Vlash Prendi
– Rreth veprës poetike “Prushi i Bukurisë” të Anton Nikë Berishës –
Sipas Besëlidhjes së Vjetër, e para ishte fjala, kur asgjë tjetër nuk ekzistonte para saj, prandaj fëmijë dhe të rritur, intelektualë, besimtarë, ateistë etj. e përdorim fjalën në çdo kohë. E përdorim kur komunikojmë, kur mendojmë, në shtëpi, në punë dhe në shoqëri. Ajo është pjesë e karakterit, shprehje e kulturës dhe edukatës sonë, e domosdoshme në jetën shoqërore; është jetike, e pakrahasueshme, kur flitet, shkruhet e madje edhe kur heshtet.
Parë në këtë këndvështrim, themi se vepra e Anton Nikë Berishës “Prushi i bukurisë” – përsiatje poetike për artin e fjalës, është me vlera të shumta e të rëndësishme poetike.
Jemi takuar disa herë me prof. Antonin, kemi biseduar për letërsinë, për krijimtarinë, për njohjen e veprave të ndërsjella letrare mes Kosovës dhe Shqipërisë, që padrejtësisht qëndruan të ndara për shumë vite, e në një ndër këto takime patëm shkëmbyer edhe libra, mes të cilëve më tërhoqi vëmendjen vëllimi me poezi “Prushi i bukurisë”, libër kushtuar artit të fjalës, një ndërmarrje e guximshme kjo, por jo e paarritshme për poetin Anton Berisha, falë aftësisë dhe përvojës së tij të gjatë në krijimtari.
Në fakt prof. Antoni e ka njohur artin e fjalës nga koha e rinisë dhe ka një jetë të tërë që punon me fjalën, që komunikon përmes saj, veprimtari të cilën ia diktoi puna, në fillim si punëtor shkencor në Institutin albanologjik të Prishtinës, pastaj profesor në disa universitete, sidomos në Universitetin e Kalabrisë, në Itali, ku qëndroi mbi 23 vjet.
Vepra në fjalë është një monument poetik shprehës, që vjen tek ne përmes vargut mjeshtëror, dialogëve të supozuara të autorit me fjalën, përmes qëndisjes së natyrshme të vargut, gërshetuar dhe me elemente te tjerë. Për mendimin tim ky vëllim, i vogël në dukje me poezi, mban një peshë të madhe në krijimtarinë e autorit, ngihet mbi vëllimet e mëparshme që trajtojnë fjalën si një materie letrare poetike, duke thyer edhe kornizat tradicionale të krijimtarisë letrare. Ja disa vargje: Je zëri lashtësor i fjalëve – vesë e ylberit, / ku e bukura përftohet për gëzimin e shpirtit, / siç e pati thënë i shquari poet Horaci, / kurorë e blertë si një lule nuseje…
Shihet qartazi se poeti ynë e studioi thelbin kuptimor të fjalës së bukur dhe gjuhës, e pastaj veçoritë e tjera. Gjen motivin kuptimor të fjalëve, dhe jo thjesht strukturën e formës, madje edhe mënyrën e shprehjes së tyre, kur thotë: […] magji drithëruese që asnjëherë nuk resht së përftuari mendime të rralla, të pasura, që më tej notojnë në forma të ndryshme nëpër koka njerëzish, ose në faqe librash. Në këtë kontekst, poeti të kujton mjeshtrit e mëdhenj të fjalës së shkruar, jo vetëm Aristotelin, por edhe Horacin dhe Gëten.
Duke qenë njohës i mirë i artit të fjalës, letërsisë, Berisha e hulumton atë që çmohet e para e njohura, mjeti më i përsosur i komunikimit: fjalën. Madje autori kalon shpesh edhe përtej saj, duke na sjellë një krijim të thellë me kuptim filozofik, ku dëshmon vlerat reale të fjalës. Për këtë arsye, duket se autori është marrë gjatë dhe thellësisht me aspekte të ndryshme të fjalës e të mundësisë së saj shprehëse, duke analizuar vlerat dhe rëndësinë e saj dhe këtu fokusi kryesor duket se është identifikimi, përkatësia dhe veçoritë e fjalës, bazuar te krahasimet gjuhësore dhe duke vënë në pah ngjashmëritë, dallimet dhe veçoritë unike të saj.
Poeti dëshmohet njohës i vlerave estetike të fjalës, i rëndësisë kuptimore e shumësore të saj, e cila, kur përdoret me mjeshtëri, është në gjendje që shndërrohet në art, prandaj vepra ka vlera të veçanta dhe përbën një vepër të rrallë të llojit të vet në letërsinë tonë.
Në veprat e autorëve tanë, nuk mbaj mend të jetë trajtuar ndonjë here një temë e tillë përveç poetit Azem Shkreli, në një poezi të tij. Mbase poeti Anton Nikë Berisha e sjell për herë të parë një krijim të tillë, përfshirë në një vëllim poetik, një analizë mjeshtërore për fjalën, për rëndësinë e saj në komunikimin poetik, po dhe më gjerë. Pra, autori e ka hartuar një vepër cilësore dhe me një bazë filozofike, ku gjenden të shkrira në mënyrë organike disa veçori. Veprat e këtilla lexohen me ëndje dhe përmes saj bëhet një ndikim estetik i dukshëm në lexuesin.
Ja disa vargje të bukura që nuk mund të harrohen: Udhërrëfyese je që bukurinë ëmbëlton, / në thellësinë e shpirtit ku përtërihen rrënjët / gjurmët që nuk shlyhen / nga pësime e nga shtjella të befta / që përplasen përflakshëm në ne / e përndritin kujtimet, dhuratë e kohëve, / grishje e ndezur r ditëve të perënduara, / që gëlojnë në çdo çast e në çdo hap pa u vërejtur, / si merimanga që end me përkushtim / rrjetën e mbijetimit…. Pra, kemi një sistem të të shprehurit figurativ; një qasje artistike dhe një qëndrim i guximshëm letrar, një dialog i mençur me fjalën si materie, një përshkrim i bukur i natyrës njerëzore ku përdoret fjala si objekt komunikimi, një ndeshje e zjarrtë, që lexuesit i japin mundësinë për të vazhduar degëzimin vetjak të kuptimeve të tekstit.
Në kontekstin historik, fjala ka luajtur rol parësor edhe kur shoqëria njerëzore ka qenë në çaste më të vështira të saj. Tashmë është e njohur se në shekullin V, një njeri i vetëm arriti të mbajë nën kontroll gjithë Evropën, duke pushtuar Perandorinë Romake dhe duke shkaktuar vdekje e shkatërrim përgjatë brigjeve të Detit Mesdhe. Me luftërat e tij pushtoi pjesën më të madhe të Evropës dhe Lindjes së Mesme deri në Indi. Ai ishte Atila mbreti i hunëve. Thuhet se lufta dhe betejat e Atilës u ndalën nga Papa Leoni I, që pranë Mantovës e bindi mbretin e hunëve të tërhiqej, pasi i kishte thënë një fjalë në vesh.
Ndoshta Papa i pati ofruar Atilës pasuri (para), por në vendimin e kreut të hunëve kishte ndikuar ajo fjalë magjike që e detyroi të tërhiqej qetësisht nga fronti i luftës. Pra, fjala ka efekte magjike, vlera të jashtëzakonshme në komunikimin midis njerëzve, që dëshmohet edhe nga këto vargje të Berishës: Idhujtare lozonjare që s’di të shuar, / caku i çdo nisje, i secilit shtegtim / i afshit të ngulmët dhe i çdo flijimi / në përmbushjen e njësimit të përsosur / Je lavdia mbresëlënëse e veprimit / që Hyji na e fal në çdo kohë e vend / blatim i hirit të pashuar që nuk resht… Këtu shihet mjaft mirë natyra e dyfishtë e kësaj vepre me vlera të larta artistike.
Duhet theksuar se idetë që shpreh autori përmes kësaj vepre kanë rëndësi të shumëfishtë; ajo është një poezi e ngjeshur, me mendime që here shpërthejnë butësisht në trajtën e gjykimeve të thella, herë pasqyrohen qartësisht, prandaj kur i lexojmë këto vargje model, kushtuar fjalës dhe bukurisë mahnitëse të saj, na duket se po shfletojmë dhe lexojmë vargje nga “Iliada” e Homerit, si nga mjeshtëria e vargut, ashtu edhe nga idetë që pasqyron. Kjo pasuri e të shprehurit, kjo gjallëri mendimi dhe ndjenjash, është reflektuar artistikisht në poezitë e këtij libri përmes një të shprehuri të pasur poetik: Je bukuri e stolisur e përfytyrimit / filiz i njomë i lëngut të rrënjëve / që ushqejnë trungun, i ëmbëltojnë degët / u japin jetë gjetheve, po dhe sythave, / je ledhatim vegimesh që prore e nxitin / gurrën e frymëzimit, muzikë e shpirtit, / si ngazëllim i lumturisë së qiellit / kur derdhet mbi ne si ujëvarë ngrohtësie.
Në këtë lloji të të shprehuri, në këtë lloj të të shkruarit, poeti Anton Nikë Berisha thyen skemat tradicionale dhe i jep jetë të shprehurit modern poetik, ku dëshmohet një larmi stilistikore dhe pasuri kuptimore. Le ta konkretizojmë mendimin me imazhe të fuqishme shprehëse, ku pasqyrohet dukshëm transformimi i dukurive që vështrohen përmes fjalës dhe zbulohet madhështia dramatike e tyre: Përtej harrimit e pate djepin – bukuri / kur njerëzit zunë dhe i përftuan fjalët, / i vunë njërën pranë tjetrës, i ballafaquan / me përkushtim e dije dhe i qëndisën / me aftësinë e mendjes, me ngrohtësinë e zemrës / dhe i përshkruan me dufin e frymësisë / që t’i kumtojë vetes, po edhe tjetrit / punë të lartësuara, gjëra të bukura / për të ngritur e pasuruar shpirtin / që me veprim të rëndomtë s’mund ta bënin.
Në këtë vëllim poetik, autori duket se ndjek me vëmendje fatin e fjalës, shpreh të ashtuquajturin konflikt mes folësit dhe fjalës, duke i dhënë asaj jo vetëm ngjyrime të shumta: Je prapësimi i ferrit në tundime të trishta / të së keqes dhe të së shëmtuarës, / zgjidhja e nyjave, këputja e litarëve / dhe zhbërje e zinxhirëve të dhembjeve / në çastet kur njeriu përballet me to, / mëkatet i zhbën dhe vuajtjet i zbut / pse gjërat i shpreh me dashuri, me hire / pa ngjyrim inati e pa zemërime… Në këtë mënyrë na duket se ky vështrim kompleks i jetës, kjo mënyrë e paraqitjes së këmbimit të realitetit përfaqëson më së miri qëndrimin artistik dhe letrar të Berishës.
Një aspekt tjetër i kësaj vepre poetike është se autori i ka kushtuar një vend jo të vogël fatit të përdorimit të fjalës nga personalitete të fesë, sepse në fillim ishte fjala, ajo ishte pranë Perëndisë, fjala ishte Perëndi. Kështu, këto personalitete të shquara siç ishte Nena Tereze, synonin që fjalën e bukur ta kultivonin në popull, duke menduar dhe komunikuar pozitivisht, prandaj poeti përmes vargjeve i referohet pikërisht Shën Terezes, së cilës i ka kushtuar edhe një radhua prej shtatë vëllimesh titulluar “Nena Tereze në shtatë shpalime”, ku shprehet veprimi dhe flijimi i saj për tjetrin, prandaj referenca për të pasqyruar idetë e saj për fjalën, s’kishin si të mungonin në këtë libër: Je dëshmi e qenësisë së heshtjes / të lutjes së Anjeze Bojaxhiut / që bota e quajti Nëna Tereze / kur i lutej Hyjit t’ia dhuronte hirin / për t’i dashur njerëzit me dashurinë e Tij / pa dalim besimi, ngjyre dhe vendi.
Këtu kemi një tjetër anë të krijimit të figurës, ku parësor është ndërtimi i imazheve dhe i përfytyrimeve. Duhet theksuar se në këtë rast rëndësia e figurës së Gonxhe Bojaxhiut, i përgjigjet madhështisë së fenomeneve që pasqyron poeti në tërësinë e veprimit të saj, ku ai thekson: Këndellje e mirëfilltë dhe zë i bekuar i përftimit – bukuri e thënies, që shpreh thelbin e së vërtetës, më të vlefshme se e vërteta, që është fryt i thashethemeve, herë e njërit e herë e tjetrit, po gjithnjë e vërtetë e kushtëzuar: njëri shtyn, e tjetri tërheq nga vetja… duke realizuar zbërthimin e veçantive të artit të fjalës.
Në fakt, vepra “Prushi i bukurisë” dëshmon për një shprehjeje të pasur poetike e mendimi që është rritur e konsoliduar nëpër pjesë të saj, ku fjala dëshmohet si mjeti më universal dhe më i veçantë i dijes dhe i komunikimit njerëzor.
Lezhë, më 22.11.2023