13.5 C
Tirana
E hënë, 25 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MIRDITA – IDENTITETI DHE PASURIA GJUHËSORE E NJË KRAHINE

MIRDITA – IDENTITETI DHE PASURIA GJUHËSORE E NJË KRAHINE

0
Llesh Ndoj - Identitet - Mirdita

Libri i autorit Llesh Ndoj “Identitet – Pasuri gjuhësore e mirditasve”, një udhëtim në gjuhën, traditat dhe shpirtin e gjallë të Mirditës

Nga: Prof. asoc. dr. Rovena Vata Mikeli

Mirdita nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, ajo paraqitet si një rrjedhë e gjallë, ku çdo element i jetës, nga natyra e paprekur, te zakonet dhe vlerat njerëzore, bashkohet për të formuar harmoninë e një kulture të qëndrueshme, gjithmonë të gjallë dhe dinamike. Çdo mal, lug, kodër, lumë dhe shkëmb, duket sikur flet për historinë, shpirtin dhe përvojën e një populli të lidhur ngushtë me tokën dhe traditat e veta. Mirdita është zemra etnografike dhe folklorike e Shqipërisë, një hapësirë ku identiteti kulturor, gjuha, traditat dhe jeta e përditshme, ndërthuren në një mozaik të gjallë dhe koherent. Gjuha mirditore përbën thesarin e pashkruar të kësaj krahine, mësuar dhe përcjellë brez pas brezi në vatrën familjare. Ajo nuk shërben vetëm si mjet komunikimi, por si pasqyrë e identitetit, historisë dhe shpirtit të këtij komuniteti.

Shprehjet frazeologjike, fjalët e urta, urimet, mallkimet dhe lutjet bartin jetën, virtytet dhe normat morale të popullit, duke shërbyer si ura lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes. Çdo fjali, çdo ritual dhe çdo zakon formojnë një kurorë të vlerave etno – kulturore, që reflekton krenarinë, trashëgiminë dhe mendimin e lartë të Mirditës.Traditat dhe jetesa e përditshme shfaqen të ngarkuara me kuptime simbolike. Veshjet tradicionale të burrave dhe grave, funksioni i kullave dhe mullinjve, simbolika e bukës dhe kripës, e njohur nga shprehja “bukë, kripë e zemër”, nuk janë thjesht objekte apo rituale, por bartin histori, vlerë estetike dhe strukturë shoqërore, duke krijuar një lidhje të gjallë midis individit, komunitetit dhe natyrës. Pritja, përcjellja, festat, vallëzimet dhe këngët përbëjnë një rrjedhë të pandërprerë të traditës dhe identitetit, ku çdo veprim përçon vlera të përjetuara, virtyte dhe inteligjencë kolektive.

Ky libër dokumenton detajet fonetike të së folmes mirditore, funksionin estetik dhe ritual të jetës materiale dhe vlerave kulturore, si dhe rëndësinë e simbolikës së bukës, mikpritjes dhe marrëdhënieve shoqërore. Lexuesi udhëton jo vetëm në hapësirën dhe kohën e Mirditës, por edhe në mënyrën se si gjuha dhe traditat formojnë marrëdhënie, përçojnë vlera dhe mbajnë gjallë kujtesën kolektive. Mirdita shfaqet si një hapësirë, ku historia dhe natyra bashkëjetojnë në një harmoni të rrallë; këtu trashëgimia folklorike, mitologjia, virtytet burrërore dhe zakonet e shprehura në gjuhën e gjallë ngjiten mbi çdo element të përditshëm, duke kthyer çdo rrëfim, këngë, valle apo ritual në pjesë të një mozaiku të gjallë kulturor. Ajo nuk është thjesht një krahinë, ajo është zemra që rreh me ritmin e Shqipërisë, një hapësirë ku identiteti, tradita dhe gjuha bashkohen për të krijuar një trashëgimi që frymon dhe jeton në çdo brez. Çdo faqe, çdo varg dhe çdo përshkrim i jetës mirditore pasqyron pulsimin e zakoneve, bukurinë natyrore, ngrohtësinë e mikpritjes dhe fuqinë e virtytit.

Mirdita flet me shpirtin e saj të lashtë dhe ofron një dritare drejt një bote, ku kultura, historia dhe identiteti shqiptar nuk janë thjesht kujtime, por një realitet i gjallë dhe i përjetshëm, një thesar i pakrahasueshëm për të gjithë Shqipërinë. Në këtë kontekst, kontributi i Llesh Ndojit merr një rëndësi të veçantë shkencore dhe kulturore, ku përmes një pune të kujdesshme në terren dhe analizës së materialit autentik, ai ka dokumentuar universin gjuhësor dhe etnokulturor të Mirditës, duke mbledhur fjalë e shprehje frazeologjike, urime e mallkime, betime e lutje, rrëfime dhe praktika, të cilat përbëjnë thelbin e identitetit të kësaj krahine.

Vepra e studiuesit Llesh Ndoj nuk kufizohet vetëm në analizën gjuhësore, por shtrihet edhe në trajtimin e kulturës materiale dhe shpirtërore, duke ndërtuar një lidhje organike midis gjuhës, kulturës dhe shoqërisë. Ky studim përbën një kontribut të rëndësishëm dhe me vlera në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore shqiptare, duke e vendosur Mirditën, në një kontekst më të gjerë etnografik dhe albanologjik, për të dëshmuar se një krahinë e kufizuar në hapësirë, mund të mbartë një pasuri të jashtëzakonshme të vlerave gjuhësore, etnografike, folklorike, kulturore, ku të gjitha së bashku përbëjnë trungun e identitetit të krahinës së Mirditës.

Falë edhe këtij studimi krahina e Mirditës shfaqet si një botë e plotë, ku gjuha, tradita dhe historia bashkëjetojnë në harmoni, duke krijuar një identitet të gjallë, që vazhdon të ripërtërihet në kohë. Përmbajtje e këtij studimi është një dëshmi e fuqishme e kësaj vazhdimësie, duke ruajtur në letër elementet gjuhësore, etnografike dhe folklorike, si një tërësi organike dhe si një mozaik i domosdoshëm për trashëgiminë dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të krahinës së Mirditës.

Tiranë, më 25 mars 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.