Autore:
Elife LUZHA
Kanë kaluar më shumë se njëqind vjet nga botimi i veprës “Dr, Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, të shkrimtarit dhe diplomatit të njohur shqiptar Faik Konica, e megjithatë, kjo vepër edhe sot, duket sikur i drejtohet drejtpërdrejtë realitetit tonë shoqëror e politik.
E shkruar në kohë dhe rrethana krejt tjera, vepra krijon përshtypjen se, ndonëse kanë kaluar disa dekada, problematikat me të cilat përballet shoqëria shqiptare, apo më saktë, dukuritë dhe plagët shoqërore që Konica i vë në pah përmes personazhit të Dr. Gjilpërës, në thelb kanë mbetur pothuajse të njëjta.
Në të vërtetë, sa herë që sjell ndër mend personazhin e Dr. Gjilpërës mendimet më çojnë te shteti dhe shoqëria jonë, te institucionet që ende nuk po arrijmë t’i konsolidojmë, te korrupsioni që vazhdon ta gërryejë pasurinë kombëtare, dhe mbi të gjitha, te papërgjegjësitë e drejtuesve shtetërorë të cilët shpesh krijojnë përshtypjen se janë pajtuar me ato dukuri që do të duhej t’i luftonin.
Ashtu si Aristoteli, i cili në veprën e tij “Politika” trajton marrëdhënien ndërmjet individit, shoqërisë dhe përgjegjësisë qytetare në ndërtimin e një bashkësie të mirë politike, edhe Konica, përmes humorit, ironisë dhe sarkazmës, vë në pah pengesat që e vështirësojnë ndërtimin e një shoqërie të tillë.
Mesazhi që Konica përcjell përmes kësaj vepre është se injoranca, korrupsioni, prapambetja, dhe mbi të gjitha, mungesa e kulturës qytetare dhe politike përbëjnë disa nga problemet që vazhdojnë ta dëmtojnë shoqërinë shqiptare edhe në ditët tona.
Pikërisht këtu qëndron aktualiteti i kësaj vepre, e cila na fton të reflektojmë mbi veten, shoqërinë, dhe realitetin që po ndërtojmë. Sepse, ndoshta, problemi nuk qëndron tek mungesa e doktorëve, por te mungesa e guximit për ta pranuar diagnozën…
Gjithsesi, shoqëria shqiptare ka ndryshuar dhe ka shënuar përparime në arsim, në fushën e lirive, të komunikimit dhe të mënyrës së jetesës. Megjithatë, ndryshimet në këto fusha nuk sjellin domosdoshmërisht edhe ndryshimin e mentalitetit, forcimin e institucioneve apo ngritjen e vetëdijes qytetare.
Ndoshta paradoksi më i madh i shoqërisë sonë qëndron pikërisht te fakti se kemi shpenzuar shumë kohë dhe energji për të ndërruar pushtetet, por jo aq sa duhet për të ndërtuar institucione që funksionojnë pavarësisht përkatësisë politike të atyre që i drejtojnë.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se shqiptarët duhet ta paraqesin veten si një shoqëri të pandryshueshme apo të dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme nga veset e veta. Përkundrazi, duhet ta shohim veten si një shoqëri që e ka potencialin dhe mundësinë për të ndryshuar, por ky transformim kërkon institucione të forta, përgjegjësi publike dhe një kulturë të qëndrueshme demokratike.
Sepse janë pikërisht institucionet ato që e bëjnë ndershmërinë të mundshme dhe pandershmërinë të kushtueshme.
Këto janë çështje që Konica i trajton në veprën e tij, por që edhe ne duhet të kemi guximin t’i diskutojmë.
Ndoshta tragjikomedia nuk qëndron vetëm në faktin se Konica, më shumë se një shekull më parë, arriti të evidentonte shumë prej problemeve me të cilat përballemi edhe sot, por edhe në faktin se ne ende gjejmë arsye për ta lexuar dhe për ta ndier atë si bashkëkohës.
Prandaj, shtrohen disa pyetje të cilave nuk mund t’i shmangemi:
Si është e mundur që, edhe më shumë se një shekull më vonë, ne ende jemi në pritje të Dr. Gjilpërës?
Si është e mundur që përgjegjësia publike vazhdon të zbehet përballë interesit personal, merita të humbas përballë lidhjeve dhe ligji më shpesh të anashkalohet sesa të respektohet?
Ndoshta shoqëria jonë nuk ka nevojë vetëm për institucione të forta, por edhe për një diagnozë të ndershme të vetvetes, sepse plagët nuk mund të shërohen duke fshehur shkaqet e tyre.
Dhe në fund, një shoqëri që nuk guxon ta diagnostikojë vetveten, rrezikon të mbetet peng i sëmundjeve të saj, sado kohë të kalojë dhe sado pushtet të ndërrojë.











