19.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj VLERËSIMI MERITOR I VEPRIMTARISË ATDHETARE DHE INTELEKTUALE PËR AKADEMIK FEHMI AGANIN

VLERËSIMI MERITOR I VEPRIMTARISË ATDHETARE DHE INTELEKTUALE PËR AKADEMIK FEHMI AGANIN

0

Pamje nga Ekspozita

Abas Fejzullahi Përgatiti Abas Fejzullahi

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, me rastin e hapjes së Ekspozitës tematike-muzeore, kushtuar veprimtarisë atdhetare, intelektuale dhe politike të akademik Fehmi Aganit, më datën 09.05.2026 në Cyrih, organizuar në bashkëpunim të ndërsjelltë mes SHBK »Salih Çekaj» në Zvicër, Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës, falënderoi për Ftesën dhe fjalën e dhënë ku përshëndeti përzemërsisht organizatorët dhe pjesëmarrësit e pranishëm.

Pamje nga Ekspozita

Donika Gërvalla, «Sot nuk do të mund të flas për profesor Fehmi Aganin, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, trurin e rezistencës sonë civile, aspak pasive, vetëm si figurë historike, sepse për shumë prej nesh ai nuk ishte vetëm profesor, as vetëm figurë politike. Ishte njeri pranë të cilit je rritur politikisht e kombëtarisht, edhe kur ke qenë shumë i ri për ta kuptuar plotësisht peshën e kohës që po jetoje.

1. Në vijim Donika Gërvalla lexoi shkrimi kushtuar Akademik Fehmi Aganit:
Donika Gërvalla në Foltore  – Pamje nga Ekspozita

Më kujtohen mirë aktivitetet, takimet, organizimet tona të shumta dhe të ndryshme të atyre viteve. Ne të rinjtë shpesh hynim me emocione, me energji, nganjëherë edhe me padurim. Ndërsa ai rrinte i qetë. Gjithmonë i qetë. Jo nga mungesa e shqetësimit. Përkundrazi. Por sepse e kuptonte më mirë se shumica se popujt nuk mbijetojnë vetëm me zemërim. Mbijetojnë me mençuri, me durim dhe me vizion.

Fisnik, i urtë e i matur deri në skaj, Profesor Agani nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të bindur askënd. As për patetikë, për fjalë të mëdha apo për kult personal. Mjaftonte prania e tij. Qetësia e tij. Logjika e tij. Besimi i tij i palëkundur në lirinë dhe Republikën e Kosovës.

Në ato vite të vështira, kur shumëçka ishte pasiguri, profesor Agani sillte kthjelltësi. Kur kishte zemërim, ai sillte maturi. Kur kishte frikë, ai sillte guxim të qetë. Shpesh, me humorin e tij të rrallë dhe me ndonjë shaka të vogël, zgjidhte situatat më të tensionuara që krijoheshin.

Sot në këtë sallë ndodhen shumë njerëz që e kanë njohur nga afër. Edhe të tillë që kanë kaluar vite të tëra me të dhe krah tij. Dhe e di që do të pajtoheni me konstatimin që: profesor Agani nuk e ngrinte kurrë veten mbi kauzën. Nuk kishte ego politike. Nuk kishte nevojë të dominonte dhomën.

Forca e tij ishte pesha e mendimit. Dhe ndoshta pikërisht për këtë gëzonte respektin edhe të njerëzve shumë të ndryshëm mes vete. Edhe lidhja e tij shumë e veçantë me Salihun, Sali Çekajn, është aq domethënëse dhe flet shumë për këtë periudhë dhe për atë brez.

Sepse, edhe në atë kohë kishte shumë njerëz që flisnin, flisnin shumë e madje bërtisnin.

Më pak ishin ata që bartnin barrën reale të organizimit, të rezistencës dhe të sakrificës. Profesor Agani dhe Sali Çekaj herët e kishin kuptuar që liria nuk fitohet vetëm me armë, e aq më pak vetëm me fjalë. Ajo fitohet vetëm atëherë kur njerëz të ndryshëm, me role të ndryshme, i shërbejnë të njëjtit ideal.

Dhe ky është mësim që sot mbetet po aq i rëndësishëm. Ata i përkisnin një brezi që nuk e matnin veten me zhurmë, me propagandë apo me duartrokitje të çastit. E matnin me atë se çfarë i sillnin Kosovës. Sepse tani që të dy nuk janë më fizikisht në mesin nesh, e kuptojmë më qartë çfarë peshe kishte prania e tyre. Sa siguri jepte mençuria e Fehmi Aganit e sa forcë Kosova sot është shtet.

Por ka ende nevojë për atë kulturë përgjegjësie që ata përfaqësonin. Për njerëz që nuk e duan vendin vetëm me fjalë, por edhe me karakter.
Sot, kur e kujtojmë profesor Aganin, nuk kujtojmë vetëm një njeri të vrarë nga regjimi serb.
Kujtojmë një mendje që i dha drejtim rezistencës sonë politike. Një njeri serioz, të urtë dhe të palëkundur.
Sot, kur flasim për profesor Fehmi Aganin, nuk kujtojmë vetëm një intelektual apo politikan.
Kujtojmë një kulturë politike që sot na mungon shpesh: seriozitetin, maturinë, përgjegjësinë ndaj fjalës dhe ndaj shtetit.

Ai nuk ishte produkt i momentit. Ishte njeri i shtetit, para se shteti të ekzistonte. Ai i përkiste atij brezi që nuk punoi për duartrokitje të momentit, por për themelet e Kosovës. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse figura e tij mbetet ende kaq e madhe. Sepse koha nuk e ka zvogëluar. Përkundrazi.

Një falënderim i veçantë i shkon Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, z. Saim Tahiraj dhe Shoqatës Sali Çekaj, si dhe Muzeut të Kosovës për organizimin e kësaj ekspozite mbresëlënëse.
Lavdi jetës dhe veprës së profesor Fehmi Aganit.
Respekt i përhershëm për brezin që e mbajti Kosovën gjallë në kohët më të vështira.»
***
2.Me rastin e hapjes së Ekspozitës kushtuar Akademik Fehmi Aganit në vijim është përmbledhja e fjalimit të z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Bernë të Zvicrës.

Mentor Latifi, Ambasadori RK.në Bernë Pamje nga vizitorët me rsastin e hapjes së Ekspozitës.

“Profesor Fehmi Agani ishte sociolog, mendimtar dhe, mbi të gjitha, demokrat. Ai ishte udhëheqësi praktik i lëvizjes paqësore kosovare për mëvetësi në vitet 1990. Ishte njeri i dialogut dhe i aksionit.

Si intelektual, para se të merrej aktivisht me politikë, e pasuroi diskursin publik me gjuhë politike. Parakusht për të hapur shtegun e lirisë është që një shoqëri të ketë prijës që zotërojnë gjuhën politike, diskursin e komunikimit publik, urtësinë e kombinuar me këmbëngulje.

I lindur në Gjakovë, ai ishte ndër shqiptarët e parë nga Kosova që në vitet 1950 studioi në Universitetin e Beogradit dhe, mes tjerash, u specializua edhe mbi lëvizjen sindikale në Gjermani.

Fehmi Agani ishte një figurë shumë e respektuar si strateg politik, profesor universitar, negociator dhe ndërtues urash komunikimi edhe mes rivalëve politikë. Sepse Fehmi Agani e kishte të qartë një gjë: mospajtimet janë vetëm rast për të diskutuar për arritjen e cakur përfundimtar. E caku i tij ishte – Kosova e pavarur.

Nga vitet 1960 deri në heqjen arbitrare të autonomisë së Kosovës nga regjimi serb në vitin 1989, Fehmi Agani luajti rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve qendrore arsimore në Prishtina. Më 1981 refuzoi të dënojë protestat e studentëve dhe, për këtë, iu nënshtrua presioneve të ndryshme nga regjimi komunist, të cilave u bëri ballë me durim e gjakftohtësi.

Fehmi Agani ishte figura prijëse e Alternativës Kosovare, që kishte dijen dhe përvojën të përballej me çdo eksponent të politikës dhe skenës akademike serbe. Njëkohësisht, profesor Agani çmohej në Lubjanë, në Zagreb e Sarajevë për fuqinë e argumenteve të tij. Ky nam i tij i mirë në vitet 1990 u përhap edhe në qarqet perëndimore. Shumë diplomatë e shihnin si politikbërësin konkret të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbarë alternativës kosovare. Si të tillë edhe e çmonin. Fehmi Agani nuk ishte pacifist indiferent ndaj realitetit në terren. Simpatia tij për kryengritjen e armatosur ishte e dukshme.

Vrasja e tij nga forcat serbe është një nga krimet më të mëdha që regjimi serb kreu me qëllim të dëmtimit të udhëheqjes politike të Kosovës. Vrasësit e tij nuk u arrestuan kurrë nga qeveritë serbe që nga viti 1999. Ata jetojnë të lirë në Serbi.
Jeta dhe vepra e profesor Aganit janë të përjetshme. Dhe për ta kujtuar përjetësinë e tij jemi mbledhur sot këtu.

Faleminderit.”
***
3. Besnik Rraci, përfaqësues i Muzeut Kombëtarë të Kosovës dhe bashkëautori i Ekspozitës me Dr. Sadik Krasniqin paraqiti fjalën e tij përshëndetëse si në vijim:

Prof.Besnik Rraci dhe Dr.Sadik Krasniqi ideator e jetësues të Ekspozitës dhe Katalogut.
«Të nderuara zonja dhe zotërinj,
E nderuara ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla,
I nderuari konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha,
I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës z.Mentor Latifi
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Dredha
I nderuar kryetar i SHHB “Sali Çekaj” në Zvicër, z. Saim Tahiraj,
Të nderuar përfaqësues të jetës politike, akademike, publike dhe kulturore,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam nderin e veçantë që sot, në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe në emer te kolegut tim Sadik Krasniqi, ne cilësinë e bashkautorit të këtij projekti, t’ju përshëndes në hapjen e ekspozitës tematike-lëvizëse me titull:“Kontributi atdhetar – intelektual dhe politik i akademik Fehmi Aganit.”

Kjo ekspozitë organizohet në bashkëpunim ndërmjet Muzeut Kombëtar të Kosovës, SHHB “Sali Çekaj” dhe Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, në shënim të 27-vjetorit të vrasjes së akademik Fehmi Aganit njërit ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore.

Muzeu Kombëtar i Kosovës, përkatësisht Sektori i Historisë, në kuadër të aktiviteteve të tij programore dhe hulumtuese, synon trajtimin muzeor dhe historik të figurave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare,lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, që nga viti 2024 kemi konceptuar një projekt të veçantë kushtuar figurës së akademik Fehmi Aganit, duke e trajtuar atë në dimensionin historik, ekspozicional dhe muzeologjik.

Ekspozita ishte prezantuar fillimisht më 13 maj 2025 në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa sot po e sjellim para publikut shqiptar në Zvicër, si pjesë e konceptit të saj lëvizës dhe ndërkombëtar.

Të nderuar pjesëmarrës,
Akademik Fehmi Agani ishte një figurë shumëdimensionale profesor universitar, studiues i sociologjisë, intelektual publik dhe një ndër strategët kryesorë të lëvizjes politike paqësore të viteve ’90 në Kosovë.
Kontributi i tij shtrihet në disa fusha me rëndësi të veçantë: në arsim, në jetën akademike e shkencore, në mendimin intelektual shqiptar, si dhe në organizimin politik të shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës më të vështirë të historisë sonë moderne. Në rrafshin politik, profesor Agani pati rol kyç në konsolidimin e pluralizmit politik në Kosovë. Në bashkëpunim të ngushtë me presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova dhe me personalitete të tjera intelektuale e politike të kohës, ai kontribuoi në artikulimin dhe ndërkombëtarizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Si figura e dytë më e rëndësishme e lëvizjes paqësore shqiptare në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare të ish-Jugosllavisë, ai ofroi vizion politik, maturi diplomatike dhe orientim strategjik në një periudhë vendimtare për fatin e vendit tonë.Profesor Agani ishte gjithashtu pikë referimi për subjektet politike shqiptare jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Përmes autorësisë dhe bashkautorësisë në platforma politike, deklarata dhe dokumente programore, ai kontribuoi në përcaktimin e kursit ideologjik dhe politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh politik shqiptar në ish-Jugosllavi.

Të nderuar të pranishëm,
Ky projekt është konceptuar në tri faza kryesore.
Faza e parë ka përfshirë hulumtime intensive në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera, duke mundësuar grumbullimin e një fondi të pasur fotografik, dokumentar dhe muzeor që pasqyron jetën dhe veprën e akademik Aganit. Faza e dytë ka përfshirë realizimin e ekspozitës tematike dhe përgatitjen e katalogut profesional, i cili do të përmbledhë dimensionin politik, intelektual dhe atdhetar të veprimtarisë së tij. Ndërsa faza e tretë, të cilën po e realizojmë sot këtu në Cyrih, paraqet dimensionin ndërkombëtar të projektit, me synimin që ekspozita të prezantohet edhe në qendra të tjera të rëndësishme të Evropës dhe më gjerë.

Në aspektin muzeologjik dhe kuratorial, ekspozita është konceptuar përmes 11 paneleve tematike dhe kronologjike, të cilat trajtojnë periudhat më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së akademik Fehmi Aganit.

Ekspozita fillon me panelin hyrës, që prezanton portretin dhe konceptin e përgjithshëm të ekspozitës, për të vazhduar me trajtimin e kontekstit familjar dhe biografik, gjenealogjinë familjare, fëmijërinë dhe jetën personale të tij.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës i kushtohet formimit të tij intelektual dhe akademik, aktivitetit universitar dhe kontributit në themelimin e institucioneve të rëndësishme shkencore e akademike, përfshirë Institutin Albanologjik dhe Katedrën e Sociologjisë.Panelet qendrore trajtojnë angazhimin e tij politik gjatë viteve ’90, bashkëpunimin me presidentin Rugova, aktivitetin në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe përfaqësimin diplomatik të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare,përfshirë Konferencën e Rambujesë dhe takimet me diasporën shqiptare në Evropë. Pjesë përbërëse e ekspozitës janë gjithashtu dokumentet arkivore, shtypi i kohës dhe materialet autentike që dëshmojnë aktivitetin politik dhe intelektual të profesor Aganit. Paneli përmbyllës trajton kujtesën dhe përkujtimin e tij pas luftës, duke rikujtuar faktin tragjik se, për shkak të rrethanave të luftës, nuk ishte e mundur organizimi i ceremonisë mortore në kohën e vrasjes së tij më 6 maj 1999.

Të nderuar pjesëmarrës,

Përmes këtij koncepti ekspozicional synojmë të kontribuojmë në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike për jetën dhe veprën e akademik Fehmi Aganit,duke e paraqitur kontributin e tij akademik, intelektual dhe politik si pjesë të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë për SHHB “Sali Çekaj” në Zvicër, dhe posaçërisht për kryetarin e saj, z. Saim Tahiraj, për mbështetjen financiare dhe institucionale në realizimin e këtij projekti. Një falënderim të veçantë dua t’ia adresoj edhe z. Vigan Berisha, konsull i Republikes e Kosoves ne Cyrih për kontributin dhe angazhimin e tij të çmuar në organizimin e kësaj ekspozite këtu në Cyrih.
Gjithashtu falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët, institucionet dhe individët që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti me rëndësi kulturore dhe kombëtare.
Pa u zgjatur më tej, ju falënderoj sinqerisht për pjesëmarrjen tuaj dhe ju ftoj ta vizitoni ekspozitën.
Ju faleminderit! «

Pamje nga pjeëmarrësitë që vizitonin ekspozitën
4. Kryetari i SHBK»Salih Çekaj « në Zvicër z. Saim Tahiraj, në fjalën e tij të rastit vlersoi lartë bashkëpunimin e ndërsjelltë të Akademik Fehmi Aganit me Heroin e Salih Çekaj si dy shtylla kryesore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Saim Tahiraj paraqiti fjalën e tij me rastin e hapjes së Ekspozitës

«I nderuari konsull i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha,
I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës z.Mentor Latifi
E nderuara ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla,
Të nderuar përfaqësues të Muzeut Kombëtar, zotërinj Besnik Rraci dhe Sadik Krasniqi,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Dredha
Të nderuar të pranishëm,
Kam nderin e veçantë që, në emër të SHBK “Salih Çekaj” në Zvicër, t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj sinqerisht për pjesëmarrjen tuaj në hapjen e kësaj ekspozite, kushtuar njërit ndër figurat më të shquara të lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi – prof. Fehmi Aganit.
Kjo ekspozitë, së bashku me katalogun shoqërues, është e treta me radhë, pas atyre kushtuar presidentit Rugova dhe komandantit Salih Çekaj. Me të, përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i historikut të veprimtarisë së këtij trinomi të jashtëzakonshëm, i cili në vetëdijen kombëtare njihet si filozofia politike e quajtur RUGOVIZËM.
Ekspozita e parë solli para nesh politikën e jashtme, diplomacinë dhe organizimin politik të brendshëm që udhëhoqi presidenti Rugova. E dyta pasqyroi rezistencën e armatosur, aksionet guerile dhe luftën e hapur në Kosovë përmes figurës qendrore të komandant Salih Çekaj. Ndërsa kjo e sotmja e plotëson këtë mozaik, duke paraqitur koordinimin e këtyre dy shtyllave – një koordinim që në mënyrën më të përkryer e mishëroi inteligjenca e rrallë politike e prof. Fehmi Aganit.
Sot, para nesh qëndron e plotë tabloja e këtij trinomi të famshëm. Një filozofi politike që përfshin gjithçka: politikë dhe diplomaci, rezistencë aktive dhe të armatosur, aksione guerile, shtetformim e shtetndërtim në kushte okupimi, si dhe luftën e hapur për liri. Kjo nuk ishte rastësi – ishte vizion, ishte strategji, ishte edhe një lloj profecie historike që udhëhoqi popullin shqiptar drejt fitores në rrethana tejet të vështira.
Pikërisht kjo tërësi e bën të merituar emërtimin RUGOVIZËM – një filozofi politike që solli lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Këto tri ekspozita, të shoqëruara me katalogë, hedhin poshtë në mënyrë të qartë çdo propagandë që e ka paraqitur Rugovën në mënyrë të njëanshme, si thjesht paqësor dhe kundër luftës. Shumë studiues kanë shkruar për Rugovën, por rrallëkush ka pasur guximin të trajtojë tërësinë e kësaj filozofie – përfshirë edhe rezistencën e armatosur dhe luftën çlirimtare si pjesë të pandashme të saj.
Është hera e parë që kjo tablo paraqitet e plotë, falë punës së palodhur të Besnikut dhe Sadikut. I përgëzoj dhe i falënderoj nga zemra për guximin intelektual, përkushtimin dhe korrektësinë, si dhe për bashkëpunimin e sinqertë me SHBK “Salih Çekaj” në Zvicër.
Po ashtu, shfrytëzoj këtë rast që, në emër të kryesisë, të shpreh mirënjohjen time dhe falëmnderimin për konsullin e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, dhe bashkëpunëtorët e tij, për gatishmërinë dhe përkushtimin në realizimin e kësaj ekspozite, si dhe për bashkëpunimin korrekt dhe të vazhdueshëm me shoqatën Salih Çekaj në Zvicër.
Lavdi veprës kolosale të prof. Fehmi Aganit! «

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.