KOSOVA NËN ETHE NGA VEPRIMET E DYSHIMTA TË HARADINAJT

0
Edi Rama - Ramush Haradinaj

IDRIZ ZEQIRAJ

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka shtuar dozën e retorikës me akuzat dyshuese për sjelljet e Albin Kurtit, “në shërbim të Serbisë dhe të Rusisë!” Ka përmendur një veturë, një vajzë, një batanije. Por, deri me sot asgjë e faktuar.

Dhe, kjo konsiderohet si një shpifje, në luftën rivale pushtetare. Ka vazhduar akuzat për hezitimet, më saktë, kundërshtimet e Kurtit, për t’i aprovuar e ligjësuar marrëveshjet e dëmshme, deri në tradhti, të nënshkruara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Megjithatë, Albini ka mbështetjen e LVV dhe të shumicës absolute të shqiptarëve.

Haradinaj fitoi simpati, kur ngulmoi në refuzimin e Demarkacionit. Madje u përball me një gjeodet pakurrizor të Hashimit, duke e fyer panatyrshëm atë. Ndonëse ishte në kahjen e drejtë, njerëzit e justifikuan.

Papritmas Ramushi ndryshoi mendje. Ndoca prokurorë amerikanë zbritën në Kosovë. Cak i hetimit ishte Hashim Thaçi me komandantët e tij, për ca “të bëma”, gjatë dhe pas luftës, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Si mjeshtër i intrigimeve, Hashimi, duke qenë edhe i shantazhuari i parë me dosje të prgjakshme, i manipuloi edhe komandantët e tij, nga LPK, me bazë ideologjike enveriste-staliniste. Në mesin e tyre ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili ndryshoi mendje, u pajtua për votimin në Parlament të Demarkimit të kufirit, duke i falur Malit të Zi 8.200 hektarë tokë.

Si zbutje e amortizim të kësaj humbje të dhimbshme, Haradinaj mashtroi me krijimin e një komisioni, kinse, dialogues, verifikues e ndryshues të vendimit. Shkak ishte mbamendja e trashëguar dhe shfrytëzimi ndër shekuj nga banorët e trevës të Rugovës dhe të fshatrave rrenzë, poshtë Zhlebit. Realisht, asgjë nuk arriti të ndryshojë dhe Qeveria e Malit të Zi, e deklaroi të mbyllur çështjen e Demarkimit të kufirit në mes të dy shteteve fqinjë.

Tandemi Hashim Thaçi-Edita Tahiri mashrtonin popullin e Kosovës se “po bëjmë vetëm dialog për çështje teknike. Por, rezultoi se ishte tërësisht politik, duke bërë marrëveshjen e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, respektivisht, “Zajednicën”, të tipit “Republika Srpska” të Bosnjes. Hashimi duke qenë i shantazhuar nga Serbia dhe i kontrolluar nga agjenti freng, Arnaud Danjean, shef i Shërbimit sekret të DGSE, i mbështetur nga komandantët qendrorë e lokalë të tij, këmbente poste të ndryshme, për të siguruar vota të deputetëve, për ratifikimin e marrëveshjeve fatale për Kosovën.

Isa Mustafa i katapultuar nga Hashim Thaçi dhe SHIK-u i tij, në krye të LDK-së, pa e përfillur elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, grupin parlamentar, madje as Kryesinë e partisë, vetëm me klanin e tij, rrethin vicioz brenda Kryesisë, bëri tri kime radhazi, duke abuzuar votën e deputetëve, besimin e elektoratit të LDK-së, me votimin aklamativ në grup:

1) Demarkacionin me Malin e Zi;
2) Asociacionin e komunave me shumicë serbe;
3) Zgjedhjen e Hashimit president, edhe pse Presidenti Rugova kishte porositur “të mos lejohet ngritja e Hashimit
në poste të larta, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!”

Në vitin 1997, presidenti kriminel serb, Sllobodan Millosheviq, arbitrarisht, ia dhuroi 24 hektarë tokë-park publike, shtetërore të Kosovës, Manastirit të Deçanit. Më 2016, me porosinë-imponuese të Hashim Thaçit, Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me kryetare Arta Rama-Hajrizi, ia barti në pronësi kishës, duke e aprovuar dhe ligjësuar vendimin kriminal të Millosheviqit.

Të zellshëm dhe pa fije sensit të mases, në zbatimin e vendimit të kryekriminelit Millosheviq ngulmojnë edhe emisari Escobar, ambasadori gjerman Röhde, shefi i OSBE Michael Devenport dhe kolegë të tyre nga BE-ja, pavarësisht se ai ka përgjakur Kosovë e Ballkan! Dhe, kjo është njësoj sikur t`i kërkohet Evropës dhe botës, të aprovojnë planet pushtuese të Hitlerit të Luftës së Dytë Botërore!

Bartja e pronësisë nga poseduesi dhe kadastrimi një tjetri, në këtë rast, përdhunshëm, është kompetencë e pushtetit komunal. Ndërhyrja nuk i lejohet Prokurorisë dhe as Qeverisë. As Gjykata Ndërkombëtare nuk e obligon, sepse Kosova nuk është anëtare e saj. Të drejtën ekskluzive të bartjes të kadastrimit, nga një pronar tek tjetri, e ka autoriteti komunal.

Andaj, Kosova është në ethe, dyshon në ndërhyrjen e Ramushit tek komunarët, për ta bartur kadastrimin e 24 hektarëve në pronësi të Manastirit të Deçanit, pra, zbatimin e vendimit të Mollosheviqit, të vitit 1997. Sepse ka dhënë një provë të mashtrimit të madh: “Për të gjallë nuk e jap Qafën e Çakorrit dhe Kullën e Zhlebit”. Por, ai dhe partia e tij nuk e mbajtën premtimin e dhënë publikisht. Dhe, abuzoi me besimin e shqiptarëve, duke ia kontrabanduar, arbitrarisht, të paktën, 8.200 hektarë tokë: kullota, male dhe bjeshkë me stane verore, shtetit fqinjë, Malit të Zi!

Doajeni i gazetarisë kosovare, Bajrush Morina, i cili po i mungon Kosovës, qoftë me shkrime, qoftë me analizën e tij të pjekur e profesionale, duke përcjellur pazaret e pista të tandemit Thaçi-Edita, një dekadë më parë, pati shkruar: “Plaka Editë sa herë kthehet nga Brukseli, nga një gjëmë ia sjell Kosovës”.

Ramush Haradinaj dhe opozita tjetër i pati premtuar Qeverisë dhe Kurtit, se do të jenë të bashkuar, në përballjen me kërkesat alogjike e absurde të Serbisë, për pretendimet e saj, për të qenë hisedare në Kosovë. Por, mashtroi. Nga Amerika, afro tre vjet më parë, akuzoi Albinin për kryeneqësi e mosbindje, për të bërë kompromise me Serbinë, qofshin ato edhe të dhimbshme!

Njëjtë veproi edhe Avdullah Hoti, i cili, nga selia e “Zërit të Amerikës” mori zotime se “ne, opozita e bëjmë Asociacionin edhe pa Kurtin dhe Qeverinë e tij!” Kjo trimëroi Serbinë, për ta “ngritur pazarin” e kërkesave dhe ndërkombëtarët – njëherësh, ndaj Kosovës si dhe për ta sulmuar dhe linçuar Qeverinë dhe kreun e Vetëvendosjes. Ndërkohë që Vuçiqi u kërcënua, më 15 gusht 2020, për cenim të tokës të Manastirit, Hoti, më 16 gusht 2020, urdhëroi hapjen e “bypass”, anashkalimin e rrugës ekzistuese, shekullore. Dhe, bulldozherët hapën rrugën, të cilën e diktoi Vuçiq, duke treguar në letër një vizatim rrugor të Hashimit, prapa 24 hektarëve të Manastirit!

Domëthënëse është se në lutjet tradicionale amerikane, të fundit, ishin të ftuar, pikërisht, Haradinaj dhe Hoti. U kthyen me sulme provokative e, ndoshta, edhe shpifëse. Ramushi e pranoi Draft-statutin franko-gjerman, ashtu siç është dhe i bëri thirrje Kurtit ta aprovojë. Dhe, kjo na kujton ato gjëmat e Editës, të cilat i përmendë Bajrushi ynë.

Është krijuar opinion i bazuar se Ramush Haradinaj po e mbanë peng Kosovën:

1) Më 2019 ishin 46.300 veteranë, të vërtetë dhe të rrejshëm. Ky numër pas 8 vitesh ka arritur në 53.500. Prej tyre, sipas statistikave të komandantëve të përgjegjshëm, të paktën, 40.000 janë “veteranë” të rrejshëm. Edhe pse prokurori i dinjitetshëm dhe me integritet, Elez Blakaj, me ekipin e tij juridik, i seleksionoi 19.500 të rrejshëm, Haradinaj, atëherë kryeministër, i ktheu përsëri në listat e veteranëve! Ishin tri kategori, Ramushi i barazoi të gjithë në trajtim të njëjtë, me pagesë të njëjtë, paushalle, duke i bashkuar kategoritë në një: “Veteran i UÇK-së”, duke shkelur ligjin e kategorizimit të veteranëve! Ky është mashtrim i madh dhe i kushtueshëm financiar, por edhe falsifikim politik, me dyshimin e krijimit të klientelës elektorale.

Sipas Gjeneral Spiro Butka, kryetar i Shoqatës të OVL të UÇK-së, për Shqipëri, thotë se ka dorëzuar listën emërore, komplete të 186 luftëtarëve pjesëmarrës nga Shqipëria, në Luftën e Kosovës, përfshi edhe bartësit e armëve. Por, tani, janë 3.000 që marrin pensionin e veteranit! Dhe, ky numër vazhdon të rritet. Ai përmend emra komandantësh matrapazë, shitës të “dëshmive të veteranit”, nga udhëheqja e OVL të UÇK-së (të Kosovës) dhe bizneset e tyre nga Kukësi, Tropoja deri në Tiranë.

Kolonel Dilaver Goxhaj, jep shifrën prej 129 luftëtarësh, duke shënuar emër e mbiemër, fshatin apo qytetin në Shqipëri dhe zonën e njësinë ushtarake në Kosovë.

Kurse oficerët nga Shqipëria, pjesëmarrës në luftën e Kosovës, fillim e mbarim, i pranojnë të mundshme shifrat e kolegëve, por këto janë regjistrime fillestare. Ndërsa shumë syrësh janë larguar shpejt dhe pa shprazë asnjë plumb. Ndërkohë që, sot, u garantohen, falsifikueshëm, pension i përjetshëm i “veteranit!” Realisht, numri u luftëtarëve nga Shqipëria ka qenë sombolik,- rrëfejnë ata, si dëshmitar okular, faktik.

Pra, abuzimi është shumë milionësh, është hajnia më e madhe zyrtare, është turpi më i madh i të gjithë atyre shitës-blerësve të “Dëshmive të veteranit”, i të gjitha qeverive dhe të qytetarëve të Kosovës, të cilët e heshtin këtë makro-hajni!

Por, i akuzuari i parë është Ramushi, i cili e ka favorizuar shumëzimin e veteranëve të rrejshëm dhe e ka penguar seleksionimin, spastrimin e listave nga “veteranët” e rremë. Pra, edhe këtu Ramushi mashtron.

Komisioni Verifikues në gjykim, ka fajësinë e madhe, sepse i ka bërë shqiptarët mercenarë. “Kush i ka dhënë ushtarit një gotë ujë, është veteran”, – thotë kryetari i këtij Komisioni, Gjeneral Agim Çeku. Mbrojtja e Atdheut nuk është as honorar dhe as sakrificë. Por, është detyrë, obligim. Gjyqet për veteranët e rrejshëm, janë marrëzi, sepse, nuk mjafton as shekulli, për t`i pastruar listat falsifikuese kriminale!

Ndërkohë që, verifikimi dhe spastrimi i listave, mund të bëhet brenda ditës, ose, së shumti, brenda javës. Renditja emërore alfabetike në nivel Kosove, është e qëllimshme, fshehje e gjurmëve të falsifikimit. Listat duhet të jenë për çdo lagje, për çdo fshat, për çdo komunë ndaras. Luftëtarët e lirisë i njeh lagja, fshati, komuna. Shteti ka strukturën, Shërbimin e Informativ, gjithçka hetohet e mësohet gratis, sepse shteti paguan jo pak për këto struktura.

Shkurt e trup, “komandantët” falsifikatorë vazhdojnë ta pengojnë spastrimin e listave.

2) Ramush Haradinaj ka bërë mashtrimin e madh kur thotë për 200 hektarët tokë shtetërore, “janë të babës tim?!” Reforma agrare është bërë me themelimin e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, më 1918. Ndërsa komunizmi ka filluar konfiskimin e tokave, pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht, familjeve të deklasuara nacionaliste, më së shumti deri në 12 hektarë. E mbaj mend goditjen tonë familjare në vitet `50-a, konfiskimin e tokës dhe burgosjet politike, të filluara në vitin 1945, dhe anëtari i fundit të familjes tonë të madhe është liruar nga burgu në vitin 1992!

Babai i Ramushit nuk ka qenë as i pasur dhe as i politikës. Do të ishte në nderin e Ramushit dhe të gjithë të tjerëve, që përfituan privatizime enorme, të japin shembullin personal dhe gruporë, duke ia dorëzuar shtetit të Kosovës, përkatësisht, – Fondit Sovran -. Pavarësisht se si janë privatizuar këto toka, shteti obligohet të kompensojë, kthejë paratë dhe investimet e bëra në këto toka nga blerësit.

Këto toka do të administroheshin nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, Drejtoria e Burgjeve, duke lehtësuar shpenzimet për të burgosurit. Tokat do të punoheshin nga të burgosurit. Përvoja amerikane është funksionale, në shfrytëzimin, angazhimin në punët bujqësore të burgaxhinjve. Në njërin nga librat e tij, Balzaku thotë: ” Burgu është sintezë e të gjitha poshtërsive”. Kjo nuk vlen për të burgosurit politikë, të cilët, fatmirësisht, nuk ekzistojnë në sistemin demokratik të mirëfilltë.

3) Vettingu vazhdon të pengohet nga partitë e koalicionuara në PAN. Në vend që t`i kërkojnë ndjesë popullit të Kosovës, për rrënimin, me fund, të Sistemit të Drejtësisë, PAN-i vazhdon ta pengojë Vettingun. Kjo dëshmon se diçka fshehin “komandantët”. Pjesë e kësaj fajësie është edhe Ramush Haradinaj, në mos për asgjë tjetër, për heshtjen hiç fisnike. Borxhi i parë ndaj dëshmorëve të Atdheut, është ndërtimi i shtetit ligjor, luftim i i krimit dhe korrupsionit, më saktë, hajnisë zyrtare.

Vrojtuesit e vëmendshëm të jetës sociale e politike në Kosovë, kur është fjala për Sistemin e Drejtësisë, lakojnë dy emra të përveçëm: Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinaj, për kapjen e Drejtësisë, duke i punësuar militantët e tyre partiakë në Prokuroritë dhe Gjykatat qendrore e lokale, madje pa kurrfarë kriteri profesional! Prandaj, edhe rezistenca e mbrojtjes së tyre nga PAN-it, është e sforcuar dhe kriminale. Një shembull domëthënës është Gjykata Kushtetuese, kolegji i gjyqtarëve, të prirë nga Arta Rama-Hajrizi, me porosinë-imponuese të drejtëpërdrejtë nga Hashim Thaçit, i shantazhuar me dosje kriminale, zbatoi vendimin e kryekriminelit Millosheviç, për t`ia kontrabanduar në pronësi 24 hektarë tokë, me një Fabrikë dhe një Hotel, me 10 objekte shoqëruese, Manastirit të Deçanit.

Dhe, sot, Kosova është pykuar nga ndërkombëtarët, e ndihmuar nga hafijet shqipfolës të Serbisë, këlyshër të Hashimit dhe opozita skandaloze, e cila, si dhelpra, pret “rënien e Boleve të Dashit”, për ta rimarrë pushtetin e humbur meritueshëm, më 14 shkurt 2021!

Zbatimi i vendimit të kriminelit Millosheviq, nga Hashim Thaçi, duhet të bëhet mësim i madh për shqiptarët, që politikanët e shantazhuar të mos kenë kurrë pozita vendim-marrëse, pozita shtetërore apo pushtetare.

4) Parlamenti i Kosovës, respektivisht, deputetët e zgjedhur, duhet të bashkohen për çështje kruciale, shtetërore. Edhe pse shumë i vonuar, Parlamenti i Kosovës duhet t`i shpallë jo valide vendimet e Sllobodan Millosheviqit, ashtu siç thotë edhe OKB-ja “nga viti 1990-1999”, madje i dublon, duke i quajtur “nul-zero”. Pra, kur OKB-ja e thotë këtë, atëherë pse Parlamenti i Kosovës i heshtë, madje, janë shtuar zëra, sidomos nga kuadro të PAN-it, se duhet zbatuar vendimi i vitit 1997 i Millosheviqit, për t`ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, përfshi edhe mbylljen e rrugës klasike, “prej se ka mbi lisi”, – siç thotë populli. Aq më keq se ajo po bëhet rrugë rajonale, që lidhë tre shtetet fqinjë: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri.

5) Po ashtu duhet të shpallën jo valide të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga Hashim Thaçi, pasi, tashmë, dihet se ai ishte rekrutuar nga Shërbimi Informativ francez, natyrisht, për interesa të Serbisë, sepse rekrutuesi, agjenti Arnaud Danjean, është dhëndër i Serbisë.

6) Kushtetuta e Kosovës e ndalon Asociacionin njëetnik, sepse Kosova, sipas Kushtetutës, është multietnike. Dhe, për këtë këmbëngulës kanë qenë ndërkombëtarët. Kjo mjafton për t`i stopuar SHBA dhe BE, që të heqin dorë nga kjo kërkesë joligjore, madje shumë provokative, duke e ditur, paraprakisht, qëllimet e errëta, kriminale aneksuese të Serbisë.

Fundja, lë të bëhet një Asociacion i komunave me shumicë të minoriteteve, përfshi edhe Mamushën, me dominim të komunitetit turk dhe Dragashin, me komunitetin e përzier boshnjako-goranë. Dhe, Draft-statuti është i gatshëm, njësoj si Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare, me të vetmin ndryshim: Asociacioni nr. 2, i komunave me shumicë të minoriteteve në Kosovë. Lë të këtë monitorim nga OSBE, si organizatë vëzhguese e përhershme në Kosovë.

Për fund, përdorimi pa kriter i shprehjes bajate “Albini është – mashtrues -“, nga Ramushi dhe opozita e çoroditur PAN-iste, është bumerang për vetë ata. Sepse faktet po dëshmojnë ndryshe. Vërtet, Albini ka premtuar, por nuk ka realizuar një duzinë çerdhesh dhe ndoca pallate për çiftet e reja martesore. Por, milionat i ka të deponuara, të gatshme në Arkën e Shtetit. Dhe, nëse është prioritet ndërtimi i tyre, edhe ato mund t`i realizon. Bilëz, teprojnë edhe për ndërtimin e Autostradës të Dukagjinit, e cila, gjithsesi, ka parësinë e asaj të Prizren-Tetovë.

Por mashtrimet e Ramushit me aleatët e opozitës janë miliona shumë-shifrorë, të cilat jo dekadat, por as shekulli nuk mund t`i kompensojë! Kësaj i thonë “ta humbasësh rrugën në oborr”!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.