Zyrtarë të lartë të Klubit Futbollistik “Llapi” të Podujevës, ditë më parë kanë konfirmuar kalimin e sulmuesit më të mirë të skuadrës së tyre dhe të Super Ligës së Kosovës, Muhamet Hyseni në AC Horsens të Danimarkës.
Shkuarja e Hysenit në klubin danez ka lënë boshllëk të madh në ekipin e Llapit, ngase ai aftësitë e tij prej futbollisti të talentuar dhe golashënuesi të spikatur i dëshmoi edhe në reprezentacionin e Kosovës. Andaj me të drejtë është menduar zëvendësimi i tij, me ndonjë talent të rinj.
Pakush ka menduar që Arlind Batatina 18 vjeç i lindur në Bernë të Zvicrës,me gjasa të mëdha që një të ardhme të afërt të luajë në “Young Boys” të Bernës ose të paktën me me grupmoshat e juniorve të Zvicës,pa imponim e kërkim kushtesh shfaqi dëshirë që të luajë në Llapin e Podujevës, nga është edhe etnogjeneza e familjes së tij.
Batatina ende i njomë posedon aftësi të jashtëzakonshme në zotërimin e topit. Ai po ashtu ka shpejtësi të duhur dhe është driblues i shkëlqyeshëm. Një element tjetër që nuk e kanë të gjithë sulmuesit janë edhe shkëputjet e tij impresionuese në ajër dhe gjuajtjet sikur prej katapulti me kokë. Arlindi ishte golashënuesi më i mirë në skuadrën juniore të FC. Koniz të Bernës.
Ai para disa ditëve ka mbushur moshën madhore dhe menjëherë në adresë të tij, kanë shkuar oferta të shumta nga Klube të njohura të Turqisë dhe Skocisë, si dhe thirrje speciale për t’u testuar edhe në klube të njohura të Brazilit.
Mirëpo, Batatina një talent i rrallë i futbollit edhe pse i vërshuar prej ofertash nga skuadra të Evropës, Azisë dhe Amerikës latine, në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’i thotë – jo FC. Llapit, djep i futbollit shqiptar.
I pyetur se a mund ta përballojë sistemin e lojës në Super Ligën e Kosovës dhe a druan nga ndonjë lëndim i mundshëm thotë “Mendoj që edhe në Kosovë, kanë ndërruar gjërat për të mirë” Dihet që futbolli luhet për t’u dhuruar kënaqësi futbolldashësve dhe vetvetes, andaj duhet treguar cilësi e jo brutalitet dhe ndërhyje të ashpra, me çfarë mund ta kthejmë fare lehtë futbollin në rugbi apo xhudo dhe ta lëndojmë lojtarin kundërshtar “Kuptohet që lëndimet janë të mundshme por në asnjë mënyrë ato s’ bënë të jenë të qëllimshme”
Arlindi përshtatjen në rrethin e rinj nuk e sheh si problem. Ai qysh si fëmijë e ka vizituar së paku katër- pesë herë gjatë vitit vendlindjen e tij.
Si familja e të atit Bejtës, ashtu edhe ajo e së ëmës Linditës, janë familje me numër të madh të rinjsh, ku Arlindi, ka bashkëmoshatarë të shumtë, me të cilët mund ta kaloj kohën e lirë.
Rreth gjasave për aktivizim në 11- shin e parë të Klubit Futbollistik Llapi të Podujevës, shprehet “Unë do të angazhohem maksimalisht në ushtrime se a do të jem pjesë e ekipit të parë vendosin trajnerët e skuadrës”.
Arlind Batatina, një çun i padjallëzuar dhe me një edukim shembullor e meriton përkrahjen dhe respektin si nga Shtabi Teknik i KF. Llapi, ashtu edhe nga bashkëlojtarët e tij.
ARIF EJUPI