Vdekja e autorit

0

Vasil Premçi

Reflektime mbi idetë e Roland Barthes-it

Në mesin e shekullit XX, bota akademike përjetoi një tronditje të madhe teorike. Në këtë periudhë, shumë nga themelet e mendimit letrar tradicional u vunë në pikëpyetje. Në këtë sfond kritik, Roland Barthes, një nga figurat qendrore të teorisë franceze, botoi esenë “Vdekja e autorit” më 1967. Ai hodhi poshtë idenë se kuptimi i një vepre varet nga qëllimi apo personaliteti i autorit. Sipas tij, në momentin që vepra publikohet, autori “vdes” metaforikisht dhe kuptimi i tekstit kalon në dorën e lexuesit. Kjo ide solli një përmbysje të madhe në marrëdhënien tradicionale midis autorit, veprës dhe lexuesit – marrëdhënie që ky reflektim synon të analizojë në mënyrë kritike.

Roland Barthes, në esenë e tij “Vdekja e autorit”, propozon që sapo një vepër letrare botohet, autori humb autoritetin përfundimtar mbi kuptimin e saj. Lexuesi merr rolin qendror dhe interpretimi bëhet një proces i hapur, subjektiv dhe i pavarur nga qëllimet apo konteksti i autorit. Kjo ide përmbys mënyrën tradicionale të leximit, ku autori shihej si burimi më i besueshëm për të kuptuar veprën.

Kjo qasje synon të çlirojë tekstin nga kufijtë e biografisë, ideologjisë apo pushtetit të autorit. Por ngre disa pyetje të rëndësishme: A është lexuesi i aftë të kuptojë thelbin e një vepre pa marrë parasysh qëllimin dhe përvojën e krijuesit? A mund të ndahet vepra nga autori pa humbur diçka thelbësore?

Për ta ilustruar këtë dilemë, mund të mendojmë për një rrjedhë uji që, natyrshëm, zbret poshtë. Barthes kërkon që kjo rrjedhë të ngjitet përpjetë – që interpretimi të nisë jo nga autori, por nga lexuesi. Kjo mund të jetë e mundur në një terren teorik, por në praktikë, çdo lexim nis nga një tekst që ka një zë, një stil dhe një strukturë – elementë që burojnë nga vetë autori.

Në këtë kontekst, ideja e Barthes-it nuk është thjesht një reflektim teorik, por përpjekje për të ndryshuar marrëdhënien mes autorit dhe pronësisë intelektuale të veprës, duke zhvendosur rolin e pronarit. Ashtu si në shprehjen për banknotat që “i paguhen prurësit më të parë”, edhe vepra mbetet produkt intelektual dhe pronë e autorit, qoftë ai i gjallë apo metaforikisht “vdekur”.

Koncepti i përfshirjes së lexuesit si bashkëpronar i veprës më nxit të mendoj për një “inflacion ideologjik të kulturës kolektive”. Një analogji e thjeshtë me kushtrimin leninist: “Toka i përket atij që e punon”, i cili mund të përkthehet në mënyrë metaforike — libri i përket atij që e lexon, pra lexuesit.

Kjo teori duket si një “strategji letrare” për të aktivizuar lexuesin në interpretimin e krijimit, duke vënë në dyshim autorësinë dhe vlerën e krijuesit. Më kujton idetë e Karl Marksit për përmbysjen e kapitalizmit dhe diktaturën e proletariatit, ku pasuritë kulturore dhe industriale duhej të përvetësoheshin nga shteti dhe klasa punëtore. Në këtë mënyrë, edhe shkrimtarët, si pronarë të krijimeve të tyre, duhet të “zhduken” si kategori, duke lënë vend lexuesit, i cili shihet si “proletari i mendjes dhe shpirtit”.

Në mbrojtje të autorit dhe rolit të tij, shembulli i Ismail Kadaresë është shumë domethënës. Në një takim në Shkollën e Bashkuar Ushtarake në vitin 1973, ai iu përgjigj kritikave ideologjike të mjaft diskutantëve që kërkonin pasqyrim më të gjerë të rolit të femrës shqiptare në luftën kundër revizionizmit sovjetik:

“Përse m’i këroni mua këto? Le t’i pasqyrojë ndonjë shkrimtar tjetër reagimet e pionierëve, studentëve, grave apo fshatarësisë ndaj revizionizmit sovjetik.”

Kjo nënvizon se roli i autorit duhet të jetë i pavarur dhe jo thjesht zëdhënës i pritshmërive ideologjike apo shoqërore. Autori mbetet themeli i veprës së tij, ndërsa lexuesi duhet të respektojë qëndrimin dhe autoritetin e tij.

Pra, autorësia nuk vdes me publikimin e veprës, por bashkëjeton me lexuesin në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë, duke ruajtur të drejtën e krijuesit për të vendosur kuptimin dhe drejtimin e veprës.

Sfida që paraqet koncepti i Barthes-it është e vlefshme dhe nxit reflektim, por nuk duhet të çojë në harresën e rëndësisë së autorit dhe pronësisë intelektuale. Dialogu midis autorit dhe lexuesit duhet të jetë bashkëpunues dhe i ndërsjellë, duke respektuar rolin dhe të drejtën e secilit.
Në mbrojtje të kësaj ideje, Kadare është përballur edhe me zëra kritikë, vendas dhe të huaj, lidhur me metodologjinë e tij për përmirësimin dhe ribotimin e veprave të tij. Ai ka deklaruar:

“Autori është krijuesi i librit dhe nëse e sheh të nevojshme, e ka për detyrë sa është gjallë ta përmirësojë atë nga pikëpamja e vlerave artistike.”
Kjo tregon qartë se autori, sa është gjallë, ka të drejta dhe detyrime të pandashme ndaj veprës së tij letrare.

Në përmbledhje, teoria e “vdekjes së autorit” përbën një sfidë ndaj mënyrës tradicionale të autorësisë dhe marrëdhënies së saj me interpretimin. Megjithatë, ajo ngre pyetje serioze mbi pronësinë intelektuale dhe rolin autentik të autorit. Integrimi i lexuesit si bashkëpronar i kuptimit të veprës, pa marrë parasysh rolin themelor të autorit, rrezikon humbjen e identitetit dhe përgjegjësisë së krijuesit. Shembulli i Kadaresë tregon se autori mbetet i gjallë dhe i pranuar si subjekt i veprës dhe jo një “zë i heshtur” pas saj.

Në fund, roli i autorit është i pandashëm nga ekzistenca dhe vlera e veprës letrare. Në të kundërt, rrezikohet që pronësia intelektuale të deformohet nën pretekstin e çlirimit të interpretimit. Dialogu midis autorit dhe lexuesit duhet të jetë bashkëpunues, i ndërsjellë dhe i bazuar në respekt të ndërsjellë, duke ruajtur integritetin e veprës dhe autorësinë e saj.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.