Emetime të Shqipërisë – Emetime të Kosovës
Besnik Fishta
Ka data në historinë e një kombi që nuk i përkasin vetëm një periudhe kohore, një kufiri shtetëror apo një sistemi të caktuar politik. Ato janë gurë themeli të kujtesës së përhershme kombëtare, sepse lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën, dinjitetin dhe vazhdimësinë e tij. Për shqiptarët kudo në botë, nga Vlora e Prishtina, në Shkup, Ulqin, Preshevë e deri në diasporën e hershme e të re, 28 Nëntori është pikërisht një datë e tillë. Festa e Flamurit dhe akti sublim i Shpalljes së Pavarësisë (1912) nuk janë thjesht festa zyrtare të një shteti, ato janë nyja bashkuese e të gjithë bashkëkombësve, ndaj edhe pasqyrimi i tyre në pullën postare ka zënë një vend qendror që në agimin e shtetit shqiptar.
Është e vështirë të gjesh një ngjarje tjetër historike që të ketë pasur një prani kaq të pandërprerë në emetimet filatelike shqiptare. Përmes pullave postare, blloqeve përkujtimore, zarfeve të ditës së parë (FDC) dhe vulave speciale, administratat postare kanë dokumentuar në miniaturë rrugëtimin e shtetformimit dhe ndërgjegjes kombëtare. Përtej një përzgjedhjeje tematike, kjo vazhdimësi vërteton se pulla postare është një mjet i rëndësishëm për të përfaqësuar identitetin shqiptar.
1.Veçantia e pasqyrimit të 28 Nëntorit në filatelinë e Shqipërisë qëndron në faktin se ai ka kapërcyer të gjitha tronditjet e mëdha politike dhe ideologjike. Monarkia, periudha e Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist dhe Shqipëria pluraliste kanë pasur secila qasjen e vet grafike dhe simbolike. Kanë ndryshuar stilet artistike, mesazhet dhe leximet ideologjike të historisë, por kurrë nuk ka ndryshuar pesha e 28 Nëntorit dhe figura qendrore e Ismail Qemalit, i rrethuar nga firmëtarët e aktit historik. Që nga pullat e para të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës më 1913 me shqiponjën dykrenare, filatelia u lidh organikisht me sovranitetin. 25-vjetori pavaresise (1937) solli një nga emisionet më ikonike të periudhës së Mbretërisë, duke sjellë për herë të parë gjerësisht ikonografinë e Vlorës dhe simbolikën e aktit të 1912-ës.

Emetimi 1937

Emetimi 1962, pulla me dhe pa dhembezim
50-vjetori i Pavarësisë (1962): Kjo seri monumentale e gjysmës së dytë të shekullit XX vendosi në qendër portretin klasik të Ismail Qemalit, godinën historike të Qeverisë së Përkohshme në Vlorë dhe tablonë e ngritjes së flamurit në ballkon. Pavarësisht kornizës ideologjike të kohës, ky emision fiksoi në kujtesën vizuale kolektive figurën e babait të kombit.
Emetimi 1972
Emetimi 1982
Emetimi 2002
Në 70-vjetorin, 80-vjetorin dhe 90-vjetorin e Pavarësisë, blloqet filatelike dhe seritë e pullave e zgjeruan fokusin, duke kombinuar portretin e Ismail Qemalit me firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, faksimilen e tekstit origjinal dhe Monumentin e Pavarësisë në Vlorë. Jubileu i 100 Vjetorit(2012) shënoi kulmin e prodhimit filatelik shqiptar. Përmes serive, blloqeve dhe zarfeve FDC, u sollën në vëmendje jo vetëm Ismail Qemali dhe dokumenti i Pavarësisë, por edhe krahët e tij të djathtë si Luigj Gurakuqi, Isa Boletini dhe delegatët nga të gjitha trevat shqiptare, duke e paraqitur 28 Nëntorin ashtu siç ishte në realitet, një akt gjithëkombëtar. Emisionet e 110-vjetorit(2022) dhe vitet e fundit vijojnë këtë traditë me qasje grafike bashkëkohore dhe fokus të shtuar te dokumentet arkivore.
2.Një dimension thelbësor për të kuptuar 28 Nëntorin si festë të të gjithë bashkëkombësve është qasja e Postës së Kosovës. Edhe pse Kosova ka 17 Shkurtin si Ditën e Pavarësisë së shtetit të saj të ri dhe një rrugëtim të veçantë shtetformues, 28 Nëntori ka ruajtur një vend të shenjtë në programet e saj filatelike. Ai nuk shihet si konkurrencë ndaj festave shtetërore të Kosovës, por si rrënja e përbashkët historike pa të cilën nuk do të kuptohej e tashmja.
Që pas vitit 2000, Posta e Kosovës ka lëshuar në mënyrë periodike pulla dedikuar Ditës së Flamurit, portretit të Ismail Qemalit, si dhe lidhjes organike të Qeverisë së Vlorës me krerët e kryengritjeve të Kosovës, veçanërisht Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin, të cilët ishin shtytësit dhe mbrojtësit e drejtpërdrejtë të aktit të 1912-ës.
Momenti më domethënës i kësaj bashkërendimi mbetet emisioni i përbashkët (Joint Issue) i vitit 2012 mes Postës Shqiptare dhe Postës së Kosovës me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Pulla që bashkonte në një kuadër të vetëm figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit krah për krah, përbën një sintezë të përsosur historike dhe filatelike: ajo dëshmon se Vlora dhe Kosova ishin dy anët e së njëjtës medalje në themelimin e shtetit shqiptar. Kjo frymë vijoi edhe në emisionet e 110-vjetorit (2022), ku shqiponja dykrenare, Akti i Pavarësisë dhe portreti i Ismail Qemalit riafirmuan unitetin shpirtëror e kulturor.
3.Ndërsa Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një traditë të pasur dhe të dokumentuar, një vështrim i plotë mbarëkombëtar nxjerr në pah edhe mungesat e dukshme në administratat postare të shteteve fqinje ku shqiptarët janë popullsi autoktone dhe shtetformuese, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Deri më sot, as Posta e Maqedonisë së Veriut dhe as Posta e Malit të Zi nuk kanë lëshuar emisione filatelike kushtuar drejtpërdrejt 28 Nëntorit apo figurës së Ismail Qemalit. Edhe pse Posta e Maqedonisë së Veriut ka prekur herë pas here aspekte të trashëgimisë shqiptare, si pulla e vitit 2001 për veshjen tradicionale shqiptare të rajonit të Shkupit, pulla e vitit 2008 për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (ngjarje pararendëse e Pavarësisë), apo emisione për Nënë Terezën e Faik Konicën, mungesa e një emetimi për 28 Nëntorin mbetet një boshllëk sinjifikativ. E njëjta situatë vërehet edhe në Malin e Zi, ku figurat dhe ngjarjet kyçe të historisë së shqiptarëve të atyre trevave (si Ulqini, Tuzi apo Plava e Gucia, të lidhura ngushtë me Lëvizjen Kombëtare dhe firmëtarët e Vlorës) ende nuk e kanë gjetur pasqyrimin e merituar filatelik.
Pikërisht këtu lind domosdoshmëria për të shkuar më tej duhet te kemi Emisione të përbashkëta rajonale. Institucionet kulturore, klubet filatelike dhe administratat postare të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të nxisin bashkëpunime me administratat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke propozuar tema që lidhin historinë e përbashkët të rajonit (p.sh., Kongresi i Manastirit, figurat e Rilindjes që vepruan në të gjitha këto qendra, apo udhëtimi historik i delegatëve drejt Vlorës më 1912).
Filatelia e ardhshme duhet ta kapërcejë ikonografinë tradicionale, duke sjellë në vëmendje shoqëritë patriotike të mërgimit (në Bukuresht, Sofje, Egjipt, SHBA e Itali) që mbështetën aktin e pavarësisë, si dhe të gjithë firmëtarët e saj te harruar, bashkë me trevat prej nga vinin. Padyshim qe pullat e 28 Nëntorit tregojnë se kjo datë i tejkalon brezat, sistemet dhe kufijtë administrativë, duke shërbyer si pasaporta historike e çdo shqiptari. Zgjerimi i këtij pasqyrimi përmes bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe kërkimeve arkivore do ta mbajë gjallë lidhjen e brezave të rinj me ballkonin e Vlorës të 28 Nëntorit 1912, pikënisjen e historisë moderne të kombit shqiptar.











