
Arben Çokaj
(Krenari në zbrazëti)
Thonë se Fishta ka thënë pak a shumë: “Krenaria është një gja e damshme, por fatkeqësisht shqiptarët nuk kanë asgja tjetër”.
Edhe pse në kohën e Fishtës punët kanë qenë më keq se sot, prapë sot kur e sheh, shqiptarët janë popull i trashë. Nuk na ndihmon kjo edhe aq, as që shajmë veten, nuk na ndihmon aspak! Por si t’ia bëjmë?!
Shiko këtë konfliktin Izrael-Iran. Shumë shqiptarë edhe kalemxhinj e ruralista të fortë japin leksione se si duhet të jetë drejtësia në botë! Kaq ruralë ishin sirianët sa kur u detyruan të léshonin vendin e tyre dhe erdhën në Gjermani, filluan të thonin: “oh si janë gratë gjermane kështu?!”
Pra, donin me i dhanë leksione grave gjermane si me u sjellë, si me qenë shkodranë të vjetër denbabaden, nga ata që janë ashtu që në kohën e turkut!
E kur Siria e rrëzoi Assadin, e u thanë sirianëve kthehuni, atyre nuk po u pëlqente shumë të ktheheshin, edhe pse gratë gjermane vazhdonin të silleshin ashtu si më herët.
E pse janë krenarë shqiptarët?!
Sepse janë krenarë turko-arabët… krenarë që na pushtoi turku e na islamizoi e tani pa ditë gja, i japim mend gjithë botës, edhe Amerikës që na mbron!
Pse?! Po na vjen keq more me e rrëzua diktaturën islamike të Iranit. Qoftë larg këta urbanista e ruralë të fortë mos e kanë quajtë gabim edhe kur Amerika me B-2-shat e saj e bombardonte Serbinë për çlirimin e Kosovës… (?!)
Çfarë nuk pret nga këta lektorë të zgjuar, që shtet nuk kanë, e mend i japin gjithë botës…
Shqipëria e shqiptarët duhet të shohin interesat e veta e të shtetit të tyre! Të jenë determinista, të bëjnë vendin e shtetin e tyre të jetueshëm, e pastaj e kuptojnë se nuk është e lehtë as me dhanë mend! Aq më tepër kur je i vogël, e nuk të dëgjon kush!
NE DUHET TË SHOHIM INTERESAT TONA E TË MBAJMË ANË ME ATA QË NA MBAJNË!
Senatori Cruz tha: “unë votoj për sulm mbi Iranin, nëse Irani përbën kërcënim për SHBA-të”.
Kjo nënkupton se Amerika – shteti më i fortë në botë nuk tallet, i merr gjërat seriozisht e sheh interesat e saj. Kjo tregon edhe statusin e shtetit.
Ne shqiptarët nuk e kemi as edhe 1 avion luftarak, tallemi me të gjithë si hokatarë, dhe nuk shohim interesat tona, se na mbron NATO e Amerika, por duam të vëmë drejtësi në glob?! A jemi ne të qartë se çfarë m. po kërkojmë?!
Bota nuk është e drejtë, prandaj mbahet anë me atë që të intereson, kur je ende me mendje në kokë, e nuk përdor ironi për gjithçka!