Nga Katrin Bennhold, Bota, 23 Shkurt 2026
– Përktheu Arben Çokaj
Mirëmëngjes, botë! Procesioni i udhëheqësve perëndimorë që dynden në Pekin javët e fundit ka qenë mbresëlënës. Muajin e kaluar, shkoi Mark Carney, udhëheqësi i parë kanadez që vizitoi Pekinin në pothuajse një dekadë. Ai nënshkroi një partneritet strategjik me një vend që ka burgosur shtetas kanadezë dhe u akuzua për ndërhyrje në zgjedhjet e Kanadasë.
Tjetri ishte Keir Starmer, duke përmbysur vite marrëdhëniesh të ftohta në vizitën e parë nga një udhëheqës britanik që nga viti 2018. Këtë javë, është radha e kancelarit gjerman. Më shumë se një milion vende pune gjermane varen nga eksportet në Kinë.
Jo shumë kohë më parë, vendet perëndimore folën për diversifikimin larg Kinës. Tani po ndodh e kundërta. E thirra kolegun tim David Pierson, i cili mbulon Kinën, për të kuptuar pse.
David, udhëheqësit perëndimorë janë dyndur gjithmonë në Kinë me drejtorët e tyre ekzekutivë. Çfarë është e ndryshme në lidhje me fluksin aktual të vizitorëve?
Është konteksti, apo jo? Keni parë tensione që rriten midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Jo shumë kohë më parë, udhëheqësit perëndimorë kërkonin mënyra për të “zvogëluar rrezikun” ose për t’u distancuar nga Kina për të zvogëluar varësinë e vendeve të tyre nga zinxhirët e furnizimit dhe tregu i saj. Tani, ata po kthehen përsëri drejt Kinës – sepse po zvogëlojnë rrezikun nga Shtetet e Bashkuara që janë më të pabesueshëm.
Por sa i besueshëm është një partner si Kina? Ka një arsye pse njerëzit donin të diversifikoheshin larg Kinës, apo jo?
Kjo është çështja. Siç shkrova së fundmi, Kina nuk ka ndryshuar. Ajo ende kërcënon të mbyllë tregjet e saj për importet ose të kufizojë shitjen e eksporteve të vlefshme si mineralet kritike, kur është e pakënaqur me një vend tjetër. Dhe Kina nuk ka bërë asgjë për të tërhequr mbështetjen e saj ekonomike dhe diplomatike për Rusinë dhe luftën e saj në Ukrainë pavarësisht të gjitha protestave nga Evropa.
Në fund të fundit, Kina nuk ka nevojë të ofrojë stimuj për këta udhëheqës perëndimorë. Është thjesht një alternativë ndaj SHBA-së, në një kohë kur vendet po përpiqen të ribalancojnë.
Çfarë ndikimi kanë vendet perëndimore mbi gjërat që u interesojnë? Si Kina që hedh sasi të mëdha produktesh në tregjet globale?
Sinqerisht, jo shumë. Britania dhe Kanadaja nuk eksportojnë shumë gjëra me vlerë në Kinë. Ato thjesht nuk kanë të njëjtën ndikim, që kishin më parë mbi Kinën. Gjermania është në një pozicion shumë, shumë të vështirë. Kancelari Friedrich Merz po shkon atje për të ruajtur biznesin, që ende ekziston për kompanitë gjermane, por realiteti është se ka shumë pak që ai mund të bëjë për të ngadalësuar firmat kineze nga zëvendësimi i atyre gjermane në tregun global.
Ndërkohë, Kina ka treguar se mund të përballet ballë për ballë me vendin më të fuqishëm në botë. Presidenti Trump e çoi luftën kundër Kinës, dhe Presidenti Xi Jinping iu kundërvu atij dhe e ktheu situatën, duke përdorur kartën e saj të fortë (pa qëllim lojë fjalësh!): monopolin e saj mbi furnizimin dhe përpunimin e mineraleve të rralla të tokës, që përdoren në gjithçka, nga çipat e kompjuterëve dhe bateritë deri te turbinat me erë dhe raketat. Pra, Kina është e guximshme në skenën botërore. Thuaj çfarë të duash për Xi Jinping, ai kurrë nuk e nënvlerëson ndikimin e tij. Shumë analistë mendojnë se ai e ka luajtur mjaft mirë këtë rol.
Xi Jinping në një takim me kryeministrin e Kanadasë, muajin e kaluar.
Carlos Osorio/Reuters
Pra, Kina duket e fortë. Por Kina ka edhe shumë probleme në vend. Si bashkëveprojnë këto dy gjëra?
Është një ekran i ndarë. Në politikën e jashtme, Kina është në një pozicion mjaft të fortë. Por në vend, ata janë në një terren shumë të lëkundur. Ata kanë pasur të bëjnë me një ekonomi shumë të ngadaltë, për shkak të një tregu të pronave në rënie. Dhe nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për të dalë prej saj. Dhe kjo ka pasoja për pjesën tjetër të botës, sepse e vetmja gjë që po funksionon për Kinën tani ekonomikisht janë eksportet. Ata po i prodhojnë të gjitha këto gjëra, por nuk kanë para të mjaftueshme në vend për t’i blerë ato, dhe kështu po ia hedhin ato pjesës tjetër të botës.
Gjëja tjetër është se ata kanë pasur këtë spastrim të gjerë në hierarkinë ushtarake. Të gjithë këta gjeneralë sapo janë përjashtuar dhe nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo për aftësinë e Kinës për të shkuar në luftë. A është aftësia e saj për të marrë Tajvanin e vonuar me vite – apo e përshpejtuar disi, duke u çliruar nga gjeneralët e korruptuar? Është thjesht kaq e vështirë të shikosh politikën e elitës kineze, dhe kështu na mbetet vetëm të hamendësojmë se çfarë do të thotë kjo.
Ku çon e gjithë kjo? A janë këto marrëveshje me Kinën fillimi i një zhvendosjeje afatgjatë larg dominimit të SHBA-së?
Afatshkurtër, është më shumë simbolike sesa reale sepse, nëse i shikoni takimet, nuk ka aq shumë substancë. Britania që lejon Kinën të hapë një ambasadë në Londër? Jo pikërisht ndonjë gjë e madhe. Dua të them, mund të argumentohet se ekziston një rrezik sigurie, por shërbimi i sigurisë i Britanisë tha se mund të menaxhohet. Për Kanadanë, po, ata ulën tarifat për automjetet elektrike kineze, por ende ka një kuotë, dhe është një kuotë e vogël.
Vetëm simbolika është sigurisht një fitore e madhe për Kinën. Ata mund të kthehen nga populli i tyre dhe të thonë: “Shikoni, po veprojmë shumë mirë. Ju i bëni të gjitha këto vende të vijnë dhe të na tregojnë respektin e tyre.” Kjo ndihmon për të fshehur problemet e brendshme.
Në plan afatgjatë, është më e vështirë të thuhet. Një gjë është e qartë: Kemi parë një erozion të legjitimitetit amerikan vitin e kaluar. Të gjithë tani kanë dyshime për Amerikën si një partner i besueshëm. Keni parë se si ndryshojnë gjërat menjëherë, varësisht se kush hyn në Shtëpinë e Bardhë tani.
Nëse Kina mund ta mbushë këtë boshllëk në mënyra më të mëdha, është e pamundur të dihet. Ata po përpiqen shumë, por është e paqartë, nëse po e bëjnë këtë për ndonjë gjë tjetër përveç interesave të tyre.











