Nga këndi i retrospektivës:
Ky shkrim është parathënie e librit “11 MINUTA PARA ORËS ’00”, botuar në vitin 2011. Libri i ka 570 faqe, mjaftë ilustrime, faksimile e dokumente, 613 fusnota me mbi 700 referenca dhe citime. Ata që duan ta mësojnë rezultatin e 28.12.2025, pse LDK-ja dështoi në fitoren e premtuar dhe pse humbi kaq shumë. Ata që duan t’i dinë fajtorët me emër dhe mbiemër, shkaqet dhe pasojat, po më shumë ata që duan të mësojnë për LDK-në, i këshilloj që ta lexojnë këtë libër. Është tejet i vlefshëm për t’i eleiminuar klanet mafioze që shtiren se i paskanë dhënë LDK-së, por nuk tregojnë se si u bënë milioner, dhe ata që me mburrje i mbrojnë dështimet dhe kalerimet e tyre nga një subjekt tek tjetri, dhe sidomos ata që në etapa të caktuara me veprimet e tyre ishinë në anën e errët të LDK-së, e tash shtiren se janë të merakosur për fatin e LDK-së. Janë shumë veprimtarë patriot dhe të devotshëm që kanë shkruar me kohë, nuk është fjala për këtë autor, por për një elitë akademike të cilet kanë pasur rol kyq në të gjitha organizmiet e brendshme gjatë viteve të ‘90-ta. Ky ripublikim nuk është ofertë, as nuk shpreh ambicie për tu kapërthurur, aq më pak për tu bërë protagonist e shpetimtar i LDK-së. Janë këto arsye pse e shohë të udhës, (me pak shkurtime) ta ripublikojë edhe tash, për të mos gabuar ata që përnjëmend dëshirojnë ta përmirësojnë gjendjen në LDK. Autori!
* * *
NË VEND TË NJË PARATHËNIE
(e shkruar më 25 tetor 2010)
Shpresoja se këto shkrime do të shërbenin për reformat demokratike në LDK, pasi ishte planifikuar që ky libër të publikohej në fillim të nëntorit 2010, përkatësisht në prag të Kuvendit VII zgjedhor të LDK-së, i cili për shkak të rrethanave politike që u krijuan në Kosovë u mbajt më 7.11.2010.
Siç thamë, ngjarjet rrodhën ashtu si rrodhën, kurse libri mbet të publikohej më vonë. Dhe kjo “më vonë?!”, ishte pas përmbylljes së kapitullit “reformues?!” në LDK, veçmas pas zgjedhjeve nacionale që u mbajtën më 12 dhjetor 2010 .
Libri “11 MINUTA PARA ORËS ‘00”, është sajuar nga shkrimet, reagimet, analizat dhe komentet që kanë pasur të bëjnë kryesisht me zhvillimet politike brenda LDK-së, që nga viti 1993 e gjerë në vitin 2010. Këto shkrime paraqesin një pjesë të angazhimit tim publik, përkatësisht janë komente e trajtesa që kanë të bëjnë me ndryshimet dhe reformat partiake.
Jo rrallë janë shkruar me një ton të ashpër e mjaft kritik, duke shprehur revoltë e mospajtim me kahet e zhvillimit partiak të LDK-së, reforma këto që nuk u bën kurrë, ndonëse rrjedha e keqe brenda LDK-së këtë parti e ka katandisur duke e vënë në buzë të greminës.
Libri deri në një masë qartëson pikëpamjet e mia, ku do të shpreh revoltën qytetare për kursin negativ që ka ndjekur Kryesia Qendrore e LDK-së, sidomos kjo që erdhi në krye të Partisë në një kohë rrëmujë, po veçmas pas instalimit të Fatmir Sejdiut kryetar i saj.
Që nga shkrimi analitik “A DO TA KAPËRCEJË LDK-ja YLBERIN” , shkruar më 15 maj 2000, (për një tubim të Nëndegës së LDK-së në Bernë…, ku në cilësinë e njohësit të zhvillimeve politike, bëra publike pikëpamjet e mia, duke shprehur papajtueshmërinë me mënyrën e udhëheqjes që bënte Kryesia Qendrore e LDK-së, e cila që pas mbarimit të luftës nuk qe në gjendje të reformohet, dhe të marrë fatin e Kosovës nën udhëheqjen e vet, dhe as të bëjë politikë të mirëfilltë karshi zhvillimeve politike që bëheshin në Kosovë, në kohën kur pritej e besohej se vetëm filozofia politike e LDK-së do ta shpjerë Kosovën në një realitet të ri .
Shkrimi, përkatësisht analiza në fjalë mbetet aktuale jo vetëm sot e kësaj dite, por deri sa të bëhen reformat e njëmendta, dhe gjerë atëherë kur kjo parti të dalë nga kolapsi dhe amullia politike.
Një syth tjetër i kushtohej Presidencës dhe Kryetarit të Partisë z. Fatmir Sejdiu, analiza këto të publikuar vetëm pak muaj para se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të jepte mendimin e saj se Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese. Sepse në kulturën politike shqiptare ekziston një lloj “meritokracie që qëndron në themelet e demokracisë. Meritokracia është një mjet i panjohur tek ne shqiptarët, prandaj ekziston kjo kulturë e përhapur e shkeljes së ligjit, duke u fshehur pas imunitetit”. E fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite Kosova nuk ndërtoi (si duhet) sistemin e një shteti kushtetues.
Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e detyroi Sejdiun të jepte dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës, kurse më vonë ai do ta humbë edhe postin e kryetarit të LDK-së. Edhe këto shkrime rezultuan të sakta, por që kanë determinuar fajtorin me emër e mbiemër, për dëmin që ua shkaktoi proceseve demokratike, veçmas LDK-së s’ka asnjë dyshim.
Kapitull më vete janë reagimet dhe trajtesat për sjelljen kontroverse të dr. Bujar Bukoshit dhe të dr. Isa Mustafës. I pari politikani më pa principe që nga themelimi i LDK-së, njeriu më manipulues dhe më përmbysës i të gjitha vlerave demokratike që kultivonte kjo parti në Kosovë. Jo vetëm kaq Bukoshi mbetet personaliteti më i keq, që i ka shkaktuar dëme kolosale LDK-së. Ai është përgjegjësi Nr. 1 për përçarjen e Faktorit Ushtarak edhe në kohë lufte. Ndërsa Isa Mustafa është tipi i intelektualit më dinak, i cili mund të transformohet në pesëdhjetë fytyra e në pesëdhjetë mënyra për të arrit qëllimin e tij. Por në rastin e LDK-së, Isa Mustafa mund të llogaritet fajtori më përgjegjës për rikthimin e strukturave të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë brenda kësaj partie.
Sado që mund të supozohet për reforma që do t’i bënte ai, unë për vete jam skeptik, pasi ai tërë jetën e tij, (sidomos për të gjallë të dr. Ibrahim Rugovës), ka qenë krah i djathtë i Bujar Bukoshit me të cilin kanë investuar para e mund për ta dobësuar e shkatërruar LDK-në. Pra, ai është njeriu që ka mundur t’u përshtatet më së miri të gjitha regjimeve pushtuese dhe përsëri ka dalë i paprekshëm, dhe madje i privilegjuar, për të ardhur po aq i paprekshëm edhe në postin e kryetarit të LDK-së.
Në anën tjetër Bujar Bukoshi mbetet edhe zyrtari më i korruptuar dhe shkelësi më i madh i të gjitha ligjeve dhe rregullave shtetërore e kushtetuese të një vendi. Ai është shpërdoruesi më i madh i buxhetit të shtetit. Ai bashkë me Isa Mustafën kanë privatizuar paratë e shtetit në Fonde Private (UFORK), ku flitet për disa qindra miliona marka gjermane të cilat nuk kanë qenë pasuri e tyre, por që i kanë investuar sipas tekeve dhe qejfeve, dhe mbase në dëm të LDK-së dhe Kosovës në përgjithësi, nuk ka asnjë dyshim.
Tashmë mund të shtrohet pyetja për lulëzimet e bizneseve të pafundme që kontrollojnë këto dy personalitete, ku i kanë rrënjët?! Por, për t’u bërë paradoksi edhe më tragjik e gjithë kjo ka ndodhur para syve të ndërkombëtarëve, para syve të shtetit, dhe para syve të popullit me të cilin tashmë po tallen këta dy zotërinj.
Në anën tjetër dikush nga ky popull u ka duartrokitur, të tjerë u kanë shkuar prapa dhe disa sish janë bërë pjesë e krimeve ekonomike duke i dobësuar hallkat partiake e shtetërore të një vendi që pretendon të hyjë në Bashkimin Evropian.
Sipas kësaj logjike që ka ndjekur binomi Bukoshi& Mustafa, secili kryeministër paska të drejtë buxhetin shtetëror ta shndërroj në Fonde private dhe ato para t’i mbajë për vete dhe të investojë aty ku ua do loçka, aty ku ua merr mendja.
Nëse kjo logjikë do të praktikohej edhe në shtetet më të mëdha, shtetet më të zhvilluara, buxhetet e tyre shtetërore nuk do të ishin kaq të fuqishme, dhe nuk do të trashëgonin gjë, sepse sipas binomit Bukoshi&Mustafa secili kryeministër i Kosovës paska të drejtë tërë buxhetin e shtetit që është grumbulluar gjatë mandatit të tij ta kthejë në fonde private dhe ta administrojnë ashtu siç duan, ashtu siç bënë ata, ashtu siç bëri edhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave dr. Isa Mustafa në kohën e Bujar Bukoshit, me paratë e shtetit dhe me djersën e mërgimtarëve.
Një pjesë e këtyre trajtesave kanë të bëjnë me propagandën dhe informimin, hallkë kjo për LDK-në mjaftë e ligsht, anemike dhe jofunksionale. Janë marrë edhe disa shkrime si “Flamuri i Kosovës”, “Futurizmi fetar….”, “QIK-u në…” e tjera që kanë të bëjnë pikërisht me veprime e fenomene ku pjesërisht a tërësisht fajtore është edhe Kryesia Qendrore e LDK-së, e cila vetëm ka heshtur, është bërë tejet anemike duke lejuar që disa procese të marrin kahe ashtu siç nuk duhej ta merrnin.
Jam shumë i vetëdijshëm se natyra e këtyre kritikave zakonisht nuk dëshirohen të kuptohen drejt, dhe nuk durohen aq lehtë, përkundrazi në shoqërinë kosovare fjala e drejtpërdrejtë të futë në armiqësi edhe brenda partisë. Ndoshta janë këto arsye pse jam detyruar që një kapitull më vete, të sjellë dëshmi për tagrin që kam paguar për angazhimin tim në LDK , dhe gjithë kjo ka ndodhur në kohë krizash, në kohë të pista që kalonte Kosova dhe Kombi ynë në përgjithësi, atëherë kur pjesa dërmuese e këtyre pasanikëve dhe profiterëve të LDK-së bënin punën e djallit, unë kam folur e kam shkruar aq shumë sa nuk mund të përfshihen ato shkrime me një korpus të tërë të “Librave për LDK-në”, (do të nisin pikërisht me këtë botim), për të pasqyruar më mirë, (së pari) zhvillimet e brendshme partiake, e më pastaj edhe një varg aktivitetesh e veprimtarish që kanë të bëjnë kryesisht me LDK-në dhe me zhvillimet politike në Kosovë.
Për mua si veprimtar i LDK-së dhe si autor publik, çmimi ishte tepër i rëndë, dhe fal Zotit i kam përballuar me dinjitet. Por dhuna dhe terrori nuk ishin të njëllojta, të njëtrajtshme, ato nisin që nga nënçmimet e deri te dhuna fizike, veçmas torturat psikike që i bënin kundër meje strukturat parapolitike që pretendonin një lloj integralizmi jugosllav, që kishin koncepte antidemokratike dhe që triumfuan në Kosovën e paslufte, veçnërisht ato që shtireshin si institucionaliste të komanduara nga eskorta e dr. Bujar Bukoshit dhe ajo e dr. Isa Mustafës qtë cilët morën kohëve “Kalanë e LDK-së nga brenda” , dhe ky “pushtim” ndodhi falë injorantëve dhe lakenjve të cilët që prej vitesh po i dimërojnë dimrat, e po i mrizojnë verat në Kryesinë Qendrore të LDK-së, duke u pasuruar në mënyrë marramendëse dhe duke iu shmangur konceptit nacional dhe paqësor që e ka udhëhequr dr. Ibrahim Rugova.
Them me përgjegjësi se as dhuna fizike, as humbjet familjare, as shkatërrimet materiale që rënduan për vitet të tëra mbi shpatullat e autorit, as puna e rëndë nga e cila nxirret jeta, as një verg problemesh të tjera, nuk ishin të mjaftueshme për këta sehirxhinj, por do të nisin edhe një inkuizicion juridik të llojit të vet, madje në një gjykatë ndërkombëtare .
Shkas do të bëhet shkrimet, ku palaço gazetar Enver… do të nisin fushatë të egër diskriminuese, madje duke mos zgjedhur rrugë e as mënyra për të lënduar personalitetin e individit e intelektualit, po më shumë për të… atakuar LDK-në. Me kalimin e kohës të tillët do të shquhen për të keq, në emër të një kritike… denigruese, kundër personaliteteve të njohura të politikës kosovare…
Dhe, sado që jam përpjekur, dhe sado që jam munduar që këto shkrime e komente t’i shoqëroj me një vullnet pozitiv, nuk jam i sigurt sa ia kam dalur, gjithmonë e kurdoherë, pasi në këtë teori thuhet se “në kuptimin më të thjeshtë, do të thotë të shkruash rreth një vepre a dukurie me qëllim pozitiv, i shtyrë nga dashamirësia jo nga vreri” . Në këtë pikë,… kurdoherë jam përpjekur dhe kam pasur një vullnet pozitiv, jo i mbytur nga vreri, por nga vullneti i mirë për t’i shërbyer pozitivisht Kosovës e LDK-së, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pavarësisht nga të metat që mund t’i shoqërojnë këto komente, mendoj se libri paraqet një kurs politik, një koncept të pandryshuar, që kam ndjekur që nga dita e anëtarësimit në LDK. Ndërsa kritikat përkitazi me zhvillimet e brendshme politike kanë qenë të vazhdueshme, duke ruajtur një vizion të qartë që nga fillimi e gjer më sot.
Pasaktësitë a lëndimet e mundshme kanë të bëjnë më shumë me çastin dhe rastin kur janë shkruar, me mllefin që ka ekzistuar në ato çaste, por jo si një platformë e drejtuar ndaj individit, kushdo që të jetë ai, ndaj shoqërisë sonë që po prosperon drejt së ardhmes së saj demokratike, e ruana Zot të më shoqërojë ndonjë vrer kundër LDK-së në veçanti, dhe Kosovës në përgjithësi. Gjithmonë edhe në politikë jam përpjekur të krijoj një koncept ashtu siç ia kam arritur deri diku edhe në letërsi…
Megjithatë sipas këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur në LDK, sipas këtyre devijimeve, dhe duke u bazuar në humbjet e njëpasnjëshme që ka pësuar LDK-ja në disa palë zgjedhje, struktura udhëheqëse e LDK-së duhej të shkonte komplet, dhe Isa Mustafa të mos vinte në kreun e LDK-së. Sepse Kryesia Qendrore e LDK-së duhej të plotësohej me njerëz të mendjes e dijes, e jo me asistentët e të tyre.
Edhe kësaj radhe LDK-ja, nuk qe në gjendje të dëshmojë se e do Kosovën, nuk qe në gjendje të reformohet dhe të largohet nga bagazhi i së kaluarës, të mos lejojë ikjen e emrave që sado kudo kanë bërë shumë për LDK-në . Përkundrazi LDK-ja shpërbleu humbësit, solli në krye një militant të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë siç është treguar Isa Mustafa qysh në qeverinë e Jusuf Zejnullahut dhe ai do ta shkëpus edhe atë fije nervi, atë fije peri, atë pakë shpresë, dhe do ta lëndon, për aq sa do të mundet edhe krenarinë që kishin njerëzit e LDK-së për vijën rugoviane dhe proceset demokratike që po kalonte Kosova.
Ashtu si I.M. (edhe L.A.), është instaluar si një despot për t’i mbrojtur pikëpamjet komuniste dhe interesat e një grupi që tashmë e kanë rënduar zullumin ekonomik mbi Kosovën. Pa asnjë dyshim I.M. do t’ia prishë palcën kurrizore veprimit demokratik të LDK-së, dhe kemi droje në të se do të instalon sojin e tij në institucionet e brishta demokratike të Prishtinës, dhe përgjithësisht edhe të Kosovës.
Vetëm “Partitë e shëndosha”, munden të prodhojnë një udhëheqje të shëndoshë dhe të aftë për t’i drejtuar institucionet shtetërore, dhe për ta zhvilluar Kosovën ashtu si duhet, ashtu si ajo e meriton, jo klanet e grupet e involvuara në krimin ekonomik dhe krimin njerëzor .
Por LDK-ja as kësaj radhe nuk u dëshmua se është e zonja që t’i zhvillojë proceset e brendshme partiake, pa le ato të nivelit shtetëror, për çka ka nevojë Kosova, dhe e ardhmja e saj.
E këtë mendim më së mirë e tregoi edhe verdikti i popullit i cili nuk u mashtrua nga reformat e rrejshme të (atyre atëherë dhe të tashmit më 28.12.2025) , sikur (edhe këta duan t’ia) qesinn pelikorin e vdekjes “Frymës Rugoviane” në LDK.
(sh.d.)











