Pinjollët e Sylejman Hoxhës, 54-vjet me radhë në mbrojtje të varrit të tribunit popullor dhe ushtarak Musli Sadri Dumoshi

0
Musli Sadri Dumoshi

Nga ARIF EJUPI

Musli Dumoshi-Podvorica, luftëtar dhe udhëheqës ushtarak i NDSH-së, në rrethin e Llapit, gjatë viteve 1946-1948,vetëm dymbëdhjetë ditë para se të ekzekutohej nga sllavo-komunistët jugosllavë, ia kishte dalë të ikë nga burgu i Prishtinës.

Ngjarjen mbi arratisjen e tij spektakolare nga ky burg shumëherë me lot në sy, por krenar e kishte rrëfyer bashkëfshatari i tij Abdullah Abas Kutleshi.

Abdullahu, atëherë i mobilizuar dhunshëm në Armatën jugosllave,me disa shokë të Brigadës së tij,si detyrë shtesë kishin edhe vëzhgimin e pikave kyçe të burgut të Prishtinës.
Ai, duke ditur që në këtë burg po mbahej Musli Dumoshi, i dënuar me pushkatim nga sllavo komunistët, ishte në kërkim të rrugës së duhur për ta ndihmuar.

Familjet, Podvorica dhe Kutleshi i kishte ofruar me njëra-tjetrën edhe fati i përbashkët tragjik.

Këto dy familje dhe mijëra të tjera Serbia, më 1887-1888 i kishte vrarë dhe përzënë nga trojet e tyre etnike të Sanxhakut të Nishit.

Kjo hapësirë gjeografike jo vetëm nga vendorët por edhe nga të huajit njihej edhe si Shqipëria verilindore apo Shqipëria e vjetër.

Abdullah Kutleshi dy-tri herë në burgun e Prishtinës, takohet shkurt me Musliun, të cilin e çmonte shumë për guximin e treguar në mbrojtje të Atdheut.

Në njërën prej këtyre takimeve ai porositet nga Musliu, që t’ia sigurojë një levë të metaltë.
Pastaj, Musliu me levën e sjell nga Abdullahu, planifikonte shembjen e murit dhe arratisjen nga burgu.

Abdullah Kutleshi çdoherë serioz dhe i vendosur porosinë e Musliut e kryen shumë shpejt.
Ai në grumbullin e mbetjeve të forta afër brigjeve të lumit Prishtevka e gjen një levë të çeliktë, të cilën e çon për përpunim dhe përshtatje sipas kërkesave të Musliut, tek vëllezërit Ibrahim dhe Salih Jashari, të njohur më tepër si djemtë e Sejdi Lladocit.

Ata si farkëtarë në zë në Prishtinë e Llap e lubrifikojnë mirë e mirë levën, duke ia bërë edhe një dorezë sipër dhe majë të mprehtë.

Ibrahimi nga kureshtja e pyet Abdullahun: Çfarë të duhet kjo levë ? Abullahu thotë ”Është porosi e babës Abas,i cili përveç kërkesës s’ më ka dhënë shpjegime të tjera”

Pas dy-tri ditëve Abdullahu ia del që levën e përpunuar nga vëllezërit Jashari,të një linje gjaku me heroin Hakif Sabit Zejnullahu,fshehtas t’ia dorëzojë Musliut në burgun e Prishtinës.

Me të rënë terri Musliu porsi një skifter i vërtetë me këtë levë shemb një pjesë të murit të qelisë, ku ishte i ngujuar dhe arratiset.

Ikja e tij nga burgu i tmerron rankoviqianët serbo-sllavë gjithandej ish-Jugosllavisë.. Ata ashpërsohen edhe më tepër ndaj shqiptarëve. Nga mllefi dhe zemërimi që para syve të tyre ishte arratisur Musliu, e rrethojnë fshatin Dumosh të Podujevës.

Pastaj, i arrestojnë të gjithë ata që kishin lidhje familjare apo farefisnore me Musliun. Torturat ndaj familjarëve dhe atyre që kishin marrë guximin ta strehonin Musliun, ishin të paimagjinueshme.

Mirëpo, Musliu edhe pas arratisjes nga burgu vepron pandërprerë kundër pushtueseve serbë të tokave tona. Ai pas çdo aksioni strehohet në fshatin Kalaticë të Orllanit,tek kushëriri i tij Zenel Podvorica.

Ozna famëkeqe me të kuptuar që Musliu po strehohet në shtëpinë e Zenelit,organizon aksion tinëzar dhe befas e arreston atë dhe të birin e tij Isën.

Ata gjatë qëndrimit në arrest keqtrajtohen rëndë. Isa në atë periudhë ende fëmijë lirohet me shumë plagë në trup. Ndërkaq, babai i tij Zeneli, vritet nga ushtarë e policë serbë.
Edhe pse me pranga në duar Zeneli kishte arritur t’ia marrë jetën një polici serb, i cili bënte punën e rojës në atfarë burgu të improvizuar.

Të inatosur nga heroizmi i tij i paparë pushtuesit serbo-sllavë kufomën e Zenel Podvoricës e hedhin në një humnerë të thellë. Veprim ky vetëm i fashistëve serbë që nuk kanë ndjenja e as shpirt.

Sadizmi i tyre u pa edhe në luftën e fundit në Kosovë, ku ata vranë e masakruan edhe fëmijë në djep.

Pas vrasjes së Zenilit hapësira për aksione të reja Musliut i ngushtohet mjaft. Çedo Topalloviq një xhelat e sadist si udhëheqës i OZN-ës, në Kosovë angazhon forca shtesë në kapjen e Musliut.

Musliu i vendosur që të mos bije i gjallë në duart e armiqve tenton të ikë në Shqipëri.
Gjatë përpjekjes për t’i ikur rrethimit ai papritur has në rojat jugosllave të kufirit, ndaj të cilave zhvillon luftë të rreptë. Në këtë përleshje të ashpër Musliu dhe shokët e tij i vrasinë disa nga rojat e kufirit.

Pas përfundimit të këtij aksioni të përgjakshëm ai prapë përpiqet të kaloj në territorin shqiptar.

Meqë ishte mjegull e dendur dhe terreni ishte i padukshëm Musliu detyrohet të kthehet në fshatrat e Llapit dhe Gallapit.

Pa i shkuar asnjëherë mendja se do ta gjejë vdekjen nga dora e shqiptarëve. Musli Dumoshi së bashku me Azem Bellaçevcin-Jashanicën shkojnë në fshatin Prapashticë të Gallapit.

Mirëpo, ata do të vriten me tradhti në konakun e një renegati shqipfolës, emrin e të cilit nuk po e japim përhirë të brezave krejtësisht të pafajshëm . Nuk është thënë rastësisht “ Çdo fis e ka nga një pis”

Musli Dumoshi-Podvorica dhe Azem Bellaçevci-Jashanica, duke qenë të bindur se besa shqiptare është virtyt i shenjtë i popullit tonë para se të ulën për të ngrënë bukë në sofër lirohen nga armët.

Ata me të filluar kafshatat e para të bukës vriten pabesisht. Ky akt i ultë tradhtie pritet me indinjatë dhe dëshpërim të thellë në gjithë Kosovën, veçmas në Llap e Gallap.

Në mënyrë që ndër shqiptarë të mbillet frikë e pasiguri të nesërmen kufoma e Musli Dumoshit, 44 vjeç ekspozohet nga mëngjesi e deri në mbrëmje në qendër të Podujevës.
Pastaj, udhëheqës të regjimit sllavo-komunist të instaluar në Kosovë, marrin urdhër nga Beogradi, që kufoma e Musliut, të hidhet tek përroi i Arave të Podit,në fshatin Obrançë,dy-tri kilometra në periferi të qytezës së Podujevës.

Ilaz Ibrahim Hoxha dëshmitar okular i këtij rasti sqaron që ekipi i përbërë nga katër-pesë veta i urdhëruar nga regjimi titisto-rankoviqian, dhe sahanlëpirësit e tij shqiptarë, kanë dashur që kufomën e Musliut, ta gjuajnë në përroin e Arave të Podit, ku fshatarët e Obrançës, i hidhnin kafshët e ngordhura.

Ilazi me mirësjellje e butësi u drejtohet atyre me fjalët“ A keni fëmijë? – Ata njëzëshëm thonë po. Atëherë nëse i doni ata dhe mendoni që Zoti, t’ua ruajë luteni që trupin e Musliut,ta groposni në arën pranë, pronë e Rashit Sylë Hoxhës.

“Ne e varrosim por mund të na zë belaja me Rashitin dhe pushtetin” thonë skuadristët. Ilazi ishte i sigurt që Rashit Sylë Hoxha,një burrë i besueshëm dhe me autoritet në Llap e më gjerë, s’do ta bëjë as vërejtën më të vogël.

Pas bisedës me Ilazin skuadristët ndërrojnë mendjen dhe trupin e Musliut e varrosin në një cep të arës së Rashit.

Të nesërmen Ilazi e njofton hollësisht Rashitin me rastin. Ai ndërhyrjen e tij e vlerëson si gjest fisnik dhe njerëzor. Madje, përpara Ilazit betohet në fëmijë dhe varre të etërve të tij që varrin e Musliut, do ta ruajë me kujdes dhe fanatizëm.

Në mënyrë që varri i Musliut të mos bije në sytë e atyre që dyshoheshin si hafije të sllavo-komunistëve Rashiti e kamuflon me shkurre.

E, në pranverën e vitit 1949,pranë varrit të këtij trimi të paepur ai mbjell edhe një fidan plepi.

Me qetësimin e stuhisë shovene serbe në mënyrë që varri i Musliut të jetë i identifikueshëm në çdo kohë ai, i vendos edhe dy gurë të vegjël.

Rashit Hoxha para vdekjes ua lë amanet djemve dhe nipërve të tij, mbrojtjen në heshtje të varrit të tribunit popullor dhe ushtarak Musli Dumoshi-Podvorica.

Edhe pse në Kosovë pati gjakderdhje dhe trazira të shumta varri i Musliut,nga familja Hoxha u ruajt i paprekur.

Eshtrat e tij u prehën në arën e Rashit Hoxhës,plot 54-vjet. Kurse në vitin 2002,familja Dumoshi – Podvorica, ata i barti në varrezat e fshatit Dumosh të Podujevës,ku kishte lindur Musliu.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.