Ashtu siç merr lajmi dhenë,
kur papritur vret rrufeja,
ashtu u përhap lajmi ogurzi
mbi vdekjen e mijëra njerëzve
nga një grip që erdhi
nga një kontinent i turbullt,
ku mjegulla dhe misteri
i kanë rrënjët më të thella
se honet e tokës.
Bota u mbyll brenda,
në kantinën e frikës;
gojët u mbyllën me maska,
duart u lanë me alkool,
sikur duhej larë një faj
që askush nuk e njihte.
Spitalet u mbushën
me njerëz me frymëmarrje të rënduar
që prisnin mëshirë.
Dritaret u mbyllën me parmak,
rrugët mbetën të zbrazëta,
koha ndali ritmin e zakonshëm,
sikur donte të dëgjonte
gjëmën e njerëzve.
Varret u hapën njëri pas tjetrit,
si gjethet që shkundën
nga erërat e forta
të një vjeshte të harlisur.
Askush s’mundi t’i përshëndeste më
të dashurit e tij.
Nga askush dhe askund nuk u tha
si lindi kjo mortajë
që mori miliona jetë.
Prapa perdeve u fol për tregje,
për kafshë, për hije,
për laboratorë të lënë në heshtje.
Vdekja mbeti enigmë.
Shekulli XXI –
shekulli i çudive,
që s’i beson më askush askujt
e as shkencës, sepse
bota s’mund t’i numërojë më të vdekurit,
e dikush tjetër s’mund të ndalë
së numëruari fitimet.
Sot, njerëzit jetojnë me frikën
se prapë do t’i godasë
një mister i ri.
Arif Ejupi
Gjenevë, 13 tetor 2021











