“Lëndina e Pikëllimit”, aty ku edhe dheu sikur lëngon

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Gjon Marku

  • ese

Pasi lë pas Kukësin dhe Morinën, hyn në Kosovë, në një tokë ku njihet një nga regjimet më të egra e më barbare të historisë, ai serb.

Jo larg Morinës shtrihet një nga qytetet më të bukura e më të vjetra shqiptare, Prizreni, i njohur për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, por që brezi i mesëm e njeh edhe përmes këngëve të thurura për të aq bukur:

…Në Prizren, në të bukurin vend…

Njerëzit e kësaj ane, pas një lufte të gjatë dhe fitores së lirisë, i janë kthyer punës me sytë nga e ardhmja. Diku, mbi shpatin e kodrës, ende shihen rrënojat e luftës. Por nëse ajo që duket sot është pak, ajo që ka mbetur në kujtesën e tyre është shumë më e tmerrshme: një diktaturë dhe një shtypje e pashembullt. Në këto anë bajoneta ka rendur si rrufe edhe mbi trupin e foshnjave në djep. Këtë vend të bukur e të begatë donte ta mbante nën sundim Serbia, sepse fusha e gjerë e Kosovës është një hambar, ndërsa nëntoka e saj fsheh thesare.

Pjetër Geci na telefonon dhe na fton drejt zemrës së Kosovës, ku shtrihet Gjakova trime, vendlindja e burrave me emër, mes tyre edhe Sulejman Vokshi. Burrat e kësaj treve kanë lënë gjurmë në të gjitha ngjarjet dhe çastet kyçe të historisë së Shqipërisë së Epërme, e të mbarë kombit shqiptar.

Nuk do të ndalem këtu te lavdia dhe pesha e Gjakovës në histori, as te bukuritë mahnitëse të kësaj treve, as te miqësia dhe mikëpritja e miqve tanë atje. Do të ndalem te një nga ngjarjet më tronditëse të këtij vendi, aty ku gjendet një nga varret masive të Kosovës, në “Lëndinën e Pikëllimit”. Këtë emër ia kanë vënë vetë gjakovarët pas masakrës së Mejës, ku ishte grumbulluar e u varrosën qindra viktima të pafajshme.

Shkrimtari dhe studiuesi Pjetër Geci nuk mungon të na ofrojë mikpritjen dhe gatishmërinë e tij për të vizituar Gjakovën. Thërret edhe miqtë e tij shkrimtarë e gazetarë, dhe kështu na bashkon të gjithëve. Engjëll Berisha të trondit me dëshminë e tij: pasi kanë vrarë njerëz të afërt të familjes së tij, u kanë hedhur sipër libra shqip dhe u kanë vënë zjarrin. Dihet se Gjakova është një nga trevat ku barbaria serbe u sul pa mëshirë. Drenica dhe Gjakova ishin kthyer në kryefjalë të luftës për liri, dhe këtu goditja ka qenë më e madhja e më e ashpra. Muret, rrugët, rrugicat dhe lagjet duket sikur mbajnë ende erën e gjakut dhe të tmerrit.

Pas një vizite në bibliotekën e Gjakovës dhe shkëmbimit të ndërsjellë të librave me miqtë shkrimtarë, mësuam se në ditën e përfundimit të luftës vetëm 2% e librave ishin në gjuhën shqipe. I gjithë fondi i trashëguar ishte në serbo-kroatisht, ndërkohë që popullsia serbe në Gjakovë dhe rrethinat e saj nuk arrinte as 0.2%. Gjithçka u inventarizua me kujdes dhe më pas shikimi u drejtua përpara. Falë punës dhe këmbënguljes së shkrimtarit Engjëll Berisha, u krijuan ura bashkëpunimi me shumë biblioteka e shtëpi botuese, dhe sot fondi i kësaj biblioteke numëron afro 25 mijë tituj dhe periodikë në gjuhën shqipe.

Pjetri na drejton më pas te “Radio Gjakova”. Edhe kjo, një nga pionieret më të zëshme të luftës për fjalën e lirë dhe shqiptarizmin, ka pësuar një valë shkatërrimesh. Vjollca, gazetarja e radios, na shoqëron nëpër të gjitha sallat e këtij institucioni prestigjioz. Shqiptarët dhe njerëzit e dijes kanë arritur me shumë vështirësi të shpëtojnë një pjesë të kasetave dhe disqeve ku është arkivuar një traditë e hershme kulture e dijeje. Dihet se institucionet e kulturës në Kosovë iu nënshtruan dhunës dhe një kontrolli të rreptë, me synim që gjithçka të zhdukej.

Drejtori i “Radio Gjakovës”, miku ynë S. Bala, duke folur për vendin dhe rolin e saj në çaste të vështira, thotë:

“Radio Gjakova e nisi programin e parë në nëntor të vitit 1979, por brenda një kohe të shkurtër u kthye në një institucion mjaft problematik për Beogradin. Kështu, në vitin 1990 u pushtua nga serbët, të gjithë gazetarët shqiptarë u larguan nga puna dhe programi kaloi në serbo-kroatisht, megjithëse audienca ishte 100% shqiptare. Më 14 qershor 1999 ajo ishte e para radio që rifilloi transmetimin e programeve në të gjithë Kosovën. Prandaj sot e quajnë me të drejtë ‘Lajmëtari i lirisë’.”

Kastrioti, një djalë i ri dhe energjik, bëri të mundur vizitën tonë deri në “Lëndinën e Pikëllimit”, ku ndodhet varri masiv i Mejës. Drejtori i “Radio Gjakovës”, Bala, na shoqëron deri atje. Është një nga masakrat më të tmerrshme, ku u varrosën njëherazi 279 persona në një ditë. Por ky varr masiv eshtrash ka vazhduar të rritet ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, dhe sot numri i të varrosurve ka kaluar 370. Eshtra sillen e varrosen vazhdimisht në “Lëndinën e Pikëllimit”. Nën dhe prehen qindra burra e gra, njerëz të pafajshëm, bijtë më të mirë të popullit të Gjakovës dhe të trevave përreth. Sipër ngrihet një mal kurorash e lulesh, që me kalimin e kohës sikur marrin vetë peshën e pikëllimit dhe të tmerrit.

Kushdo që shkon deri në “Lëndinën e Pikëllimit” ndien natyrshëm një emocion dhe një dhimbje të pazakontë. Me fjalë thuhet pak. Ku mund të gjenden fjalët për të përshkruar një barbari kaq të skajshme? Vetë lëndina duket sikur nxjerr klithma nga nëntoka. Ndoshta është lëndina dëshmitare e një prej masakrave më të tmerrshme.

Përtej saj shtrihet Klina, gjithashtu plagëshumë, e më tej Drenica heroike, ku çdo shpat e gur, çdo gjethe e fije bari u njom me gjakun e kulluar të bijve të kësaj toke. Pas Mejës gjenden varrezat e qytetit të Gjakovës, dhe këtu është një tjetër varr masiv, ku prehen 21 gra e fëmijë të pafajshëm, të vrarë nga serbët. Bala prek lehtë pllakën e varrit, pastaj fshin pluhurin mbi të me butësi, sikur druan mos ua lëndojë plagët foshnjave nën dhe.

Eh, medet, si do t’i tresë dheu barbarët që u turrën si bisha mbi foshnja të njoma…

Kthehemi nga Gjakova me një ngarkesë të madhe emocionale dhe një tronditje të pazakontë. Atë tronditje, që të mbetet pas vizitës në “Lëndinën e Pikëllimit” dhe te varri masiv i Mejës, e zbusin pak mikpritja dhe mjedisi miqësor që na krijojnë miqtë kosovarë.

Në kodrën mbi Gjakovë u ngjitëm të gjithë, të prirë nga Pjetër Geci. Para nesh shtrihej ajo cep Kosove që sot shikon nga e ardhmja. Kastrioti flet pak; duket se i vjen keq për tronditjen tonë. Pjetër Geci dhe Engjëll Berisha nuk ia ndalin shakatë, sikur duan të na heqin gjithçka kishim parë dhe që, natyrisht, nuk na linte të ndiheshim mirë. Vjollca, gazetarja e kulturës, e kënaqur për emisionin e saj të pasdites, kërkon të flitet për Shqipërinë, për Shkodrën dhe traditat e saj kulturore. Pastaj flasim për letërsinë dhe artet e këtyre anëve.

Por Gjakova nuk është një qytet që mjafton një ditë për ta parë e për të prekur realitetin e saj të madh. Qëllimi i ardhjes sonë ishte “Lëndina e Pikëllimit”.

Tutje, Bjeshkët e Nemuna duket sikur i bëjnë roje kësaj treve heroike. Pjetri këmbëngul që të rrimë, por andej nga kishte ardhur dikur barbaria, tani po vinte nata. Pjetër Geci nuk dëshiron të ndahet prej nesh, prandaj me miqtë e tij na përcjell deri në Bishtazhgjin, në udhën e kthimit. Pas lëmë një mikpritje të pazakontë, shkëmbimin e një përvoje të re dhe fillimin e bashkëpunimeve të ardhshme. Me vete marrim edhe një copë tjetër Gjakove: librat e Engjëll Berishës, të Pjetër Gecit, të Halil Haxhosajt dhe të autorëve të tjerë të kësaj ane.

Prapa mbeti “Lëndina e Pikëllimit”, ndërsa ne morëm udhën e kthimit nëpër natë. Por ka vende që, edhe kur largohesh prej tyre, nuk të lënë të largohesh. Ato të ndjekin në heshtje, të qëndrojnë në mendje dhe të rëndojnë në shpirt. E tillë është edhe kjo lëndinë. Atje duket sikur lëngon vetë dheu, sikur në thellësinë e tij vazhdon të dëgjohet një klithmë që koha nuk ka mundur ta shuajë. Atje duket sikur lëngon edhe dheu, dhe nata sikur druan t’i mbulojë me terr engjëjt që prehen nën të. Të gjithë bashkë, pa folur, dëshmojnë një nga epokat më të errëta e më mizore që ka njohur Kosova: vrasjen dhe gjymtimin masiv, pa pyetur për fe, moshë apo gjini.

Nata po e mbulonte Kosovën, por nuk mund ta mbulonte kujtesën. Në atë tokë, nën një heshtje që të rrëqeth, prehen njerëz që nuk patën mundësi të jetonin, të plakeshin, të rrisnin fëmijët e të përjetonin lirinë për të cilën aq shumë u sakrifikua. Ata nuk kanë më zë, por kanë varret. Nuk kanë më fjalë, por kanë kujtesën tonë. Dhe kjo kujtesë është detyrim për të gjithë ne.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i “Lëndinës së Pikëllimit”: ajo nuk është vetëm një vend ku prehen viktimat e një masakre. Është një dëshmi e gjallë se çfarë mund t’i bëjë njeriu njeriut, kur urrejtja shndërrohet në krim dhe barbaria kërkon të zhdukë jo vetëm jetën, por edhe kujtesën e një populli.

Ne u larguam, por lëndina mbeti aty, me lulet mbi varre, me heshtjen e saj të rëndë dhe me dëshminë që nuk do të shuhet. Mbeti për të na kujtuar se liria nuk është një dhuratë që vjen vetvetiu, por një e drejtë e paguar me jetë njerëzore. Mbeti për të dëshmuar se asnjë krim nuk mund të varroset përgjithmonë nën dhe, sepse e vërteta, herët a vonë, kërkon të dalë në dritë.

Dhe, ndërsa makina largohej nëpër natë, mendova se atje, në atë lëndinë të përgjakur, nuk kishte rënë në gjumë vetëm dheu. Kishte mbetur zgjuar kujtesa e një populli të tërë.

Zoti i gjykoftë mëkatarët.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit