BUTRINTI NË FOKUSIN E DITËS

1
572
Hasan Selimi - Ferit Hoxha

Nga Ferit Hoxha

“BUTRINTI”, ishte kryefjala e kësaj fundjave në një nga sallat e hotel “PLAZA” Tiranë, në të cilën u mbajt simpoziumi i organizuar nga  Shoqata “Rrënjët tona” në bashkëpunim me “Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit”.

Me praninë e shumë profesorëve, akademikëve, pjesëtarëve të shoqërisë civile, kryetarëve të shoqatave atdhetare  e shumë të pranishmëve të tjerë, u promovua një nga librat më me vlera për shoqërinë shqiptare  “BURTINTI” (aty ku errësohet dhe ndriçohet historia e vërtetë e Epirit), me autorë Prof. Sazan Guri dhe  Prof. Stefan Pinguli.

Jemi mësuar tashmë e na është bërë rutinë promovimi i librave me poezi, tregime apo edhe në gjini të tjera letrare, por e veçanta e këtij libri ishte mënyra se si ai vjen në syrin e lexuesit.

Që në titull kuptojmë që nuk është një libër që veç ndjell me botën e autorit, por është një libër që me fakte historike na fut e na kthen pas në kohë, na mbërthen e na nxit kureshtjen për dëshmitë e të vërtetat historike që përcjell e që jo të gjithë i dimë.

Ishin të shumta diskutimet nga profesorë, avokatë, historianë dhe akademikë të ardhur deri nga përtej kufirit si:  Mali Zi, Dardani, Iliridë etj.

Vlen për t’u theksuar se më shumë se një promovim libri ky event ia kushtoi  vëmendjen mbrojtjes së Butrintit  dhe të vendeve të tjera me vlera historike, që përcaktojnë më së miri indentitetin tonë kombëtar që në gjenezën e vet, si dhe  evidentimin e vlerave që përmban Butrinti, ky amfiteatër, kjo qytezë kaq e vogël, por me një domethënie të madhe për Kombin Shqiptar.

Butrinti si një nga indentitetet tona kombëtare ishte në qendër të diskutimeve, duke sjellë prova dhe fakte të pakundërshtueshme për të sqaruar mbarë opinionin publik e organet përgjegjëse, se përse shoqëria civile e kundërshton me forcë dhënien e kësaj pasurie kombëtare me koncension.

Kjo nismë ka nisur 9 muaj më parë, pikërisht atëhere kur doli në “treg” Butrinti, kjo pasuri me vlera historike, arkeologjike,  turistike e kulturore e kjo “tregti” u bë pa marrë në konsideratë mendimin profesional të ekspertëve e studiuesve të historisë e arkeologjisë në  fushat përkatëse.

U ndjeva i nderuar jo vetëm për faktin që isha i ftuar në këtë simpozium, por më gëzoi fakti që isha i shoqëruar nga një pjesë e mirë e anëtarëve të Kryesisë për Grupin e  Deputetëve të Parlamentit Shpirtëror me Qendër në Diasporë Dega Shqipëri, pikërisht për të përmbushur një nga pikat e programit të këtij forumi që ne përfaqësojmë, në përputhje me idealet tona, për çështjen kombëtare.

Tashmë akademikët dhe historianët e kane thënë fjalën e tyre, e kanë përmbushur me studime të mbështetur në fakte dhe argumente konkrete dhe sot me një bindje të plotë, kjo u “certifikua” me firmosjen e  peticionit për ruajtjen e trashëgimisë sonë tokësore dhe kulturore.

I takon mbarë opinionit publik, ne të gjithëve që ta mbështesim e ta forcojmë këtë kauzë, si një iniciativë mbarëkombëtare, për t’u thënë “STOP” anarshistëve, mediokërve, ligjvënësve dhe ligjzbatuesve që vetë flasin, vetë firmosin e vetë vulosin pa pyetur për pasojat e humbjen e asaj që ne vetë rrisim, pa pyetur për efektin që ngjall te ne të gjithë shitja e vlerave kombëtare.

Ne sot mbështetëm jo thjesht Sazanin, Stefanin, Aulonin, Neritanin e shumë studiues  dhe akademikë të tjerë, por secili prej nesh kuptoi më së miri se duhet të japë kontributin e tij individual e institucional (si dhe nëpërmjet shoqatave që përfaqësojnë), për të vazhduar deri në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, atë të mbrojtjes së vlerave dhe aseteve kombëtare.

Traditat e vlerat tona historike, folklorike e kulturore ne dimë t’i ruajmë vetë. E kush më mirë se të zotët e shtëpisë, atyre që dinë gjer në grimcë lindjen, krijimin e zhvillimin e traditës do ta ruanin me fanatizëm këtë?

Thirrja e ne të gjithëve është: “Na lini që vlerat tona t’i ruajmë me duart tona”, sepse veç ai që e lind, di ta ruajë e ta trajtojë me dashuri krijesën e pasurinë e tij.

Ka shumë gjëra që ju pushtetarë mund të bëni më së miri, bëni ato që duhet të bëni për të mirën tonë të përbashkët e na lini edhe ne të bëjmë atë që  dimë ta bëjmë më së miri, ndoshta edhe më mirë se ju, sepse ne nuk shikojmë përfitimin nga çmimi të asaj që shitet, por shohim vlerën që bart në trup kjo pasuri mbarëkombëtare.

Vlerat nuk shiten, meritë ata që i kanë dhe që dinë t’i ruajnë!

Për Grupin e Deputetëve të Parlamentit Shpirtëror me Qendër në Diasporë, Dega Shqipëri,
Kryetari Ferit Hoxha!

1 KOMENT

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.