28.9 C
Tirana
E enjte, 11 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Mëngjes arbëror – poezi nga Nexhat Halimi

Mëngjes arbëror – poezi nga Nexhat Halimi

0
Nexhat Halimi

nexhat halimi

mëngjes arbëror

me dritën e parë të mëngjesit arbëror
një flutur me krahë të bardhë borë
hyri në dhomën time e vetmuar

në krahë mbante pluhurin e rrugëve tona
gurin e kullave e dhembjen e lashtë
dëshmitare e heshtur që fluturon
mbi varre e mbi djepet e kësaj toke

u ul mbi tymin e ftohtë të vatrave tona
aty ku populli ka lidhur jetën me rrënjët
duke sfiduar stuhitë që ranë mbi krye
për të mbetur i zoti në shtëpinë e vet

në dhomën time të mbyllur
ajo nuk erdhi mysafire e rastit
shenjë e gjallë e këtij trualli
e brishtë si liria, e bardhë si shpresa
që rilind në çdo agim mbi dheun arbëror

II

kjo flutur e tëra e bardhë
preku zemrën e ilirisë së lashtë
ra mbi bozhuren gjak të kuqe në dardani

u ul mbi sofrën e vjetër
aty ku koha matet me heshtje
e buka ndahet me zemër
zemra vlon gjakun për liri
e solli me vete erën e maleve
ujin e kristal të kësaj toke

soditja krahët e saj të brishtë
që sfidonin errësirën e natës që iku
një letër e pashkruar ndër shekuj

në dhomën e errët nuk erdhi të vdesë
erdhi të mbledhë vetminë time
ta marr me vete e ta kthej në liri
para se ik drejt qiellit të hapur

III

e kur agimi arbëror çeli syrin e parë
flutura e bardhë më shpërtheu nga zemra
fjalë e lashtë e mbetur pa gojë

e shkoi mbi gurët që thërrasin emrat tanë
mbi gjurmët e ujit që rrjedh nëpër eshtra
mbi heshtjen që ruan pragun e kullave

aty ku ende frymon hiri i zjarreve
e nata e vjetër lëkurën e vet e ndërron
si gjarpri në prag të pranverës

e pashë si prekte me krahët prej drite
ballin e dheut të lodhur nga pritja
dhe zgjonte farën e fjetur në rrënjë

e pikë e diellit i rrinte në sy
amanet i lënë prej të parëve
në kohën kur guri kishte zemër

nuk fliste
nga heshtja e saj fluturoni zogj
e rridhnin lumenj të vegjël drite

liria nuk vjen vet
zgjohet brenda gjakut

flutura që ngrihet nga dora ime
e merr me vete plagën dhe shpresën
e humbet në kaltërsinë e mëngjesit arbëror

e unë i shtrirë nën aromën e degës së ullirit
me duar në erë e sy në dritë
ndjej si rritet bari mbi gur.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.