Ashtu si thua nuk është por si është nuk e di

0
Nue Oroshi, 31 Tetor 2021

Nue Oroshi

Dhënia e mendimit për një temë që ka të bëj për një çështje të pazgjidhur apo për realizimin e një ideje ka qenë gjithmonë preokupim. Ky preukopim gjithmonë e ka munduar njerëzimin dhe shpeshherë njërzimi ka vuajtur në mungesë të realizimit të një ideje apo mendimi të mirë që është realizuar përmes ideologëve të ndryshëm. Dhënia e mendimit apo ideve të ndryshme është dhënë edhe nëpër odat tona shqiptare ku pleqtarët tanë të mençur e plisëbardhë kanë zgjidhur probleme të shumta, ngatërresa të ndryshme, pajtime të ndryshme apo edhe ndalim të ngatërresave.

Përmes mendimeve të kristalta apo të pastërta shpeshherë janë bërë edhe organizime të ndryshme ku janë marrë edhe iniciativa të ndryshme ku është realizuar qëndresa kombëtare. Por gjithmonë aty ku ka pasur atdhetarë, ideolog kombëtarë, pleq të mençur të kanunit dhe mendimtarë të lindur, shpeshherë ka pasur edhe të tillë që nuk kanë pasur asnjë lidhje me veprat e mira që janë realizuar por vetëm kanë qenë persona që kanë dashur të minojnë apo prishin çdo gjë të mirë. Më e keqja qëndron në faktin se persona të tillë shpeshherë kanë qenë edhe vegla të pushteteve te ndryshme pushtuese në trojet shqiptare. Kanë qenë vegla të armikut për faktin se atë që e ndërtonin atdhetarët e prishnin tradhtarët.

Në këtë shkrim po e jap vetëm një rast të ndodhur në një odë shqiptare: Kur burrat e menqur të Kosovës ishin mbledhur për ta kryer një pleqëri të vështirë, për ta ndalur gjakëderdhjën në mes të dy familjeve tradicionale shqiptare, një burrë i mençur dhe i respektuar e merr fjalën dhe në fund e jep mënyrën se si duhet të zgjidhet ky problem. Papritmas aty e merr fjalën një përson tjetër dhe thotë: “Fjala që e tha dhe që po pëlqehet nga të gjithë nuk është ashtu. Plaku ndalet dhe i shtron pyetjen: Në rregull pasi që nuk është ashtu ma spjego se si është? Ndërsa ai ndërhyn duke thënë: Si është nuk e di por nuk është ashtu.” Në raste të tilla mund të vinte deri të një konflikt i rënd. Por në atë odë kishte qëlluar edhe vëllau i plakut të mençur i cili ndërhyri dhe i tha vëllaut më të vjetër,desha unë ti përgjigjem këtij personi.

A e ke ndëgjuar atë fjalën popullore: “Moj e mira nato talla, në tollovi ndihet budalla.” Atëherë nuk mbeti gjë tjetër përpos që ky tradhtari apo personi qe me përkrahjen e pushtetit bënte ngatrresa të kapet përkrahu dhe të nxirret jashtë. Kjo ngjarje thotë shumë nëse e bëjmë një analizë të situatës politike që ka kaluarë Kosova në periudhën kohore 1999 e deri më sot 2022. Plotë njëzet e tre vite elita politike e Kosovës me disa përjashtime nëper periudha të ndryshme kohore nuk ka ditur që të udhëheq Kosovën në orientimin e duhur. Shumë politikanë tanë duke vrapuar pas pasurisë ata e humbën gojën, mbetën memecë dhe nuk patën mundësi që të reagonin në momentët e duhura kombëtare kur në Kosovë depërtonin rryma të ndryshme politike që e orientuan Kosovën drejt ideologjisë pansllaviste dhe asaj aziatike.

Ata edhe sot kanë mbetur gojë mbyllur kur bëhen shumë gjëra në dëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Goja ju ka mbyllur për faktin se ata kanë shkelur në shputë të shatit, apo në dërrasë të kalbur, siç thotë fjala popullore shqiptare.Kanë bërë milionat me projektet që është duke i shpërndarë Sorosi, Tika turke dhe organizata të ndryshme të fshehta nga Serbia dhe Rusia. Ata shumë mirë e dinë se si është por kanë mbetur shurdhë dhe memec.E shurdhmemecia apo mosreagimi në momentët kur dëmtohet palca ashtnore e kombit shqiptar është një veprim ogurzi. Përsonaliteti i njeriut, i politikanit apo i atdhetarit nuk mvarët nga veprimtaria e t’i apo e saj vetëm në një moment të shkurtër dy apo tre vitësh në shërbim të kombit e gjithë jetën kundër atij me veprime të këqia. Atdhetari i mirfilltë është vetëm ai i cili prej dritëjetës apo dritëlindjes e deri tek dritëvdekja qëndron i palëkundër në rrugën e shejtë kombëtare.

Ai nuk përkulët edhe kur sulmohet nga ato lloje të shiturish që nuk e dijnë se si është por thonë se nuk është ashtu. Ta elaburosh një qeshtje duke e matur veprimtarinë pozitive dhe negative i ngjanë atij kërcnimit për vrasje, që një bashkëvendas i kishte quar fjalë Ramë Bllacës. Ramën e kishte kërcnuar për vdekje. Por mënquria e Ramë Bllacës ishte një menquri që kanë ditur ta bëjnë vetëm dijetarët tanë atdhetarë. Ai i qon fjalë kercnuesit dhe i thotë këto fjalë: “Para se ta marrësh atë veprim merre orën shikoj dhe mati të mirat dhe të kqiat e mija që ti kam bërë unë ty. Po në të njëjten kohë mati edhe të mirat që mi ke bërë ti si dhe ato të këqijat. Kërcënuesi kishte vepruar në atë mënyrë. Të mirat e Ramë Bllacës dolën rrafsh dy orë kurse të këqija nuk i kishte bërë. Të mirat që ja kishte bërë ky Ramës i dolën pesë minuta kurse të këqijat gjysmë ore. U nis kërcënuesi e shkoj tek Ramë Bllaca dhe i kërkoj falje.”

E Rama që kundërshtoj shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi dhe e grisi në Parlamentin e Sërbisë në Beograd marrëveshjën jugosllave-turke, duke thënë se unë jam shqiptar e jo turk dhe kishte në krahun e ti deputetin tjetër Sherif Vocën, u vra pikërisht në të njejtën ditë në vitin 1937 duke u kthyer në shtëpi. Kurse Sherifi u vra katër vjet më vonë 1941 duke bërë përpjekje për riorganizimin e atdhetarve shqiptar kundër Serbisë. Ashtu siç vepruan serbët me Ramë Bllacën në të njëjten mënyrë vepruan edhe komunistet serbo-shqiptar me atdhetarin Qazim Bllaca, djalin e Ramë Bllacës që ishte anëtar i kryesisë qendrore të Lidhjes se Dytë të Prizrenit duke e burgosur shumë vjet.

Kjo tregon se është ardhur koha që të gjithë ne t’i vendosim në peshore dhe ti masim të mirat dhe të këqijat që ja kemi bërë Kosovës. E mos të veprojmë siç vepronte ai personi me thënien e ti: “Se si thua nuk është e si është nuk e di.” E kur terri e mbuloi tokën të gjithë kërkojnë një dritë për tu ndriçuar.Drita dihet se ku ësht duke ndriçuar por fatkeqësi është se dikush që nuk e dinë se si është, ai gjithmonë shkon në rrugën e territ. E rruga e territ e sjell perspektivën e tmerrit. Ora është pesë para dymbëdhjetëve për të ndryshuar diçka në aspektin pozitiv, që çështja shqiptare të vëndosët në binarët e duhur.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.