7.5 C
Tirana
E premte, 27 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NJË OPIONIONISTE, SI LEONORA JAKUPI

NJË OPIONIONISTE, SI LEONORA JAKUPI

0
Leonora Jakupi

Këngëtarja Leonora Jakupi

Leonora Jakupi rrëfen në BBVK pse nuk u martua kurrë dhe nuk bëri …

IDRIZ ZEQIRAJ

Zakonisht, organizatorët e Big Brother VIP Kosova (BBVK), përkujdesen për përzgjedhjen e moderatorëve dhe opinionisteve të shquar, me preferencë në fushën e artit. Në përgjithësi, kanë qenë djem dhe vajza me përvojë, përgatitje intelektuale dhe përformancë të mirë publike. E zgjedhura e radhës për opinioniste ishte edhe këngëtarja e mirënjohur Leonora Jakupi

Në spektaklin – Big Brother VIP Kosova 4 -, u transmetua një klip, ku banorët hapur diskutuan temën e familjes dhe krijimit të saj. Në debat u kyç edhe Leonora: “Unë shpesh jam paragjykuar “pse s´po martohem? Pse s´po krijon familje? Pse s´ke fëmijë?” Dhe, Leonora u rrëfye, ashtu sinqerisht e pa rezerva e hile, siç ndodhë vetëm para priftit dhe në BBVK: “Personalisht, konsideroj që fëmijët janë bekim dhe familja është bekim. Mirëpo, ndonjëherë rrethanat e jetës, përkushtimi i madh ndaj familjes, vitet të kalojnë aq shpejt sa që ndien një mungesë të madhe – një zbrazëti që dikur duhet ta plotësosh”.

Ndërsa në një intervistë të dhënë disa vite më parë, Leonora qe shprehur se dua të kem shumë fëmijë. Prandaj, marrë guximin të ngulmoj, se bazuar në metodat bashkëkohore të fërtilitetit, ka mundësi reale që Leonora, në mos shumë, të këtë ndonjë apo ndoca fëmijë. Këtë e kërkojnë jo vetëm fansat, adhuruesit e saj, por edhe shumë më gjerë.

Leonora nuk u mjaftua me kaq, u hap edhe më shumë para banorëve dhe opinionit shikues dhe dëgjues të shqiptarëve vendorë dhe botërorë. “Unë kam një shok në bashkëjetesë prej 15 vjetësh, jam e përmbushur dhe jetoj mirë”, – ngushëlloi shqiptarët Leonorë Jakupi, gjithnjë e bukur “si një zanë mali”, e freskët dhe rinore, vitale, që nuk i kanë bërë shenjë vitet.

Personalisht e njoh shokun e Leonarës, i cili është shok i nipit tim, me veprimtari biznesi në Tiranë. Vërtet është djalë i mirë, i edukuar dhe shumë bashkëkohor, i shkolluar bollshëm. I qetë në sjellje dhe i matur në bisedë. Është vital dhe nuk jep moshë.

Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i vajzave, sidomos figura publike, të cilat refuzojnë martesën dhe prindërimin. Ky fenomen sa vjen dhe bëhet më shqetësues, për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Shtimi demografik, lindjet e bollshme, na gëzonin dhe na mbushnin me shpresë se me shumëzimin rapid, mund të arrinim në shtrirjen deri në atë pjesë të Dardanisë tonë të pushtuar. Ndryshimi i këtij ritmi zvetënon shpresën tonë të ushqyer në vite e dekada.

Të ndalemi ke roli i Lenora Jakupi si opinioniste në BBVK 4. Në të gjitha ndërhyrjet e saj, në dhënien e opinionit personal, ajo ishte e veçantë, serioze në trajtimin e çështjeve, që lindnin përgjatë debateve të banorëve të shtëpisë, e artikuluar, racionale dhe shumë profesionale.

Me një rast, një banor i ardhur rishtas, hyri në shtëpinë “më të lavdishme në Kosovë, – siç e thonë organizatorët, me pretendimin për të realizuar 1.000 puthje. Dhe, vërtet, djali simpatik filloi misionin e tij, “me goditje të përqendruara”, siç i quanin partiakët komunistë në Shqipërit, aksionet e ndryshme ndërtimore dhe politike. Edhe pse aty gjeti të dashurën e tij, të njohur jashtë shtëpisë, ai filloi të flirtojë me një vajzë të dytë dhe e “thithte si viçi” në çdo kohë e rrethanë”! E dashura e parë u sikletos deri në vajë. Dy vajzat u konfliktuan rreth bukuroshit ardhacak.

Moderatorët Alaudin Hamiti dhe Rudina Vokshi, (kjo nga Tirana, mbesa e Bajram Gashit nga Uça e Istogut, i arratisur në Shqipëri, ushtarak dhe mësues. U kthye në Kosovë, në LDB, udhëhoqi batalionin e luftëtarëve nacionalistë të Podguerit, në mbrojtjen e Kosovës dhe të Sanxhakut. U vra, në luftim e sipër në Bjeshkët e Istogut. Nga babai është pinjolle e Familjes të Sylejman Vokshit, motra e Vjollca Vokshit, zëdhënëse e parë e PDSH dhe e Albana Vokshit, deputete e disa mandateve të PDSH të Dr. Berishës.)

Moderatorët hapën temën për rrethanën e krijuar në shtëpi. Leonorë Jakupin e prekën lotët, të shoqëruar me dënesë të vajzës së tradhtuar dhe e mbrojti viktimën, të dëmtuarën. Kolegia opinioniste, Olta Gixhari, këtë rrathanë e quajti normale, është lojë. Leonora ishte e rreptë në reagim: “Çfarë normaliteti është kjo, t`i futesh tjetrit në krevat, nën jorgan”?! Olta u mundua ta qetësojë atë, por Leonora ia kujtoi, se “unë jam nga Drenica dhe nuk aprovoj skena të tilla”. Dhe, qëndrimi i saj u duartrokit fort.

Leonorë Jakupin e njoha kur ishte vajzë njomëzake. Ajo erdhi në Ludwigshafen të Gjermanisë, me një grup artistik nga Kosova, të ftuar nga Axhencia “Albakos”, me pronar profesor Sebastian Nuiçi, me seli në Frankfurt. Baca Sebë, siç e thërrasim ne, papritur ishte në trajtim spitalor. Na porositi për pritjen, sigurimin e sallës dhe akomodim qëndrimi. Dhe, ne bëmë detyrën.

Leonora gjithherë në turnetë artistike, shoqërohej nga nëna e saj. Me zërin e saj “pushkë”, rrastë të artikuluar, mirëpritej dhe duartrokitej veçmas nga publiku. Edhe më shumë e favorizohej, sepse ishte më e reja e ansamblit artistik.

Me Leonorë Jakupin, bukuroshen krenare të Drenicë heroike, më shumë se sa një njohje e hershme, me lidh fakti se kam njohur babain e saj, komandantin ushtarak të Koshares, Qazim Jakupin. Leonora trashëgon shumë nga bukuritë të babait të saj. Ai ushtronte në përgatitjen ushtarake djemtë e Kosovës, luftëtarët e lirisë, në kazermen ushtrimore në Papaj të Malësisë të Gjakovës.

Ishin kohë të vështira, të rrezikshme. Bandat e LPK-së, në bashkëpunim me ato shqiptare, i ndiqnin kudo, ata që i konsideronin kundërshtarë politikë. Ata me dhunë pushtuan kampet ushtrimore në Kolsh e Kalimash të Kukësit, duke vrarë kuksianin Rushit Elezin, kontraktorin ndërmjetës të këtyre dy kampeve ushtrimore ushtarake. Tani e synonin marrjen e kampit – ushtrimore në Papaj të Tropojës.

Në një udhëtim me makinë, në relacionin Fierzë-Qafë Mali, një kurth i ngritur, makina me dy pasagjerët: Qazim Jakupi dhe Muharrem Tafa, banor vendas, mik i heroit Sali Çekaj, u rrokullisën në greminë. Ishte humbje-gjemë e Familjes Jakupi, por edhe humbje e ndjeshme për Luftës të Koshares dhe të Kosovës. Po në atë rrugë janë ekzekutuar në pritë, oficeri i Emergjencës ushtarake, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, ky i fundit nga Tropoja. Ashtu si dhjetëra atentate të tjera, edhe këto pasoi heshtja dhe kurrë as nuk u hetuan dhe as nuk u zbuluan. Ata ishin dhe mbetën heronjtë tanë lavdiplotë dhe do të kujtohen me ndjeshmëri në mendjet dhe zemrat tona përjetësisht.

Më 21 qershor 1998, ishte betimi i Brigadës 134. Me dekret të Ministrisë të Mbrojtjes, ministri saj, Kolonel Ahmet Krasniqi, e emëroi Kolonel Tahir Zemaj, komandant të kësaj Brigade, duke ia dorëzuar flamurin e luftës dhe duke urdhëruar të mos binte kurrë në duart e armikut. Për ironi, të dy komandantët markant, të cilët identifikohen me Luftën Çlirimtare të Kosovës, u ekzekutuan nga banda e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale!

Në ceremoninë e Brigadës 134, ishte ftuar këngëtarja e re Leonorë Jakupi, e bija e dëshmorit të Koshares dhe Kosovës, Qazim Jakupi, e cila veshur me uniformën ushtarake, këndoi këngën-hymn: “Besa-besë, besën ta kemi dhanë”, e cila jehoi në Malësinë e Gjakovës, si kushtrim lufte.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.