15 C
Tirana
E martë, 17 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj VOLTERI DO TË RROTULLOHEJ NË VARR!

VOLTERI DO TË RROTULLOHEJ NË VARR!

0

Përgatiti Ibrahim Miran Kelmendi

PETRA KISLINGER:

Është një ngjarje tronditëse. Dhe është koha e fundit që të ngremë zërin. Michel Houellebecq është një autor i vështirë. Një provokator. Një pesimist. Një njeri që me fjalitë e tij trondit, lëndon, ekzagjeron dhe herë pas here bën edhe përgjithësime të mëdha. Pikëpamjet e tij politike mund t’i refuzosh. Deklaratat e tij mbi Islamin mund t’i konsiderosh të gabuara, fyese, të pahijshme ose të rrezikshme. Mund t’i kundërvihesh, ta kritikosh publikisht, t’i diskutosh librat e tij.
Por që kur duhet të presin shkrimtarët që parashikimet e tyre të zymta, tronditëse dhe ndoshta të pabaza të bëhen objekt hetimesh penale? Që kur është ndjekja penale një përgjigje e përshtatshme ndaj provokimit letrar dhe politik? Që kur duhet të llogarisë një shkrimtar jo më vetëm kundërshtimin, kritikën dhe indinjatën publike, por shtetin si kundërshtar? Këtu është në lojë më shumë sesa fati i një shkrimtari të vetëm.
Bëhet fjalë për pyetjen nëse e kuptojmë ende se çfarë do të thotë liria e shprehjes.
Liria e shprehjes nuk është një çmim për sjellje të mirë. Ajo nuk është një privilegj për njerëzit e pëlqyeshëm politikisht. Dhe aq më pak është një dekoratë që shteti e jep pas një shqyrtimi moral. Ajo vlen pikërisht për atë që është e pakëndshme. Për atë që është tronditëse. Për atë që është jopopullore. Për atë që një shoqëri nuk dëshiron ta dëgjojë. Ajo vlen edhe për mendimet që i konsiderojmë të gabuara. Përndryshe nuk është liri, por një leje për të folur e mbikëqyrur nga shteti.
Dhe ku mbetet, ju lutem, guximi intelektual i kohës sonë? Ku janë shkrimtarët dhe shkrimtaret që e ngrenë zërin edhe atëherë kur bëhet e pakëndshme, kur personi i prekur nuk i përket kampit të tyre politik, kur pikëpamjet e tij janë të vështira për t’u duruar? Ku janë botuesit dhe botueset, universitetet, institucionet kulturore dhe shtypi kulturor? A është liria e fjalës tashmë vetëm një deklaratë besimi për fjalime solemne – për sa kohë që askush nuk e përdor atë në një mënyrë që na irriton vërtet?
Dhe pikërisht Franca!
Vendi i Iluminizmit. Vendi i Volterit. Vendi i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të vitit 1789. Vendi ku liria e fjalës u fitua dikur me luftë kundër pushtetit të kishës, kundër pushtetit të monarkisë dhe kundër pushtetit të ortodoksisë politike.
Do të doje t’u thërrisje revolucionarëve dhe revolucionareve franceze: Çfarë ka mbetur nga trashëgimia juaj?
Volteri citohet me kaq dëshirë sepse ai mbrojti lirinë e mendimit kundër arrogancës së të pushtetshmëve. Qëndrimi i famshëm që i atribuohet Volterit, për të dalë në mbrojtje të së drejtës së atij që mendon ndryshe, është sot më aktual se kurrë. Por çfarë ka mbetur nga kjo traditë, kur pikërisht liria e fjalës së pakëndshme kthehet në një barrë shoqërore dhe juridike?
Unë nuk mbroj çdo deklaratë të Houellebecq-ut. Nuk mbroj përgjithësimet e tij. Nuk mbroj çdo diagnozë të tij politike. Dhe nuk kërkoj nga askush që të ndajë pikëpamjet e tij.
Por një demokraci duhet të durojë kundërshtimin. Ajo duhet të durojë sprovat. Ajo duhet të durojë edhe zërat e shëmtuar, kontradiktorë dhe të pakëndshëm. Sepse askush nuk guxon të zotërojë monopolin mbi të vërtetën. Një demokraci e dëshmon forcën e saj jo në atë se sa me vendosmëri i hesht kundërshtarët e saj, por në atë se sa kundërshtim arrin të durojë!
Meqë ra fjala: Në librin e tij „Disa muaj në jetën time“, Houellebecq u tërhoq disi dhe u kërkoi falje „të gjithë myslimanëve që mund të jenë ndier të fyer nga teksti – domethënë, druaj se pothuajse të gjithë myslimanëve“. Dhe më tej: „Mendoj gjithnjë e më shumë se problemi nuk është Islami, por kriminaliteti.“ Ai tha se atëherë kishte rënë pre e një „budallallëku kolektiv“. Zgjedhja e fjalëve është domethënëse. Që në vitin 2001 Houellebecq-ut iu desh të përgjigjej para gjykatës: Në një intervistë me revistën letrare franceze „Lire“, ai e cilësoi Islamin asokohe si „fe më më shumë budallaqe nga të gjitha fetë“. (…)

***
E huazuar nga:
https://www.facebook.com/petra.kislinger

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.