…ATJE KU BURON DRINI I BARDHȄ

0
53
Klinë

Reportash

NGA VLASH PRENDI

Së bashku me poetin e njohur Llesh Ndoj, autor i njëmbëdhjetë librave me poezi, dy vëllimeve me studime dhe katër monografive jemi nisur për në Dardani. Atje na presin një grup krijuesish të njohur, poetë, shkrimtarë, studiues dhe veprimarë të çështjes kombëtare, të cilët do të prezantojnë tre librat me të fundit poetikë të poetit Llesh Ndoj, “N’udhëkryqe koha plaket” me redaktor studiuesin e mirënjohur prof. Anton Nikë Berisha, i cili është edhe autor i parathënies, recensent prof. dr. Kamber Kamberi, ndërsa autor i kopertinës është Albert Zuka, “Lindjen mbaj në gji”, redaktor i të cilit është prof. Prend N. Buzhala, që e shoqëron me parathënie, recensent Vlash Prendi e kopertinë nga piktori i ri Denis Gashi, nga “Deart studio” Prishtinë, si dhe “Emrin tënd ka dashtnia”, me redaktor e hartues i parathënies Vlash Prendi dhe recensent studiuesin dhe poetin Imer Hysa.

Pasi kemi kaluar pa kontroll doganën e Morinit, na telefonon piktori Denis Gashi, autor i një prej kopertinave të librave të poetit Ndoj, i cili na fton për kafe në Fushë – Kosovë. Nuk njihemi me djaloshin e talentuar, por takimi dhe biseda me të, ishte aq e ngrohtë dhe miqësore, sikur të ishim takuar prej kohësh. Pasi e falenderon autori për punën artistike plot mendim dhe cilësi të realizuar në kopertinë, ai shprehet mjaft i emocionuar që ka realizuar këtë bashkëpunim, që për të është me shumë vlera. E ftojmë djaloshin fisnik të bëhet pjesë e grupit tonë, por angazhimet e shumta nuk ia mundësuan këtë dëshirë.

Vazhdojmë rrugën për në Klinë. Ndërsa Lleshi vështron me vemendje navigatorin, unë u hedh një sy “trinjakëve” të tij të sapodalë nga shtypi. Shpreh mirënjohjen time, ndonëse në heshtje, ndaj shtëpisë botuese “Emal” në Tiranë, dhe veçanërisht presidentit të saj Astrit Muça, i cili ka bërë një punë mjaft cilësore dhe me kualitet. Sapo lexon poezitë e para, lexuesi konstaton se autori ka punuar tepër seriozisht, si në lemin tematik dhe në atë ideoartistik, sepse poezitë e këtyre librave të ngjallin emocion dhe të motivojnë për jetën.

Kemi lënë pas Fushë Kosovën dhe jemi tek kryqëzimi i rrugës që të çon për në qytetin e Klinës. Aty na pret prof. Anton Nikë Berisha, një nga studiuesit dhe krijuesit më në zë në trojet tona, një rilindas i ditëve të sotme, prof. Prend Buzhala, një krijues model, një filozof i vërtetë, autor i mbi 120 veprave studimore, poetike dhe letrare, prof. Labinot Berisha, punonjës shkencorë dhe dekan i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Takohemi perzemërsisht me miqtë tanë të penës, me këta krijues dhe përhapës të vlerave letrare kombëtare, jo vetëm në trojet kombëtare, por në mbarë Europën e më gjërë. Mjafton të kujtojmë këtu se prof. Antoni është autor i mbi 135 veprave letrare, pa marrë parasyshë vëllimet e përmbledhjeve dhe punimeve të përzgjedhura të botuara për autorë të tjerë shqiptarë. Duhet theksuar se prof. Antoni, veç punës shkencore, ka dhënë leksione edhe në Universitetin e Gëtingenit në ish RF të Gjermanisë, në Universitetin e Mynyhut, ndërsa nga viti 1993 ka dhënë mësim në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe – Departimenti i Linguistikës, Fakulteti i Letërsisë dhe i Filozofisë i Universitetit të Kalabrisë në Kozencë, ku për shumë vite ishte profesor i letërsisë shqipe. Aty pati mundësinë të përhapte veprat plot vlera të letërsisë shqipe, madje edhe të shkruante për ta. Ai pati bashkëpunime të frytëshme me shumë krijues dhe studiues si Francesko Altimari, Viçenzi Belmonte, apo Giuzeppe farako etj.

Biseda me miqtë tanë rrjedh natyrshëm, por tema kryesore që diskutohet është krijimtaria letrare dhe letersia, arritjet e shkrimtarëve tanë në këtë fushë, planet për të ardhmen etj. Të dy krijuesit e shquar, të cilët janë edhe redaktorë të dy librave të poetit Llesh Ndoj, e përgëzojnë autorin për librat dhe flasin me emocion për poezinë e tij. Nisemi drejt qytetit të Klinës, por takimin do t’a bëjmë në fshatin Zllakuqan, aty ku jetojnë dhe veprojnë shkrimtarët e njohur Mikel Gojani, Lekë Mriaj, prof. Dodë Ndrecaj, prof. Pal Canaj, dr. Ukë Berisha etj, të cilët ishin mbledhur së bashku tek resorti “Euro Park”, nga më të njohurit në zonë. Zllakuqani, ose ndryshe Zalli i kuq, siç është emërtuar nga viti 1990, njihet edhe për faktin se këtu ka sherbyer si meshtar edhe Atë Shtjefën Gjeçovi, i cili hapi shkollën e pare shqipe në këtë krahinë, dhjetë vite pas hapjes se Shkollës se parë Shqipe në Korçe. Shkolla u hap në Zllakuqan të rajonit të Klinës mu në qendër te Lugut të Drinit të Bardhë me 25 Korrik të vitit 1897, aty në ambientet e kishës ku mësuesi i parë qe frati dhe atdhetari i devotshëm Atë Shtjefen Gjeçovi, i cili pati thënë këto fjalë në ceremoninë e hapjes së saj: ”…T’a hapim shkollën shqipe, sepse këtu qëndron përkushtimi i ynë kombëtarë”.

Prof. Mikeli na thotë se pas hapjes së shkollës, nxënës të shumtë të kësaj krahine u regjistruan në këtë institucion, jo vetëm nga Zllakuqani, por edhe nga fshatrat përreth si Radulloci, Ranoci, Krusheva, Budisalsi, Coroviku, Doberdoli etj. Gjeçovi punoi me zellin më të madh të një kleriku, por edhe të një patrioti të vërtetë në Shkollën e Zllakuqanit, duke shpalosur krahas aftësive si klerik edhe aftësitë e tij prej shkencëtari, dramaturgu, arkeologu dhe etnografi të pasionuar. Këtë fakt e pohon edhe intelektuali i njohur Pal Canaj, i cili na thotë se aso kohe mësonjëtorja e vogël e kishës se Zllakuqanit u bë vatër e dijes dhe kulturës kombëtare, por edhe pasioni i Atë Gjeçovit për punën gjuhësore, mbledhjet folklorike, kërkimet arkeologjike dhe krijimet letraro – historike po shtohej gjithnjë e më shumë. E vështrojmë plot mallë dhe mirënjohje bustin e Gjeçovit, ngritur plot madhështi në oborrin e kishës së Zllakuqanit, pikërisht aty ku u hodhën themelet e arsimit në këtë trevë, madje nuk munguan as fotot pranë bustit të këtij patrioti dhe krijuesi shumëdimensional.

Pas bisedave të përzemërta dhe diskutimeve rreth krijimtarisë, poeti Llesh Ndoj, u dhuron miqëve dhe bashkëpunëtorëve të tij librat më të fundit me poezi. Prof. Antoni, specialist i njohur në këtë fushë, flet me superlativa për krijimtarinë poetike të poetit bazuar në veprat që ka lexuar, por edhe në librin që ka redaktuar. Mes të tjerash ai thekson: ”… Poeti Ndoj u qaset dhe i bën objekt vështrimi poetik dukuritë nga më të ndryshmet. Një pjesë e poezisë së tij ndërlidhet me vargun e Dante Algerit “Ejani t’i dëgjoni këto ofshama”. Mirëpo, duhet thënë se dukuritë që bëhen objekt shqyrtimi poetik në poezinë e tij nuk janë të rastit; secila në mënyrën e vet e ka cytur poetin të merret me të dhe t’i kushtojë kujdesin e duhur për të nxitur një komunikim sa më gjallërik dhe për të bërë ndikimin përkatës. Në tekstet e poezive të librit “N’udhëkryqe koha plaket” mbizotëron rrëfimi dhe të shprehurit lirik. Mirëpo në disa poezi, mbizotëron rrëfimi epik dhe bëhet përbërësi kryesor si, fjala vjen në poezitë “E ke shtëpinë me vete”, “Kau dhe mëzati” etj. Në poezitë e këtij libri kemi atë realitet që e kemi përjetuar ose e përjetojmë në jetën e përditshme apo siç thotë Chris Hedges për realitetin e “Uliksi” të Xhojsit: “…shqiptohen shastisjet dhe çuditjet e pazgjidhura të cilat të gjithë i përjetojmë nga lindja e deri në vdekje, ku na bëhet thirrje të tregojmë dhe dhembshuri e mirëkuptim, dhe na paralajmërohet që t’u rrimë larg kërkesave joshëse për të shkelur mbi të tjerët”.

Ndërsa prof. Prend Buzhala, jo pa emocion thekson faktin, se poeti Llesh Ndoj shkruan një poezi të thjeshtë, reale dhe me tematikë të larmishme, ku shpesh godet edhe fenomenet negative të kohës që po jetojmë, prandaj theksoi ai: “…Poezia dhe koha janë dy dimensione që shpesh janë të ndërlidhura në krijimtarinë letrare. Koha është një element thelbësor në poezi, pasi poetët e përdorin kohën si një mjet për t’i shprehur ndryshimet, përvojat dhe emocionet njerëzore nëpërmjet fjalëve dhe imazheve poetike. Për shembull, disa poezi fokusohen në kohën historike ose në ngjarjet që ndodhin në një moment të caktuar të historisë. Ato e shprehin kohën si një forcë që formon dhe ndryshon karakteret dhe botën rreth tyre. Poetët gjithashtu e shfrytëzojnë kohën si mjet për ta shprehur nostalgjinë, melankolinë ose reflektimin mbi kalimin e kohës dhe jetës. Përveç kohës historike, koha ka një rol të rëndësishëm në poezinë personale.

Poezitë reflektojnë përvojat dhe ndjenjat e një momenti të caktuar në jetën e autorit ose të shoqërisë, duke përshkruar momente të lumturisë, trishtimit, dashurisë ose çdo emocion tjetër që ndodh në një kohë të veçantë…”. Duke ndjekur mendimet dhe vlerësimet profesionale të këtyre dy kritikëve të njohur, konstatojmë se poeti ka bërë një punë të kualifikuar letrare dhe gjuhësore për të arritur deri këtu. I këtij mendimi është edhe poeti dhe shkrimtari i vlerave të veçanta Mikel Gojani, i cili thotë se ka qënë vazhdimisht në kontakt të krijimtarisë poetike të poetit Llesh Ndoj, e për më tëpër ka vënë re se: “… poeti Ndoj është një poet shumdimensional, i thjeshtë, kritik ndaj dukurive negative që reflektohen në shoqërinë e sotme. Poeti ka rrugëtuar në poezi gjatë, sepse firmën e tij e mbajnë 11 vëllime me poezi. Poezia e tij është një proces i brendshëm krijues, një pohim unik dhe estetik përtej dilemave që tundojnë shoqërinë e sotme. Poezia e tij është lirikë që shpaloset si një mozaik që ka zë të brendshëm dhe që poeti shpesh herë e shpreh në mënyrë demonstrative, e ky lirizëm bën pjesë në botën e tij të brendshme shpirtërore dhe meditative, ku konkretja modelon simbolikën poetike”.

Ka të drejtë poeti Gojani, sepse poeti Llesh Ndoj po vlerësohet për rrugën e tij krijuese, në veprimtarinë studimore, por sidomos në lëmin e krijimtarisë poetike. Në Zllakuqan rastisi të ishim në vigjilje të festës së 25 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Njerzit dukeshin të entuziazmuar, flamuj dhe banderola gjithandej, lëvizje, biseda dhe diskutime po ashtu. Edhe në Librat që kemi mbi tavolinë nuk mungojnë krijimet për luftën e Kosovës dhe epopenë e lavdishme të saj. As në tavolinën tonë nuk mungoi kjo atmosphere festive, kryesisht përmes diskutimeve dhe analizave, madje në një moment prof. Dodë Ndrecaj plot emocion, kërkoi të na nderonte sipas menyrës së tij, pasi kishte datëlindjen e djalit të tij Markut, i cili kishte lindur në kohën e luftës për liri.

Temë e bisedave tona u bë edhe diskutimi dhe shkëmbimi i përvojave krijuese, vështirësitë që dalin në fushën e botimeve e sidomos bashkëpunimi dhe njohja e krijimtarisë letrare mes krijuesve në trojet tona. Ȅshtë realitet se ne pak e njohim krijimtarinë letrare të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, apo në Mal të Zi, për të mos folur për krijimtarinë letrare të shkrimtarëve në tre komunat që edhe sot janë nën juridiksionin serb. Nga diskutimet e shumta, u shtrua si nevojë e domosdoshme bashkëpunimi mes forcave krijuese të këtyre trevave. Një shembull pozitiv ishte ky takim dhe vepra e poetit Ndoj, që ky bashkëpunim të vazhdojë. Pastaj diskutohet rreth botimeve të reja, ku prof. Antoni ka si gjithmonë surpriza në botime. Tashmë bibliotekës sime nuk do t’i mungojnë botimet më të fundit të tij si: “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”, ku studiuesi i njohur merr në shqyrtim nga një këndvështrim i ri veprat e nohura “Epi i Gilgameshit”, “Psalmet – Kopshti i simboleve dhe përfytyrimeve”, “Kënga e këngëvë”, poemën e Virgjilit “Gjeorgjikat”, nga u frymëzua Naimi i madh për të shkruar poemën “Bagëti dhe bujqësia”, “Kënga e Nibelungëve” si dhe disa vepra në prozë. Bie në sy shqyrtimi kompetent dhe me një mendim të thellë letrarë dhe studimorë.

Ȅshtë dalluar poeti Anton për lëvrimin e poezisë filozofike. E kam lexuar tek “Prushi i bukurisë” mendimin e tij poetik dhe tani edhe tek “Hiret e vetmisë”. Edhe prof. Prend Buzhala na befason me botimet e tij. Janë tre libra që vinë nga dora e tij. Vëllimi me poezi “Njëqind shënime lirike”, ku shpaloset mendimi lirik dhe poetik i autorit, “Pesëdhjetë oratorio për fjalët e hirshme”, ku pasqyrohen djenjat dhe mendimet estetike të autorit për fjalët hyjnore dhe një monografi e thelluar e prof. Prendit kushtuar romaneve për fëmijë të autorit Anton Nikë Berisha me titull “Romanet për fëmijë të Anton Nikë Berishës”. Pjesë e shoqërisë sonë, ishte edhe dr. Ukë Berisha, veprimtar i njohur për çështjen kombëtare shqiptare, ku për këtë personalitet të njohur në mbarë trojet shqiptare si mjek, politikan dhe si drejtues i SHHBK “Nënë Teraza” në Klinë, shkrimtari i njohur Mikel Gojani kishte botuar një monografi duke shpalosur jetën dhe aktivitetin politik, patriotik dhe humanitar të dr. Ukë Berishës, të cilin e kishte titulluar “Veprimtari cilësore në ngritje të vijueshme e dr. Ukë Berishës”, një vepër e plotë, pasqyrë e një pune plot përkushtim e këtij veprimtari të shquar.

Udhëtojmë drejt Bjeshk ëve të Namuna, saktësisht drejt zonës turistike dhe kulturore të Radavcit, që është nën juridiksionin e komunës së Pejës. Shpesh e kam pyetur veten, pse quhen Bjeshkët e Namuna? Dhe për këtë na vjen në ndihmë legjenda, e cila thotë se një nënë kishte dy fëmijë, sepse burrin ia kishin vrarë ushtarët turq, u detyrua të largohej drejt bjeshkëve, pasi forcat turke po i digjnin edhe shtëpinë. Duke ecur rrugë e pa rrugë, fëmijët i mori etja dhe i kërkonin nënës ujë. Ajo i mbante vazhdimisht me shpresë se diku do të gjenin ujë për të shuar etjen. Fëmijët ishin lodhur, buzët iu ishin shkrumbuar. Nëna e mjerë, në kulmin e dëshpërimit, duke parë fëmijët e saj që po perpeliteshin nga etja, lëshoi një mallkim: – Ju o bjeshkë të nalta, ujë kurrë mos burofshi! U daltë flaka dhe ju shitoftë zana! I kundroja ato bjeshkë të egra, por krenare dhe më kujtoheshin lotët e asaj nane që i mallkoi këto bjeshkë, madje edhe i pagëzoi me një emër të ri, me të cilin thirren rëndom edhe sot në ditët tona. Duke biseduar dhe diskutuar po afrohemi afër fshatit Radavc, ndërtuar në kembë të bjeshkëve. Udhëtimin tonë e bën më të lehtë prof. Labinoti i cili na tregon herë pashere histori, legjenda dhe anektoda për male, lugina, fshatra dhe vende të ndryshme, shoqëruar me një humor të hollë e mjaft të këndshëm.

– Këtu është hidrocentrali i Radavcit, – na thotë prof. Mikeli.

Ȅshtë një vepër e rendësishme për këtë krahinë, pasi ka prodhuar energji vazhdimisht. Ai gjendej në territorin e Komunës së Pejës, i ndërtuar pranë Drinit të Bardhë, i cili buron në rrëzë të Malit Rusolia. Na thonë se kjo vepër ka nisur të ndërtohet rreth vitit 1928 me financim të familjeve të bejlerëve të Pejës. Punimet për ndërtimin e tij kanë përfunduar në vitin 1934, ndërsa kapaciteti prodhues varion rreth 350 kw në të dy turbinat. Megjithse është ndërtuar para 90 vjetësh, kjo vepër është akoma në gjendje pune.

Kemi arritur tek resorti i njohur “Ujëvara e Drinit”, një objekt turistik mjaft i frekuentuar ndërtuar në gjirin e bjeshkëve. Përveç bukurive mahnitëse të natyrës, këtu të tërheqin vemendjen edhe objektet historike natyrore. Pikërisht këtu buronte Drini i Bardhë, për të cilin janë thurrur mjaft legjenda dhe gojëdhëna. Burimi i Drinit të Bardhë është objekt natyrorë i një rendësie të vacantë, prandaj është vënë nën mbrojtje të shtetit para rreth 40 vjetësh, si një nga monumentet më të veçantë të natyrës. Ai ka një sipërfaqe rreth 89.94 ha. Bukuritë natyrore këtu nuk kishin të mbaruar, gjelbërimi, freskia, aroma e luleve, zhurma melodioze e ujëvarave dhe numri i vizitorëve të pafundë, ardhur nga vende të ndryshme, i jepnin luginës një bukuri të rrallë. Kjo pikë e njohur turistike gjendej afër fshatit Radavc, rreth 10 km larg qytetit të Pejës, prandaj vizitorët ishin të shumtë. Ngado ishin ndërtuar rrugë, ura dhe shkallë për t’u krijuar mundësinë vizitorëve që të vizitonin deri në burim këtë aset me vlera të natyrës. Mbi tavolinë sundojnë librat e poetit Llesh Ndoj, por edhe të krijuesëve të tjerë. Bukuria e tyre është në harmoni të plotë me këtë ambjent të mrekullueshëm, ku vizitori, apo pushuesi nuk ndjen lodhje. Nisemi grykës së bjeshkës për të arritur tek vendi ku buron Drini, një terren i vështirë, por i kendshëm. Labinoti na tregon se tek burimi i Drinit, ndodhet një gurë gjigand që po të lëvizet, legjenda thotë se mund të përmbysë gjithë Pejën. Ndërsa prof. Mikeli na tregon se ky vend turistik ka ekzistuar si i tillë edhe para luftës.

Udhëtimi ynë mbaron aty ku ndodhet Shpella e Radavcit, që është pjesë e trashëgimisë historike dhe natyrore të Kosovës dhe gjendet afër fshatit Radavc, pranë burimit të Drinit të Bardhë. Kjo shpellë, ose siç njihet ndryshe “Bukuroshja e fjetur”, gjendet në faqe të malit, në pjesën verilindore të Bjeshkëve të Nemuna. Formimi i saj ka ardhur nga veprimtaria e erozionit, si dhe nga aktiviteti kimik i ujërave nëntokësore të Drinit. Na tregojnë se kjo shpellë përbëhet nga katër elementë morfologjikë, gjatësia e përgjithshme e së cilës ishte rreth 1420 m, ndërsa kanalet horizontale kanë një gjatësi prej 680 m. Në qendër të shpellës gjendet një shtyllë kristalore afro 12 m e lartë. Karakteristikë për këtë shpellë është kanali me vaska i cili gjendet në vazhdimin e galerisë qendrore. Jemi tek hyrja e shpellës, për aq kohë sa qëndruam dukej se në ambjent punonin një numër i madh kondicionerësh, aq fresk bënte. Vazhdojmë udhëtimin tonë për tek Ujvara e Drinit të Bardhë e cila rrjedh nga mali Zhleb në Bjeshkët e Nemuna, në fshatin Radavc. Ajo gjendet në burimin e Drinit të Bardhë dhe është 25 m e lartë. Ky rajon dallohet për peizazhet piktoreske malore, shumë të tilla e rrethonin edhe ujëvarën duke e bërë atë pikë turistike mjaft të vaçantë. Nga të dhënat që mundëm të siguronim për të tre këto monumente të natyrës, Ujëvarën, Shpellën dhe Burimin e Drinit të Bardhë, rezulton se ato janë nën mbrojtje të posaçme që nga viti 1983 dhe trajtohen dhe ruhen si monumente natyrore, sipërfaqja e të cilave arrinte në 89.94 ha. Kthehemi përsëri tek “Ujëvara e Drinit”, ku prof. Labinot Berisha na ka rezervuar një pushim të këndshëm.

Përsëri nuk mungojnë diskutimet rreth librave, por edhe rreth monumenteve historike të natyrës që sapo vizituam, për të cilat prof. Antoni na jep mjaft informacion historik dhe natyrorë. Të gjithë ndajmë mendimin se duhet bërë më shumë për të njohur bukuritë e natyrës sonë, por edhe në njohjen reciproke të vlerave historike dhe krijimtarisë letrare andej e këndej kufirit absurd shqiptaro – shqiptarë.

Ishte një takim që nuk do të shlyhet lehtë nga kujtesa jonë. Poeti Llesh Ndoj na sajdisi me “trinjakët” e tij të sapolindur duke luajtur aq bukur edhe rolin e mikpritësit, madje aty për aty reflektoi përmes një poezie të bukur me titull “Ku shtrydh gjoksin bjeshka naltë”, kushtuar këtyre maleve të bukura dhe krenare dhe kësaj vizite të kendëshme dhe mjaft mbreslënëse. Ja disa vargje: …Ku shtrydh gjoksin bjeshka naltë / dhe buron një ujë i kristaltë, / Nis merr udhën Drini i Bardhë / simbol jete për krejt shqiptarët. / Në Radavc, Komuna e Pejës / të fton bjeshka me ngrit dolli, / Me ujë të Drinit, qelibarë, ku të deh flladi si t’ish raki… / Rridh o Drin, rrjedhsh i bardhë! / Zbrit nga malet me krenari / Cep e n’cep ku ka shqiptarë / që t’nderojnë ty si një hyjni. Kështu poeti meritoi, jo vetëm vlerësimet për librat, por edhe falenderime vllazërore si ideator i këtij takimi me shumë vlera. Largohemi nga ky vend i mrekullueshëm duke marrë me vete përshtypjet dhe kujtimet më të mira dhe mbresa të pashlyera.

VLASH PRENDI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.