21.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj FROJDI I DOMOSDOSHËM

FROJDI I DOMOSDOSHËM

0
Arben Çokaj - Vepra e plotë e Frojdit - botim

Parafjalë për lexuesin e Veprës së plotë të Frojdit në shqip!

Arben Çokaj - Qytetar Nderi - Malësi e Madhe
Arben Çokaj – Qytetar Nderi – Malësi e Madhe

Nuk do i kisha hyrë kurrë përkthimit të një vepre kaq të madhe, nëse nuk kisha menduar se kjo vepër, (botohet disi më e plotë në shqip pas më shumë se një shekulli), i shërben shoqërisë shqiptare, ashtu si i ka shërbyer edhe botës deri tani. Frojdi është përkthyer e botuar edhe më herët në shqip, por librat e tij pas vitit 1990 ngjajnë me broshura joserioze, që kanë ardhur me kohën duke u përmirësuar, deri te ky botim serioz i 10 librave të tij, në një format më të madh. Kuptohet se nuk paragjykoj askënd, që ka marrë iniciativën për të përkthyer nga Vepra e Frojdit, përkundrazi i vlerësoj dhe i inkurajoj të gjithë. Por Vepra e Frojdiit nuk është e lehtë për t’u kuptuar, e jo më për t’u përkthyer me saktësi.

Mendoj padyshim se me ndihmën e konsultimin e vazhdueshëm nga vëllai im mjek Dr. Dashamiri, kjo vepër e Frojdit në shqip është edhe përkthimi më i mirë dhe më i plotë deri tani. E kam quajtur Vepra e plotë në shqip, pasi nuk ka në shqip një përkthim më të zgjeruar se ky. Dhe përcaktori ‘në shqip’ është futur për të treguar se kjo vepër e plotë është në shqip, pasi në anglisht Vepra e Frojdit ka 5102 faqe, ndërsa në gjermanisht ka 6704 faqe. (Të dyja i gjeni falas në PDF, në ueb-faqen time online). Kurse në këtë rast, ju paguani për përkthimin në shqip. Versioni në gjermanisht kërkon të drejta për përkthim, dhe kjo ishte edhe njëra nga arsyet, pse unë, gjatë përkthimit tim, kam marrë si bazë veprën e Frojdit në anglisht, por në disa raste jam konsultuar edhe me veprën në gjermanisht, për saktësimin e ndonjë termi të caktuar.

Zigmund Frojd – Vepra e plotë në shqip – vëllimi I

Vepra e Frojdit ka rëndërsi të madhe për të kuptuar zhvillimin e psikikës në historinë e njerëzimit dhe analizimin e saj. Kjo vepër u shërben profesionistëve të fushës së psikologjisë e psikoterapisë, studentëve dhe intelektualëve të edukuar mirë e me kulturë, të cilët duan t’i zgjerojnë njohuritë tyre në një botëkuptim më analitik të shoqërisë, më racional dhe më të arsyeshëm. Frojdi lë shumë mbresa, pas leximit të veprës së tij, dhe unë jam i bindur se botë­kuptimi, që merrni nga leximi e kuptimi i kësaj vepre, ua ndryshon me 30-70% të koncepteve, që keni marrë për botën deri tani, në varësi të dijes që keni. Secili mund të përfitojë nga kjo vepër, prandaj mendoj se Frojdi e vepra e tij janë të domosdoshme për shoqërinë.

Siç tregon te Studimi i tij autobiografik, Frojdi ia kushtoi gjithë jetën e tij kësaj vepre të madhe dhe teorisë së tij të Psikoanalizës, ndërsa unë, me metodat e reja të përkthimit, kam harxhuar 2-3 vjet kohë nga jeta ime, për të përkthyer rreth 2600 faqe në shqip, ku janë përfshirë pjesa më e madhe e temave më thelbësore nga Vepra e Frojdit. Pjesa e mbetur pa u përkthyer në shqip, ka rëndësinë e vet, por nënkuptohet, dhe nëse nuk përkthehet më vonë, studiuesit shqiptarë, mund ta shfrytëzojnë veprën e Frojdit në origjinal ose në anglisht.

Carl Gustave Jung ishte bashkëpunëtor i Frojdit dhe ai thotë: “Derisa ta bësh të pavetë­dijshmen të vetëdijshme, ajo (pavetëdija) do ta drejtojë jetën tënde dhe ti do ta quash atë fat.” Kjo vepër i shërben pikërisht kësaj, bërjes së vetëdijshme të proceseve të pavetëdij­shme në psikikën tuaj! Të mos u besoni verbërisht fatit e iluzioneve…

Pse unë e përktheva këtë vepër? U frymëzova nga Albert Ajnshtajn, i cili thotë: “Ata që kanë privilegjin të dinë, kanë edhe për detyrë të veprojnë.” Në këtë rast, duke e pëlqyer Frojdin e psikoanalizën e tij, që në rini, unë mendova se është një sfidë sublime, ta ktheja energjinë time intelektuale në një produkt cilësor e të dobishëm për shqiptarët. Por psikoanalisti gjerman Tobias Hürter thotë në Zeit.de: “Ju nuk duhet ta prezentoni Zigmund Frojdin për këdo.”…

Ndërsa Zigmund Frojdi vetë, e karakterizon metodën e psikoanalizës si në metodë, që funksionon më mirë për njerëzit e edukuar: “Psikoanaliza si metodë sugjerohet vetëm për njerëzit e edukuar.” Duhet të dish, për ta kuptuar Frojdin, dhe të keshë, padyshim me humor këtu, për ta blerë veprën e tij në shqip.

Ju uroj lexim të këndshëm!

Arben Çokaj

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.