25.7 C
Tirana
E shtunë, 27 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MISIONI I NDRYSHIMIT DHE PERFORMANCA DOMETHËNËSE E VJOSËS PRESIDENTE

MISIONI I NDRYSHIMIT DHE PERFORMANCA DOMETHËNËSE E VJOSËS PRESIDENTE

0
Vjosa Osmani - me flamuj

IDRIZ ZEQIRAJ

Korracimi i disa “komandantëve” në pushtet, falsifikueshëm e dhunshëm, edhe pse e kanë pranuar se “nuk ishin pjesë e luftës”, e kishin ngulfatur Kosovën. Shporrja e tyre nga pushteti, ishte imperativ, urdhëresë e kohës.

Prishja e raporteve në mes Albin Kurtit dhe Vjosë Osmanit, nuk është thjeshtë prishje në mes të dy aleatëve shumë të suksesshëm, në bërjen e ndryshimit dhe të frymëmarrjes të lirë të popullit të Kosovës. Ishte cinizëm i skajshëm, ishte turp kombëtar, që disa “biçim komandantësh”, me bandat e tyre, abuzuan me shtetin dhe pushtetin, të cilët përtokën, përdhosën, përmjerën anepërtej Kosovën.

Populli i Kosovës kishte humbur betejën me krimin dhe kriminelët. Andaj, është pikërisht binomi Vjosa-Albini, me veprimtarët e LVV-Guxo-Alternativa, të cilët stopuan marshimin kriminal, duke sjellur ndryshimin e shumëpritur.

Prishja e kësaj aleance, për arsye parimore politike dhe kombëtare, shto këtu edhe xhelozinë personale, nëse nuk do të këtë reflektim dhe pajtim, do të këtë ndikim në kahjen negative, në të ardhmen politike të Kosovës.

Ajo që nuk mund të mohohet është se dyshja Albini-Vjosa, deri dje vepronte në sinkron, në pajtueshmëri të plotë, që nga shtrirja e sovranitetit në veriun problematik të Mitrovicës dhe të veprimeve tjera, sidomos për sundimin e ligjit. Sepse Sistemi i Drejtësisë ishte kapur dhe rrënuar në tërësi, me qëllim të bërjes mjegullnajë, për të livadhisur lirshëm dhe sunduar shpengueshëm popullin sa të përvuajtur, aq edhe mjeran.

Rebelimi i Vjosë Osmanit, deri në denoncim publik në sallën e Parlamentit të Kosovës, se “nuk luhet bixhoz me ndërkombëtarët”, është shqetësim parimor. Edhe pse nuk përmendi emër, aludimi ishte i lexueshëm. Albin Kurti ka deklaruar, madje publikisht dhe tekstualisht: “Amerika ishte partner i luftës, partner i së kaluarës, por jo partner i tashmes dhe i së ardhmes!”

Ishte një deklarim sa jo real, aq edhe fatal për Kosovën, sepse Amerika është ekskluzive çliruese e Kosovës. Madje për ta mohuar partneritetin me Amerikën, duhet ta kesh rezervë një supërfuqi më të fortë ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht dhe miqësisht. Mjerisht, një rezervë e tillë Kosovës i mungonte dje. por i mungon edhe sot. Andaj, partneritetin me Amerikën duhet ta ruajmë si sytë e ballit.

Amerikanët kanë një mbamëndje të fortë dhe nuk harrojnë lehtë. Veç kësaj, mosmirënjohja është e pafisme. Gjenerali freng Napoleon thoshte se “më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa tradhtarët!”

Amerika, në përgjithësi, Republikanët, në veçanti, janë alergjikë ndaj ecejakeve, flirteve me shtetet e Lindjes, ngaqë anojnë nga Rusia.

Ndërkohë që Albini frekuentonte organizimet politike të social-demokratëve edhe përtej Ballkanit, gjithnjë për qëllime të mira, në favor të Kosovës, por, tej Oqeanit i shohin me dyshime.

Vjosë Osmani i përket brezit intelektual bashkëkohor amerikano-evropianë. Ajo nuk e fshehu ambicien për mandatin e dytë presidencial.

Pa asnjë mëdyshje ajo ishte presidentja brilante, e cila jo vetëm fitoi zemrat e shqiptarëve të kudondodhur, por edhe të burrështetasve botërorë, përfshi edhe organizmat e ndryshme ndërkombëtare.

Fjalimin e presidentes të mini-shtetit të Kosovës, Vjosë Osmanit, e përshëndeti Parlamenti Evropian, duke u ngritur në këmbë dhe me duartrokitje të gjata.

Takimi i presidentes Vjosë Osmani, me kontigjentin e madh të ushtarakëve luftarakë dhe fotografia proverbiale e bërë dhe e publikuar nga ajo, flet mjaftueshëm, për sukseset kulmore të vizitës të saj.

Turnetë e Presidentes nëpër botë, gjithnjë në afirmimin e qeverisjes të mirë dhe të shtetit të Kosovës, dhanë rezultatet e pritshme të disa njohjeve; të heqjes të sanksioneve të padrejta; zhbllokimin e fondeve dhe një serë premtimesh, për pranimin në organizma tjera ndërkombëtare.

Vjosa idealiste në misionin e shenjtë presidencial

Pyetja nëse Vjosë Osmani është karrieriste apo idealiste, përgjigjia është e qartë, e saktë: Një idealiste e pa kompromis dhe rrast e përkushtuar për Atdheun. Kur ajo po mbaronte mandatin e Presidentes, pa pasur parti të vetën dhe të ndonjë grupi lobues për fushatën zgjedhore, dëshmoi se ishte dhe mbeti idealiste, në shërbim të Atdheut-Kosovë.

Ndodhi ajo që nuk pritej: Edhe pse kishte marrë premtimin e Albin Kurtit se ai, me LVV e tij, do t`ia sigurojë votat, duke e porositur atë, për t`i plotësuar votat tjera, nuk e mbajti premtimin e dhënë!

Ndërkohë, ndodhi e papritura! Prapa shpinës të saj, kërkonte një tjetër emër për president. Dhe, kjo ishte pabesi nga ana e kryeministrit Kurti! Shqiptarët u shtangën nga habia. Edhe pse ishim mësuar me veprime jo të zakonshme të Kurtit, këtë nuk e prisnim, ngaqë Vjosa ishte në kulmin e realizimit të projekteve të rëndësishme për Kosovën.

Akuza e Vjosë Osmanit se Albin Kurti ka bërë bisedime të gjata me Vuçiq dhe Lajçak, pa dhënë shpjegime, ishte jashtë standardit të presidentes. Por këtë e bëri qëllimshëm, pasi ishte e bindur se e gjithë propaganda e sinkronizuar shpifarake e degraduese kundër saj, nga lukunia e aktivistëve të LVV, ishte e porositur nga Kurti.

Vjosa donte t`i tregonte Albinit se sa të rënda janë shpifjet, për, gjoja, konspiracionet e saj me Grenell,
Gjuriç, Rama, edhe pse ato ishin të organizuara nga Administrata Amerikane, në kuadrin e liderëve ballkanikë, për çka është i ngarkuar Grenell.

Si me sustë filloi fushata e “fejsbukistëve” të programuar, për denigrimin e figurës të presidentes markante, Vjosë Osmanit. Ajo e denoncoi Kurtin për këtë fushatë të pistë unike! Dhe, foli hapur për mospajtimet politike dhe assesi personale, duke lënë hapësirë bashkëpunimi me kryeministrin Albin Kurtin.

Analisti i mirënjohur gjerman, Bodo Weber, vlerëson “pozicionimin e mirë të Vjosë Osmanit, në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe Bordin e Paqes, të inicuar nga Trump. Në qeverinë Kurti, kjo ka shkaktuar xhelozi dhe tensione”,- konstaton Weber.

“LVV nuk ka asnjë arsye të mos pranojë kërkesën time për mandatin e dyte”, megjithatë, “nuk do të lejojë që emri im të shndërrohet në pengesë për arritjen e një marrëveshje”, – ka deklaruar Vjosë Osmani, mençurisht dhe fienikërisht.

Zëvendës-kryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donikë Gërvalla, ka deklaruar se “kundërshtarët e saj po e refuzojnë Vjosë Osmanin, por nuk e dinë pse? Ajo në pozitën e Presidentes ka përformuar shkëlqyeshëm dhe nuk ka bërë asnjë gabim. Paraqitjet e saj dinjitoze në veprimtaritë ndërkombëtare, kanë nderuar Kosovën. E mençur, e përgatitur dhe punëtore e madhe”, e ka vlerësuar kolegia Gërvalla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar në shkallën sipërore: “Vjosë, ti je presidentja më e mirë e shekullit e shekullit 21”.

Ndërsa shqiptarët thonë: “Për ta përgatitur një presidente si Vjosë Osmani, Kosovës i duhen, të paktën,
20 vjet kohë”.

Vazhdimi i mandatit të dytë presidencial i Vjosë Osmanit, është interes i veçantë dhe domethënës, në rrethanat politike të Kosovës të sotme.

Thonë se “inati në politikë është humbës”. Albini, si djalë bollshëm i shkolluar, këtë të vërtetë e dinë mirëfilli. Andaj, është koha për reflektim, gjithnjë duke vënë interesin e Kosovës mbi atë personal.

Dje, binomi Vjosa-Albini ishin shpresa e shqiptarëve vendorë dhe botërorë. Prandaj, mos lejoni që sot ta ktheni shpresën në zhgënjim!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.