TRAJTIMI I DEMONSTRATAVE STUDENTORE NË SHTYPIN E ILEGALES (6)

0
Mediat për demonstratat në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Presioni për t’u deklaruar “jugosllav”

Sipas pushtetarëve jugosllavë, më 1981, ishte paraparë që në Jugosllavi të bëhej regjistrimi i popullsisë. Mirëpo, asnjëherë nën pushtetin jugosllav shqiptarët nuk kanë mundur të jenë të sigurt se nuk do t’u bëhet ndonjë hile. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e regjistrimit të vitit 1981, kur shqiptarët nuk e pranuan atë regjistrim, pasi bëhej nën grykat e tankeve. Duhet përmendur se në regjistrimin e vitit 1981, në mesin e shumë kolonave, ishte shtuar edhe kolona  “kombësia- jugosllav”.

Dihej se  Jugosllavia, emër që kishte filluar të përmendet në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishte një federatë kombësish të ndryshme, që secila kishte kulturën dhe gjuhën e vet. Secila nga këto kombësi kishte edhe republikën e vet, përveç shqiptarëve, e cila ndryshon nga të tjerat. Lëvizjet atdhetare e ilegale gjatë tërë ekzistencës së tyre nuk kanë pasur tjetër qëllim, vetëm të fitojnë të drejtën për bashkim me shtetin amë, ose të fitojnë të drejtën për të pasur një republikë sipas Kushtetutës së shtetit Federal Jugosllav.

Sipas të dhënave që na i ofron gazeta “Qindresa Shqiptare”, në Jugosllavi ekziston shteti me këtë emër, por nuk ka një “kombësi” jugosllave. Shkaktare e krejt kësaj përzierjeje jo të natyrshme duhet të jetë Serbia, pasi ajo do që të përziejë kombësinë e vet me një të vetëquajtur “kombësi jugosllave.”[1]  Serbia e quan veten se është themeli i shtetit jugosllav, do që t’i zhdukë dhe t’i përvetësojë kombësitë e tjera në Jugosllavi.

Të gjitha regjistrimet që ishin bërë në Jugosllavi, kishin treguar shumë  kujdes që të bënin fshehjen e numrit të popullsisë shqiptare, duke e bërë përzierjen me turqit, maqedonasit, malazezët dhe serbët.

Regjistrimi i fundit tentoi të përdorte po këto dredhi, por nuk pati sukses. Në Maqedoni janë regjistruar 1.912.000 banorë, nga të cilët 60% janë shënuar maqedonas dhe vetëm 20% shqiptarë. Kurse, sipas shënimeve që  ka siguruar fshehtas gazeta nga disa zyra të regjistrimit, ka më shumë se 800.000 shqiptarë në Maqedoni dhe afro 3.000.000 shqiptarë në Jugosllavi,[2].

Organizimi i demonstratave nga mërgata shqiptare

Me rastin e hapjes së sezonit të zakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shqiptarët në mërgim morën përsipër që të organizonin edhe një demonstratë në Nju-Jork, për hir të situatës në Kosovë. Kjo demonstratë mendonin se do të jetë edhe demonstrata më e madhe që do të bëhej jashtë Kosovës.

Këtë tubim e manifestim të madh e kishin paralajmëruar shumë mërgimtarë nga të gjitha vendet e botës, atje  ku ndodheshin.

Rëndësia e demonstratës së Nju-Jorkut, ashtu sikurse edhe e demonstratave të tjera, ishte që t’u tregohej shqiptarëve kosovarë që ata nuk kanë mbetur të vetmuar e të papërkrahur në luftën e tyre me kuçedrën jugosllave; njëkohësisht, në këto demonstrata u tregohej shovinistëve serbomëdhenj që shqiptarët në mërgim, duke i shtrënguar radhët e veta, po dalin në skenë si një forcë e madhe dhe e qëndrueshme.

Në anën tjetër, rëndësi të veçantë për mërgimtarët shqiptarë, kishte se me anën e tyre ata demonstronin  vullnetin e tyre, duke iu përmbajtur parimit dhe motos: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bëjmë diferencimin e keqkuptimeve dhe të mosmarrëveshjeve,[3]  të akumulojmë energji të reja për beteja të ardhshme në mbrojtje të kombit, të kristalizojmë dhe të përforcojmë idealet tona kombëtare. Këtu qëndronte edhe rëndësia e demonstratave të mërgimtarëve tanë, në përgjithësi, dhe këtu qëndronte, në mënyrë të veçantë, rëndësia e demonstratës së madhe të Nju-Jorkut.

Si qëllim të posaçëm demonstratat e shqiptarëve në mërgim kishin se donin t’i bënin me dije botës të vërtetën rreth gjendjes së shqiptarëve nën pushtimin jugosllav. Tanket dhe divizionet e ushtrisë jugosllave nuk arrinin të mposhtnin demonstratat e shqiptarëve, së paku në mërgim, ashtu siç i mposhtën ato të vëllezërve të tyre në Kosovën e robëruar. Përkundrazi, thoshin ata, madje këtu ne pritemi miqësisht nga të dërguarit e gazetave, të radiove dhe të televizioneve të huaja, të cilat na japin mundësinë që të komunikojmë me botën mbarë, të popullarizojmë çështjen e Kosovës, të ngremë zërin në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare në Kosovë dhe t’i tregojmë gjithë njerëzimit se ç’bishë e shëmtuar është ujkonja serbomadhe – Jugosllavia.

Ky  do të jetë veçanërisht qëllimi i demonstratës së Nju-Jorkut. Ata nuk pritnin që demonstratat, ose aktivitetet e tyre që organizoheshin në mbrojtje të Kosovës, të jepnin rezultate të menjëhershme, se bota akoma nuk ishte në dijeni rreth së vërtetës se çfarë ndodhte në Kosovë. Veç kësaj, disa fuqi të caktuara, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, ende nuk ishin të interesuara që të dilnin si kampione të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve. Ne, shqiptarët, për terrorin serb të ushtruar ndaj të tjerëve, kemi njohuri dhe kemi një përvojë të hidhur në këtë çështje, pra nuk çuditemi kur shikojmë se si heshtin këto fuqi sot, edhe kur ne në Kosovë (shqiptarët), grihemi në plumba, se ishin pikërisht ato fuqi që më 1945 ia dhanë me të dy duart Kosovën Jugosllavisë.

Po këmbëngulja e mërgatës dhe përpjekjet e vazhdueshme të kombinuara dhe energjike do të ndikojnë që gjendja të ndryshojë në favor të shqiptarëve. Mërgata gjithmonë porosiste: Ne nuk duhet të lodhemi, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të na zërë gjumi. Ne duhet të shpartallojmë propagandën, ta çjerrim përpara botës maskën e shovinizmit kolonial serb dhe të izolojmë nëpër vrimat e tyre minjtë e infektuar të agjenturës jugosllave këtu në Perëndim[4].

Pjesëmarrja masive e shqiptarëve në demonstratën e Nju-Jorkut do të jetë një manifestim i fuqishëm i të gjithë shqiptarëve dhe do të jetë edhe një dëshmi e gjallërisë dhe e vitalitetit të idealit të shqiptarizmës.

Ishte marrë vendim dhe ishin bërë përgatitjet që një literaturë e gjerë do t’u shpërndahej mërgimtarëve me rastin e organizimit të kësaj demonstrate. Ishte bërë mobilizimi i të gjithë aktivistëve, i të gjithë njerëzve të penës, i të gjitha organeve të shtypit dhe radioemisioneve në gjuhën shqipe, të gjitha partitë dhe organizatat politike, të gjitha institucionet fetare dhe mbarë masa e popullit në mërgim, ishin mobilizuar dhe u përpoqën të gjithë së bashku që të dilnin me sukses dhe të nderuar në këtë demonstratë.

Peticion dërguar Kombeve të Bashkuara

Një komision i posaçëm në Detroit kishte përpiluar tekstin e një peticioni, i cili do t’u dërgohej Kombeve të Bashkuara. Pasi ishte shqyrtuar dhe aprovuar në një mbledhje të zgjeruar, peticioni i ishte shpërndarë në mijëra kopje gjithë mërgatës shqiptare.

Peticioni u bënte thirrje Kombeve të Bashkuara që të shqyrtonin sa më shpejt çështjen e Kosovës dhe të ndërhynin sa më shpejt që është e mundur që të ndalonin terrorizmin ndaj shqiptarëve të Kosovës nga autoritetet jugosllave dhe të ushtronin influencën e vet që të bindnin ato autoritete që të pranonin krijimin e Republikës së Kosovës.

Çdo shqiptar, çdo anëtar i familjeve shqiptare, kudo në botë, e kishte për obligim dhe për detyrë dhe duhet ta ketë për nder që të firmosë një dokument të tillë me rëndësi kombëtare, porosiste këshilli për organizimin e peticionit.

Për të mos krijuar keqkuptime, duhet shpjeguar që peticioni nuk ishte vepër e ndonjë partie, ose e ndonjë individi ose grupi individësh. Kushdo që hidhte firmën, konsiderohej si autor i dokumentit. Komisioni që e shpërndau peticionin mbante vetëm një përgjegjësi formale si përpilues i tekstit.[5]

Më datë 30 gusht 1981, ditën e diel, në qytetin e Detroitit ishte organizuar një demonstratë e madhe nga mërgata shqiptare që jetonte në këtë qytet dhe në rrethinën e tij. Veç këtyre, në këtë tubim të madh antijugosllav e antikomunist, kishin marrë pjesë edhe shumë shqiptarë nga shtete të tjera të Amerikës. Kishte të tillë që kishin ardhur enkas edhe nga Kanadaja e vende të tjera. Qëllimi i demonstratës ishte që të denoncoheshin në mënyrë të hapur aktet çnjerëzore të komunistëve serbomëdhenj kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Mbas demonstratave që ishin organizuar anekënd Amerikës, si në Uashington, në Nju-Jork, Çikago, Kaliforni dhe në Toronto të Kanadasë, po ashtu edhe në Australi e në të gjitha qytetet kryesore të Evropës Perëndimore, edhe shqiptarët në Detroit e kishin parë të nevojshme që të organizonin një demonstratë dhe t’u tregonin vëllezërve nga Kosova se nuk janë të vetëm.

Komisioni i cili e kishte marrë përsipër organizimin e demonstratës, kishte përgatitur dhe kishte shpërndarë një thirrje ku thuhej: “I bëjmë thirrje mbarë emigracionit nacionalist, antikomunist shqiptar që të marrë pjesë pa rezervë. Po të marrin parasysh që studentët dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën dhe u përleshën me ushtrinë serbe ditë e natë, javë e muaj me radhë, dhe mijëra prej tyre dhanë jetën për idealet e shenjta shqiptare (sipas shtypit botëror, po sjellim shembull gazetën austriake “The Evening Standard”, e cila njofton për më shumë se 10.000 të vrarë), atëherë si të mos mundemi ne të dalim në një manifestim paqësor, në një ditë pushimi, në këtë vend të lirë, që na i jep të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore?

Arsyeja që demonstrata bëhej në ditën e diel, ishte se po këtë ditë ishte dita kryesore e një festivali jugosllav të organizuar dhe të drejtuar prej qeverisë komuniste të Beogradit.

Sipas revistës “Krahu i Shqiponjës”, kësaj thirrjeje iu përgjigjën më shumë se 600 veta. Numri më i madh i demonstruesve kishte ardhur nga Çikagoja. Demonstrata e Detroitit kishte pasur një jehonë të madhe, si te mërgata shqiptare ashtu edhe te vetë qytetarët e Detroitit. Por ajo që edhe ishte qëllimi i këtij manifestimi, demonstruesit kishin arritur që të paralizonin plotësisht të ashtuquajturin “Festivalin Jugosllav”, që zhvillohej atë ditë në Detroit. Stacionet kryesore të televizionit, gazetat e qytetit dhe stacionet e radiove i kushtuan demonstratës një vëmendje të posaçme gjatë dy-tri ditëve[6] në vazhdim, duke e lënë nën hije krejt manifestimin e qeverisë jugosllave.

Në dy faqe të revistës “Krahu i Shqiponjës”, në vazhdim prezantohen një mori fotografish nga manifestimi i demonstratave që ishin  organizuar më 30 gusht në Detroit. Në fotografi paraqiten edhe demonstruesit shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Janë prezantuar kryetari i Komisionit për organizimin e demonstratës, Gjon Lulgjuraj, Dom Prenk Camaj, Zef Kolë Mëhilli. Po ashtu duhet theksuar se në këtë demonstratë marrin pjesë edhe kroatët dhe në një fotografi dukej edhe flamuri kroat duke valëvitur pranë atij shqiptar.

“Lajmëtari i lirisë” denoncon udbashët

Ishte viti i dytë që botohej revista, “Lajmëtari i lirisë” 1981. Kosova ziente nga brenda. Atdhetarët e parandienin dhe punonin me të madhe për këtë. Prandaj, jo rastësisht në faqen e parë të saj është botuar artikulli “Kështu na “uron” UDB-ja Vitin e Ri”. Autori anonim shkas për këtë shkrim ka faktin pasi mërgimtarët vijnë në vendlindje për festat e fundvitit. Por, pushtetarët mendonin ndryshe dhe këto festa i shfrytëzonin që sa më shumë shqiptarë të torturonin dhe t’i merrnin në biseda informative. Një gjë të tillë tmerri e llahtari e përjetoi edhe vetë atdhetari Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës.

Ai ishte një burrë trim dhe i gatshëm për sakrifica. Atje larg në kurbet e kishte marrë malli për prindërit e familjen e tij. Edhe pse e dinte se çfarë situate e rëndë po mbretëronte në Kosovë, kishte vendosur që të vinte në shtëpi, të çmallej me të dashurit e vet. Qëllimi i mirë ishte nga ana e Hysen Gegës, por edhe udbashët kishin qëllimet e tyre. Një kohë të gjatë ishin përgatitur si ta fusnin Hysenin në rrjetin e tyre.

Pasi ishte çmallur me familjarët, mërgimtari  takon edhe shokët me të cilët kishte evokuar kujtimet për një kohë që kishte munguar. Festa kishte kaluar si kurrë më mirë. Mirëpo, udbashët as atë natë nuk kishin fjetur, por ishin kujdesur që në mëngjesin në të gdhirë të Vitit të Ri ta “befasonin” dhe ta “uronin” Hysen Gegën. Aty nga ora tre e mëngjesit ishte rrethuar shtëpia e Qazim Gegës me një togë të madhe policësh të armatosur gjer në dhëmbë.

Nga udhëheqësi i togës u kërkua që të dorëzohej Hysen Gega, duke e quajtur “armik të popullit”. Shtrohet pyetja, a thua, vallë, vërtet ishte Hysen Gega armik i popullit të vet? Si mund të ndodhte një gjë e tillë!? Armik i popullit shqiptar ka qenë gjithmonë dikush tjetër. Armik i popullit shqiptar ishte polici që çirrej dhe kërkonte me çdo kusht për ta burgosur djalin shqiptar.

Në tmerrin e natës së ftohtë, policia hulumtoi çdo skutë të shtëpisë dhe në fund para tytave të pushkëve kishte vënë babanë dhe gruan e Hysenit. U treguan se ishin të rrethuar dhe se kishin ardhur për ta arrestuar Hysenin, në “emër të popullit”. Pas zhurmës e rrëmujës së krijuar, Hyseni zgjohet nga gjumi dhe, kur sheh babain dhe gruan para tytave të pushkëve, tmerrohet. “Në emër të popullit”, – i bërtiti polici, “Hysen Gega, je i arrestuar!”[7]

Pa u trembur aspak, Hysen Gega përgjigjet: Cilit popull??? Unë jam biri i këtij plaku, biri i këtij populli dhe i kësaj toke. Për ty ka mallkime e ankime populli, jo për mua. Ia lidhin duart dhe e fusin në kampanjollën e mavitë. Me dhunë e fusin në veturë, ndërsa dëgjohet zëri i fuqishëm i Hysen Gegës, i cili thërriste me sa fuqi që kishte: Rroftë Shqipëria, Rroftë populli shqiptar, Poshtë titizmi, Poshtë shërbëtorët e okupatorit! Në anën tjetër të shtëpisë, britma e vëllait, Danushit që theu heshtjen e natës duke thirrur sa mundi: Rroftë Shqipëria, Rroftë populli i bashkuar shqiptar. Policia nuk hezitoi për ta arrestuar edhe vëllanë e Hysenit.

Në këtë shkrim redaksia e revistës,  nga mërgimi, i çonte urimet më të mira Hysen Gegës, duke i thënë: Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar, po të përgjigjemi edhe ne që këtej, o Hysen Gega dhe ty, Danush, dhe atyre mijëra djemve të këtij populli, që UDB-ja po i dergj pa kursim në burgjet e fëlliqura e mizore. Dhe, që këtej po jua përcjellim edhe sihariqin, se populli po bëhet gati për t’ju marrë  hakun. Po, po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe,[8]  përfundon redaksia e revistës

Po ashtu, në këtë faqe, redaksia jep edhe një informacion të rëndësishëm për lëvizjen ilegale shqiptare: Tani mund të thuhet se është i rrallë ai fshat, ajo lagje qyteti, apo ajo shtëpi shqiptare, ku UDB-ja të mos ketë burgosur së paku nga një njeri, ose të mos ketë bastisur egërsisht. Me një tërbim shtazarak, që i kalon edhe kufijtë e terrorit të aksionit famëkeq të armëve të vitit 1956, pushteti jugosllav po orvatet të zhbëjë çdo filiz të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial nga ana e shovinistëve të Beogradit.[9]

Në vijim shpreh indinjatën e thellë, duke e njoftuar opinionin e gjerë se, përveç vëllezërve Hysen e Danush Gega, kohët e fundit, për veprimtari “armiqësore kundër popullit e shtetit”, që do të thotë për veprimtari patriotike, u arrestuan edhe këta persona: Hasan Ukëhaxhaj, magjistër i gjuhës shqipe, profesor në gjimnazin e Deçanit, Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, momentalisht në shërbimin ushtarak në Ptuj, si dhe një milic, të cilit ende s’i dihet emrin etj.[10]

Në një shkrim me titull “Më të fortë se kurdoherë”, bëhej fjalë për përgatitjet dhe festimin e shqiptarëve që ndodheshin në mërgim jashtë vendit. Edhe pse jetonin të shpërndarë në të katër cepat e botës, për festa dhe kur u paraqitej nevoja, ata ishin të bashkuar falë vetëm organizimit të mirëfilltë të lëvizjeve çlirimtare shqiptare. Në shkrim gati në dy faqe tekst jepet historiku i luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi.

Autori fillon me fjalën e diskutuesit të parë, i cili niste me këtë shprehje: Vëllezër të dashur!

Gjithçka te ky dhé, është e huaj për ne. Kjo sallë, sendet përreth, njerëzit, rrugët këtu na shikojnë ftohtë. Në qoftë se ndonjëherë edhe ndodh të na hetojnë praninë, atëherë praninë tonë e ndiejnë si praninë e një lecke të hedhur në rrugën e madhe”.[11] Dhe, vërtet, a ka më trishtuese dhe më të dhimbshme sesa këto fjalë që i shkruan autori. Sado i mençur dhe i fuqishëm të jesh, mendon autori, vendi i huaj dhe njerëzit e saj mërgimtarin nuk e hetojnë. Jo vetëm që nuk e hetojnë, por nuk e llogarisin as si ndonjë gjë të rëndësishme që mund të ndikojë në rrjedhat e atij vendi. Kështu mendonte autori i kësaj fjale përshëndetëse në manifestimin e Ditës së Pavarësisë.

Pastaj, autori u tregon të pranishmëve se si historia na la me gisht në gojë dhe në bisht të popujve të tjerë, që erdhën shumë më vonë në trojet e stërgjyshërve tanë. E kush i ka shërbyer më mirë se ky popull historisë? Kush ia lau asaj më me rregull tatimin e gjakut e të sakrificës? Dhe kush kërkoi më pak prej saj: vetëm tërësinë e tokave tona deshëm dhe jetën në shtetin e përbashkët kombëtar; atë që të gjithë të tjerët në Evropë e kishin prej vitesh. Por, në vend që të sendërtohej kjo aspiratë e drejtë, jeta na katandisi në robëri, në skamje e mjerim. Jeta na shpërndau rrugëve të kurbetit.[12] Me të drejtë, thotë autori i shkrimit, se ky shekull vetëm një gjë nuk e arriti: të na i presë rrembat e gjakut stërgjyshor, të përtërirë brez pas brezi nga fatosat, që për vatan e troje të veta, “e kanë ba dekën si me le.”[13]

Autori flet shtruar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë, të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, flet për Luftën e Dytë Botërore dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë popullit shqiptar më 1945, duke përfunduar me angazhimin e madh të ilegales shqiptare, si në mërgatë po ashtu edhe në Kosovë.

(vijon)


[1] “A ka një “kombësi” jugosllave”, Qindresa Shqiptare, nr. 116, Paris, 1982, 8-9.
[2] Po aty.
[3] “Demonstrata në New York”, Krahu i Shqiponjës, Çikago shtator, 1981, 4.
[4] Po aty.
[5] “Peticion Kombeve të Bashkuara”, Krahu i Shqiponjës, Çikago, shtator 1981, 5.
[6] “Demonstratë në Detroit”, Krahu i Shqiponjës, Çikago shtator, 1981, 7.
[7] “Kështu na “uron” UDB-ja Vitin e Ri”, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, 1.
[8] Po aty.
[9] “Informatë e redaksisë”, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, 1.
[10] Po aty.
[11] “Më të fortë se kurdoherë”, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr 1, Janar-Shkurt 1981, 2.
[12] Po aty.
[13] Po aty.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.