AVNI RRUSTEMI DHE JEHONA E PROTESTËS NË TIRANË

0
Hagë - Protestë për lirimin e komandanteve
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Vite më parë kisha shkruar një punim kushtuar figurës së Avni Rrustemit dhe lidhjes së tij me idealin e pavarësisë së Kosovës. Ai studim, që në thelb ishte një përpjekje për të ndërlidhur veprimin atdhetar të Rrustemit me frymën e lirisë që do të përvijonte më vonë në historinë e popullit tonë, u prit me interes e mirënjohje nga shumë njerëz të asaj kohe. Përgëzimet që mora atëherë nuk ishin vetëm për përmbajtjen, por për guximin për të rikthyer në vëmendje një figurë që mishëronte sakrificën dhe vendosmërinë e një brezi që besonte se liria nuk dhurohet, por fitohet.

Sot, ndërsa ndodhemi në prag të tubimit protestues që do të mbahet më 17 tetor 2025 në Tiranë, në përkrahje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që padrejtësisht po mbahen në Hagë, ndjej të njëjtën frymë që më kishte udhëhequr atëherë — frymën e dinjitetit kombëtar dhe të qëndresës. Këto protesta, që lindin nga një ndjenjë e thellë drejtësie dhe solidariteti, përfaqësojnë një zë të përbashkët të shpirtit shqiptar në mbrojtje të vlerave të lirisë.

Ato nuk kanë vetëm rëndësi simbolike në nivel kombëtar, ndikimi i tyre shtrihet dukshëm edhe në arenën ndërkombëtare. Përmes tyre, shoqëria shqiptare përcjell një mesazh të qartë dhe të qëndrueshëm — se historia e rezistencës sonë nuk mund të rishkruhet padrejtësisht dhe se dinjiteti i atyre që luftuan për liri nuk mund të cenohet nga keqinterpretime politike.

Kështu, si dikur Avni Rrustemi që ngriti zërin e një populli përballë padrejtësisë, sot zërat e protestave në Tiranë, Prishtinë e në diasporë janë dëshmi se ideali i lirisë mbetet i gjallë. Ai ideal, që s’njeh kufij kohorë, vazhdon të frymëzojë breza të tërë në kërkim të së vërtetës, të drejtës dhe të dinjitetit njerëzor.

Ndërsa po e ndiqja programin e mëngjesit të RTK-së, më 15 tetor 2025, ndjeva një ndjenjë të thellë admirimi e përulësie. Në ekran po shfaqej intervista e z. Hysni Gucati, i cili fliste me qetësi, por me një forcë shpirtërore të jashtëzakonshme, për tubimin madhështor e paqësor që po organizohej në Tiranë në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj që po përballen me padrejtësitë në Hagë.

Nuk e di pse, por në atë çast, krejt papritur, mendja më shkoi te ai punimi që kisha botua vite më parë, tek ai proces gjyqësor — ai ndaj patriotit të madh shqiptar, Avni Rrustemit. M’u kujtua jo vetëm figura e tij si njeri që e deshi kombin më shumë se veten, por edhe mënyra si drejtësia e kohës u përpoq ta ndëshkonte për guximin e tij. Ashtu si sot, edhe atëherë, historia shqiptare kishte dëshmuar se çdo përpjekje për ta heshtur zërin e lirisë, përfundon duke e bërë atë edhe më të fuqishëm.

Në thelb, paralelet midis së kaluarës historike dhe realitetit të sotëm janë njëkohësisht të dhimbshme dhe thellësisht domethënëse. Ato na kujtojnë se historia shpesh përsëritet në forma të ndryshme, por gjithmonë me të njëjtin mesazh — se liria dhe dinjiteti kombëtar kanë një çmim, dhe se ky çmim paguhet nga ata që guxojnë të qëndrojnë në anën e së vërtetës.

Ashtu si dikur Avni Rrustemi, i cili u përball me një drejtësi të padrejtë për një akt që në thelb mishëronte revoltën e një populli të shtypur, sot, përpara një tjetër gjykate — asaj të Hagës — qëndrojnë figura të rëndësishme të historisë sonë më të afërt. Midis tyre janë presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi — ai që doli hapur dhe me guxim i tregoi botës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ekziston dhe vepron në vendin e vet — si dhe shumë të tjerë, pjesëtarë të saj që mbrojtën me sakrificë lirinë e popullit shqiptar.

Ata që sot po përballen me gjykimin ndërkombëtar nuk janë thjesht individë që mbajnë përgjegjësi personale, ata përfaqësojnë një brez të tërë që mbarti mbi supe barrën e historisë dhe të idealit kombëtar. UÇK-ja, përmes tyre, nuk shihet vetëm si një formacion ushtarak, por si një simbol i qëndresës, i dinjitetit dhe i vendosmërisë për të mos pranuar më robërinë.

Në të dyja rastet — si atëherë me Avni Rrustemin, ashtu edhe sot me luftëtarët e UÇK-së — kemi të bëjmë me njerëz që e kanë përjetuar padrejtësinë si çmimin e lirisë. Ata që sot gjykohen në Hagë mbeten dëshmi e gjallë se idealet kombëtare nuk maten me vendime gjykatash, por me qëllimin për të cilin janë ngritur. Lufta e tyre nuk ishte për pushtet, por për ekzistencë, nuk ishte për përfitim, por për të drejtë. Dhe pikërisht për këtë arsye, historia nuk do t’i gjykojë ata si individë, por si simbol të një populli që zgjodhi të mos heshtë më.

Në të dyja rastet, fjala “drejtësi” është vënë në provë përballë ndërgjegjes. Ashtu si dikur Rrustemi, edhe sot këta burra përfaqësojnë një kapitull të pandashëm të historisë shqiptare — një kapitull që nuk mund të fshihet, sepse është shkruar me gjakun, sakrificën dhe dinjitetin e atyre që luftuan për të drejtën më themelore të çdo populli-LIRINË.

Historia e UÇK-së, njësoj si ajo e Rrustemit dhe e të gjithë atyre që e deshën atdheun më shumë se jetën, mbetet dëshmi e gjallë se e vërteta mund të vonohet, por nuk mund të mbytet. Sepse idealet që lindin nga dhembja e popullit janë më të forta se çdo akt gjykate — ato mbijetojnë në kujtesën e brezave, si testament i sakrificës dhe i krenarisë sonë kombëtare.

Duke e dëgjuar z. Gucatin, e kuptova se historia përsëritet jo për të na lodhur, por për të na kujtuar se liria nuk është një dhuratë e përhershme — ajo duhet mbrojtur përherë, me zë, me kujtesë dhe me qëndresë morale. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndronte lidhja e beftë që më preku aq thellë, te vazhdimësia e një ideali që nuk shuhet me gjykime, me burgje, apo me vite — por mbetet i gjallë sa herë që dikush ngre zërin për të vërtetën.

M’u kujtua, po ashtu, me një ndjenjë të thellë respekti e krenarie, mënyra se si mbarë shqiptarët, kudo që jetonin e vepronin, ishin bashkuar dikur në mbështetje të Avni Rrustemit. Në ato vite të trazuara, kur fjala e lirë ishte rrezik dhe drejtësia shpesh ishte peng i pushteteve, ata nuk heshtën. Me një vetëdije të lartë kombëtare, ata kishin shkruar dhe dërguar qindra letra përkrahjeje në gjykatën që po e gjykonte Rrustemin, duke e ngritur zërin e bashkimit përtej kufijve gjeografikë e politikë.

Qëllimi i tyre ishte i qartë dhe i drejtë, të dëshmonin përkrahjen ndaj një atdhetari që kishte vepruar jo për lavdi personale, por për dinjitetin e kombit. Ata dëshironin t’i bënin të ditur botës se akti i Rrustemit nuk ishte krim, por reagim i drejtë ndaj tradhtisë — se Esat Pashë Toptani, që kishte shitur interesin kombëtar, e kishte merituar atë fund. Kjo përfshirje e gjerë e shqiptarëve ishte më shumë sesa një solidaritet moral, ishte një akt historik i ndërgjegjes kolektive.

Gjykata, e përballur me këtë jehonë përkrahjeje që vinte nga çdo anë ku jetonte shqiptaria, nuk mundi të injoronte zërin e një populli të tërë. Ky presion moral dhe qytetar ndikoi që vendimi përfundimtar të jepej në favor të Avni Rrustemit. Ai nuk u pa më si një atentator, por si simbol i rezistencës kundër tradhtisë dhe padrejtësisë.

Ky rast dëshmonte fuqinë e unitetit kombëtar — se kur shqiptarët bashkohen për një qëllim të drejtë, zëri i tyre fiton peshë, madje edhe përballë institucioneve që zakonisht i mbyllin veshët ndaj të vërtetës. Dhe në këtë kujtesë të përbashkët, Avni Rrustemi mbetet një shembull i përjetshëm i asaj se si ideali, kur gjen mbështetje në zemrat e njerëzve, mund të shndërrojë edhe drejtësinë në një akt njerëzor e kombëtar.

Çfarë analogjie e fuqishme më erdhi ndër mend — një kujtim nga viti 2002, kur një delegacion i grave deputete nga Kosova (ku në mesin e tyre ndodhesha edhe unë), ishim të ftuara për një vizitë zyrtare në Bundestagun gjerman. Aty, në atë hapësirë ku politika evropiane merrte formë, patëm rastin të takonim një grua të jashtëzakonshme, Rita Süssmuth, ish-kryetare e Bundestagut dhe një figurë me peshë të veçantë në politikën gjermane e ndërkombëtare.

Në bisedën që zhvilluam me të, ajo na la një porosi që, me kalimin e viteve, ka fituar vlerën e një aksiome politike dhe morale. Me një ton të qetë, por plot vendosmëri, ajo tha: “Kërkesat tuaja, cilatdo qofshin ato, duhet t’i shprehni me zë. Vetëm atëherë dëgjohen dhe kuptohen.”

Në atë çast, ndoshta, fjalët e saj u dukën si një këshillë miqësore, por sot ato marrin kuptim më të thellë — sidomos kur i shohim në dritën e zhvillimeve aktuale. Ajo na kujtonte se heshtja është shpesh një formë e dorëzimit, ndërsa fjala e artikuluar me dinjitet është mjeti më i fuqishëm i demokracisë dhe i mbrojtjes së së vërtetës.

Ashtu siç dikur letra e shqiptarëve për Avni Rrustemin tronditi opinionin publik e ndikoi në drejtësi, po ashtu edhe sot zëri i artikuluar në mënyrë të qetë, por të vendosur, në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, ka fuqi morale dhe politike për të ndryshuar perceptime e për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur.

Këshilla e Rita Süssmuth mbetet një mësim për breza — se e drejta, për të qenë e tillë, duhet të flitet, të dëgjohet dhe të mbrohet me guxim. Sepse vetëm kur kërkesa merr formën e fjalës së qartë, ajo mund të kthehet në realitet dhe të lërë gjurmë në ndërgjegjen e botës.

Tubimet protestuese të shqiptarëve, që filluan në Prishtinë, u zgjeruan në diasporë — madje edhe në Hagë — dhe së fundi po marrin formë në Tiranë, përbëjnë një shenjë të pjekurisë politike dhe qytetare të kombit tonë. Unë do të propozoja që këto tubime të mos ndalen deri në ditën kur të shqiptohet verdikti përfundimtar i gjykatës. Prania e vazhdueshme, këmbëngulja e qetë dhe qëndrimi dinjitoz i protestuesve nuk janë thjesht një akt solidariteti, por një mesazh i qartë për botën — se drejtësia nuk mund të mbetet e heshtur përballë padrejtësisë historike.

Këto tubime bartin në thelbin e tyre atë frymë që dikur na kishte këshilluar me mençuri zonja Rita Süssmuth, ish-kryeparlamentare e Bundestagut gjerman: domosdoshmërinë për ta artikuluar me zë të qartë, të arsyetuar dhe qytetërues çdo kërkesë legjitime. Në këtë frymë, protestat shqiptare nuk janë shfaqje e revoltës, por dëshmi e ndërgjegjes kolektive dhe e respektit ndaj parimeve të demokracisë moderne.

Pjesëmarrësit e këtyre tubimeve, në Kosovë, në Shqipëri e në mërgatë, kanë treguar një nivel të lartë maturie dhe dinjiteti. Fjalët që ata artikulojnë nuk janë thirrje emocionale apo slogane kalimtare, por kërkesa të menduara, të argumentuara dhe të paraqitura në mënyrë të qartë e transparente. Në to, nuk ka mllef, por vendosmëri; nuk ka zemërim, por dinjitet.

Kjo qasje e përmbajtur, por e fuqishme, është ajo që krijon ndikim të qëndrueshëm në opinionin ndërkombëtar. Ajo dëshmon se shqiptarët dinë të mbrojnë të drejtën e tyre jo me dhunë, por me forcën e argumentit dhe me kulturën e qytetarisë. Dhe pikërisht kjo është mënyra më fisnike për ta bërë të dëgjohet zëri ynë — zëri i një populli që nuk kërkon mëshirë, por drejtësi; që nuk kërkon hakmarrje, por njohje të së vërtetës historike.

Në çdo tubim të mbajtur deri më sot — në Prishtinë, në diasporë apo në Tiranë — është vërejtur dhe vërehet një frymë e përbashkët e maturisë dhe e përgjegjësisë qytetare. Pjesëmarrësit, përmes pranisë së tyre dhe përmes thirrjeve të shkruara në pankarta, kanë manifestuar dhe manifestojnë respekt të thellë për rendin demokratik dhe për parimet themelore mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e lirë dhe e drejtë. Në çdo fjalë, në çdo qëndrim, është lexuar një vetëdije e qartë se liria e shprehjes nuk është vetëm e drejtë që të thuhet diçka, por edhe përgjegjësi për ta bërë këtë me maturi, me etikë dhe me qëllim të ndershëm.

Kjo mënyrë qytetare e të vepruarit përbën një dëshmi të rëndësishme se shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arritur një nivel të lartë vetëdijeje politike e shoqërore. Nuk është më fjala për një reagim emocional, por për një qëndrim të ndërtuar mbi argument, vizion dhe dinjitet. Kërkesat për lirimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk shprehen me gjuhën e zemërimit, por me fjalën e arsyes; jo me thirrje të çastit, por me apel të qëndrueshëm ndaj drejtësisë dhe ligjit ndërkombëtar.

Ky nivel i lartë ndërgjegjeje qytetare e ngre diskursin shqiptar në një plan të ri — në planin e atyre shoqërive që dinë të mbrojnë të drejtën e tyre jo përmes retorikës së konfrontimit, por përmes forcës morale dhe kulturës demokratike. Kështu, çdo tubim bëhet jo vetëm një akt solidariteti, por edhe një mësim për mënyrën se si ndërtohet dhe ruhet dinjiteti kombëtar në kohë sfidash.

Ndiej një ndjenjë të thellë krenarie teksa shoh se jehona e tubimit në Tiranë po përhapet me shpejtësi dhe me natyrshmëri, duke kapërcyer kufijtë e një ngjarjeje të zakonshme politike për t’u shndërruar në një lëvizje të gjallë qytetarie e vetëdijeje kombëtare. Ky tubim, në vetvete, po dëshmon se shqiptarët, kudo që janë, kanë arritur pjekurinë e duhur demokratike për të artikuluar kërkesat e tyre me dinjitet, paqe dhe argument.

Ai po bëhet shembull i bashkimit në veprim, i asaj force të heshtur që lind nga respekti për të drejtën dhe nga besimi se drejtësia nuk fitohet me zhurmë, por me qartësi, këmbëngulje dhe kulturë demokratike. Pjesëmarrësit e tij nuk po flasin vetëm në emër të një kauze politike, por në emër të një të vërtete historike, në mbrojtje të dinjitetit të atyre që sakrifikuan për lirinë që sot e gëzojmë.

Dhe në fund, ndërsa e shikoja këtë organizim që po përhapej me aq natyrshmëri e harmoni, nuk mund të mos reflektoja me mirënjohje e emocion: Sa mirë, sa bukur është kur fjala bëhet urë që lidh njerëzit, kur zëri i arsyes dëgjohet përtej kufijve dhe kur kërkesa për drejtësi shprehet me argumente, jo me zhurmë. Në këtë frymë, ky tubim nuk është vetëm një ngjarje — është një dëshmi e gjallë se një popull i pjekur di të mbrojë të drejtën e vet me forcën e fjalës dhe me dinjitetin e paqes.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe mbetet një ushtri e lindur nga gjiri i popullit të vet. Ajo nuk ishte një strukturë e imponuar, as një organizatë e motivuar nga ambicie individuale apo ideologji të huaja, ajo ishte vetë zëri i një populli që për shekuj ishte nëpërkëmbur, i një populli që më në fund vendosi të ngrihej për të mbrojtur dinjitetin dhe ekzistencën e tij. Në esencë, UÇK-ja përfaqësonte ndërgjegjen e lirisë, mishërimin e vullnetit kolektiv për t’i dhënë fund padrejtësisë historike.

Për këtë arsye, duhet thënë hapur dhe me bindje se ajo nuk ishte e kriminalizuar, as atëherë dhe as sot. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është jo vetëm keqlexim historik, por edhe mohim moral i sakrificës së mijëra burrave dhe grave që dhanë jetën për liri. Mbrojtja e UÇK-së nuk është vetëm mbrojtje e një periudhe të caktuar historike; ajo është mbrojtje e vetë të vërtetës, e kujtesës kolektive, e dinjitetit të një populli që diti të qëndrojë edhe në momentet më të errëta të historisë së vet.

Prandaj, duhet thënë dhe rithënë, kërkuar dhe rikërkuar, dëshmuar dhe ridëshmuar, sa herë që paraqitet nevoja — qoftë një herë, qoftë një milion herë. Sepse e vërteta historike, ashtu si liria, nuk duhet mbrojtur vetëm një herë. Ajo kërkon përkujdesje të vazhdueshme, kujtesë të gjallë dhe guxim moral për të kundërshtuar çdo tentativë për ta shtrembëruar.

UÇK-ja është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe dëshmi e faktit se liria nuk u dhurua, por u fitua me sakrificë. Dhe për këtë, brezat që vijnë kanë për detyrë jo vetëm ta kujtojnë, por ta mbrojnë atë të vërtetë — me argument, me dinjitet dhe me besim në drejtësinë e historisë.

Duhet thënë hapur, me qartësi dhe pa asnjë hezitim: të gjithë shqiptarët, kudo që janë — në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ulqin, në Preshevë, por edhe në diasporën e gjerë — kanë përgjegjësinë morale dhe kombëtare për të ruajtur dinjitetin e përbashkët dhe për të mbrojtur të vërtetën historike të tyre duke dal në protesta.

Ka shumë mënyra për ta bërë këtë, sepse mbrojtja e së drejtës nuk është vetëm akt politik, por edhe detyrë qytetare dhe njerëzore. Secili mund të japë zërin e vet, në mënyra të ndryshme — përmes fjalës, penës, artit, organizimit qytetar, përmes përfshirjes në debatet publike apo pjesëmarrjes në nisma që kërkojnë drejtësi. E drejta për të mbrojtur të vërtetën është një e drejtë themelore demokratike, e cila bëhet më e fortë kur shprehet me qetësi, me argumente dhe me qëndrueshmëri.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka emër dhe histori, nuk mund të trajtohet si një subjekt i zakonshëm politik. Ajo është simbol i rezistencës kombëtare dhe i sakrificës kolektive për liri. Mbrojtja e emrit dhe e vlerave të saj nuk është nostalgji, por akt ndërgjegjeje — një kujtesë e gjallë se liria e sotme është ndërtuar mbi gjakun e atyre që nuk pranuan nënshtrim.

Prandaj, është koha të mendojmë për mënyra të reja, të qytetëruara dhe të efektshme për ta përcjellë këtë mesazh në qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Pse të mos organizohen tubime të mëdha, me kërkesa të artikuluara qartë dhe me përfaqësim dinjitoz, para institucioneve globale që kanë ndikim në fatin e drejtësisë ndërkombëtare? Një zë i bashkuar, i ndërtuar mbi fakte, kulturë dhe argumente, mund të depërtojë edhe në veshët e shurdhër dhe në sytë e atyre që deri tani kanë zgjedhur të mos shohin.

Sepse heshtja është dëm për të vërtetën, ndërsa fjala e drejtë, e thënë me dinjitet e vendosmëri, është ura që lidh popujt me historinë e tyre të drejtë dhe me dinjitetin që askush s’mund ta mohojë.

Aq më tepër sot, në kohën në të cilën jetojmë, nuk është aspak e vështirë që, në mënyrë të organizuar apo edhe individuale, të shprehim zërin tonë përmes mjeteve moderne të komunikimit. Shkrimi dhe dërgimi i letrave, artikujve apo kërkesave tona në mediat elektronike është një mundësi reale dhe e arritshme për secilin prej nesh. Teknologjia e ka bërë të mundur që fjala të mos mbetet brenda kufijve të një hapësire të vogël, por të përhapet gjerësisht, të dëgjohet e të krijojë jehonë.

Dikush mund të thotë se një akt i tillë është i vogël, i parëndësishëm në përmasat e mëdha të çështjeve kombëtare. Por historia na ka mësuar se pikërisht nga këto gjeste “të vogla” lindin lëvizjet e mëdha. Një fjalë e shkruar me bindje, një mesazh i dërguar me qëllim të mirë, një ide e artikuluar me argument, mund të bëhet fillesa e një orteku që ndryshon perceptime, që zgjon ndërgjegje, që nxit veprim.

Në thelb, nuk kërkohet heroizëm i jashtëzakonshëm, por përkushtim i qëndrueshëm. Një shoqëri që di të flasë, që di të artikulojë me përgjegjësi mendimin dhe kërkesat e saj, është një shoqëri që di të mbrohet. Prandaj, edhe një letër, një postim, një reagim publik, kur vjen nga ndërgjegjja qytetare dhe kombëtare, ka vlerën e një guri të vogël në ndërtimin e një ure të madhe drejt drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar.

Në fund të fundit, ortekët e mëdhenj, siç do të thoshte dikush me urtësi, krijohen nga copëzat më të vogla të borës — nga përpjekjet e përditshme, të sinqerta, të atyre që nuk rrinë duarkryq përballë padrejtësisë, por e dinë fuqinë që mund të ketë fjala kur buron nga e vërteta.

Prandaj sot, më shumë se kurrë, nga çdo qytetar i Kosovës, i Shqipërisë, i Maqedonisë së Veriut, i Malit të Zi dhe i Luginës së Preshevës, duhet të dëgjohet një zë i vetëm, një thirrje e përbashkët që përshkon hapësirat tona kombëtare: të jemi një. Të jemi bashkë në qëndrim, në dinjitet dhe në përkushtim për të mbrojtur ata që dikur mbrojtën lirinë tonë.

Kjo nuk është thjesht një thirrje emocionale, por një domosdoshmëri historike dhe morale. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishin mercenarë, por bij e bija të një populli që për shekuj kishte jetuar nën shtypje dhe që në fund vendosi të ngrihej për dinjitetin e vet. Sot, kur ata po përballen me procese që synojnë ta zbehin të vërtetën e luftës çlirimtare, është detyrë e secilit shqiptar, kudo që ndodhet, të ngrejë zërin për drejtësi.

Le të dëgjohet kjo thirrje nga çdo qytet dhe çdo fshat, nga Tiranë e Prishtina, deri në Tetovë, Ulqin e Preshevë — sepse mbrojtja e vlerave të UÇK-së është mbrojtje e vetë kujtesës sonë historike. Ajo është dëshmi se shqiptarët, pavarësisht kufijve shtetërorë, mbeten të bashkuar kur bëhet fjalë për të mbrojtur të vërtetën, lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

Dhe le t’i tregojmë botës, me qetësi dhe me vendosmëri, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka emër — një emër që nuk fshihet pas propagandës e as deformohet nga padrejtësitë, sepse është gdhendur në historinë e popullit tonë me gjakun e sakrificës dhe me dritën e lirisë.

16 tetor 2025
Prishtinë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.