Fejton
Sot ndjeva se pushteti i dalë nga bota e krimit, siç e treguan “bathët e 14 majit”, në mos ka ngordhë është në grahmat e fundit…
Jam sepse Bardh Spahia tha të vërtetën më të madhe të këtyre tri dekadave “demokraci”.
Ai tha:
“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit nuk jeton gjatë!”
Unë e kam jetuar pushtetin e dalë nga bota e krimit.
E kam jetuar dhunshëm fizikisht.
E kam jetuar dhunshëm psikologjikisht.
Jam përgjakur në mes të ditës, mbi tavolinën e punës së gazetarit.
Jam dhunuar në të gjitha format, deri në kërcënim për rrëmbimin e fëmijëve, dritës së jetë së njeriut.
E kam jetuar më 26 maj 1996 kur falangat e botës së krimit, falangat e Berishës dhe Hajdarit hodhën si të vdekur, pasi e rrahën barbarisht kryetarin e Partisë Socialiste të Bulqizës.
Dhe kur mësuan se e kishte ringjallë një plakë ostrenase dhe e kishte dërguar në shtëpi shkuan në mesnatë, e morën me dhunë dhe e plasën në çimenton e ftohtë të burgut të Bulqizës.
Nuk e çuan në spital që të mjekohet.
E ka jetuar këtë i gjithë vendi kur dy ditë pas zgjedhjeve të 26 majit 1996 Sheshi “Skënderbeg” u la në gjak.
Dhe mos më thoni se në Shqipëri nuk ka “fjalë të lirë”.
Më lirë se sa ta thuash fjalën publikisht, në të gjitha rasat mënyrat dhe kohët nuk ka ku shkon.
Më kujtohet mëngjesi i 26 majit 1996 kur hyra në qendrën time të votimit në Peshkopi, kur më kapën dhe më fluturuan jashtë, kur një gjyqtar nga ata të “plepave” më ndoqi me gurë (e kam të fiksuar në fotografi ashtu siç kam të fiksuar falangën e krimit përpara qendrës së votimit).
Kush shkruante e priste shkopi i gomës, dhuna fizike e psikologjike. Pyesni për këtë Muharrem Mekën, Martin Lekën, Nikoll Lesin, që i dogjën gazetën “Koha Jonë”, Bardhok Lalën që e hodhën në ferra si të vdekur, Fatos Mahmutajn që mori plumbin e 21 janarit…
Sot, tek ndiqja kanal më kanal televiziv vajza të bukura e djem të çiltër të përcillnin nga cepi më cep i vendit rezultatet e zgjedhjeve, thjesht dhe qartë, me armën e vërtetësisë mbushur plot, e në një rast të anashkalonin kërkesën e moderatores së një televizioni ekstrem që të gjende “ndonjë fletë votimi të parregullt”… u ngroha me shpresën se ëndrra ime si gazetar në gjashtë dekada të jetës për të qenë i lirë po merr rrugë të mbarë…
Unë u detyrova të iki duke lënë pas në këto 27 vjet ikje krimet e mëdhenj të botës së krimit: firmat piramidale, Gërdecin, 21 janarin…
Bota e krimit në Shqipëri ka një KOKË mbi dy KËMBË zhytur kaq thellë në krim sa ka kap qendrën e tokës.
Sot ndjeva se pushteti i dalë nga bota e krimit, siç e treguan “bathët e 14 majit”, në mos ka ngordhë është në grahmat e fundit…
Abdurahim Ashiku
Gazetar
15 maj 2023