Mbi Jezuitët, këta kolosë të gjithçkaje shqype

0

Aurel Plasari

Injac Zamputi i kishte përfunduar studimet universitare në Itali, në Universitetin e Torinos. Jo për diplomatikë. As për ndonjë fushë të albanologjisë. Por për shkenca politike, që do të thotë për një fushë dijesh të cilat në Shqipëri do të bëheshin “të panevojshme” gjatë kohëve kur ai jetoi dhe punoi. Formimi i tij në albanologji, si dhe më ngushtësisht në diplomatikë, u krye në një tjetër mjedis: në atë të Kolegjit të Shën Ksavierit, në Shkodër, dhe në strukturat albanologjike që nisën dhe themeluan Etërit jezuitë. Është fjala për një histori më vete, pothuajse të papërmendur. Nëse dikur ajo mund të këtë qenë “e padëshirueshme”, sot nuk ka përse të mos kujtohet madje duke u përkujtuar. Të parin seminar në Shkodër Etërit jezuitë e themeluan mesin e shek. XIX, në kohën kur një Shqipëri e pavarur ende nuk ekzistonte dhe shqiptarët bënin pjesën në “Shqipërinë Turke”. Pjesë e parimeve të misionarëve jezuitë që venin në vende të huaja ishte edhe të studiuarit dhe të mësuarit e gjuhës së vendit ku do të zhvillonin apostullatin. Në rastin e gjuhës shqipe është thënë ndonjëherë që lavrimi i saj nga ana e misionarëve fetarë kishte për qëllim thjesht përhapjen e besimit. Mirëpo nuk është vetëm kështu kur bëhet fjalë për një vend si Shqipëria e atyre shekujve, një vend në të cilin zotëronte analfabetizmi. Në një situatë të tillë lavrimi i gjuhës shqipe nga ana e misionarëve fetarë kryente funksion të veçantë për zhvillimin gjuhësor dhe kulturor të vendit dhe popullsisë së tij.

Kështu ndodhi edhe me Etërit jezuitë në Shqipëri, falë punës së të cilëve lista e botimeve në gjuhën shqipe erdhi duke u pasuruar. Prej të parëve Etër jezuitë të huaj të ardhur në Shqipëri kanë mbetur një dorë e bukur botimesh fillestare të shqipes: një Doktrinë e kthyer në shqip nga At Guagliata (1845), Rruga e Parrisit kalzuem të kersctenvet Arbniis nga At Basile (1845), Moj’ i Majit nga At Bruschi (1864), dy fjalorë italisht­shqip dhe shqip­italisht nga At Rossi (1866, 1875) etj. Atëherë shfaqen mes tyre edhe jezuitët shqiptarë, që zënë e botojnë në Romë: At Ejëll Radoja (1862), At Ndoc Naraçi (1875), veçan Pashk Babi me Vakinat e tij (1882), njëri ndër tekstet nismëtare të prozës letrare shqipe. Më 1871 Etërit jezuitë themeluan në Shkodër një shtypshkronjë me shkronja latine. Në latinishte ajo u quajt Typographia Immaculatae Conceptionis B.M.V, ndërsa emri në shqip iu përshtat disa herë derisa përfundoi në Shtyp. “Zoja e Paperlyeme”. Prej një botimi jubilar, Kolegja Saverjane nder 50 vjetët e para (Shkodër 1928), rezulton që prej asaj Shtypshkronje nga themelimi deri më 1928 të kenë dalë 411 vepra në shqipe, latinishte dhe italishte. Për në ato vite këtë shifër e kanë vlerësuar me të drejtë si “një rekord”. Çfarë intereson në këtë mes është nisma e vitit 1937 e një grupi studiuesish të interesuar tanimë për albanologji.

Nën kryesinë e Ndre Mjedës ata themeluan “Akademinë Albanologjike Saverjane” (Academia Albanologicae Xaveriana). 27­vjeçari Injac Zamputi rezulton krah i djathtë i Mjedës në atë themelim. Ishte aspirata e fundit e realizuar, atdhetare dhe njëherësh shkencore, e Mjedës që do të vdiste më 1 gusht të po atij viti. Me cilësinë e sekretarit, ka qenë Zamputi i ri që ka nënshkruar kartat e anëtarësisë për anëtarët Akademisë Albanologjike Saverjane të cilësuar “ishnëxânsa të Kolegjës historike Saverjane”, kështu ka shënuar në një bio­bibliografi të vetën.

Plasari!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.