Foto e arkivit. Foto: MARCO BELLO
BT /ritzau/ – Përktheu Arben Çokaj
Sipas djalit të Trump, kërkimi lidhet me dokumentet, që Arkivi Kombëtar i SHBA kërkon të dorëzojë.
Shtëpia e Donald Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida është kontrolluar nga agjentët e FBI-së.
Kështu ka thënë ish-presidenti në një deklaratë në rrjetin e tij social, Truth Social.
FBI ka hetuar për një kohë të gjatë një rrëmujë vdekjeprurëse në Kongresin Amerikan në Uashington D.C. më 6 janar 2021.
Nuk dihet nëse kontrolli i policisë në Mar-a-Lago ka lidhje me këtë hetim.
– Këto janë kohë të errëta për vendin tonë, me shtëpinë time të bukur, Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, tani e rrethuar, kontrolluar dhe pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së. Kjo nuk i ka ndodhur kurrë më parë një presidenti në Shtetet e Bashkuara, shkruan Trump në deklaratën e së martës mbrëma me orën daneze.
Më tej ish-presidenti shkruan se ka bashkëpunuar me të gjitha autoritetet përkatëse qeveritare dhe se kërkimi është “i panevojshëm dhe i papërshtatshëm”.
Ai e quan kërkimin “një sulm nga demokratët radikalë, të majtë, të cilët absolutisht nuk duan që unë të kandidoj për president në 2024“.
Sipas deklaratës së tij, Trump nuk ishte njoftuar paraprakisht për kërkimin.
– Madje kanë hyrë në kasafortën time!, shkruan Trump, i cili në të njëjtën kohë pyet, se cili është ndryshimi mes kësaj dhe Watergate.
Skandali Watergate çoi në dorëheqjen e presidentit republikan Richard Nixon në 1974, pas një depërtimi në zyrën kombëtare të Partisë Demokratike në ndërtesën Watergate në Uashington, D.C.
– Tani po ndodh anasjelltas, që demokratët të hyjnë në shtëpinë e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara, shkruan Trump.
Donald Trump nuk shkruan asgjë në deklaratën e tij për arsyen e kërkimit.
76-vjeçari republikan, i cili ishte president nga viti 2017 deri në vitin 2021, ka qenë i lidhur me disa hetime, përfshirë për çështje financiare.
Sipas CNN, Departamenti Amerikan i Drejtësisë aktualisht po kryen dy hetime në lidhje me Trump. Njëra ka të bëjë me sulmin ndaj Kongresit janarin e kaluar, ndërsa tjetra ka të bëjë me trajtimin e dokumenteve tepër sekrete nga Trump.
Kjo e fundit ka të bëjë me disa kuti me dokumente të cilat duhet të ishin dorëzuar në Arkivin Kombëtar në SHBA, pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë. Por në vend të kësaj, Trump i mori dokumentet me vete në Florida.
Një burim i paidentifikuar me njohuri për rastin i tha CNN se kërkimi filloi herët në mëngjes të hënën me orën lokale. Zyrtarët dukej se po fokusoheshin në zonën e pronës ku ndodhen zyrat e Trump, sipas burimit.
Vetë Donald Trump nuk ishte në Florida kur u krye kontrolli.
Djali i Donald Trump, Eric Trump thotë në një intervistë për stacionin televiziv Fox News se kontrolli është kryer në bazë të dokumenteve që Arkivi Kombëtar kërkon të dorëzojë.
Në shkurt, Donald Trump shkroi në një deklaratë sipas Reuters se ishte e saktë, që ai kishte marrë 15 kuti dokumentesh me vete në shtëpi.
Në të njëjtën mënyrë, ai tha se më pas i ishin dorëzuar Arkivit Kombëtar.
Washington Post shkroi më parë se 15 kutitë lëvizëse ishin plot me letra, shënime dhe në disa raste dokumente konfidenciale, duke përfshirë letra drejtuar dhe nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Trajtimi i dokumenteve nga Trump mund të jetë në kundërshtim me të ashtuquajturin Akt të Regjistrimeve Presidenciale. Ai thotë se forma të ndryshme komunikimi që shkojnë tek dhe nga presidenti gjatë detyrës duhet të ruhen.
Selia e FBI-së në Uashington D.C. si dhe zyra e saj lokale në Miami kanë refuzuar të dy të komentojnë informacionin rreth kërkimit, shkruan Reuters.
/ritzau/