
Kastriot Myftaraj
Më 24 maj 1969, Rexhep Qosja shkruan në ditar:
“Redaksia e botimeve e Ndërmarrjes Gazetare dhe Botuese Rilindja ka botuar romanin e madh të shkrimtarit të madh gjerman, Tomas Man, Budenbrokët, në dy vëllime. Më parë ky roman është botuar në Tiranë dhe është kthyer në shqip prej përkthyesit Klio Mulla. As nuk kam dëgjuar kësi emri-Klio, as nuk kam dëgjuar se është përkthyes ai.”
(Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike: Ditar 1966–1974, Vëllimi I, Botime “Toena”, Tiranë, 2014, f. 154)
Rexhep Qosja mendonte se “Klio” është emër mashkulli. Në të vërtetë, “Klio” është emër femre dhe Klio Mulla (e mirënjohur si Klio Evangjeli pas martesës) është femër. Rexhep Qosja duhet ta kishte dëgjuar emrin “Klio”, sepse ai është emri i njërës prej nëntë muzave mitologjike, që frymëzonin artistët, shkrimtarët dhe historianët. Klio (“Clio”, siç shkruhet në anglisht) ishte muza e historisë. Çdo njeri që ka një diplomë universitare për letërsi e di se cila ka qenë Klio, për të mos thënë se e di çdo gjimnazist i mirë.
Në vitin 1969, kur shkruante këto rreshta, Qosja 32-vjeçar ishte një i diplomuar në gjuhë dhe letërsi, që prej pesë vjetësh. Në vitin 1969, Qosja ishte prej dy vjetësh punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku dy vjet më pas do të bëhej drejtor. Unë jam i sigurt se, nëse Qosja do ta kishte mësuar më vonë se cila ishte Klio, ai me siguri do ta kishte ndrequr këtë gafë të madhe të tij në vitin 2014, kur u botuan ditarët e tij. Por akademik Qosja nuk e dinte as në vitin 2014 se cila ishte Klio! Fakti që Qosja nuk e di se cila është Klio, njëra nga nëntë muzat, tregon se ai nuk e ka idenë se cilat janë muzat.
Rexhep Qosja, në krejt ditarin e tij, shfaq një mani intelektuale. Ai kërkon të tregojë se ka lexuar shumë libra. E duke e bërë këtë gjë, ai bën gafa nga më qesharaket. Kështu, më 20 shkurt 1976, Qosja shkruan në ditar:
“E lexoj Manastirin e Parmës të Stendalit, ndoshta për të dytën herë prej se, për herë të parë, e kam lexuar kur isha në vitin e tretë të Normales së Prishtinës. Protagonisti i romanit, Zhylien Soreli, është personazh që nuk harrohet kurrë.”
(Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike: Ditar 1975–1978, Vëllimi II, Botime “Toena”, Tiranë, 2014, f. 128)
Në të vërtetë, Zhylien Soreli është protagonisti i romanit tjetër të Stendalit, atij me titull E kuqja dhe e zeza. Protagonisti i romanit Manastiri i Parmës është Fabrizio del Dongo. Merret vesh, Qosja as që i ka lexuar këta libra! Në këtë kohë, ai ishte prej pesë vjetësh drejtor i Institutit Albanologjik. Të tjera marrëzi të Qosjes do t’i ziheshin për të madhe edhe një nxënësi gjimnazi në orën e letërsisë. Kështu, Qosja shkruan më 31 janar 1977:
“Victor Hugo ka krijuar gjedhen e romanit historik romantik.”
(Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike: Ditar 1975–1978, Vëllimi II, Botime “Toena”, Tiranë, 2014, f. 238)
Në të vërtetë, krijuesi i romanit historik romantik ishte skocezi Walter Scott, i cili kishte lindur 31 vjet para Hugoit.
Gafat e Qosjes kur flet për libra janë të pafundme. Kështu, ai, më 2 shkurt 1977, shkruan në ditar për:
“romanin e Balzakut, Shkëlqimi dhe mjerimi i prostitutave.”
(Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike: Ditar 1975–1978, Vëllimi II, Botime “Toena”, Tiranë, 2014, f. 261)
Titulli i romanit të Balzakut është Splendeurs et misères des courtisanes. Balzaku përdor fjalën kurtizane (“courtisanes”), jo fjalën “prostituta”. Kurtizane dhe prostitutë nuk është e njëjta gjë. Kurtizanet qenë femra të cilat e shisnin trupin për para, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë si prostitutat. Kurtizanet qenë femra të cilave duhej t’u bëhej korte, të flirtohej me to, për të vendosur një marrëdhënie, në dukje dashurore, por që paguhej me dhurata të ndryshme materiale dhe me para. Në shqip, romani është përkthyer me titullin Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve.
Sa më shumë që Qosja kërkon të tregojë erudicion, aq më shumë gafa bën. Kështu, më 31 dhjetor 1983, ai shkruan në ditar:
“M’i çel sytë, ma kthjellon mendjen dhe ma largon gjumin mendimi i kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Delano Ruzvelt, i shqiptuar në fjalimin e tij inaugurues, më 4 mars 1933, në vitin tragjik kur Adolf Hitleri bëhet kancelar i Gjermanisë, me ç’rast përpos të tjerash, i thekson katër liritë pa të cilat nuk ka kuptim jeta e njeriut e që janë:
Liria e fjalës,
Liria e fesë,
Liria nga frika,
Liria nga varfëria.
Nuk e gëzojmë asnjërën prej tyre. Nuk i kemi gëzuar kurrë.”
(Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike: Ditar 1982–1983, Vëllimi IV, Botime “Toena”, Tiranë, 2014, f. 439)
Në të vërtetë, Presidenti Roosevelt foli për katër liritë në fjalimin e tij të mbajtur para Kongresit më 6 janar 1941, pak kohë pasi ishte zgjedhur president për herë të tretë radhazi.
Ironia është se Rexhep Qosja personalisht, në vitin 1983, kur shkruante kështu, i gëzonte të katër liritë. Ai gëzonte lirinë e fjalës, si të drejtën për të shkruar e thënë marrëzira. Ai gëzonte lirinë e fesë. Në xhami mund të shkonte kur të donte dhe sa herë të donte. Edhe lirinë nga frika e gëzonte, se serbët, madje edhe pas 24 marsit 1999, kur nisën bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, e lejuan Qosjen të largohej lirisht nga Prishtina e Kosova dhe të vinte në Tiranë, ku qeveria shqiptare e kohës i dha për banim shtëpinë e Enver Hoxhës. Edhe lirinë nga varfëria Qosja e gëzonte në vitin 1983, si dhe më herët, shumë më tepër sesa e meritonte. Ai shpërblehej mirë financiarisht nga shteti jugosllav për marrëzitë që shkruante, a ndoshta pikërisht për këtë arsye.
Në ditarin e vet për Konferencën e Rambujesë për Kosovën, të mbajtur në vitin 1999, ku Qosja ishte anëtar i delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, ai shkruan se, kur u nis për në Francë, mori me vete edhe disa libra për t’i lexuar:
“Marr me vete Shoqërinë e hapur dhe armiqtë e saj të Karl Poperit, Demokracinë dhe totalitarizmin të Klod Leforit, Heronjtë dhe varret e Sabatos dhe Rënien e zgjedhjeve, të Preç Zogajt.”
(Rexhep Qosja, Paqja e përgjakshme, Vepra, Vëllimi XIX, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2010, f. 14)
Në Rambuje, Qosja do të rrinte 18 ditë, nga 7 deri më 25 shkurt 1999. Kjo duhej të ishte kohë e ngarkuar me negociata, me shqyrtim të dokumenteve që do të ofroheshin, të projektmarrëveshjes dhe anekseve të saj, që përbënin në tërësi një tekst të vëllimshëm. Ku do ta gjente kohën Qosja të lexonte librat që kishte marrë me vete? Qosja po shkonte në kështjellën e Rambujesë si një turist që do të kalonte disa ditë për pushim atje, jo si një pjesëmarrës i angazhuar në një konferencë ku do të vendosej fati i Kosovës. Së paku, Qosja të kishte përzgjedhur libra që kishin të bënin me konferenca ndërkombëtare, që do të kishin qenë më të përshtatshëm!
Qosja nuk thotë se në çfarë gjuhe ishin librat që kishte marrë. Por, duke konsideruar se Qosja nuk lexonte në gjuhë tjetër veç shqipes dhe serbokroatishtes (kjo gjuhë nuk ekzistonte më si gjuhë zyrtare e përbashkët në vitin 1999), mund të thuhet se, p.sh., librin e Popperit, Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, që në atë kohë nuk ishte botuar në shqip, Qosja duhet ta kishte në serbisht. Nëse ky libër ishte botuar në serbisht apo kroatisht që në atë kohë, është një gjë për të cilën dyshoj shumë. Sa për librin e Leforit, Demokracia dhe totalitarizmi, është e sigurt se fjala është për një botim të asaj kohe të shtëpisë botuese “Dukagjini” në Kosovë, në shqip. Romanin e Sabatos e ka pasur me siguri në serbisht. Nuk merret vesh se përse Qosja e kishte marrë me vete librin e Preç Zogajt, Rënia e zgjedhjeve, që tregonte për zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 në Shqipëri. Ndoshta për terapi, se Qosja nuk mund të rrinte disa ditë pa lexuar një tekst ku shahej Sali Berisha.
Dështimi i madh intelektual i Qosjes është se ai nuk arriti të mësonte anglisht, madje as nuk bëri përpjekje për këtë gjë. Në Rambuje, ai i kërkoi delegacionit shqiptar që të vendosej një rregull që të gjithë anëtarët e delegacionit të flisnin në shqip. Problemi i Qosjes ishte se nuk donte që të shquheshin anglishtfolësit që bënin pjesë në delegacion. Qosja pati këtë debat me Veton Surroin në konferencë:
“VETON SURROI: Fillon të flasë anglisht!
REXHEP QOSJA: Fol shqip, të lutem!
VETON SURROI: Do të flas anglisht për shkak të nuancave!
REXHEP QOSJA: Jemi marrë vesh që në takime me të huajt të flasim shqip. Ivanovi foli rusisht. Edhe shqipja ka nuanca; mund të përkthehen edhe nuancat!
VETON SURROI, vazhdon, megjithatë, anglisht duke e përkthyer herë pas here vetveten në shqip.”
(Rexhep Qosja, Paqja e përgjakshme, Vepra, Vëllimi XIX, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2010, f. 147)
Nuk ka dyshim se anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës do të bënin një përshtypje më të mirë në konferencë duke folur anglisht. Duke folur shqip, ata vetëm sa do të vështirësonin komunikimin, nuk do të përfitonin ndonjë gjë sa i përket pohimit të identitetit nacional. Tashmë ishte vendosur që shqiptarët e Kosovës të ishin palë në konferencë dhe që dokumentet të përktheheshin në shqip. Kështu që, nëse anëtarët e delegacionit shqiptar do të komunikonin në anglisht, me këtë vetëm sa do të rrisnin profilin e tyre. Por problemi i Qosjes ishte se ai vetë nuk mund të komunikonte në anglisht.











