Akademik HAKIF BAJRAMI “ADEM DEMAÇI-THEMELUES I ZYRËS POLITIKE TË UÇK-së, NË PRISHTINË (1998-1999)”

0
199
Hakif Bajrami - Adem Demaçi

Zymer Mehani

(Rëndësia historike dhe refleksionet)

Libri në fjalë është një kronikë historike me dëshmi të shumta për kohën dhe rrethanat e përfshirjes së Adem Demaçit në krijimin e UÇK-së. Siç thotë prof.. dr. Hakif Bajrami, Demaçi nuk kishte mison PROFETI, po kishte VIZION shpëtimtari, si demokrat i vërtetë që ishte… për të konstatuar gjithnjë sipas tij se filozofia politike dhe strategjike e Bacës në Zyrën Politike të UÇK-së ishte e motivuar nga shprehja antologjike se: Tek lind dielli (në shkrepat e Japonisë) dhe digjet rana (në zallin e Afrikës), do të ndihet lufta e drejtë shqiptare kundër Serbisë gjaksësore, që po provon ende të na mbajë në pranga: Jam Adem Dema. Do të mësojë Evropa. /Jam me Zahirin që të gjuaj me topa / Me Tahir Sinanin / jam Tahir Shqipnia / Me pushkë të Luanit e me Epope të Jasharajve / Do të digjet e shkatërrohet cope më copë Serbia!

Pra libri i Akademik Hakif Bajramit, është një studim që hap horizonte të reja për një analizë shkencore eksplikative, të zyrës politike të UÇK-së, çfarë roli ka luajtur vetë Demaçi si themelues i asaj zyreje, çfarë bëri ai dhe çfarë pa e dëgjoi me sytë e veshët e tij, si rrodhën ngjarjet, pse ndodhën ato dhe kah është dashur të shkojmë, të rreshtohemi dhe a e kemi bërë rrugën e drejtë, me kohë dhe si duhet.

Ky libër vërtet është një kronikë historike e periudhës njëvjeçare 1998-99 të zyrës politike të UÇK-së, me seli në Prishtinë dhe të kontributit të Demaçit dhe të bashkëpunëtorëve të tij në atë zyrë, duke përfshirë edhe autorin e këtij libri kaq interesant dhe tejet të rëndësishëm, prof.. dr. Hakif bajrami, si këshilltarn i Demaçit në kuadër të asaj zyreje.

Në librin e tij Akademik Hakif Bajrami, veç materialeve e temave të tjera, i ka përmbledhur zhvillimet politike dhe ushtarake të viteve ‘98 e ‘99 të shekullit XX, me theks të veçantë, takimet me personalitete të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare të atyre viteve, kur po zhvilloheshin luftime të ashpra në gjithë Kosovën, në mes UÇK-së, si ushtri çlirimtare dhe të forcave ushtarako-policore serbe, si forca okupuese.

Libri me të drejtë cilësohet si një kronikë historike, një vepër fotografike për zhvillimet e kohës. Autori ka hedhur dritë mbi atë periudhë, duke u bazuar në dokumentet që i posedon dhe në kujtimet nga veprimtaria e tij në atë zyrë, edhe pse siç e përmendëm më herët, libri në fjalë i kushtohet vetëm një periudhe të shkurtër historike që përmbledh ngjarjet e vrullshme të vitit 1998 e 1999, që kulmuan me çlirimin e Kosovës nga UÇK-ja dhe NATO-ja, më 13 qershor 1999, mirëpo në libër gërshetohen edhe shumë ngjarje të viteve ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar, por edhe më të hershme.

Një pjesë e ngjarjeve të kohës, të cilat trajtohen në librin e Akademik Hakif Bajramit, janë dokumentare, ku autori ishte vetë pjesëmarrës i atyre zhvillimeve dhe proceseve, ndërsa një pjesë tjetër vijnë si hulumtime shkencore të tij për ngjarje të rëndësishme që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe tokat e tyre. Pra, ky libër, në rend të parë është një kronikë autentike në formë rrëfimi dhe ditari, si dhe një formë personale e evidentimit faktik të zhvillimeve politike dhe ushtarake, që lidhet me të kaluarën e afërt të Kosovës së fundshekullit XX.

Autori, duke qenë edhe vetë vrojtues-protagonist, njëkohësisht dëshmitar dhe shënues autentik i rrethanave nëpër të cilat u detyrua të kalojë Kosova, bën përpjekje të na i prezantojë me kujdes dhe me përkushtim përpjekjet titanike bacës Adem Demaçit me ekipin e tij në Zyrën Politike të UIÇK-së, si dhe të kontributit të popullit shqiptar në Kosovë për liri dhe pavarësi.

Libri, duke u shtrirë kryesisht në vitet ’98 e ’99 të shekullit njëzet, mund të merret edhe si një kronikë e ngjarjeve të përjetuara të autorit, i cili përshkruan dhe spikatë disa aspekte të veprimtarisë në Zyrën Politike të UÇK-së, pjesë e të cilës ishte edhe ai, takimet dhe marrëveshjet, por edhe mosmarrëveshjet politike brenda shqiptare, por edhe me ndërkombëtarët, angazhimin e përkushtuar të Adem Demaçit me detyra specifike, kontributin e tij të pamohueshëm për luftën çlirimtare etj.

Ky libër shpërfaq një pjesë të aktivitetit të Zyrës Politike të UÇK-së dhe të themeluesit të saj, Adem Demaçit, pasqyron përpjekjet e vazhdueshme të tij për çështjen e Kosovës, paraqet zhvillimet e pareshtura, duke na njohur edhe me shumë protagonistë, me veprimtarë të devotshëm e të përkushtuar të çështjes kombëtare, disa prej të cilëve qenë kyçur në atë zyrë përkrah Demaçit, siç është edhe vetë Akademik Hakif Bajramit.

Këtë sintezë hapësire dhe kohe autori e realizon përmes një kronike historike, të artikuluar përmes disa kapitujve të rëndësishëm të librit, të cilët janë të ndarë veç e veç por që kanë një të përbashkët e ajo është veprimtaria e Zyrës Politike të UÇK-së gjatë viteve 1998-99, duke filluar me H Y R J E N, ku bëhet fjalë për SHKATËRRIMIN E ISH-JUGOSLLAVISË DHE PËR KOSOVËN e viteve 1981-1999.

Një nga kapitujt e veçantë është ai që flet për PASOJAT E TERRORIT SHTETËROR, MË 1999, me ç’rast “nga Kosova do të largohen me dhunë për në Shqipëri 7007 800 civilë, në Maqedoni 360 000 civilë (në dy kampe përqëndrimi-Stankovec dhe Çegran), në Mal të Zi u shpërngulën 70 000 shqiptarë, në Bosnje 21000, në Kroaci 4000, në Slloveni 3450, në Gjermani 14 000, në Francë 6300, në Itali 10 000, në Angli 3300, në Suedi 7000, në Norvegji 8000, në Finalandë 2800, në Danimarkë 2800, në Belgjikë 9000, në Turqi 18000, në SHBA 6100, në Kanda 3200, në Australi 3500, në Zvicër 4100, në Zelandë të Re 600, në Izrael 450.

Kur t’i shtohet këtij gjenocidi bartja e kufomave shqiptare dhe varrosja e tyre në Batajnicë, hudhja në Danub e mbi 2000 kufomave të shqiptarëve pa gjurmë, shpaloset qëllimi gjenocidal i një pushteeti neonazist për ta shfarosur një popull të pambrojtur, duke tentuar t`ia ndryshojë identitetin kombëtar. E vërteta ka fakte që Serbia përmes shovinistëve rusë ka planifikuar bartje të kufomave nga Beogradi edhe për në Rusi, me qëllim që të humbin gjurmët e krimit”.

Në pjesën e parë të librit flitet për ADEM DEMAÇIN-SI PERSONALITET I DUHUR, NË KOHËN KUR I DUHEJ KOMBIT, ngase çdo lëvizje për çlirimin e Kosovës (1958-1998) fillon me emrin e Adem Demaçit., për të vazhduar me elaborimin për DEMONSTRATAT QË SHËNUAN REVOLUCION NË MENDIMIN POLITIK SHQIPTAR NGA NËNTORI I VITIT 1968, për DEMONSTRATAT SHQIPTARE QË I KONTRIBUAN NDRYSHIMIT TË EPOKËS HISTORIKE 1981-1997…,

Pjesa shtesë e librit flet për RETROSPEKTIVËN ARGUMENTUESE QË TË MËSOHET DETALI HISTORIK, për të vazhduar me KËSHILLTARËT NË ZYRËN POLITIKE TË
UÇK-së…, që ishin Këshilltarët e brendshëm dhe Këshilltarët e jashtëm.

Pjesa e dytë e librit nis me elaborimin rreth SHEMBUJVE QË E FORCOJNË ARSYEN E KRIJIMIT TË UÇK-së, shpjegohet qartë se KUNDËR KUJT KEMI LUFTUAR, pastaj flitet për FAMILJEN E MADHE SHQIPTARE- QË ISHTE OBJEKT I SULMEVE TERRORISTE SERBE gjatë viteve 1989-1990, për të vazhduar me pjesën shtesë, në të cilën bëhet fjalë për FILOZOFINË POLITIKO-STRATEGJIKE TË ZAHIR PAJAZITIT, E HAKIF ZEJNULLAHUT DHE E EDMOND HOXHËS, për THEMELIMIN E SHTABIT PROFESIONAL USHTARAK TË UÇK-së, për NËNZONAT OPERATIVE TË UÇK-së, e për tema të tjera.

Librit vlerën ia shton edhe një ANEKS, ku përfshihen disa RECENSIONE e vështrime PËR LIBRA, MONOGRAFI QË E ANALIZOJNË LUFTËN E UÇK-së DHE E PRANOJNË REPUBLIKËN E KOSOVËS, për të vazhduar me tema tjera dhe me një KRONOLOGJI të NGJARJEVE NË PRAG DHE GJATË PJESËS SË FUNDIT TË LUFTËS NË KOSOVË. Pastaj vjen PJESA SHTESË: me një KRONOLGJI të PASÇLIRIMIT, ku elaborohet dhe shpjegohet qartë nga Akademik Hakif Bajrami se PSE SERBIA SOT ËSHTË NË OFENSIVË DEFAKTORIZUESE NDAJ REPUBLIKËS SË KOSOVËS.

Nuk do ta teproj nëse them se ky libër është një kronikë historike, veç tjerash, aty-këtu autori përshkruan situata që i përjeton shpirtërisht dhe emocionalisht. Kjo qasje mendoj se nuk e zbeh fare rëndësinë e librit, përkundrazi e bën më të lexuar dhe më të fortë në drejtim të ruajtjes së kujtesës sonë historike.

Pra që nga fillimi deri në fund në libër haset zëri i vetë autorit si një narracion për lexuesin që e mban me shpjegimet konkrete, si shpjegues i atypëratyshëm dhe si vlerësues i çastit dhe rrjedhës së mëvonshme. Ky zë i autorit në asnjë rast nuk është refuzues për lexuesin, sepse nuk është një zë imponues e as një zë që nga pikëpamja e sotshme dëshiron t’i ndreqë apo t’i retushojë ngjarjet.

Gjithashtu duhet theksuar se me ngjarjet dhe zhvillimet që trajtohen në këtë libër autori ofron të dhëna të bollshme me argumentet që posedon për kohën e vrazhdë që ka kaluar populli shqiptar në Kosovë nën terrorin serb në vitet ’98 dhe ’99 të shekullit të kaluar, me theks të veçantë zhvillimet në Zyrën politike të UÇK-së, me seli në Prishtinë, themelues i së cilës ishte Adem Demaçi.

Bazuar në modelin e të shkruarit të këtij libri, lexuesi ka përpara vetes kronikën origjinale që kujton dhe shënon një përudhë nga kohët e vështira nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar i Kosovës.

Ky libër me dëshmi e kujtime nga ajo kohë mund të konsiderohet një kontribut i rëndësishëm i autorit për pasqyrimin e atyre ngjarjeve tejet të rëndësishme.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.