Pse rritet prostata?

0
113
Prostata - ilustrim

Prof. Dr. Alketa Koroshi*

Rritja e prostatës, së bashku me kataraktin e syve, (perden) përbëjnë sëmundjet më të shpeshta tek të moshuarit. Pra, rritja e prostatës është një sëmundje e moshës se avancuar. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çdo vit bëhen 500.000 operacione kirurgjikale për prostatën. Një në çdo tre burra ka nevojë, dikur në jetën e vet, të operoje prostatën.

Pse rritet prostata?

Kjo ndodh nga ndikimi i hormoneve mashkullore. Hormoni kryesor mashkullor është testosterona që prodhohet në testikuj. Pastaj terstosteroni kalon në gjak, arrin në prostatë dhe aty transformohet nën efektin e një enzime (5 alfa reduktaze) në një hormon më të fuqishëm: dihidrotestosteroni. Pikërisht ky i fundit kontrollon rritjen e prostatës. Në të vërtetë, te të moshuarit, nuk është se rritet prodhimi i këtij hormoni, por rritet shumë ndjeshmëria e prostatës ndaj dozave të zakonshme të këtij hormoni.

Për pasojë, do të ndodhë rritja e volumit të prostatës, deri në atë gradë sa të pengojë derdhjen normale të urinës në kanalin e urinës. Kjo bën të grumbullohet urina në fshikë, pacienti e ndjen vazhdimisht fshikën e urinës plot, do të urinojë, por bën shumë pak urinë, se e pengon volumi i rritur i prostatës.

Cilat janë shenjat e simptomat e sëmundjes?

Shenjat që ka i sëmuri vijnë nga irritimi ose nga obstruksioni. Jo të gjithë njerëzit i kanë shenjat njëlloj të shprehura. Çrregullimet irrituese janë: urinimi i shpeshtë, urinimi disa herë natën që detyron të ngrihet i sëmuri nga shtrati. I sëmuri, papritur, ka nevojë të urinojë menjëherë dhe se mban dot. Veç asaj të sëmurit i djeg urina kur e bën.

Shenjat që lidhen me bllokimin janë: pacienti bën një curril të dobët, pa fuqi të urinës, dhe pacienti mezi fillon të urinojë, por shtrëngohet një copë herë. Pacienti, pasi ka urinuar sheh se dalin disa pika urine dhe laget. Shumë herë pacienti urinon në dy kohë. Pas urinimit pacienti ndjen se nuk i është zbrazur mirë fshika.

Si pasojë e mosurinimit të mirë dhe bllokimit që ndodh zhvillohen komplikacione si, infeksioni urinar, gurët e vezikës urinare, hematuria (gjak në urinë), por komplikacioni më serioz është hidronefroza, pra zgjerimi i veshkës dhe pengimi i funksionit normal të veshkës me pamjaftueshmëri të rëndë të funksionit të veshkave, gjë që bën të rritet azotemia.

Për të diagnostikuar sëmundjen e prostatës, bëhet si regull EKO-ja e saj. Përveç kësaj kanë vlerë analiza e urinës dhe urokultura. Për të dalluar se mos kemi të bëjmë me kancer të prostatës dhe jo rritje beninje të saj, bëhet analiza e PSA-së.

Si bëhet mjekimi?

Ekziston mjekimi me ilaçe dhe mjekimi kirurgjikal. Për të zgjedhur se cilat nga këto duhet aplikuar, mjeku bazohet mbi shenjat klinike të pacientit dhe në ekzaminimet që bëhen. Duhet thënë se jo gjithmonë ka një paralelizëm midis madhësisë së gjëndrrës së prostatës dhe gravitetit të shenjave klinike.

Sidoqoftë, në fazat e fillimit, rekomandohet që pacienti të bëjë një aktivitet të moderuar fizik e seksual, të evitojë jetën sedentare dhe të hajë ushqime të shumëllojshme. Duhen evituar alkooli dhe të mos përdoren sallamet, djathrat e yndyrshme, çokollatat dhe ushqimet pikante. Duhet evituar kapsllëku e për këtë të përdoren ushqimet me shumë fibra.

Ndër ilaçet që përdoren përmendim: finasteridin, i cili ndikon në uljen e volumit të prostatës, duke bërë të lehtësohen simptomat. Një grup tjetër ilaçesh janë alfa-bllokuesit si, cornam, omnic, xatral, etj. Këto ilaçe lirojnë muskulin e qafës së fshikës së ujit të uretrës, në brendësi të prostatës dhe të vetë prostatës, dhe lehtësojnë kalimin e urinës. Përveç kësaj ekzistojnë dhe disa ilaçe me natyrë bimore që kanë efekte të mira mbi prostatën.

Mjekimi kirurgjikal bëhet në faza të avancuara të sëmundjes, kur këtë e këshillon edhe mjeku.


© Copyright Gazeta DITA
* Alketa Koroshi, doktor në shërbimin e Nefrologjisë në QSUT, Profesor në Fakultetin e Mjeksisë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.