18.5 C
Tirana
E hënë, 20 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Cili prift e pagëzoi fëmijën Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup?!

Cili prift e pagëzoi fëmijën Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkup?!

0

Njekomb.com – Në vitin 1978 Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë …

Ismet M. Hasani Ismet Hasani, Suedi

Të mësojmë pak për Nënën Tereze

Më 26 gusht 1910 lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për paqe në viti n1979, me ç’rast tha:

Me gjak jam shqiptare,
Me shtetësi jam indiane,
Me profesion jam motër nderi
I shërbejë vetëm Zotit
Zemra jeme i takon Jezu Krishtit

Nënë Tereza është një nga njerëzit më të famshëm në botë dhe është shenjtëruar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003.

Ajo ishte fëmija i tretë i prindërve Kolë Bojaxhiu (Nikollë Bojaxhiu), me origjinë nga Mirdita dhe Drane Bojaxhiu (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës.

Nënë Tereza u largua nga më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Më pas ajo u vendos në Kalkuta (Indi), ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.

Nënë Tereza e Kalkutës e quajtën kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë planetit.

Në vitin 1979, mori çmimin Nobel për paqe. Ajo ishte nënë e kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmije ilegjitim e bonjake. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Vdiq në vitin 1997.

Nënë Tereza do të jetë shenjtëri ditën e diel më 4 shtator 2016. Vatikani në këtë datë do të zhvillojë edhe një ceremoni për shenjtërimin e shqiptares së madhe.

Nënë Tereza ka shumë për t’u mësuar njerëzve e sidomos kombit ku lindi, atij shqiptar. Nuk pati shkruar kurrë mësime, por mësoi me shembull konkret e, megjithatë, thëniet e saj njihen në të gjithë botën.
*

Nëna Tereze na mësoi!

Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim.

Mother Tereza - Life

Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund.
Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.

Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfrit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.

Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.
Të varfrit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.

Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.
Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

Të varfrit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t’u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.

Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.

Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.
Nuk kam qenë kurrë më parë në një luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. E kam pyetur veten se çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bijtë e Zotit. Pse ata e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj.

Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.
Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e tij.

Çfarë mund të bëni për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.
Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.
Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.

Nuk është vetëm një gjë që ju mund ta bëni, nuk mundem as unë të bëj vetëm diçka, kështu që le të bëjmë diçka të bukur së bashku.
Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.
Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.

Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Buzëqeshni njëri-tjetrit. Gruas tuaj, burrit tuaj, fëmijës tuaj – nuk ka rëndësi kujt, kjo ju ndihmon ta rrisni dashurinë për njëri-tjetrin.
Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan ne duhet të mësojmë se si të falim.

Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit – ata në shtëpi.
Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri.
*

Historia e panjohur e priftit që pagëzoi fëmijën Gonxhe Bojaxhi në Shkup

Konsullata austriake në Prizren, përmes zv. konsullit

Për fëmijërinë e Dom Zef Ramajt kemi shumë pak informata. Dom Zefi u lind më 8.1.1882 në Stubëll të Epërme (Komuna Viti) dhe vdiq më 25.12.1914 në Shkup, prindërit e tij ishin i ati Pali dhe e ëma Çila, kishin 6 djem dhe dy vajza. Zefi ishte fëmija i pestë i tyre. Në vitin kur u lind Dom Zef Ramaj, Stublla e Epërme kishte 24 shtëpi dhe 149 shpirtra (banorë), shumica katolikë shqiptarë, përveç 2 shtëpive që ishin kritpokatolikë me 10 shpirtra. Stublla i përkiste në këtë kohë famullisë së Cërngorës – Letnica, apo siç quhej; Montenegro di Scopia. Zefi duhet të kishte vizituar vitet e para të shkollës në Prizren. Kurse 9 vite të tjera vizitoi në Shkodër, 5 vite të shkollës ‘Normale’ dhe 4 vite të tjera në kolegjin Ksaverian, filozofi dhe teologji, deri në vitin 1905.

Dom Zef Ramaj

Kërkesës së Imzot Troksit, që kandidatët e Ipeshkvisë së Shkupit të shkolloheshin, të studionin në Innsbruck, Austro-Hungaria iu përgjigj pozitivisht. Në këtë universitet studiuan dhe studentë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare. Njëri nga ta ishte edhe Zef Ramaj.
Ky, më 26.9.1905, bashkë me katër shqiptarë të tjerë, nën përcjelljen e Dom Nikollë Ashtës, arriti në Innsbruck. Shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit i kishte paguar Austria. Studentët, përveç rrobave në trup, nuk kishin gjë tjetër me vete kur arritën në Innsbruck.

Vendi prej nga vjen Dom Zef Ramaj shënohet “Albania”. Ndër studentët shqiptarë që kishin studiuar atje janë edhe Martin Berisha nga Peja, Françesk Karma nga Tivari, Shtjefën Kurti nga Prizreni, Marjan Glasnović nga Janjeva, Lazër Shantoja nga Shkodra etj. Këtu do të shënojmë edhe disa nga dokumentet që gjenden në arkivin shtetëror e që kanë të bëjnë me studentin e atëhershëm, Zef Ramaj nga Stublla.

Më 24 prill 1906, rektori i konviktit, P. Michael Hofmann, informon për katër studentët shqiptarë: Berishën, Gjergjin, Ramajn dhe Karmën. Ai thotë se këta po përparojnë jo vetëm në gjuhën gjermane, por edhe në studime. Rektori i seminarit në Innsbruck, P. Michael Hofmann S. J., datë 25 korrik 1907, njofton se; tashmë Berisha, Karma, Ramaj e Gjergji i kishin përfunduar studimet dhe se ishin kthyer në Prizren, ku dhe do të shugurohen për meshtarë.

Më tej, rektori flet për ndarjen, që siç thotë, ishte e rëndë për ta, por që shpreson të mos shkëpusin lidhjet dhe për raporte të mira të të sapo kthyerve me përfaqësuesit austro-hungarez ne vendlindjen e tyre. Rektori kishte paguar shpenzimet e udhëtimit për kthimin e tyre në vendlindje, sikundër edhe për gjërat e nevojshme për meshë të parë për katër kandidatët e, për gjëra të tjera që kishin kërkuar vetë studentët shqiptarë.

Një dokument që kemi marrën nga arkivi i konviktit teologjik, “Canisianum” të Innbruckut, shënohet se nga aty Dom Zef Ramaj kishte shkuar në Prizren më 8 korrik 1907. Më tej, shkruhet për të se; “ishte shumë i gjallë, fisnik”. Sipas të njëjtit burim, mësojmë se dom Zefi ishte shuguruar për meshtar në Prizren në muajin korrik 1907.

Konsullata austriake në Prizren, përmes zëvendës-konsullit Prochaska, më 29 korrik 1907, njofton se Imzot Troksi kishte shuguruar Dom Zef Ramajn nga Stublla e Dom Martin Berishën nga Peja dhe informon edhe për caktimin e Dom Zef Ramajt “Cooperator” në famullinë e Shkupit, pra ndihmës i famullitarit të atëhershëm (të Shkupit), Dom Ndue Bytyqit.

Sipas burimeve austriake, Dom Zefi fillimisht ishte emëruar “cooperator” (ndihmës-famullitar) e më vonë famullitar i Shkupit. Ai ishte edhe mësues në shkollën shqipe pranë famullisë së Shkupit, sikundër edhe në shkollën e Hekurudhës (një shkollë elitare për kohën, ku mësonin edhe fëmijët e diplomatëve të huaj). Shkolla shqipe (për meshkuj dhe femra), pranë Kishës Katolike në Shkup, kishte ekzistuar qysh para vitit 1889.

Prej vitit 1893, me kërkesën e Gjon Kajtazit, mësues i kësaj shkolle, atë e ka përkrahur financiarisht Austro-Hungaria, me një shumë-vjetore prej 500 frangash. Mësues në këtë shkollë ishin: Gjon Kajtazi, Nikollë Rrota, Mate Logoreci, një mësues për gjuhën turke, Gaspër Beltoja, Gapsër Mikeli, Dom Zef Ramaj, dy motra, murgesha nga Zagrebi, njëra prej të cilave ishte Protegjena Bekes (Bekaj) nga Stublla (Protegjena Bekaj është tezja e babait të autorit të këtyre rreshtave).

Më 31 janar 1911, konsullata austriake e Shkupit, njofton se një grup ortodoksësh nga Maqedonia, më saktë nga Kumanova, kishin shkuar tek Argjipeshkvi Lazër Mejda, tek Dom Pashk Krasniqi, famullitari në Ferizaj, por edhe tek Dom Zef Ramaj në Shkup, për t’iu treguar se dëshironin të kalonin në katolicizëm dhe se për këtë kërkonin mbështetjen dhe ndihmën e tyre.

Të sqarojmë se fjala është për besimtarë ortodoksë maqedonas dhe jo për komunitetin katolik të ritit bizantin, i cili jeton edhe sot e kësaj dite në territorin e Maqedonisë (sidomos në Jug të Maqedonisë, në Strumicë).

Në raportin e datës 24.3.1911, konsulli Heimroth njofton se Dom Zefin e kishte vizituar një nëpunës për t’u informuar nëse pas kërkesës së ortodoksëve maqedonas për konvertim në katolicizëm, fshihej ndonjë interes a përfitim material? Më 8 mars 1914, kishin shkruar edhe një letër shumë interesante në gjuhën italiane, lidhur me rastin e konvertimit të 60 familjeve ortodokse maqedonase në katolicizëm.

Më 1 dhjetor 1913, raportohet për problemet që kishin besimtarët katolikë në Shkup, e sidomos ata që ishin në Kryesi të Këshillit të Kishës. Kështu, Rrok Prenk Berishën, një arpunues, pasi e kishin dënuar me shumë të mëdha në të holla, organet lokale serbe e kishin kërcënuar që ta lëshonte vendin, përndryshe do ta burgosnin.

Këtë e bënin nën pretekstin kinse të aktivitetit e të intrigave politike të Rrok Berishës. Do thënë se Rrok Berisha (i një familjeje 14 anëtarësh), besimtar i Dom Zefit, atëbotë ishte një figurë në zë në Shkup.

Po ashtu, ai kishte miqësi dhe bashkëpunim edhe me Alandro Kastriotin, pretenduesin e fronit shqiptar të asaj kohe, që jetonte në Paris. Me depërtimin e Rrok Berishës dhe të njerëzve në zë, siç njofton konsullata e Austro-Hungarisë, organet serbe dëshironin dobësimin e elementit katolik shqiptar në Shkup.

Famullitari Dom Zef Ramaj, informon konsullatën se Rrok Berisha, me familjen vet 14 anëtarësh, do largohet së shpejti nga Shkupi në drejtim të Durrësit. Më 3 prill 1914, konsullata austro-hungareze raporton për vizitën që iu kishte bërë dom Zef Ramaj, në fakt ai po këshillohej me ta për gjendjen e re politike. Konsulli njofton edhe për interesimin e Dom Zefit se si duhej të vepronin shqiptarët katolikë për çështjen e shtetësisë e të shërbimit ushtarak, meqë besimtarët e tij do të ballafaqoheshin me kërkesën e organeve zyrtare, për t’u deklaruar nëse përcaktohen për shtetësi turke apo serbe.

Konsulli i shpjegon Dom Zefit se me Marrëveshjen e paqes mes Serbisë e Turqisë, të datës 9 mars, nuk ishin të rregulluara çështjet në fjalë për shqiptarët katolikë, por vetëm për myslimanët (të cilët nuk obligohen për të shkuar shërbimin ushtarak serb). Dom Zef Ramaj, njofton se shumica e shqiptarëve katolikë të Shkupit, të gjendur në këto rrethana, po e mendojnë largimin nga vendi i tyre.

Më 11 prill 1914, konsullata austriake informon për marrjen peng të trenit të linjës Prizren-Shkup. Në këtë tren kishte qëlluar edhe Dom Zef Ramaj (që po kthehej nga Prizreni), i cili dëshmon për vrasjen e një personi. Sipas Dom Zefit, në tren ndodhej edhe inspektori i policisë, Cerovic (i njohur për kohën), i cili pyetjes së Dom Zefit; se pse ndodhej në këtë tren, Cerovic kishte përgjigjen: “rastësisht”.

Dom Zefi njofton se për ngjarjen në fjalë i ngarkuan shqiptarët, më saktë Jusuf Tabian nga Tetova me njerëzit e tij dhe se organet e shtetit kishin dërguar 200 xhandarë, për t’u marrë me rastin. Meqë Dom Zefi kishte udhëtuar me këtë tren, për konsullatën e Austro-Hungarisë ishte krejt e qartë, se kush e kishte bërë rrëmbimin e trenit. Më vonë, pikërisht ky inspektor Cerevic kishte kërcënuar Dom Zef Ramaj dhe disa meshtarë tjerë për shumë gjëra, bile edhe largimin e Dom Zef Ramaj nga Shkupi.

Konsulli i Austro-Hungarisë në Shkup, lajmëron se kishte marrë pjesë në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit në Ferizaj. Meshën, me urdhër të Ipeshkvit Lazër Mjeda, e kishte udhëhequr Dom Zef Ramaj, në kocelebrim me At Zadrimën. Konsulli kishte marrë pjesë me uniformë zyrtare në meshë, të cilën e cilëson shumë të denjë, sikundër edhe pjesëmarrjen dhe paraqitjen e popullatës shqiptare katolike.

Dom Zef Ramaj kishte shërbyer në Shkup prej vitit 1907 deri më 25 dhjetor të vitit 1914, kur dhe kaloi në amshim. Kishte jetuar dhe vepruar në Shkup, në një kohë shumë të vështirë, në kohën e Perandorisë Osmane, me të cilën kishte probleme jo vetëm administrative, sidomos më 1910, kur organet lokale dëshironin që në pronën e Kishës Katolike, të ndërtonin rrugën. Pas rënies së Perandorisë Osmane, problemet vazhdojnë me serbët, gjatë luftërave ballkanike, kur gjendja e shqiptarëve, sidomos e atyre katolikë në Shkup, ku kishte shërbyer si meshtar e mësues, ishte tej mase e rëndë.

Organet lokale turke provonin ndërtimin e një rruge në Shkup, e cila po u ndërtua, prek dhe një pjesë të oborrit të kishës. Dom Zefi i kishte shpreh shqetësimin dhe i kishte kërkuar ndihmë për këtë rast edhe konsullatës së Austro-Hungarisë.

Dom Zefi, më 20.6.1910, kishte parashtruar ankesë edhe pranë organeve turke, që rruga të mos ndërtohej siç kishin planifikuar ata, meqë rruga prekte edhe diku 570 metra katror të Kishës, ndërkohë që autoritetet lokale turke, nuk kishin paraparë ndonjë kompensim.

Konsullata e Austro-Hungarisë e sheh të arsyeshme kompensimin e pronës së kishës nga ana a organeve lokale turke. Argjipeshkvia e Shkupit kishte fat të madh, me emërimin e Imzot Mjedës në krye të saj. Ai ishte një prijës i vërtetë shpirtëror në kohëra mjaft të vështira për popullin e Argjipeshkvinë, siç ishin Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike, si dhe Lufta e Parë Botërore.

Gëzimin e madh për emërimin e Mjedës në krye të Argjipeshkvisë Shkup-Prizren, e tregon edhen jë shkrim i Dom Zef Ramaj, botuar në “Elçija e Zemres s`Krishtit” më 1910, ku shkruan ndër të tjera edhe këtë: “Ishte nji vjet e gjysë qi kishim mbetë pa Barii, pa Priis, e sakt qi fort t`vshtiirshme kiene për ne kto dit vorfnimit.

Por i Lumi Zot ne e mram na ngushlloi, tui na zgjedhë për Argjipeshkëv nji njeri qi e kishte për zemër, e i cili prandei s`muite mos me ken edhe për zemër t`onë. Po, i Lumi Zot na ngushlloi tui na çue për Argjipeshkëv Emzot Lazer Mieden. Veç na diim se sa kemi dishrue me pasë nji Barii, e sa na u knaq zemra, kuer ndieme se ky do t`ishte Emzot Lazer Miedia e, me sa dishiir e kemi pritë!

Te tan Meshtarija me popull mbarë a gzue, kuer kaa ndije se njimend do t`na vite. Famullija e Shkupit e pat nafak me kenë e para me e pritë ket Zotnii çuemun prei Zotit, per me na rregullue, e kio famullii tui ja diit Zotit per nderë u mundue me e pritë saa maa mirë qi t`muite.

Prei Sarajevet i Shndritshmi Zotnii me tel na baike me diitë diten qi do t`mriite, e at herë, nji ditë përpara t`ardhunit, me pushtlla t`posaçme u dha fiala t`tanve shpii per shpii` si shqyptarve si t`hujve, (t`tan bashkë janë 140 shpii) se me 4 ndanorit kishte për t`ja mrii Argjipeshkvi i rii Emzot Lazer Miedia, e qi t`urdhnoishin me dalë me u pritë n`Stacion t`udhës hekrit. Njimend burrnimi mar duel; graat e fmija ishin mledhë n`oborr t`Kishës”.
*

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.