Kaluan 26 vjet të çlirimit të Kosovës, që e bëri NATO, me Amerikën dhe Britaninë e Madhe.
Ky ishte intervenimi i parë dhe i fundit i NATO-s në 76 vjetët e ekzistimit.
Pilotët Amerikanë dhe pilotët tjerë nga NATO-shtetet, rrezikuan jetët e tyre për 78 ditë, duke e çliruar kosovën, dhe duke u përpjekur të ketë sa më pak viktima civile dhe ushtarake.
Pilotët për veprën humanitare, dhe rrezikimin e jetës së tyre, meritojnē objekt memorial, dhe dekoratën më të lartë shtetrore kosovare.
12 Qershori 1999, ishte dita e parë e lirisë dhe MREKULLISË, pas afërsisht 500 vjetëve të okupimit aziatik deri me 1912, dhe 87 vjetëve të okupimit europian 1918-1999.
Liria çë e ekzekutoi SHBA ua mundësoi qytetarëve të Kosovës të jetojnë ashtu si duan dhe dijnë.
Dikush punon, dikush në pension, dikush punon në postë, në RTK, qeveri, në universitet, në KEK, dikush hapë postë, RTV dhe universitete private.
Dikush shetitë, vjedhë, lavdon, privatizon, skijon, proteston, lakmon, adhuron, ndërton, urrenë, xhelozon, injoronë, paguan rrymën, prodhon rrymën, vjedh rrymën, shet rrymën…
Dikush ankohet për gjthçka, dikush kënaqet me gjithçka, dikush mëson-studion, lahet në pishinë, shkon në deti për 2 orë, paguan tatim, aktron në teatër, aktron në parlament, grahë veturën normalisht e dikush si egërsirë, dikush e kalon vendkalimin për këmbësorë duke shfletuar instagramin.
Ndërmarrësit fantastik ndërtuan mijëra, fabrika, hotele, super shoping qendra si Prishtina Mall, Albi Mall, Royal Mall etj.
Dikush shkon në Gjermani, Zvicër, Amerikë e dikush në Siri, dikush bëhet ushtar, biznismen, ingjinier, polic, terrorist, minator, bujk, zjarrfikës, sportist…
Dikush fiton medale të arta olimpike, këndon, voton, votohet, citon, predikon, predikohet, shëron, lëndon, kalëron në Vali Ranch-in fantastik.
Disa luten në faltore, disa në auto-rrugë e trotoare, disa luten në bastore dhe kazino, e dikush i plaçkitë të dyjat. Dikush bënë pastrimin kimik, pastron rrugët, e dikush paret.
Dikush shet gështenja, kallamoq e dikush patriotizëm, disa lirojnë gazra e disa e “çlirojnë” Shtimjen e çliruar.
Disa themelojnë kompani gurëthyese, disa themelojnë parti politike gurëhedhëse, e disa bëhen gurëhedhës duke e gjuajtur dreqin, disa shesin dhe blejnë gurë të çmuar.
Dikush e shpallë e dikush e tallë pavarësinë, dikush lypë pare te semafori, dikush lypë pare për OJQ, e dikush LQN gjithëkah.
Liria vlenë për të gjithë, duke përfshi mosmirënjohësit, urrejtësit sadist dhe të poshtrit, çë e urrejnë lirinë meqenëse është vepër Amerikano-Britanike.
Liria prodhoi afërsisht 180 000 biznise, 420 000 punëtorë të regjistruar, dhe afërsisht 220 000 të paregjistruar, 350 000 nxënës/studentë, 200 000 banesa dhe 170 000 shtëpi të reja, dy auto-rrugë fantastike.
Gjithsesi produkti më i mirë i lirisë është njeriu i lirë.
Liria Amerikane ua mundësoi 1.4 milion kosovarëve të diasporës, që u larguan në periudhën 1953 – 1997, të kthehen të jetojnë në Kosovë.
Liria ia mundësoi disaporës të zhvillojnë turizmin duke e vizituar kosovën, e disave të krahasojnë kosovën me zvicrën që i ka 734 vjetë liri e pavarësi, dhe të pohojnë gjenialisht, se në zvicër është më mirë se në kosovë.
Liria vlen për mijëra OJQ, shumë prej të cilave lirisht gënjejnë me “surveja” ”anketa”, “strategjia”, “analiza”, dhe paguhen të “vërtetojnë” se në Kosovë asgjë nuk është mirë.
Liria funksionon për të qeverisur secili në mënyrën e vet: si qeveritar i ndershëm, si hajn monopolist, si cubë-komitë, si pragmatik, si qeveritar i mirë, si demokrat, si socialist, si sadist, si i poshtër, si diletant, si akademik…
Liria ia mundësoi një ish kryetari të Prishtinës ndalimin e festimit të 4 Korrikut në Prishtinë.
Amerika ka investuar në siguri, liri dhe demokraci të kosovës, çë ua mundësoi shteteve tjera përfitime duke investur mjetet financiare të kosovës në Aeroport, Elektro-Kosovë, faltore kulti…, ndërsa shteteve të BE-së të investojnë financat e veta në KS.
Amerika dhe Britania e Madhe nuk kanë përfituar asnjë cent nga investimet e tyre çë arrijnë shumën afërsisht 60 miliardë $, për 26 vjetë të sigurimit të lirisë, me prezencën ushtarake, dhe investimet ekonomike të USAID-it, DFID-it.
Amerika dhe Britania përfituan titullin humanitarë:
……çlirues të popullit Shqiptar, që nuk e shijoi lirinë 6 shekuj.
Kjo ishte kënaqësia dhe interesi Amerikano-Britanez.
Informatë për ata që pohojnë se USA dhe UK kanë interes ekonomik në KS:
Kompania APPLE, është me e pasur se 96% të shteteve në botë. Ura e famshme “George Washington Bridge” inkasoi 3.7 miliardë $ nga qarkullimi i automjeteve në 2024.
Britania nga produksioni muzikor në 2024 fitoi 6 miliard euro.
Njerëzit që kurrë si kanë ndihmuar dikujt, nuk e kuptojnë ndihmën Amerikane, dhe gjithmonë komentojnë poshtërsisht se Amerika ka interes “gjeostrategjik”.
Nocioni:” gjeostrategjia” është i keqpërdorur nga injorantët primitiv mos-mirënjohës, për të minimizuar ndihmën madhështore-epokale Amerikano-Britanike.
Amerika dhe Britania e Madhe do të ekzistojnë edhe pa i ndihmuar Kosovës.
Amerika dhe Britania e mbrojnë lirinë dhe demokracinë për të gjithë banorët e kosovës, prej egërsirave të jashtme dhe mbrendshme.
Amerikë dhe Britani e Madhe,
…. faleminderit për 26 vjetët më të mira, në historinë e shkruar dhe të njohur të kosovës.
Besim Prishtina
Qershor 2025