Sali Berisha – konferencë
Cila Liri Fjale u është cënuar vallë, pasi shajnë e kutërbojnë me fjalor rruge? Madje, ua kalojnë edhe atyre pijanecëve që gjithçka “ua nxjerr bardhaku” nëpër mjediset e ndryshme publike. Ashtu të bërë thumb nëpër pijetore partiake, ia futin njeri-tjetrit dhe i mbajnë iso Doktorit, që nesër do udhëheqë Revolucionin…
Kristo Mërtiri, 5 Shkurt 2023 – Shqiptarja.com
“Berisha nuk është as kampion i demokracisë dhe aq më pak kampion i patriotizmit. Ky Sali Berishë e la Shqipërinë pa shtet, pa polici, pa ushtri, pa zyra, pa banka. E prishi Shqipërinë aq sa, po të mos ishte Qeveria e Pajtimit, kushedi si do të shkonte. Kush i ka fajet kur prishet shtëpia ? I pari, i zoti i shtëpisë !…Dhe Saliu e la Shqipërinë ta qeverisë bota ! “Sali Berisha është tradhëtari më i madh i kombit shqiptar”. Këtë e ka thënë një luftëtar antifashist, që ka provuar shumë mbi kurrizin e tij. Pse po ikin qindra mijë shqiptarë nga ky vend ?…Janë 500 mijë që kanë ikur në emigracion.. Po të ishte bërë Shqipëria një mrekulli, sic thotë Berisha dhe ata që e quajnë ende “kampion të demokracisë”, ata do të qëndronin këtu dhe nuk do t’i hynin detit më këmbë e të përfundonin në kanalin e Otrantos…”.
26 vjet më parë, kur disa gazetarë shqiptarë në Perëndim lëshonin marrëzira, brockulla e këllira servilizmi pa kufi për Doktorin, Dritëroi ynë i madh foli shkoqur e pa frikë para opinionit publik të fyer, të vjedhur, të rrahur e të dëshpëruar gjer në kockë. Ishin ditët dhe netët kobzeza të ‘97-ës ! Ato që zezuan e sterrosën mjaft nëna e motra dhe vranë shpresën e besimin popullor nga Jugu në Veri. Dhe shteti do të binte si kuti kartoni. Pas kaq kohësh, “antirevolucionarët” e djeshëm na u kthyen të krekosur e cuditërisht si “revolucionarë” namusqarë të sotëm.
“Revolucionarë” që dalin nga vilat, apartamentet e veturat luksoze dhe zënë e “qajnë” me oi-oi për fukaranë, sa edhe mikrofonat e kamerat e instaluara non stop 24 orë fillojnë të djersijnë nga sikleti e emocionet taze. Dhe flasin e flasin pa pushim në emër të popullit dhe kërcënojnë nga maja e thanës ! Në fund, marrin frymë thellë, qërojnë grykën dhe bëjnë thirrje për…Revolucion (?). Militantët e verbër vrapojnë të sigurojnë ca thasë me miell rezervë për “kohë lufte”. Se shkurti shkurton urët e nuk bëhet shaka. Pa folur për marsin që ngre lëkurët !…
-“…Ne jemi në një betejë për fitoren, për të vendosur Pluralizmin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Jemi në një betejë që populli opozitar do ta fitojë”. Ja, si flasin qesimce në emër të “popullit opozitar”! “Popull” që vërtitet e përpëlitet edhe nën jorganin dimëror e rreth pyetjes fatlumë : Ka apo nuk ka Pluralizëm politik në mëmëdhe ? Si e “vodhi” Edi Rama këtë “fitore” të popullit opozitar me huqe e pa huqe ?
Dhe ligjërojnë përcart e të dehur nëpër të gjithë ekranet televizive e në mediat me bollëk e maskarallëk të paparë (Në një kohë kur unë me mbi 45 vite me penë në dorë, botoj me mjaft zor e telashe shkrime të ndryshme në media ?! ). Për cilin Pluralizëm bëjnë llogje Kavaje ? Cila Liri Fjale u është cënuar vallë, pasi shajnë e kutërbojnë me fjalor rruge ? Madje, ua kalojnë edhe atyre pijanecëve që gjithcka “ua nxjerr bardhaku” nëpër mjediset e ndryshme publike. Ashtu të bërë thumb nëpër pijetore partiake, ia futin njeri-tjetrit dhe i mbajnë iso Doktorit që nesër do udhëheqë Revolucionin. Ajo anekdota e mëhallaliut tim tiranas te Ura e Tabakëve, tregon shumë sot e kësaj dite :” Në rrugën “Fortuzi”, dikur dy policë arrestuan një qytetar. Prokuroria bëri punën e saj cyryke dhe ia la në derë Gjykatës.
– Kush të futi në burg ?, – pyeti gjykatësi.
– Policët që kini këtu në sallë, – u përgjigj i pandehuri.
– Këtë e di, po përse ? Mos vallë për shkak dehjeje ?
– Tamam, për këtë zoti gjykatës; që të dy ishim bërë thumb !”…
Dhe kjo nuk është thjesht një batutë për të qeshur e për të ngjeshur, nga një humor që nuk flet pak. Po gazetarët, a i llogarisin te istikamet e “popullit opozitar” ? Sigurisht, sidomos ai tabor i ndryshkur analistësh që u mban pishën dhe avazin demode me ngjyra të theksuara partiake. Dhe harrojnë që shkurti, shpesh të “shkurton urët” ( Aq më tepër që ngricat dhe acari i tanishëm, po harxhon shumë dru për zjarr nëpër oxhaqet e vilave dhe të apartamenteve luksoze në metropol; në Gjiri(z)in e Lalëzit; në Durrës, Vlorë, e Sarandë buzë detit me shkumë e tramundanë; në Dajt, Llogara; Theth e Dardhë dhe në trevën “lule vilajeti” të Himarës ku cakejtë me e pa pushtet (jo pa pushtetin e parasë së pistë, kallpe e pa djersë), kanë rrëmbyer toka pjellore e shterpa për Resorte e Hotele me shumë “yje” të zhytur kokë e këmbë nëpër shtigjet e brigjet korruptive shtetërore e private !).
Ndërsa mijëra e mijëra pensionistëve (djathtas e majtas) u dridhet dora dhe nuk guxojnë të ndezin sadopak ndonjë mjet ngrohës, por…mbulohen me batanijet e pazarit të “gabit” ! Të nesërmen, liderë-milionerët e partive i presin në bulevarde e sheshe këta fukarenj të ndershëm dhe u mbajnë fjalime “mallëngjyese” për Revolucionin. Mirëpo, jo të gjitha rrugët presin shkurt. Sepse në fund të fundit, këto lloj protestash janë ngritur mbi themele rëre. Aq më shumë që kjo botë e krokolepsur, ka edhe njerëz që i rëndojnë dheut me bëmat e gjëmat e tyre gjatë 3 dekadave katrahurë. Dhe vazhdojnë të na shesin hipokrizira me okë nga grazhdet familjare të pasuruara hajdutërisht nga gjaku dhe djersa e “popullit opozitar” !…
Doktori tashmë është provuar e sprovuar që shpesh mbjell grurë e i del thekër! Edhe këtë “revolucion” a thekër dimri, e mbolli në vjeshtë. Por ama dihet, vjeshta ka edhe gënjeshtra. Historikisht, populli “opozitar” e cdo shqiptar e di mirë : Nuk bëhet bakllava me miell thekre ! Largoni pasanikët kusarë të Polit(h)ikës lokale e qendrore dhe pastaj niseni tamam udhën e “humbur” të Pluralizmit ! Jo vetëm gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra. Vërtet oxhaqet e vilave i duan drutë të shkurtra, por vecanërisht në Shkurt, rruga e shkurtër të nxjerr më gjatë. “Hataja” që pritet në datën 11, i ka strukur më thellë mijërat e hallexhinjve të ndershëm, kur kujtojnë shtatorin ’98 ; flakët vullkanike të Gërdecit me 26 vetë të djegur e të pjekur për së gjalli; 21 Janari që përgjaku paturpësisht e poshtërsisht trotuaret e Kryeministrisë, me jetën e 4 burrave me duart në xhepa etj.etj.
Mëhallalinjtë e mi tiranas te Brryli, Shkolla e Kuqe, Medreseja, te Ura e Tabakëve e gjetkë, do të përkujtojnë jo pa krenari Shpalljen e qytetit të tyre të dashur, Kryeqytet i Shqipërisë ! Po kështu, përmes humorit e nderimit të vecantë, do të kujtojnë Mjeshtrin e papërsëritshëm tiranas të humorit origjinal, të paharruarin Skënder Sallaku. Sepse në 11 shkurt i mbylli sytë përgjithmonë. Pra, nuk mund të torollepsen nga shkarpat mitingashe të askujt që kërkon të ndezë zjarre politike për të rrethuar, mbrojtur e blinduar pasanikët vjedharakë të djersës e gjakut të popullit në Pluralizëm.
Dhe nuk harrohen lehtë ata që “mbjellin grurë e u del thekër“ !