(Në kujtim të Dr. Bajram Krasniqit)
Vdekja të mori tinëzisht,
pa paralajmërim,
të ri fare, të ri.
Ishe i pasionuar pas leximit
dhe studimit.
Qyshkur ishe normalist, u paraqite
me shkrime e studime
në gazetat dhe revistat tona.
Çdo germë e hedhur në letër
nga dora jote
e kishte hijeshinë
dhe ëmbëlsinë e saj.
Ishe fjalëmbël e i dashur;
me ne ndaje
gjithçka që kishe.
Kur morëm lajmin se na le,
ndërmjet lotësh
mallkuam 9 nëntorin
e asaj vjeshte të brishtë,
që na solli dhembje e pikëllim.
Humbëm mësuesin
dhe studiuesin e gjuhës latine
të gjimnazit në Besianë,
që me dashuri e ngrohtësi
shpjegonte thëniet e Homerit
të lashtësisë
dhe ato të Homerit tonë të ri,
At’ Gjergj Fishtës.
Pate fat të hidhur, të ngjashëm
me atë të Migjenit,
hapat e të cilit i ndiqje
me fanatizëm e përpikëri.
Vdekja e parakohshme
jua ndërpreu hapin
mu në kohën
kur deshët të ngjiteshit
në majat e Olimpit.
Të kujtojmë me mall
dhe me falënderim të përjetshëm.
Mësuesi ynë
i fjalëve magjike
dhe i veprave
të qëndisura me fije ari.
Arif Ejupi
Gjenevë, 9 nëntor 1996


