duke perdorur mjeshtërisht gjuhën e vet poetike, me të cilën komunikon bukur me lexuesin. Kjo ndodh sepse poeti ka një kontratë morale me lexuesin, shkruan sipas shijeve dhe gjuhës së thjeshtë të tij, prek zemrat e lexuesëve she në një fare menyre “qanë hallet” e lexuesëve duke ngritur artistikisht problemet dhe shqetësimet e tyre. Në këto poezi gjallon një botë e tërë mendimesh dhe ndjenjash që kërkon të pasqyrojë në çdo varg realitetin e sotëm, për të cilin poeti synon të mbajë një qendrim kritik.
Ja si shprehet poeti tek poezia ”Ç’ti bëj…”: Kjo kohë e shurdhët / të flet e s’të dëgjon / të merr e s’të jep, / të shtrydh e përqesh / n’paudhësi të fton. / Me turbulencat e saj, / përmes vetëtimash / si Krishtin, t’kryqëzon. / – Ç’t’i bëj? / Çirrem dhe bërtas më kot, / shtegut të fatit tim ec gjurmëlehtë / kohën mos t’a lëndoj. / Por koha ime njerkë me zjarr më prushoi. / Dua t’i ik, s’më le, / dua t’i shmangem udhën m’a zë! / I them asaj: – Shëndet! / – Plaç!, – ajo m’a kthen… Ashtu siç kuptohet, në paraqitjen e fenomeneve të realitetit, veç problemeve shoqërore, ka edhe problem personale, që duke i trajtuar me aq seriozitet, marrin përmasa shoqërore. Pikërisht këtu, në origjinalitetin e trajtimit të çështjes, në thellësinë e zbërthimit të karakterit të personazhëve, dhe shprehjen me nivel të vlerave artistike, qëndron vlera e vërtetë e poezisë.
Freskia dhe niveli i një poeti, pasqyrohen qe në zgjedhjen e motiveve dhe tematikave të ndryshme poetike, e kjo vihet re tek poezitë e poetit Ndoj, sepse motivet përshkruhen mbështetur mbi fakte dhe mbresa të jetuara nga vetë autori në perditëshmërinë e jetes së tij. Këtë përshtypje të lënë poezitë që i kushtohen dashurisë, të cilat janë trajtuar bazuar në ndjenjat dhe emocionet që ka provuar realisht poeti gjatë jetës së tij. Kjo ndodh, sepse poeti është kerkues ndaj realitetit, ai leviz, mendon, gjykon dhe vlerëson duke ruajtur personalitetin e tij dhe duke ruajtur fizionominë e krijimit.
Ai nuk shkruan formalisht për dashurinë, por e ndjen së brendëshmi këtë tipar njerëzorë, dhe e shpreh mjaft bukur edhe artistikisht përmes vargjeve ashtu si dikur Çajupi, Shiroka, apo Poradeci. Nisur nga kjo pikpamje, poezia e Llesh Ndojit sjell diçka të re në sensin krijues, në poezinë tone të kohëve të fundit. Poezia e vërtetë nuk mund të krijohet po nuk pati në themel një tematikë reale, një perjetim, një fantazi bazuar në realitet, një problematic shoqërore bazuar në fakte reale. Duke lexuar poezi të tilla që lindin nga reflektimi i botës shpirtërore të poetit, lexuesi dallon ndjenjat, perjetimet dhe emocionet që tundojnë poetin kur shkruan për temën e dashurisë.
Ja si shprehet poeti tek poezia “E pres atë petale”: Një petale të bukur / nga lulja e dashtnisë, / që m’pati mbi’ n’buzë / e shkundi erë e ikjes, / e largoi papritur / e më la mua të ngrirë, / n’mes zjarrit të prushtë. / Symbyllur mbeta unë / pre e erës së paudhë, / aty po t’pres i ngrirë / mbirë n’tënden buzë. / – Eja, mos harro udhën / atij shtegut të ngushtë, / rikthema prapë petalen / me një puthje në gushë! Tërheq vemendjen forma artistike e krijimit, stili i poetit, perdorimi i disa elementëve të veçanta të metodës krijuese, si dhe brendia ideoemocionale që e ka sunduar poetin, kur e imagjinon veten atje në lendinat e bukura buzë Munellës, nëpër Arat e gjata të Domgjonit, apo tek Gurra shekullore duke u freskuar me uji të kristaltë. Pikërisht këtu e sheh dhe shijon poeti kaltërsinë: …Në blunë e thellësisë tyre, / provova të mësoj notin për herë të parë, / Që atëherë ndoshta u dashurova / dhe detin e dua si i marrë. / Pas gjoksit të nanës, e provova / ngrohtësinë e jetës n’gjoksin tand, / Q’atëherë ndoshta ngrohtësi s’ndjej / kur ty nuk të kam pranë. / O, baj bé n’të madhin Zot, frikë / nga beja jo kurrë nuk kam, / Por n’më gjykoftë Zoti, e m’dënon / t’u u mbyt n’detin e dashnisë jam. Këto poezi dallohen për frymëmarrje të gjërë, ritëm të shpejtë, stilistikë dhe gjuhë poetike të konsoliduar.
Poezia e Llesh Ndojt karakterizohet nga mendimi dialektik, dinamizmi i brendshëm, shpirti luftarak dhe fryma polemike, gjë qe ka ndikuar fuqishëm, jo vetëm në zbulimin e karaktereve të personazhëve, por edhe në pasqyrimin e botës shpirtërore të vetë poetit, që shpesh herë identifikohet poetikisht me personazhet dhe mishëron kompeksitetin e zhvillimeve të sotme ekonomike, psikologjike dhe ideologjike, prandaj ai tek poezia “Do të luftoj me shpirt”, shprehet: Do t’luftoj me shpirt / retë t’ia pastroj qiellit, / që dashuri e Huyt / t’mbërrij si rreze e diellit. Do luftoj me shpirt / ferrat t’ia heq udhës, / që rrezja shkëlqimtare e Hyut / dritë t’i lëshojë kullës…. Do luftoj me shpirt / t’a gjej unë vetveten, / pjesëz e kësaj bote, / tu e shijue jetën. Në kendvështrimin tone, vargje të tilla ngjallin përfytyrime emocionale dhe ndjenjën e përpjekjeve për të luftuar me shpirt ndaj dukurive negative që shfaqen random në jetën e përditëshme në ditët e sotme.
Një dukuri tjetër që vihet re në krijimtarinë e poetit të mirënjohur Llesh Ndoj, është edhe mbështetja në krijimtarinë gojore popullore. Shumë poezi në këtë vëllim, janë ndërtuar sipas stilistikës poetike popullore, duke i dhënë veprës bukurinë dhe hijeshinë e gurrës popullore. Vargje të tilla janë të zakonshme në krijimtarinë e poetit Llesh Ndoj, sepse gjatë periudhave të histories, krijimtaria folklorike mishëruar aspiratat e popullit, ka promovuar gjininë krijuese dhe ka konkretizuar shijet estetike dhe ndjenjat shpirtërore të autorit. Janë disa poezi që kalojnë natyrshëm në stadin e kengës, të cilat kanë lindur nga gurra e frymëzimeve të pashtershme popullore, e cila ka ushqyer me bukurinë e saj masat e gjëra popullore. Shohim një krijim për poetin e shquar Gjokë Becin, legjendën e krijimeve folklorike shqiptare: Guri “Gjon” sot e shton dritën / Një poet drite paska datëlindjen, / Drita mbërrinë tu i ba ball territ, / Jetë merr n’vargun e Gjok Becit. / Qe poet, me fjalë dritësimi / Vargjet e tij porsi dritë dielli, / I kënduan dritës e të vërtetës / Lotë gëzimi halleve të jetës. / Nuk ndal kanga në at’ Valmor / As s’e ndal rrjedhën Uraka, / Në datëlindje t’Gjokës tone / Kuptim tjetër merr edhe fjala. / Çdo fjalë vargu një metaforë / Çdo varg kange, ushtar jete, / Kangë e tij, jetën frymëzon, / Vetëtimë qiellit ai i shkrepte…. Të tillë tingëllim melodik kanë edhe kengët kushtuar shkrimtarit të shquar prof. Anton Nikë Berishës, apo kengëtarit të njohur Kastriot Kola.
Nuk di pse në këto çaste, kur po hidhja këto mendime modeste për librin më të ri me poezi të poetit Llesh Ndoj, m’u kujtua një pasazh i shkrimtarit të shquar Dhimitër Shuteriqi, i cili kur po shkruante për jetën dhe veprën e Çajupit, shkruan: ”Jam duke i shkruar këto rrjeshta majë një shkëmbi të Mirditës dhe ku dy palë oxhakë fabrikash, që shkrijnë e rafinojnë bakrin e nentokës shqiptare i japin peizazhit diçka, që nuk e ndjej në asnjë shkrim të Çajupit. Prap një atmosferë çajupjane më duket se më rrethon. Jo sepse e di se atje matanë bregut bie ndonjë fyell i lashtë, jo sepse poshtë mbi xhade janë duke kaluar dy nuse veshur me xhokë dhe me djep në krah, po sepse këtu është një vend trim edhe krenar, si labëria që i kendoi Çajupi…”. Ja, këtu e gjejnë frymëzimin poetët. Detaje të tilla kanë frymëzuar ndër vite edhe poetin Llesh Ndoj, i cili vijon të na japë vepra me nivel artistik dhe të kënaqi shijet artistike dhe estetike të lexuesit. Suksese poet!











