ÇFARË TË THUHET PËR SMERALDËT E POEZISË…

0
Avdush Canaj - Era harroi sandalet

JONUZ FETHAJ

(Duke i lexuar 99 poezitë e Avdush Canajt në vëllimin poetik “Era harroi sandalet”…)

Që në çelje të vëllimit mësojmë mesazhin poetik që ia jep Avdush Canaj lexuesit kur dritarja e parë e hapur është poezia “Ta fal ty” e deri tek mbyllja e kopertinave kur gjatë rrugëtimit këngëtor arrihet deri të poezia përmbyllëse “Një bli për mua”.

E gjithë kjo hapësirë nganjëherë abstrakte, nganjëherë imagjinative, nganjëherë reale e sureale është e ndërlidhur ngushtë me jetën dhe stinët e saja që autori i krijon për ta krijuar maketën poetike të vargut e strofës, të poezisë dhe lirikës që rrjedh e rrjedh aq normalshëm deri te përcjellja e mendimit dhe valëzimit të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve që krijojnë korin e orkestrës muzikore të një simfonie e cila ka pentagramin e notave të nënës natyrë, të dashurisë dhe dhembjes, të mburrjes dhe të krenarisë e cila të bën për vetë nëpër të gjitha ciklet e këngëve (shtatë sosh) për ta krijuar rruzaret e smeraldit (99) që në rastin konkret nuk bën të ketë as një poezi më tepër e as më pak në këtë strukturë këngëtimi, sepse e rëndon, e “lodh” amplitudën e vargut dhe strofës, prandaj si të tillë edhe duhet ta pranojmë dhe ta lexojmë dhe të dehemi me mushtin e verbit poetik që na dhurohet.

Pra, Avdush Canaj me vëllimin e fundit poetik “Era harroi sandalet”, pa dyshim se është njëri prej poetëve për fëmijë dhe të rinj në gjithë hapësirën tonë krijuese letrare dhe artistike që ka arritur në një lartësi të kultivimit të poezisë duke bërë “kultivarët” më të mirë tek ne që, pa dyshim se do të japin rezultate të mira dhe të arrira në gjithë fushën e artit të letërsisë.

Por, besojmë se këtë do ta thotë e rdhmja, do ta thonë ata që dinë të vlerësojnë gjuhën e poezisë. Nuk mjafton kaq për ta thënë për këtë poezi lirike e cila të merr me vete dhe të “robëron” deri në atë masë, saqë kur të arrish tek “dera e daljes” përkatësisht tek mbyllja dhe lëshimi i siparit të dramës, herë epike, herë lirike, herë si lojë, herë si ëndërr, mëson se autori nga lexuesi i cili ka hyrë në botën poetike të Avdush Canajt, si i vogël, si fëmijë, me ëndrrën e madhe për jetë, tash del i rritur, i pjekur, madje duke i harruar edhe sandalet e para që i ka pasur si dashuri, si gëzim, si “pasuri” që për një mot e për një kohë kanë qenë dhurata më e madhe jetësore për secilin fëmijë.

Andaj edhe në dalje autori kërkon që të mbillet nga të gjithë lexuesit e tij edhe një bli që erëmon përjetësisht dhe që harresës dhe trishtimit nuk i bëhet vend as edhe në fundësinë e pikës që shënon fundin e një drame… Por të na lejohet të themi edhe këtë: viti 2023, është me fat që për “bingo” të leximit të poezisë për fëmijë ka përmbledhjen me poezi “Era harroi sandalet” të Avdush Canajt.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.