Foto: Miroslav Lajçak
Gani I. Mehmeti, 14 mars 2023
Lajçak: Pa asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë – Serbi!
Një ndërmjetësues që nuk është i drejtë, nuk do duhej ta marrë vetë postin e ndërmjetësuesit. I tillë është vetë Lajçaku, si ndërmjetësues i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë. Se nuk është i drejtë, u pa gjatë tërë kohës sa ai po përpiqej të ndërmjetësonte. Mirëpo, kapaku i padrejtësisë së tij ndaj Kosovës dhe dhënia krah Serbisë u pa sot, më 14 mars pas bisedimeve të tij me Vuçiqin në Beograd.
Pas këtyre bisedimeve të tij, ai përcolli kërkesën e kahmotshme të Vuçiqit se, pa asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk do të ketë Marrëveshje Kosovë – Serbi!
Kjo kërkesë e Vuçiqit është prej kur është kërkuar një nënshkrim i kësaj marrëveshjeje, se pa të ai nuk do ta nënshkruajë këtë. E sot, doli me të njëjtën kërkesë edhe vetë Lajçak. Lajçak, deri sot nuk e ka pasur këtë kërkesë të prerë. Sot, pas takimit me Vuçiqin e bëri edhe këtë kërkesë, madje të kushtëzuar. Ndërkaq, Lajçakut nuk i shkoi ndërmend të bëjë një kërkesë e kushtëzim ndaj Vuçiqit edhe për shqiptarët në Serbi e as kërkesën e njohjes së Pavarësisë së Ksovës nga Serbia.
Por, ky është rrjedhim i afrimit të vetë Edi Ramës me Vuçiqin e largim me Kosovën dhe Kosovën Lindore – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Në këtë, një faj i ngarkohet edhe vetë Kosovës, pse me kohë nuk është bërë një kërkesë e tillë, por aso kohe, ndoshta bashkëbiseduesit e Kosovës, po bënin gjithçka vetëm për ta shpëtuar veten dhe nuk e kishin mendjen fare për popullin as për Kosovën e as për Kosovën Lindore. Nga kjo, vjen në shprehje fjala e urtë popullore: Kur nuk e sheh i zoti, nuk e sheh as Zoti!
E, që të vërtetohet se Lajçaku nuk është zëdhënës vetëm i Serbisë, ai dhe të gjithë të tjerët të angazhuar në këtë drejtim, si nga BE edhe nga SHBA, do duhej të paraqesin kushtëzimin Serbisë edhe për formimin e një asociacioni të tillë për shqiptarët në Serbi, në Kosovë, që iu mohohen edhe të drejtat më elementare kombëtare e njerëzore.
Mjerë i ligu, çfarë bën i forti!…