Takimi i Junikut 24 qershor 1998 nga e djathta. Prof, Fehmi Agani, Gani Shehu, Richard Holbrooke dhe Christopher R. Hill
Nga major Nazif Ramabaja
Sot bëhen 26 vjet që kur u shua jeta e ideatorit të rezistencës së mirëfilltë paqësore, profesor Fehmi Agani, nga forcat e regjimit administrativ serb, të paraprira nga kasapi i Ballkanit, Millosheviq.
Fehmi Agani ishte mendje e ndritur dhe krahu i djathtë politik i presidentit historik dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Por jo vetëm kaq – Agani ishte përfaqësues i autorizuar për çështje ushtarake, me bekimin e presidentit Rugova.
Në takimin e Junikut më 24 qershor 1998, ndërmjet përfaqësuesve amerikanë Richard Holbrooke dhe Christopher R. Hill, në njërën anë, dhe përfaqësuesve të UÇK-së në anën tjetër, profesor Fehmi Agani ishte pjesëmarrës në cilësinë e përfaqësuesit institucional. Prezenca e tij dhe elaborimi i rezistencës së armatosur u shprehën me fjalët:
“Jemi të sulmuar në vatrat tona, andaj nga dhuna dhe agresioni serb jemi të detyruar të mbrohemi dhe të organizohemi për të rezistuar me forcën e popullit të pambrojtur. Ne s’po bëjmë asgjë të jashtëzakonshme – po mbrojmë pragun e shtëpisë.”
Rezonimi i prof. Fehmi Aganit ndikoi që UÇK-së t’i hiqej emërtimi “terroriste”.
Kontributi i prof. Fehmi Aganit është shumëdimensional – si në rrafshin politik-diplomatik, ashtu edhe në atë ushtarak. Brezat e rinj duhet të edukohen dhe të jenë pasues të pedagogut të çmuar dhe vështirë të zëvendësueshëm.
Zoti e bekoftë prof. Fehmi Aganin dhe familjen Agani.
Suedi, 06.05.2025
Major Nazif Ramabaja
Dërgoi për publikim, Sinan Kastrati, mësues