A deshi të rrezikojë djalin Vuçiqi?

0
Vuçiq me të birin

Lis Bukuroca

“E ndaluan tri herë, ia kontrolluan veturën, e keqtrajtuan. E përgëzoj Albin Kurtin për guximin e tij. Ai nuk është aq i guximshëm kur është me mua, por në rregull… Danilo nuk është i vogël, është pak më trim se Albin Kurti” Kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq

A do ta dërgoje ti djalin tënd para pajtimit në një vend ku ushtria jote ka vrarë dhe traumatizuar një popull të tërë? Nëse jo, atëherë ti je një prind normal. Nëse e dërgon dhe je i bindur se atje nuk mund të ndodhë asgjë, atëherë ti djalin ose nuk e do fare, ose e rrezikon qëllimisht, ose i beson kulturës së lartë të mos-hakmarrjes te ai populli. Nëse mendon se nuk ka baba që mburret me rrezikimin apo edhe flijimin e djalit, gabon shumë! Psikopatë të tillë ka edhe te ne! Kudo!

Djali i Vuçiqit për fat të keq ishte vetëm viktimë e manipuluar e babait dhe ardhja e tij për të provokuar tregonte vetëm helmimin që ia ka shkaktuar prindi. Policia e Kosovës bëri një gabim. Ajo është dashur vetëm ta ruaj çunin, por jo ta detyrojë për të zhveshur fanellën.

Nëse mendon ti se nuk është e drejtë të mendohet se e ka rrezikuar djalin, atëherë ti mendon si një njeri normal, por normal nuk është Vuçiqi: ai kërcënon me luftë edhe pas 13,500 shqiptarëve të vrarë nga armata e tij, edhe pas 20,000 grave të dhunuara, edhe pas dëbimit të 50% të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe pas 100,000 shtëpive të djegura…

Ai ekstremist, i cili para pak kohe mobilizoi armatën për të vrarë akoma më shumë shqiptarë në Kosovë, domethënë për të vazhduar aty ku kapitulloi ish-shefi i tij, Millosheviqi, pikërisht ai njeri mendon se e ka dërguar djalin për një vizitë normale?
Ai njeri që ka stacionuar pranë kufirit të Kosovës 48 baza operative të gatshme për luftë?

Pra, nëse ti i ke parasysh ato fakte dhe shumë të tjera, që ne i dimë, por që nuk përmenden këtu, atëherë do të kuptosh se ky njeri nuk e dërgoi djalin pas shpërshkallzimit,
nuk e dërgoi djalin për të shtrirë dorën e pajtimit,
nuk e dërgoi djalin të turpërohet për krimet e shkaktuara nga shteti serb,
nuk e kërkoi për të kërkuar ndjesë,
nuk e dërgoi për t’u penduar për krimet e shteti serb,
por ai e dërgoi djalin për të provokuar rrahjen ose burgosjen dhe për ta shpallur hero në Serbi “Ditën e Vidovdanit!”

Pse mund të mendohet dhe të besohet se Vuçiqi e kishte dërguar djalin për ta rrezikuar? Sepse qëllimi i tij ishte të krijonte një lajm botëror: se djalin ia burgosën, apo ia rrahën terroristët e Kurtit! Sepse e dërgoi në gjendjen shumë të tensionuar!
E mundur se ishte përgatitur për të qarë në televizionin “Pink”. Thjeshtë nuk mund të besohet se ai është aq idiot sa të jetë i bindur se djalit të tij në Kosovë nuk mund t’i ndodhte asgjë.

Sikur t’i kishte ndodhur diçka, Perëndimi do të ishte trazuar, do të ishte pezmatuar dhe askush nuk do të kishte ditur si do të kishte përfunduar gjendja në Ballkan. Borrelli do të kishte akuzuar Kurtin. Lajçaku do të kishte akuzuar Kurtin, pastaj edhe Eskobar dhe kështu me radhë. Në fund, do të fliste edhe ambasadori rus në Beograd dhe vetë Putin në Moskë!

E di ti çfarë është zhgënjyese? Zhgënjyese dhe dëshpëruese është se as Borrelli, as Lajçaku, as Eskobari, e as Edi Rama nuk e kritikuan Gebelsin përse dërgonte djalin për të provokuar në një gjendje aq të tensionuar? Pse? Pse në një gjendje aq të tensionuar për të cilën çdo ditë kërkojnë shpërshkallëzim?

Nuk e kritikuan as ambasadorët tek të cilët qeveritë e mëparshëm pa i pyẻtur nuk shkonin as në nevojtore, kështu, tok me ta, ndërtuan një gjoja-shtet që nuk e kuptojnë as vetë. Serbia në fakt nuk po dëshiron Shoqatë, asociacion, por republikë serbe do të dominonte Krahinën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës herën tjetër nuk duhet t’i lejojë hyrjen djalit të tij, apo të politikanëve tjerë serb, sepse ka shumë familje shqiptare të tmerruara nga shteti serb, të shituara, të traumatizuara dhe të sakatuara, të cilat mund të reagojnë ashtu si nuk duhet. Ashtu si nuk i bën mirë askujt, as Ballkanit.

Pse mund të thuhet se Vuçiqi e rrezikoi djalin e vet? Do të ishte çmenduri të mos besohej. Një lajm i bujshëm i duhej në Serbi. Do të ishte naivitet i pafund dhe mungesë e njohjes së destruktivitetit dhe personalitetit të çrregulluar siç është Vuçiqi. Çdo psikolog do të gjente të gjitha tiparet e psikopatit te ai. Nuk i mungon asnjëra nga 20, që i numëron psikologu kanadez i kriminalistikës Robert Hare.

Në Veri të Kosovës, kriminelët serbë janë armatosur ose vazhdojnë të armatosen, dhe çfarë bën Vuçiqi tani? E dërgon djalin për të provokuar shqiptarët. E manipulon, e politizon, e instrumentalizon dhe e bën vegël. Djalin e vet!!!

Një baba normal nuk e dërgon birin aty ku armata e tij ka vrarë më shumë se 1000 fëmijë. Si të mendohet se nuk e deshi rrezikimin e tij? Vuçiqi e ka dërguar për të provokuar, duke e ditur se populli i Kosovës nuk do ta priste me lule. Vërtetë mendon se një baba, që urren popullin shqiptar deri në zhdukje, i cili çdo çast është i gatshëm të nisë luftën dhe pastrimin etnik, e dërgon djalin me provokim për të rritur miqësinë?

Vuçiqi di mirë se Serbia ka vrarë fëmijë serb sa herë i është nevojitur shtetit serb për të akuzuar shqiptarët. Nëse nuk e di, lexo librin e Bradhyl Mahmutit “Mashtrimi i madh” dhe do të kuptosh kush është Vuçiqi dhe cili është nacional-fashizmi serb i hartuar në Akademinë Serbe dhe i zbatuar nga Shesheli, Millosheviqi, Vuçiqi, Daçiqi (Daci), Gashiqi (Gashi), Vulin etj.

E gjithë ajo nuk është e re për ne, e njohim mirë shtetin serb, por çudia e madhe është se Perëndimi demokratik ushqehet me iluzione se ky konflikt mund të zgjidhet duke e përkëdhelur ekstremistin radikal, pinjollin e Millosheviqit dhe marionetën e Putinit.
E gjithë ajo nuk është e re për ne, e njohim mirë shtetin serb, por çudia e madhe është se Perëndimi demokratik ushqehet me iluzione se ky konflikt mund të zgjidhet duke e përkëdhelur ekstremistin radikal, pinjollin e Millosheviqit dhe marionetën e Putinit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.