15 C
Tirana
E hënë, 6 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I AGJENTURAVE NË NXITJEN E ARMIQËSIVE TË SIMULUARA…

ROLI I AGJENTURAVE NË NXITJEN E ARMIQËSIVE TË SIMULUARA…

0
Ibrahim Kelmendi - Hashim Thaçi

Ibrahim Kelmendi Ibrahim-Miran Kelmendi

Fjala e kryeministrit Kurti, e mbajtur në seancë të Kuvendit të Kosovës, ku shkretoi edhe për “thasë me pare”, duke aluduar se agjenturat armiqësore po i paguajnë mediat në Kosovë, më shtyu të ofroj një shtjellim telegrafik për angazhimet subversive të agjenturave armiqësore, duke filluar nga “lidhja e prizrenit”, për të ofruar informacion e indicie për studiuesit që trajtojnë këtë tematikë.

Agjenturat serbe, të cilat qysh para “lidhjes së prizrenit” operojnë me fushëveprimtari subversive ndaj Kosovës, kanë përdorur me sukses edhe dy lloj veprimtarish subverzive, që u kanë rezultuar të suksesshme për t’i mbajtur shqiptarët të pushtuar: kanë angazhuar marionetat e tyre shqiptare të formojnë organizata e parti “ilegale” (klandestine) dhe “legale” dhe i kanë komanduar marionetat e tyre shqiptare që të simulojnë armiqësi ndërmjet tyre, sepse ajo shkaktonte armiqësi edhe në popull.
Meqë nuk kam fakte “burimore” për momentin, nga ato që janë të fshehura në dosje në arkivat përkatëse, po mundohem të argumentoj vetëm me përjetime, duke u bazuar edhe në logjikë racionale.

Komploti otoman përmes “lidhjes së prizrenit”

Në qershor 1978 gjithandej po shënohej me eufori një datë e kobshme për historinë shqiptare: 100-vjetori i formimit të “Lidhjes së Prizrenit”. Pra, po e manifestonim një akt komplotist, sepse Perandoria Osmane kishte urdhëruar 47 marioneta mercenare që të simulonin formimin e një “lidhjeje” arnaute, e cila Kongresit të Berlinit do t’ia bënte me dije se mileti mysliman arnaut ishte përcaktuar për mbrojtje deri në vdekje të Perandorisë Osmane, të Sulltanit dhe të Sheriatit. Ata 47 mercenarë “themelues” nënshkruajnë më 18 qershor 1878 “kararname” (një si dekalog), me 17 pika, fund e krye antishqiptar.

Në mesin e 47 nënshkruesve nuk ekzistonin emrat e Imer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit, siç na kishin mashtruar historianët dhe politikanët, duke i prezantuar ata si bashkëthemelues e udhëheqës të asaj “lidhjeje”. Vetëm në fund të vitit 1880, falë rolit udhëheqës të Abdyl Frashërit dhe Imer Prizrenit, “lidhja e mercenarëve osmanë”, e 10-18 qershorit 1878, avancoi në LIDHJE SHQIPTARE TË PRIZRENIT!

Të ndikuar nga ajo eufori e manifestimit të 100-vjetorit të një komploti të madh, pason formimi i organizatës Fronti i Kuq (FKP), në gusht 1978, në dhomën time në konviktin e studentëve “Haus Michael” në Bochum të Gjermanisë. Datën nuk e mbaj mend, sepse disa herë m’i kanë “vjedhur” shënimet personale që pata filluar t’i ruaja, i ndikuar nga urtia kineze: “budallai mban mend, i zgjuari mban shënime.” Datën mund ta dinë Xhevat Rambaja dhe Besim Rexha. Bashkëthemelues ishim: Besim Rexha (nga Gjakova / me banim në Velbert), Idriz Bajra (Istog / Bochum), Xhevat Rambaja (Kamenicë / Bielefeld) dhe unë (Pejë / Bochum). Ishte insistimi i Xhevatit dhe Besimit që ta formonim atë organizatë. Ishte insistimi i Xhevatit që ta emërtonim Fronti i Kuq (më vonë iu shtua edhe “popullor”). Reflektimi më ka bindur se ishte një hile e hollë, meqë FKP i ngjasonte në emërtim RAF-it terrorist gjerman. Pas 5-6 muajve veprimtarie zura të dyshoj se Xhevati ishte marionetë e agjenturës së Beogradit, i rekrutuar qysh kur kishte qenë ushtar në Gardën ushtarake për mbrojtjen e Titos. Atë e kishin penetruar në KPD/ML (akronim për parti komuniste gjermane, e cila ishte e sektarizuar pro Enver Hoxhës dhe Mao Ce Dunit), që t’i spiunonte edhe bashkatdhetarët që angazhoheshin në atë parti. Për t’u çliruar nga kthetra e tij UDB-eske, pata mashtruar se po dilja nga FKP-ja për hir të studimeve. Aty e tutje, me Idriz Bajrën dhe qindra bashkëveprimtarë të tjerë, vazhduam veprimtarinë.

Nuk praktikonim anëtarësim klasik, me mbushje të formularëve-kërkesa për anëtarësim, të firmosura, sepse mbaja mend një këshillë nga viti 1974: “mos formoni e mos u anëtarësoni në organizata ilegale, sepse shpejt po zbulohen dhe po kanë pasoja të mëdha anëtarët. Alternativë më e mirë janë rrethet shoqërore pa ato formalitete organizative konspiracioniste, sepse shërbimet jugosllave po i survejojnë ato me përkushtim ekstra e po i përndjekin brutalisht…” Dhe, të angazhuar me atë “frymë popullore”, në fund të vitit 1979 patëm zgjeruar shumë “radhët” e bashkëveprimtarëve, të shtrira gjithandej në Perëndim, ku ekzistonin emigrantë ekonomikë. Fatkeqësisht, institucionet gjermane i shqetësoi ai angazhim yni, prandaj në tetor 1979 më ndodhi bastisja në konvikt, hiç më pak se nga GSG 9-ja, njësi e formuar ekstra për ta luftuar RAF-in terrorist. Ajo ngjarje ma pati prishur perspektivën për të bërë karrierë intelektuale në Gjermani (edhe karrier politike), edhe pse qysh në atë kohë më angazhonin shpesh si përkthyes, sepse nuk kishin shqiptarë që e zotëronin mjaftueshëm gjermanishten që të përkthenin në institucione, kur trajtoheshin imigrantët shqiptarë. Ai angazhim paguhej mirë dhe mjaftonin 2-3 raste në muaj që t’i përballoja shpenzimet si student që isha…

Konfrontimi me Riza Salihun…

Në ndërkohë në Shtutgart Riza Salihu simulon formimin e Grupit Komunist “Zëri i Kosovës” dhe shpejt do të na ndodhin edhe konfrontimet e para. Njohjen me Rizain e kisha përmes Hysen Gegës. Ndërsa me Hysen Gegën, Bardhosh Gërvallën dhe shokët e tyre, isha njohur gjatë verës së vitit 1977, kur pata shkuar të punoja gjatë pushimit semestral veror në një firmë mermer-përpunuese në Plochingen, sepse aty ishte i angazhuar si kryemjeshtër dhëndri im, Ramush Kastrati.

Njohja me Jusuf Gërvallën

Në fund të vitit 1979 ndodh arratisja e Jusuf Gërvallës. Bardhoshi më telefonon në prag të Krishtlindjeve për të më informuar dhe për ta shprehur dëshirën e Jusufit që të njihet me mua, sepse atij, në ndërkohë, në Kosovë i kishte rënë në dorë fletushka “Bashkimi”, të cilën e quanim organ i FKP-së. Nga Jusufi informohem për ekzistencën e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe se ai i përkiste asaj organizate. Iu gëzova ardhjes së Jusufit dhe gatishmërisë së tij për të na ndihmuar në shkrime propagandistike, sepse FKP-ja në Emigracion nuk e kishte asnjë kuadër intelektual që e zotëronte shqipen për të përgatitur shkrime informuese e propagandistike.

Vetëm kur më ka rënë në dorë letra që duhet t’ia ketë dërguar Jusufi, në prill 1981, udhëheqësit të tij, Sabri Novosellës, i cili atëherë ishte i “strehuar” në Turqi, jam informuar për përmasat e komplotit që i kishte ndodhur Jusufit më 14 dhjetor 1979, dhe pasojat traumatizuese që i kishte vuajtur. Ajo letër, përfundimisht, më pati bindur se Sabriu kishte qenë marionetë klandestine e UDB-së.

Fatkeqësisht, qysh në fund të dhjetorit 1979, na ndodhi një sprovë e rëndë. Sapo kishte arritur Jusufi te vëllai i tij, Bardhoshi, në Ludwigsburg, Riza Salihu kishte filluar fushatën për t’i informuar bashkatdhetarët, të cilët i takonte kryesisht në stacionin hekurudhor në Shtutgart: “Kujdes, UDB-ja ka dërguar spiunin Jusuf Gërvalla që ta spiunojë emigracionin revolucionar…” (perifrazim) Për këtë u informova qysh në takimin njohës me Jusufin, në zyrën e Arbeiterwohlfahrt-it (AWO), në Ludwigsburg, ku ishte i punësuar Bardhoshi. Hysen Gega na tha se Rizai informacionin për ardhjen e Jusufit e kishte nga Amnesty International e Londrës. Meqë kisha njohje personale me zonjën Melanie Anderson, e cila e drejtonte sektorin për të burgosurit politikë të Jugosllavisë, ngaqë më kishte ftuar mysafir në Londër që të më udhëzonte cilat informata i duheshin AI-së, i telefonuam asaj për ta pyetur nëse e kishte informuar Rizain. Ajo na tha se në zyrat e AI-së në Londër ende nuk e kishin asnjë informacion për arratisjen e Jusufit.

Fatkeqësisht, Rizës nuk iu mjaftua vetëm me kaq. Ai, “në emër” të GK-së, e ka komanduar Hysenin të bënte atentat ndaj Jusufit. Fatmirësisht, Hyseni ishte veprimtar vigjilent e fisnik dhe, sapo kaloi festa për Vitin e Ri më vizitoi në Bochum (larg Esslingen-it rreth 450 km), për tu konsultuar më mua. Me atë rast e dekonspiroi atë urdhërim të Rizait. Prej aty, duke e marrë me vete në Wuppertla Malush Ademajn, shkuam të Vëllezërit Gërvalla dhe i informuam për urdhrin e Rizait. Deri në prill 1980, kur ndodhi ballafaqimi me Rizain, simuluam se askush nuk e dinim që Rizai e kishte dhënë atë urdhër. Në ballafaqim e pleqëruam siç kërkoi Jusufi: “të falet Rizai për gabimet që i ka bërë”. (perifrazim)

Në gusht 1980 policia e arreston në flagrancë Riza Salihun, sepse gjatë rreth 2-3 muajve na i kishte “vjedhur” dërgesat postare, Jusufit dhe mua…
Informacioni nga Jusufi, pothuajse rastësor, kishte karakter këshillues që ta rris vigjilencën: “UDB-ja shpesh ka simuluar formimin e organizatave ilegale për të peshkuar ata që ishin të interesuar për veprimtari çlirimtare dhe u ka shkaktuar dëme të mëdha anëtarëve të tyre. Por, duke i formuar ato si mjet komplotist preventiv, e ka mbajtur gjallë frymën për nevojë të organizimit ilegal dhe, duke i mbushur burgjet me shqiptarë, e ka rritur revoltën shqiptare kundër Jugosllavisë pushtuese. Prandaj me këto veprimtari komplotiste UDB-ja po kontribuon që kryengritja e armatosur çlirimtare të ndodhë sa më shpejt.” (perifrazim)

Njohja me Kadri Zekën më 5 prill 1981

Më 3 prill Jusufi më angazhon të shkoja në Zvicër për ta takuar “Zeqën”, shokun e “Lirisë”, që të merreshim vesh për të filluar protesta të përbashkëta, përkrahëse, ndaj atyre që po ndodhnin në Kosovë. Nuk posedonte adresë as telefon të tij. Kishte vetëm adresë kontaktuese të një librarie zvicerane në Biel/Bienne. Nuk ia dinte as emrin e vërtetë Kadri Zekës, me të cilin në ndërkohë kishin komunikim.

Në librarinë e pronarit Beat Schaffer arrita të premten pasdite. Ai më krijoi mundësinë të flija në depo të librarisë, sepse “Zeqa” nuk po vinte për të parë nëse kishte postë për organin “Liria”. Edhe Beati tha se nuk kishte numër telefoni të “Zeqës”. Të premten pasdite dhe të shtunën, pothuajse gjithë kohën qëndrova në librari, sepse aty kishte shumë literaturë nga Tirana, të cilën e shiste Beati. Fatkeqësisht nuk ndodhi të vinte ndonjë bashkatdhetar për të blerë libra e revista. Të dielën në mesditë erdhi “Zeqa”. Sapo iu prezantova me emër e mbiemër, ai më tha se më njihte, meqë në fund të vitit 1979 në Bochum më kishte vizituar Hydajet Hyseni…

Shpejt u mirëkuptuam për të filluar me protesta të përbashkëta të tri organizatave tona, duke filluar me protestën e parë në Bern, siç propozoi “Zeqa”. Për informim të bashkatdhetarëve e mora përsipër unë, meqë veprimtarët e FKP-së tashmë kishin shumë njohje dhe adresa e numra telefoni për njëri-tjetrin. Ndërsa LNËKVSHJ-së dhe OMLK nuk ishin marrë me veprimtari për të afruar sa më shumë bashkatdhetarë, e ende nuk kishin filluar as me anëtarësime.

“Zeqës” nuk i kërkova prezantim konkret dhe as ai nuk e bëri. U ndamë pa e marrë vesh se isha takuar me Kadri Zekën, emrin e të cilit nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk më dha as numër telefoni për komunikim. U mjaftova që tha se do të komunikonte me Jusufin…

Riaktivizimi udhëheqës i Sabri Novosellës

Në fillim të prillit 1981 Bardhoshi, përmes Shaban Jullderimit, biznesmen shqiptaro-turko-gjerman në Mynih, i cili importonte preshë nga Shqipëria për kompani gjermane, mundi të krijonte lidhje komunikuese me kuadrot e LNÇKVSHJ-së, të cilët po vegjetonin në Turqi.

Unë, përmes familjarëve të nënës sime, të shpërngulur në Turqi, në fillim të vitit 1980 i kisha dërguar Sabriut informacion se ku ndodhej Jusufi dhe në cilin numër mund t’i telefononte, por Sabriu ishte përgjigjur: “nuk po merrem më me veprimtari patriotike.” Edhe gjatë verës 1980, kur isha një muaj ditë për vizitë në Turqi, u informova se Sabriu merrej vetëm me biznes privat. Pra, kishin kaluar mbi 15 muaj që Sabriu, kryetari i LNÇKVSHJ-së, nuk e kishte kontaktuar e nuk kishte komunikuar me Jusufin.

Gjatë verës 1981, meqë ishte sezonë i pushimeve, ndërmorëm bisedime për bashkim të organizatave, duke u bazuar në bashkëpunim të suksesshëm gjatë protestave e tubimeve informues, dhe në “Tezat e frontit…” që i kishte hartuar OMLK-ja. Në gusht u dakorduam për projekt-platformë për organizatën, të cilën do ta miratonte kuvendi që parashihnim ta thërrisnim. Jusufi mori përsipër korrekturën drejtshkrimore dhe faqosjen për ta shtypur si trakt që do t’ua shpërndanim bashkatdhetarëve, që tashmë ishin politizuar duke marrë pjesë në protesta çdo të shtunë, në metropole europiane. Por Jusufi u lut që bashkimin ta shpallte veterani Sabri Novosella. Mbeti që Kadriu dhe Bardhoshi të shkonin në Turqi që ta bënin aktin ceremonial të bashkimit.

Në fillim të tetorit 1981 atje i priti një Sabri që e kundërshtoi bashkimin. Ai ka dhënë një mori arsyetimesh për “konfliktin” që ka pasur me Kadriun. Versionet e Kadriut e të Bardhoshit nuk i kemi. Uroj që historiania dhe arkivistja Nevila (Bujar) Hoxha t’i ketë shënimet që duhet ti ketë bërë babai i saj, diplomati i Shqipërisë në Turqi, Bujar (Kadri) Hoxha, i cili duhet të jetë angazhuar nga Enver Hoxha të përkujdeset për Emigracionin e Kosovës; ai ka qenë i pranishëm në mënyrë aktive në takimet mes Sabriut e Kadri Zekës, por edhe gjatë “bashkimit” që kanë bërë Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica, në janar 1982 (për çka e ka informuar Tiranën me kabllograme të datës 16 janar 1982).

Angazhimi edhe i Abdullah Prapashticës

Në ndërkohë në Emigracion del në “skenë” edhe Abdullah Prapashtica, kuadër nga të paktët që qysh në moshë 15-vjeçare ka bërë ngritje profesionale si kuadër i shërbimeve sekrete të inteligjencës (fillimisht në Novi Sad, 4 vjet si kadet, pastaj studimet profesionale në Beograd), duke u profilizuar shpejt si shef i drejtorisë së SDB-së (pasuese e UDB-së) për mbikëqyrjen e Universitetit në Prishtinë. Ai, qysh kur ka qenë kadet në Novi Sad, duhet ta ketë marrë si “detyrë shtëpie”, siç u thoshin atëherë punëve seminarike – për të simuluar formimin e një organizate ilegale. Abdullahut duhet t’i jetë dukur e vogël organizata, prandaj ka simuluar formimin e Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ).

Në korrik 1981, pasi janë burgosur shumica e “ilegalëve” në Kosovë, Abdullahu duhet të ketë simuluar dezertimin nga SDB-ja, sepse tashmë duhej të angazhohej për ta komplotuar edhe Emigracionin që po organizohej e fuqizohej. Ai vetë ka lajmëruar se është “arratisur” familjarisht në Turqi, me trenin ndërkombëtar, që rrugëtonte nga Amsterdami në Stamboll, duke kaluar edhe nëpër Fushë-Kosovë. Në Turqi ka kontaktuar kolegun Sabri Novosella dhe e kanë filluar bashkëpunimin.

Në maj 1982 bëhet informimi publik se “më 17 shkurt 1982 janë bashkuar LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, dhe kanë krijuar Lëvizjen për Republikën Socialiste të Kosovës / LRSSHJ. Asaj organizate i është bashkuar edhe OMLK-ja, më 15 maj 1982.”

Pa u tharë boja e nënshkrimeve, – siç thuhet për raste të tilla, – Sabriu dhe Abdullahu simulojnë armiqësi mes tyre. Sabriu këmbëngulte se edhe PKMLSHJ është “shkrirë” në LRSHJ. Abdullahu këmbëngulte se “PKMLSHJ ka mbetur pararojë e organizatës së masave që do pëfshihen në LRSSHJ”. Pra, ata dy themelues, nuk po dakordoheshin as për emrin e organizatës. Ajo armiqësi u bart edhe te tifozët e tyre.

Në korrik 1983 organizojmë konsultë me rreth 70 bashkëveprimtarë, e cila mbahet në Biel/Bienne. Fjalën kryesore e kishte Xhafer Durmishi i Sabri Novosellës, i cili ka paraqitur kërkesën dhe arsyetimin për përjashtimin e Abdullah Prapashticës dhe bashkëpunëtorëve të tij, Osman Osmani, Faton Topalli dhe Nuhi Sylejmani. Mbledhja e votoi përjashtimin e tyre.

Pra, ajo armiqësi e simuluar mes kolegëve ishte shkaktuar që organizata ta kishte preokupim kryesor luftën e brendshme.

Armiqësia “aksidentale” mes Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit

Në fund të vitit 1983 plas edhe armiqësia mes Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit. Ndodh pikërisht në banesën e Xhafer Shatrit në Gjenevë, ku Sabri Novosella ishte vendosur përkohësisht, i sapoardhur nga Turqia me vizë që ia kishte mundësuar Xhaferi. Duke biseduar në telefon në gjuhë serbishte, Xhafer Shatri dhe një emigrant disident bullgar, Sabriu zë të ulërasë si i shastisur: “UDBashë! UDBashë!” Sigurisht pllakoset gjendje e rëndë për gjithë familjarët e Xhaferit, edhe për faktin se Sabriun nuk e dëbonin dot nga banesa, nga se ai duhet të ketë ulëritur: “sapo të dalë jashtë do të urdhërosh me telefon të më vrasin…” (perifrazime nga rrëfimet e Xhaferit, i cili më pati lutur të shkoja në Gjenevë që ta merrja Sabriun, sepse kishte thënë “vetëm Ibrahim Kelmendit i zë besë”).

Ajo armiqësi, e cila në dukje ishte aksidentale, dyshoj se ishte e simuluar. Fatkeqësisht na i pati shkaktuar 1 të vrarë dhe katër të plagosur. Kriminelët ishin tifozët e Sabri Novosellës: Xhafer Durmishi, Haxhi Berisha, Milaim Zeka, Xhevat Rambaja dhe dy-tre viktima të tyre.

Kjo armiqësi pati një të mirë brenda saj: Sabri Novosella me 7-8 tifozë të tij, u (vetë)larguan nga LR(S)SHJ në prill 1984. Sigurisht që patëm pasoja.
Edhe Xhafer Shatri u (vetë)largua në fund të vitit 1985, sepse nuk po mund t’i komandonte edhe këta “xhabir-morinët” e porsaardhur, siç na kishte komanduar deri atëherë.

Edhe Hasan Mala bëhet në gjendje për të simuluar armiqësi

Befasues qe edhe largimi i “krahut” të Hasan Malës, në fillim të vitit 1987, i cili, si gjysmanalfabet që ishte, e kishte banalizuar dhe shpërdoruar rolin e trashëgimtarit organizativ të Kadri Zekës. Ai tashmë kishte përkrahës Saime Isufin, Faridin Tafallarin dhe 4-5 militantë të tjerë, të cilët krekoseshin se ishin “Lëvizja me adresë”, duke e shpërdoruar adresën kontaktuese të librarisë së Beat Schaffer-it në kohën e Kadri Zekës.

Shkak konkret për “ndarjen” e tyre duhet të kenë qenë “këshillat” e Sigurimit të Shqipërisë, kryesisht të oficerit madhor Ajet Haxhia, të cilat i bartte korrieri Faridin Tafallari. Protesta e tyre e fundit ishte në Cyrih, duke e pasur në ballë edhe Flamurin e RSFJ-së, krahas Flamurit tonë kombëtar, sepse ashtu duhet t’i kishte këshilluar Ajet Haxhia.
Në vitin 1990 u “shkrinë” në LDK…

Roli i kuadrove të OMLK-së së Xhabir Morinës

Në vitin 1983 Xhabir Morina duhet ta ketë (ri)formuar OMLK-në, siç thonë ish-protagonistët e saj, ndërsa unë po dyshoj se edhe Xhabiri ishte marionetë e SDB-së, prandaj ka simuluar riorganizimin e OMLK-së të Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Kadri Zekës…, e cila, siç ka informuar vetë kryetari Mehmet Hajrizi në monografinë e tij për OMLK-në, qenësia e saj organizative kishte përfunduar më 17 janar 1982, kur ka ndodhur bashkimi mes OMLK-së, LNÇKVSHJ-së dhe FPK-së, në vendimmarrjen mes Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës e Ibrahim Kelmendit. Ndër kuadrot më imponuese të Xhabir Morinës, të emigruar në Perëndim (kryesisht në Zvicër), ishin Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Gafurr Elshani. Këta ia dolën të na imponohen si “pararojë” marksiste-leniniste e Lëvizjes, prandaj në Mbledhjen e parë të përgjithshme të LR(S)SHJ-së, mbajtur në korrik 1987 në Zvicër, fituan shumicën e votave për të qenë kuadro udhëheqëse. Pra, ata ia dolën të na imponojnë ngjasime të raporteve mes PKSH-së dhe FNÇSH-së.

Ndërkohë po më mrekullonte guximi i tyre për të hyrë “fshehurazi” në Kosovë e Maqedoni që ta ndihmonin konsolidimin e Lëvizjes. Ndërkohë më ka lindur dyshimi, se atë “guxim” e kishin nga synimi për ta kapur gjithë organizatën, e jo vetëm Degën e saj në emigracion. Prandaj ca prej tyre ishin koordinues edhe të Mbledhjes së 3-të të përgjithshme, e mbajtur në fillim të tetorit 1991, në Ujmir të Klinës. Por, meqë dezertuan Gani Syla, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi dhe “krahu” i tyre, të cilët Mbledhja e 3-të i kishte zgjedhur në udhëheqje, ca prej “xhabir-morinëve” të emigracionit, hynë edhe në vitin 1993, për të koordinuar Mbledhjen konsultative në Kollare të Kërçovës në prill dhe Mbledhjen e 4-tërt, mbajtur më 26 e 27 korrik në Prishtinë, e cila rivendosi, pothuajse njësoj si Mbledhja e 3-të, që të formohej guerilja e armatosur çlirimtare.

Zanafilla e kapjes së UÇK-së nga marionetat komplotiste

Menjëherë pas Mbledhjes së 4-tërt pasuan përndjekjet dhe burgosjet nga policia serbe, e cila, me gjasë, kishte informacion konkret për pjesëmarrësit e Mbledhjes. U burgosën shumë veta, por jo asnjëri nga “xhabir-morinët” e Emigracionit, e as nga ata që më vonë do të imponohen si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” (diskualifikim ky juridik nga kryeprokurori i ZPS-së, amerikani Jack Smith).

Më 4 dhjetor 1993 Këshilli i Përgjithshëm (KP), tashmë i LPK-së (akronim pasues i LRSSHJ-së, LRSHJ-së, LPRK-së), Dega j.v., u përcaktua të formojë struktura që do të angazhoheshin për zbatimin e vendimit të Mbledhjes së 4-tërt. Për këtë qëllim, formuam Fondin “Vendlindja thërret”, për të grumbulluar ndihma financiare për forcën guerile që po ngritej. Formuam edhe Sektorin e Rëndësisë së Veçantë (SRV), i cili duhej të ishte ndihmës organizues i guerilës në Kosovë. Për hir të sigurisë dhe konspiracionit, KP autorizoi Kryesinë të caktonte tre veta në atë sektor.

Ndërkohë u informuam se Kryesia e KP të LPK-së/D.j.v., kishte caktuar Ali Ahmetin dhe Xhavit Halitin. Për të tretin ende nuk e di, nëse ishte caktuar Jashar Salihu apo Azem Syla, por në “terren” u imponua Azem Syla. Vëzhgimet e mia kanë rezultuar me konstatim se “koordinatorin” Nait Hasani e ka kooptuar Xhavit Haliti, ndërsa Xheladin Gashin, Rexhep Selimin e Sokol Bashotën i ka kooptuar Azem Syla. Kjo përbërje e 4 vetave brenda dhe e tre vetave në Zvicër u miratua në mbledhjen e Kryesisë së KP, më 17 nëntor 1994, e mbajtur në Zvicër. Kryesia, pasi vendos emërtimin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), vendos edhe që përbërjen prej 7 vetave ta emërtojë Shtabi Qendror (SHQ) i UÇK-së.

Fatkeqësisht ai SHQ i UÇK-së ia doli ti koordinonte sabototimet dhe komplotet e UÇK-së deri në atë nivel, sa që në fund të janarit 1997, kur ndodhi arrestimi i “koordinatorit” Nait Hasani, ndodhi edhe zhbërja e atij SHQ. Marsi 1998 e gjeti UÇK-në pothuajse krejtësisht të zhbërë. Ishin aktiv vetëm ca grupime të vogla, pa ndonjë komandë ushtarake as të zonave, as të përgjithshme, dhe pa qenë në gjendje të kërcisnin asnjë pushkë për t’i ardhur në ndihmë Familjes Jashari, e cila po përballej me një plojë barbare nga forcat policore e ushtarake serbe. Dhe jo vetëm kaq, por komanda e improvizuar nga Kryesia e KP, në mars 1998, pasi, më në fund, konstatoi se UÇK-ja nuk kishte pasur komandë nga janari 1997, nuk denjoi ta përmendte fare në komunikatat nr. 45 e 46, që i mbajnë datat përkatëse 9 e 15 mars 1998, plojën në Prekaz, komunikata ato të lëshuara “në emër” të SHQ të UÇK-së, i cili nuk ekzistonte.

Në ndërkohë nuk e di kush mori vendim që Adem Jasharin ta shpallte “komandant legjendar” të UÇK-së, edhe pse ai nuk kishte qenë as pjesëtar i thjeshtë i UÇK-së “zyrtare” që e “koordinonin” Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Mendja racionale e thotë se e quajtën komandant legjendar për t’i kamufluar komplotet që ia kishin bërë Ademit, “Grupit të Drenicës” dhe gjithë UÇK-së. Fatkeqësisht! Bile “komandanti i përgjithshëm”, Azem Syla, degradohet deri në atë nivel, sa ta mashtrojë Rifat Jasharin (vëllanë e Hamzës dhe Ademit), dhe ia merr 20 mijë DM që ai me familjarë e shokë i kishte mbledhur në Gjermani për t’ia dërguar si armatim Ademit me bashkëluftëtarë…

Fenomenale ishte ngritja e Kryengritjes çlirimtare

Kur po na sosej edhe fryma e fundit, – sa të mos kishim fuqi morale që as “komandanti i përgjithshëm” të merrte pjesë në ceremoninë mortore, të cilën Shoqatat e Veteranëve të Shqipërisë e organizoi në Muzeun Kombëtar në Tiranë për plojën e 56 Jasharëve (edhe pse e kishin lutur të mbante fjalë rasti dhe ai po sorollatej në Tiranë), – Vegjëlia çlirimtare në Kosovë, e ndihmuar edhe nga shumë emigrantë, si Fehmi Lladrovci, Bekim Berisha, Ilaz Kodra, Ramush Haradinaj, Naim Maloku dhe të tjerë, dhe nga Sektori i Logjistikës së UÇK-së në Tropojë, i formuar nga vëllezërit Ilir e Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi, ia doli të shpërthente Kryengritjen e armatosur, duke u vetorganizuar nën akronimin UÇK, tashmë i mitizuar.

Në kuadër të asaj Kryengritjeje është edhe ndodhia e përjetuar me krenari e dhembje deri në palcë: në fillim të prillit 1998 në Tropojë vijnë rreth 1400 burra nga pothuajse të gjitha anët e Kosovës, të moshës 17 deri 50-vjeçare, siç më janë dukur kur i kam parë të grumbulluar rreth Kullës së Sylejman Berishës, në Viçidol të Tropojës. Ata kishin ardhur për t’u armatosur e kthyer si kryengritës. Kryeministri Fatos Nano kishte urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, tashmë të ndierin Sokol Bare, që policia e Tropojës t’i rrethonte ata për t’i detyruar të regjistroheshin refugjatë. Dhe meqë ata nuk pranonin, policia ishte urdhëruar t’i mbante të rrethuar që të mos lejonte furnizimin e tyre me ushqim; pra, me uri t’i detyronte të degradoheshin në refugjatë lufte.

Meqë atë ndodhi e kam rrëfyer më shumë se njëherë, po përmend vetëm mashtrimin që bëri Xhavit Haliti në intervistën televizive në Kanal 10, para pak ditëve (më 23.03.2026). Në pyetjen e gazetarit Kushtrim Sadiku, “cili ishte për ju momenti më i vështirë jetësor”, Xhaviti përgjigjet (nga minuta 95 e intervistës): “Momenti më i vështirë, shumë, shumë i vështirë, – s’po them masakrat, sepse ato kanë qenë…, – por më i vështiri ka qenë kur kanë ardhë tre-katër mijë vetë me u armatos në Shqipëri dhe na s’kem pas çka m’ju dhanë…”

Aktrimi melodramik që e shfaqi Xhaviti duhet të jetë rrjedhojë se rrëfimin për trajtimin e rreth 1400 kryengritësve duhet ta kishte lexuar në librin tim “Zjarrë dhe acar”, prandaj edhe paralajmëroi se po përgatit një “kundërlibër” (pa konkretizuar librin tim, ndoshta si shkaktar). E vërteta ka qenë se Xhaviti nuk i ka dhënë të holla Sektorit të Logjistikës në Tropojë, që e komandonin Ilir Konushevci e Qerim Kelmendi, as për ushqim të atyre rreth 1400 vetave, me arsyetimin: “Le t’i ushqejnë ata që po duan kryengritje të armatosur…” Vuthjani Perlat Gojçi, i Qeremit të Valbonës, i ka dhën të hollat për të blerë ushqimin për ata që po i dhunonte shteti shqiptar me uri. Edhe shefi i “Ambasadës së Kosovës” në Tiranë, zotëri Ilaz Ramajli, ia dha pothuajse të njëjtën përgjigje një junikasi, që iu prezantua si kryetar i LDK-së atje, në bisedën telefonike që ia mundësuam me telefon satelitor nga Viçidoli.

Slogan të ngjashëm mashtrues, si ky “na s’kem pas çka m’ju dhanë”, Xhaviti ka shpërdoruar qysh kur e kemi formuar Fondin “Vendlindja thërret”, duke na i marrë të gjitha mjetet e atij fondi dhe të anëtarësisë (deri në maj 1998) me mashtrimin se po ia përcillte UÇK-së (në pajisje dhe deviza), e në fakt rreth 95 % të tyre i ka shpenzuar për jetën e tij “paralele” në Tiranë dhe për t’i mbushur “vrimat e zeza”, duke simuluar atje ambasadorin e Lëvizjes. Bile, nuk i kanë mjaftuar ato, por “në emër të UÇK-së” ka marrë mjete edhe nga Fondi “Bukoshi”, edhe pse në publik prezantohej si armiku më i mërdhezur kundër “kryeministrit” Bujar Bukoshi…

[Mirë do të bënte t’i rrëfente ato ndodhi që e turpëronin Shqipërinë edhe Profesori Fatos Klosi, i cili, si Drejtor i SHIK-ut, qe angazhuar me përkushtim të madh për ta lejuar furnizimin me ushqim të atyre rreth 1400 kryengritësve, sepse ende nuk e kishte korruptuar Xhavit Haliti e nuk e kishte në komandë kryeministri Nano…]

Armiqësi simulonin mes tyre edhe “presidenti” Rugova dhe “kryeministri” Bukoshi

Në vitin 1995 më ftoi për vizitë “kryeministri” Bukoshi. Duhej të udhëtoja rreth 470 km, deri në Weißenhorn, ku e kishte “selinë” qeveritare. Qysh në fillim bëra humor të zi, kur pashë gjithë atë vilë të blerë me mjete financiare të Fondit “Bukoshi”: “Sa tulla të kësaj vile do të më takojnë kur do të privatizohet kjo seli qeveritare?” U surprizova nga sensi për humor i Bujarit: “Ty asnjë, sepse nuk po e paguan tatimin 3 %.” E tha një të vërtetë. Megjithatë ia ktheva: “Sapo të punësohem do ta paguaj, sepse të papunët nuk paguajnë tatime.”

“Më thuaj ndonjë nga ato që po i irriton njerëzit, pa asnjë autocensurë”, më luti Bujari.
Fillova: “Uroj të më durosh deri të lodhem dhe të mos më hidhërohesh. E para, ty të afirmoi UDB-ja që simuloi kidnapimin tënd me kokën në strajcë. Por ndonjë foto të torturimeve nuk kam parë. Ai kidnapim të bëri kryeministër, për të jetuar si pasha në këtë vilë. Dhe, mund që ke harruar, UDB-ja rekrutonte zadrugarë (shitës në shitore shtetërore) dhe mësues edhe në fshatra më të humbur, që t’i shpërdorte si informatorë, ndërsa nuk më besohet që nuk të ka rekrutuar ty kur studioje mjekësinë në Beograd.

E dyta, tani po simuloni armiqësi me Ibrahim Rugovën, sepse RDB-ja serbe ka gjykuar se jeni bërë monotonë me vegjetime pseudopacifiste, prandaj armiqësia e simuluar ju aktualizon te tifozët tuaj. Përndryshe, kishit ndonjë arsye që të armiqësoheni? Ka ndodhur ndonjëherë të bisedoni të paktën 10 minuta për ndonjë vendimmarrje në cilësi të kryeministrit e presidentit, e të mos jeni dakorduar, prandaj jeni armiqësuar? Asnjëherë nuk ju ka ndodhur, prandaj është armiqësi e simuluar, sepse ashtu ju ka urdhëruar RDB-ja.
Do më?”

“Tepër ishte, por goja ime ka faj që të luti të flasësh pa censurë. Nuk paska faj mileti që ankohet kaq shumë ndaj teje…”, foli Bukoshi, duke u munduar ta fshihte hidhërimin. Megjithatë vazhduam marrëdhënie “diplomatike mes nesh, sidom gjatë grevës së urisë eë e filluam para zyrave të qeverisë Bukoshi, në maj 1996…

Edhe Adem Demaçi, Albin Kurti, Azem Vllasi…

Meqë po më hidhërohet ekstra Bardhyl Mahmuti kur po e përdor diskualifikimin që ka bërë kryeprokurori Jack Smith “ndërmarrje e përbashkët kriminale” (NPK), po e modifikoj në bandë e përbashkët komplotiste (BPK). E pra, meqë kjo BPK, e koordinuar nga Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi…, nuk ia doli ta sabotonte, pengonte e komplotonte shpërthimin e Kryengritjes çlirimtare nga Vegjëlia e Kosovës, ndërmori komplote më të sofistikuara. Më 22 maj 1998 bënë “mbledhje” mes “përfaqësuesve” të UÇK-së dhe FARK-ut në zyrat e Fatmir Zymerit, në Oslo. UÇK-në e “përfaqësuan” Xhavit Haliti dhe Adem Demaçi. Shaban Muja ua bartte valixhet. FARK-un e ka “përfaqësuar” Ahmet Krasniqi me sejmenët e tij. Atje bëjnë marrëveshje për t’i bashkuar UÇK-në dhe FARK-un. Tekstin e marrëveshjes, të autorizuar, nuk e kanë publikuar. Edhe audioincizimi i fshehtë, nga Fatmir Zymeri (i komanduar nga Xhaviti), nuk dihet ku ka përfunduar, meqë nuk është publikuar që 28 vite.

Ai komplot u plasi si tullumbace, meqë UÇK-ja në Kosovë ishte pavarësuar krejtësisht nga BPK-ja.
Duhet të ketë qenë ide e RDB-së së Stanishiqit të organizonte “zyrë të UÇK-së” në Prishtinë, nën “udhëheqjen” e Adem Demaçit, i kooptuar në korrik 1998, nga kush tjetër pos nga Xhavit Haliti. Aty e tutje po shpresonin se komplotet e Adem Demaçit, me stafin e tij Albin Kurti, Azem Vllasi dhe dhjetra sisoj i tyre, do ta zhbënin UÇK-në, e cila po konsolidohej, sepse tashmë i kishte në strukturat e saj edhe ushtarakët profesionistë, që u angazhuan duke anashkaluar “komandën” nga BPK-ja. Ajo “zyrë” ishte më shumë komprometim, sesa favor, për UÇK-në, sepse “botës” po i ofrohej fakti i tolerimit të saj nga regjimi i Millosheviqit, pos që po e toleronte “presidentin” Rugova.

Armiqësi e simuluar edhe mes BPK-së dhe FARK-ut

FARK-u qe formuar më 5-9 mars 1998 nga koloneli Krasniqi, gjatë kohës kur po ndodhte ploja në Prekaz. Edhe pse ishte bërë marrëveshja për bashkim, BPK-ja dhe komanda e FARK-ut simulonin armiqësi mes tyre, ndërsa fshehurazi bashkëvepronin për ta komplotuar UÇK-në. Koloneli Ahmet Krasniqi i jepte miliona “ndihma” BPK-së. Bile, edhe truprojën Naim Muja, BPK-ja ia kishte vënë në dispozicion “ministrit” Ahmet Krasniqi. Deri edhe shkresat lëshonte “Zeka” (Xhavit Haliti), që FARK-u të mund të transportonte armë e municion nëpër Shqipëri.

Dhe jo vetëm kaq. Kur Tahir Zemaj hyri në Dukagjin me 145 “petrita” të FARK-ut, më 24 qershor 1998, ishte prapë telefonata e “Zekës” që pasivizoi Shtabin e Dukagjinit, të mos i bënte veprimet e duhura kundër atij komploti subversiv, sepse u tha se ashtu ishin marrë vesh në Oslo. Pasoi “bashkimi” i UÇK-së dhe FARK-ut në Dukagjin, duke e zgjedhur me “votim popullor” Tahir Zemajn për komandant, që të përfundonin në gusht 1998 të dy “ushtritë” me gishta në gojë…

Ende vazhdojnë debatet e simuluara armiqësore, që e kanë zanafillën nga “marrëveshja” në Osllo, për tu grind ditën e përqaf natën…

Kompilimi i bandës së përbashkët komplotiste (BPK)

Qysh gjatë verës 1996 m’u patën forcuar dyshimet se tashmë po përballeshim me një BPK të kompiluar nga Beogradi sovranist. Atëherë mendoja se atë bandë po e komandonin vetëm Xhavit Haliti dhe Azem Syla, duke u përkrahur nga “xhabir-morinët” që e kishin kapur kryesinë e KP të LPK-së/D.j.v. Ende nuk kam mundur të përcaktohem nëse “xhabir-morinët” duhet t’i dyshoj si marioneta klandestine të agjenturave serbe, siç i dyshoja Xhavitin e Azemin, apo se kishin defekte “enveriste” në mendime e veprime.

Në fund të marsit 1998 Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli më lutën të ndërmjetësoja një takim me vëllanë tim, Qerimin. Këta të dy i respektoja ekstra, qysh nga momenti që i kam njohur. Bile, isha eksponuar si grindavec në KP, sepse kërkoja që kuadrot e Lëvizjes, kur arratiseshin nga Kosova, të mos degradoheshin si anëtarë të thjeshtë të këshillave popullorë, por të kooptroheshin menjëherë në KP. “Xhabir-morinët” ishin kundër, prandaj më mundnin me vota kur e votonim këtë kërkesë, ngaqë simulantët enveristë në KP kishin më shumë tifozë. Hashimi më kishte humbur nga “radari”, ndërsa Kadriun e takoja sa herë që shkoja në Aarau të Zvicrës.

Takimi u bë në Hotel “Tirana”. Më të armiqësuar u bënë në fund të takimit sesa ishin në fillim. Hashimi po e urdhëronte Qerimin t’i subordinohej, ndërsa Qerimi kërkonte të dinte çfarë funksioni komandues kishte ai në UÇK. Hashimi nuk e gënjente dot, meqë isha i pranishëm unë dhe tashmë i dija komplotet që po i bëheshin UÇK-së nga “emigrantët” e BPK-së. Nuk e dija deri në atë takim se edhe Hashimi ishte bashkëkomandant i BPK-së. Kadriu qe shumë pasiv në atë takim. E ndieja se nuk ishte dakord me Hashimin, por përmbahej të mos e thoshte. Ende nuk e di pse për Kadriun nuk kam dyshime se ishte marionetë (edhe pse pas ëlirimt duhet të ketë dërguar pjesëtarë të SHIK-ut në Francë, si “mysafirë” në kurse trajnimi nga DGSE-ja?).

Ajo BPK në prill 1998 ia doli ta komplotonte edhe kryesinë e KP-së, e cila deri atëherë e kishte përkrahur. Shkak konkret qe bërë vendimi i kryesisë (me prani të Xhavitit dhe Azemit si anëtarë të saj), e cila tashmë ishte vendosur në Tiranë, që të gjitha ndihmat financiare të UÇK-së të dorëzoheshin në kryesi dhe ajo t’i menaxhonte derisa ta riformonte Shtabin Qendror. Edhe zhbërja e SRV nga kryesia, në të cilin thirrej Xhaviti, duhet ta ketë nxjerr Xhavitin nga takti, për t’i kërcënuar shokët e deridjeshëm të “celulës” që të iknin vet nga Shqipëria, nëse donin të mos dëbonte policia e Nanos…

Më 2 e 3 maj 1998 organizuam Mbledhjen e Përgjithshme, të cilën unë e quaja të jashtëzakonshme, ndërsa ca të tjerë e radhitnin si të zakonshme, të 6-ën me radhë. Aty komploti i BPK-së mori përmasa të rrezikshme. Hashim Thaçi, i cili nuk kishte të drejtë as të ishte pjesëmarrës, ngriti akuzë të rëndë: Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, të përkrahur nga kryesia, ishin fajtorë për vrasjen e Luan Haradinajt, i vrarë më 6 maj 1997, duke qenë në krye të veprimtarëve që po kalonin kufirin për t’i shkuar në ndihmë UÇK-së. Ndërsa unë dyshoja fajtorë BPK-në edhe për atë vrasje. E bëmë zap rrezikun me propozim për formim të komisionit hetimor nga KP, i cili do të dilte nga zgjedhja e asaj Mbledhjeje të Përgjithshme. Fatkeqësisht, ai komision i formuar rezultoi të ishte dështak…

Në kryesinë pasuese të KP-së u zgjodh vetëm “xhabir-morini” Ali Ahmeti. Kryesia e re përbëhej nga tre tifozë të BPK-së (Bardhyl Mahmuti, Agush Buja e Jashar Salihu, si “muça pas dahive”). Kundër ishim Ali Ahmeti, Sajdi Gega dhe unë. Kryetari Bedri (Zenel) Islami simulonte “neutralin”.
Më 9 maj 1998, duke qenë në mbledhjen e parë të KP-së, i dalë nga Mbledhja e Përgjithshme, na erdhi lajmi i kobshëm për vrasjen e Ilir Konushevcit në Qafë të Malit, në Shqipëri. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe Qerim Kelmendi, i ftuar për ta “ekuilibruar” – në Dukagjin përdorim zhargonin “me la mut me shurrë” për raste të ngjashme – padrejtësinë që i ishte bërë nga komisioni përkatës, i cili e kishte lejuar Hashimin të merrte pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme, ndërsa Qerimit ia kishte ndaluar, edhe pse Qerimi kishte më shumë të drejtë.

Xhavit Haliti kishte bashkuar ca karrige dhe po bënte sikur po flinte, sepse gjatë natës kishte udhëtuar nga Shqipëria për të marrë pjesë në atë mbledhje. Unë kisha përgatitur me shkrim një fjalë të gjatë, të cilën Xhaviti e pat diskualifikuar si “akuzë më e rëndë se sa ajo që ma ka ngritur UDB-ja” (e UDB-ja nuk i kishte ngrit asnjëherë aktakuzë Xhavitit). Lajmi na goditi rëndë dhe mbledhja u tensionua, sa që u detyruam ta ndërprisnim, për ta vazhduar pas kontrollit që askush të mos posedonte armë brenda mbledhjes.

Kur jam informuar se kryevrasësi, në pritë në Meliskajë të Qafës së Malit, kishte qenë tropojani Bislim Demiri, shofer i kryeshefit të policisë në BajramCurr (Jonuz Hyka), dhe kur jam informuar nga kryeprokurori i Shqipërisë, z. Theodhori Sollaku, se kryeministri Nano kishte urdhëruar prokurorinë t’i ndërpriste hetimet për ato vrasje, e kam dyshuar BPK-në të ketë pasur rrol në ato vrasje, e bërë me pagesë, sepse Bislim Demiri ishte afirmuar si vrasës me pagesë. Edhe në librin “Zjarr dhe acar” jam përpjekur të paraqes ca rrëfime konfuze që i ka paraqitur Xhaviti në intervista – për vrasjen e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës, në natën e 9 majit 1998, kur po shoqëronin kamionin e ngarkuar me armë, për t’i futur ilegalisht në Kosovë.

Komplotet ndaj UÇK-së me kapje të shtabeve

Deri në maj 1998 BPK-ja, në ndërkohë goxha e konsoliduar, pas komplotit ndaj kryesisë së KP-së që u zhbë në prill 1998 dhe me pafuqinë e kryesisë pasuese për t’i sanuar komplotet që i kishte bërë e po i bënte, në fillim të qershorit 1998 në terren po komplotonte tashmë kryekomplotisti Hashim Thaçi.

Deri më 17 prill 1998 ua kishim pamundësuar ushtarakëve të hynin në Kosovë. Ata ishin ardhur në Tiranë nga anët e anëve për t’u përfshirë në UÇK. Pritnin sistemim nga Shtabi Qendror, ndërsa ne nuk kishim kurajë t’u tregonim se nuk kishim as shtab qendror, as të përgjithshëm. Mua kryesia më kishte ngarkuar të merrem me sistemimin e ushtarakëve, për shkak të njohjeve që kisha në Tiranë dhe për shkak të njohjes që kisha me disa ushtarakë, të krijuara nga shoqërimet që ia pata bërë Fehmi Lladrovcit gjatë viteve 1996-1997, kur po angazhohej për të përfituar sa më shumë ushtarakë për angazhim në UÇK. Ushtarakun Naim Maloku e njihja nga fëmijëria, sepse ishim bashkëfshatarë e shokë. Përplasja që ndodhi, kur Ramush Haradinaj, i ikur nga Kosova në fund të marsit 1998, u vendos në Tiranë dhe i akuzoi ushtarakët për mosshkuarje në ndihmë, dhe përplasja që patën Naim Maloku e Xhavit Haliti në takimin e 14 prillit 1998 në Hotel “Tirana”, i ndodhur me ndërmjetësim e prani të Muhamet Kelmendit, bëri që Naimi të ishte ushtaraku i parë që u hyri në Kosovë, “krye në vete”, më 17 prill 1998. Futjen e organizoi Sektori Logjistik në Tropojë.

Pasuan hyrje të ushtarakëve të tjerë. Në fillim të majit 1998 ndodh edhe hyrja e kolonelit Bislim Zyrapi me një taktizim që nuk e dha rezultatin e pritur. Ai, me ushtarakë të tjerë, tashmë po e formonin shtabin e UÇK-së në Kosovë. Agjenturat armiqësore, ajo serbe e franceze, e angazhuan Hashimin ta kapte edhe atë shtab gjatë formimit. Me këshillë e RDB-së serbe, ai e angazhoi Jakup Krasniqin dhe e emëroi si “zëdhënës të UÇK-së”, sepse e dinte që gjatë majit 1998 ishte konfliktuar me Fehmi Lladrovcin. Njëherësh e urdhëroi Jakupin, tashmë në cilësi të zëdhënësit, ta publikonte gënjeshtrën: “më 10 qershor 1998 u formua Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”. BPK-ja atë kohë ishte e alarmuar se mos Fehmi Lladrovci dhe Bekim Berisha po vendoseshin në krye të komandës së UÇK-së, siç e meritonin. Fatkeqësisht, ishin “meritë” edhe e BPK-së vrasjet e Fehmi Lladrovcit dhe Bekim Berishës…

Nga procesi gjyqësor në Hagë u informuam, edhe me insistim të akuzuarve, se Shtabi i Përgjithshëm ishte formuar në nëntor apo dhjetor 1998. Meqë ishte pjellë e komploteve dhe kompilimeve, nuk i dihet saktësish as data, as formuesit – argument ky më shumë se UÇK nuk ishte ushtri klasike.

Po më 10 qershor Hashim Thaçi ishte angazhuar për “zhdukjen” e Bahadin Allaqit, të cilin, të prangosur, Policia Ushtarake e UÇK-së ia dorëzoi në territorin e zonës së Malishevës. Hashimi nuk e kishte harruar përplasjen që kishte pasur me Bahadinin në Mbledhjen Konsultative në Kollare të Kërçovës, prill 1993, prandaj u hakmor me “zhdukjen” e tij; deri tani asnjëri nga pjesëmarrësit e asaj Mbledhjeje Konsultative nuk kanë guxuar apo nuk kanë dashur të rrëfejnë për përplasjen e Hashimit dhe Bahadinit atje.

Fatkeqësisht, familjarët dhe bashkëveprimtarët ende nuk ia dimë as varrin Bahadinit.

Komploti që kulmoi me Konferencën në Rambuje

Qysh në shtator 1998 DASH-i amerikan duhet të jetë bindur se Millosheviqi, i cili kishte marrë miratim të heshtur, nuk po ia dilte ta shtypte Kryengritjen e UÇK-së, prandaj ambasadori amerikan Christopher R. Hill publikoi idenë se si duhej të “paqësohej” (viktimizohej) Kosova me ndërmjetësim ndërkombëtar. Ajo nismë u finalizua me vendimmarrje për mbajtjen e konferencës në Rambuje të Francës, nën patronazhin e USA-ve, BE-së dhe Rusisë. [Mund që Europa kristiane, e Kongresit të Berlinit (1878), me të drejtë nuk e kishte harruar komplotin e arnautëve myslimanë, që e kërcënuan edhe Kongresin e Berlinit me “lidhje të prizrentit” (e formuar më 10 qershor 1878), duke i thën Kongresit se do të luftonin deri në vdekje për ta mbrojt Perandorinë osmane dhe Sheriatin.]

Diplomacitë operative të shteteve përkatëse kompiluan përbërjen e Delegacionit të Kosovës: përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Xhavit Haliti (pothuajse të gjithë pjesëtarë edhe të BPK-së). Të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Fehmi Agani, Ibrahim Rugova dhe Idriz Ajeti (titistë të thekur). Të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike: Bajram Kosumi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Rexhep Qosja (“as mish as peshk”). Dhe të pavarurit më të varur: Veton Surroi dhe Blerim Shala.

Të gjithë këta pjesëmarrës ende simulojnë budallenjtë, sepse bëjnë sikur nuk e dinë që RDB-ja dhe DGSE-ja kanë urdhëruar Hashim Thaçin të bëhet kryetar i Delegacionit, të bëhet “marrëveshja” për formim të “qeverisë së përkohshme”, me mandatar Hashim Thaçin, dhe Hashim Thaçi të refuzonte nënshkrimin e marrëveshjes së finalizuar më 20 shkurt 1999.

Nga diplomatët operativë, të angazhuar në ekipin e ambasadorit Wolfgang Petritsch – i cili ishte ngarkuar nga BE si bashkorganizues me Hill-in (USA) dhe Majorski-n (Rusi) – komunikonin edhe me ne të LPK-së, që ishim angazhuar në Rambuje si një lloj logjistike, për ca zhvillime që ndodhnin edhe brenda Konferencës, si ato që i përmenda më lart. Pra, ata e dinin se Hashimin po e mbante gjithë kohën nën komandë DGSE-ja, e cila e kishte angazhuar shefin e sektorit, Arnaud Danjean, ta “këshillonte” Hashimin, duke u prezantuar për kamuflim si shok i Hashimit.

Ndërsa në pyetjen që i është bërë Hashimit, pse vetëm ai po e refuzonte nënshkrimin e marrëveshjes, ai duhet të jetë përgjigjur: “Frikësohem se do më vrasin komandantët radikalë të UÇK-së që po i financon Ibrahim Kelmendi…” (perifrazim). Për këto zhvillime ishte në rrjedhë Sabri Kiçmari, meqë bashkë e koordinonim veprimtarinë pranë Kështjellës në Rambuje. Prandaj e luta që t’u bënte telefonatë komandantëve të zonave, për t’i pyetur nëse ndonjëri kishte bërë asi kërcënimi. Numrat e gjithë telefonave satelitorë që i kishte në përdorim UÇK-ja në Kosovë i kishim, sepse ishin në pronësi të Fondit tonë në Gjermani. Sabriu informoi se asnjëri nga komandantët nuk kishte bërë asi kërcënimi. Për këtë u informuan edhe ata diplomatë.

Në ndërkohë USA, Anglia, Gjermania…, është dashur ta bindin presidentin e Francës të ndërhynte në DGSE për ta ndryshuar atë urdhër për mosnënshkrim, prandaj “marrëveshja” u nënshkrua në Paris nga delegacioni i Kosovës, më 18 mars 1999. Fatmirësisht Slobodan Millosheviq refuzoi edhe më 23 mars 1999, kur për herë të fundit u tha JO Hillit, Petriçit e Majrskit, të cilët i shkuan në Beograd për ta lut. Gjithashtu fatmirësisht në USA dhe BE po brengoseshin tashmë për të drejtet individuale të qytetarëve, më shumë se të drejtën sovrane të shteteve, prandaj për ta evituar katastrofen humanitare në Kosovë, më 24 mars 1999, u urdhrua bombardimi nga Aleanca NATO e objekteve policore e ushtarake të Serbisë!

Të tjerat legjenda mashtruese janë sajuar e plasuar nga zuzarët pjesëmarrës e hutaçë në Konferencë dhe nga agjentura që u duhej Hashimi për komplote të tjera ndaj UÇK-së dhe Kosovës, meqë Ibrahim Rugova tashmë ishte “mall i skaduar”. Edhe mosreagimet korrekte të komandantëve të zonave operative kundër shpifjeve se e kanë kërcënuar Hashimin me vrasje, nuk mund të arsyetohen ndryshe, pos me filozofinë popullore: “kajtja prish burrin”.
Edhe armiqësimet mes Hashimit dhe Ibrahim Rugovës në zhvillimet e pastajme ishin simulime të sajuara nga RDB-ja dhe DGSE-ja, që të bënin sa më shumë komplote, duke manipuluar turmat, sepse ato armiqësime të simuluara mes kolegëve, shkaktonin armiqësime pikante mes tifozëve.

Për ilustrim të gjendjes po sjell dy-tri përjetime. Pak ditë pas çlirimit, në ambientet e euforisë dekadente, sidomos ca sabotues e komplotistë krekoseshin si fitimtarë të vetëm, prandaj u plasua edhe slogani që nxiste armiqësi: “ne të krahut të luftës dhe ata të krahut kundër…”. Kot u përpoqa ta bindja Hashimin të mos e shpërdorte atë slogan, sepse edhe nuk ishte krejtësisht i vërtetë. Kur kulmoi Kryengritja, shumë veta donin të përfshiheshin në UÇK, por nuk kishim armë e kapacitet logjistik. Kishim shumë grindje edhe me vullnetarë në emigracion, që donin t’i bashkoheshin luftës, por nuk kishim kapacitete për t’i rekrutuar. Prandaj, për paaftësitë e UÇK-së për t’i rekrutuar gjithë të interesuarit, brenda e jashtë Kosovës, nuk duhej të fajësoheshin kolektivisht mbi 95 % e popullatës. Përndryshe, edhe po të ishte krejtësisht i vërtetë ai slogan, nuk duhej të shpërdorej, sepse rrezikoheshin fitoret.

Në fund të qershorit 1999 u ftova të merrja pjesë në “paradën” e UÇK-së në Podujevë. Policia Ushtarake ia pat ndaluar pjesëmarrjen Xhavit Halitit. U mbajtën ca fjalë rasti. Gjithë kohën brohoritej vetëm: UÇK!, UÇK! Kur lajmëruan ngjitjen në skenë të “kryeministrit” Hashim Thaçi për të mbajtur fjalë rasti, gumëzhiu parulla kolektive: Rugova!, Rugova! Pothuajse njësoj ndodhi edhe në stadium të Prishtinës. Tashmë Hashimi e kishte kuptuar se shumë po e urrente edhe “krahu i luftës”, prandaj nuk ia mbajti të vinte në stadium. Kur u prezantua se matrapazi Milaim Zeka – edhe ai i BPK-së – do të përshëndeste në emër të “kryeministrit” Thaçi, gumëzhiu thirrja: “Rugova!”, “Rugova!”.

Edhe në parada në Skenderaj pjesëmarrja e pjesëtarëve të BPK-së ishte e padëshirueshme dhe pati ca probleme goxha të rënda…
Fatmirësisht, amerikanët ia hoqën lakun nga fyti Shtetit tonë kur lëshuan urdhrin për arrestimin e presidentit Hashim Thaçi, por nuk po e kuptoj arsyen e vërtetë që po vazhdon të mbahet e fshehur: pse amerikanët e arrestuan presidentin Thaçi pikërisht kur ishte në rrugëtim e sipër drejt Uashingtonit?

Albin Kurti – kali i ri i karrocës së agjenturës serbe…

Para ca ditësh RTK i riemetoi reportazhet dhe intervistat që kishte bërë me Albin Kurtin, të cilin e kanë pritur në kufi, kur e kanë liruar nga burgu, më 7 dhjetor 2001. Përshtypja e parë: ky Albin dukej si me qenë djali i Albin Kurtit të vitit 1999, kur e paraqisnin televizionet si zëdhënës të Adem Demaçit, meqë Kurti duhet të ketë qenë numri 2 në stafin e “zyrës së UÇK-së” në Prishtinë, e inskenuar dhe e toleruar nga RDB-ja e Stanishiqit (pasuesja e UDB/SDB-së). Pra, Albinin e kishin ripërtërirë në burg; nuk dukej të ishte produkt i torturave barbare, për të cilat është folur aq shumë.
Fatkeqësisht, kësaj radhe agjentura serbe kishte pasur fat me gjetjen e një të riu të shkathët në kamuflim të marionetizmit të tij, i cili do të prodhonte armiqësime e komplote në Kosovë dhe me ndërkombëtar, më shumë se të gjitha marionetat pararendëse…
(“hetimet vazhdojnë”)

Adem Demaçi: “keq po punojmë, mirë po na del”

Përkundër gjithë këtyre veprimtarive subversive të agjenturave armiqësore, Vegjëlia çlirimtare në Kosovë dhe në Emigracion, e kryengritur nën akronimin UÇK, ia doli të sjellë çlirimin e Kosovës, duke e sfiduar edhe BPK-në, e penetruar në UÇK. Ndërsa shteti ynë do t’ia dalë ta sfidojë edhe marionetën komplotiste Albin Kurti, meqë rezulton se spekulimi i Adem Demaçit “keq po punojmë e mirë po na del”, po rezulton më pas një mister brenda, të cilin nuk po di ta deshifroj.

PS.:
Kërkoj falje që nuk po kam kohë, dije e nerva, me shkrua më shkurt e më shqip!

Përjashtim: Opinimi i mësipërm është përgjegjësi e autotit të shkrimit, jo i Fjala e Lirë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.