13.2 C
Tirana
E mërkurë, 4 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E...

FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE

0

Besnik Fishta Besnik Fishta

Viti 2026 mund të konsiderohet një vit me arritje të vlerësueshme për filatelinë shqiptare, veçanërisht për sa i përket përzgjedhjes dhe trajtimit të tematikave të emetimeve postare. Një vështrim mbi programin e realizuar evidenton përpjekjen për të pasqyruar vlera të rëndësishme të historisë kombëtare, trashëgimisë kulturore, natyrës dhe biodiversitetit shqiptar, krahas temave që lidhen me zhvillimet bashkëkohore dhe bashkëpunimin filatelik ndërkombëtar.

Një meritë e veçantë e këtyre emetimeve është përparësia që iu dha temave me karakter kombëtar, të cilat përmes pullave postare shërbejnë jo vetëm si objekte koleksionimi, por edhe si mjete komunikimi kulturor dhe dokumentimi historik. Në këtë këndvështrim, emetimi kushtuar xhubletës ishte ndër më përfaqësuesit e vitit. Përveç rëndësisë së temës, ai u dallua edhe për mënyrën e prezantimit, duke u shoqëruar me disa forma filatelike: seri pullash, zarfa të ditës së parë (FDC), karta maksimumi dhe buklet. Kjo shumëllojshmëri i dha emetimit një vlerë të shtuar koleksionimi dhe e bëri më të plotë paraqitjen e një prej elementeve më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore.

Një vend të rëndësishëm në program zunë edhe temat e faunës dhe florës shqiptare, të cilat tradicionalisht kanë interes të veçantë për koleksionistët. Në emetimet kushtuar faunës, përfaqësimi i shqiponjës, si simbol i identitetit kombëtar, i jep kësaj tematike një domethënie përtej aspektit natyror. Ndërsa emetimi për florën shqiptare solli në vëmendje bimë karakteristike të peizazhit tonë, si boronica e egër, fiku i detit, valanidhi dhe qepa e detit. Këto specie përfaqësojnë pasuri të rëndësishme të biodiversitetit, duke dëshmuar larminë e habitateve dhe përshtatjen e bimësisë me kushtet e ndryshme natyrore të vendit. Përmes këtyre pullave, filatelia merr edhe një funksion edukues, duke nxitur interesin për njohjen dhe mbrojtjen e natyrës.

Në të njëjtën linjë mund të vlerësohet emetimi kushtuar turizmit malor në Shqipëri. Pamjet e majave dhe luginave malore, nga Alpet shqiptare e më tej, paraqesin një pasuri të jashtëzakonshme peizazhore dhe krijojnë një imazh autentik të potencialeve turistike të vendit. Ky emetim nuk ka vetëm vlerë dokumentuese, por edhe promovuese, pasi pulla postare mbetet një ambasadore e vogël e vendit që udhëton përtej kufijve.

Një tjetër pikë e fortë e programit ishte emetimi “Ngjarje historike”, përmes të cilit u përkujtuan disa përvjetorë të rëndësishëm, që shënojnë një shekull nga themelimi apo krijimi i institucioneve me ndikim në jetën shqiptare. Ndër to përfshihen Instituti Femëror “Kyrias”, i themeluar nga Parashqevi Qiriazi, themelimi i Bankës së Shqipërisë, shpallja e Republikës së Shqipërisë dhe hapja e Shkollës Profesionale në Golem të Kavajës. Përzgjedhja e këtyre ngjarjeve ka rëndësi të veçantë, sepse përmes imazheve të ndërtesave historike rikthehen në kujtesë institucione që kanë ndikuar në zhvillimin arsimor, ekonomik dhe shtetëror të vendit.

Programi përfshiu gjithashtu figura të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, si Vaso Pasha, Qamil Buxheli, Albert Paparisto, Zija Shkodra dhe Papa Kristo Negovani,. Këto emetime dëshmojnë përpjekjen për të ruajtur kujtesën mbi personalitete që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës kombëtare.

Vëmendje meriton edhe emetimi kushtuar digjitalizimit të sektorit postar, një temë që pasqyron transformimet teknologjike të shërbimeve dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e kohës. Ndërkohë, emetimi për trashëgiminë kulturore, me temën e qëndisjeve, evidentoi një tjetër dimension të traditës sonë popullore, ku mjeshtëria artizanale, motivet dhe simbolika përbëjnë një pasuri të çmuar kulturore.

Interes paraqet edhe emetimi mbi zbulimet arkeologjike në varrezat mesjetare të Përmetit dhe në qytetin antik të Orikumit, ku janë zbuluar objekte të shumta zbukurimi. Përfshirja e këtyre zbulimeve në filateli është një mënyrë e mirë për të lidhur objektin postar me kërkimin shkencor dhe për të përcjellë te koleksionistët dëshmi konkrete të historisë sonë të hershme.

Në këtë panoramë nuk duhen lënë jashtë as emetimet EuroMed dhe ato të serisë Europa 2025, të cilat përfaqësojnë një dimension tjetër të filatelisë shqiptare, atë të pjesëmarrjes në tematika të përbashkëta dhe të komunikimit me hapësirën filatelike evropiane.

Nga pikëpamja sasiore, prodhimi filatelik i vitit 2026 përfshiu rreth 32 imazhe pullash, 12 zarfa të ditës së parë (FDC), pese blloqe filatelike dhe produkte të tjera shoqëruese. Në realizimin grafik u angazhuan piktorë me përvojë në fushën e filatelisë, si A. Baboci, Xh. Guga, G. Gjikopulli dhe S. Zani, si dhe shtëpia botuese Adel Co. Një element pozitiv ishte shoqërimi i çdo emetimi me qarkore informuese, ku pasqyrohen të dhëna të rëndësishme për çmimet, tirazhet, karakteristikat teknike të pullave dhe autorësinë artistike. Këto të dhëna janë veçanërisht të vlefshme për koleksionistët dhe studiuesit, pasi përbëjnë dokumentacionin bazë për identifikimin dhe vlerësimin e materialit filatelik.

Megjithatë, krahas vlerësimeve pozitive, analiza e vitit 2026 nxjerr në pah edhe disa problematika që nuk mund të anashkalohen. Më e rëndësishmja lidhet me faktin se dhjetë emetimet e realizuara gjatë këtij viti, sipas informacionit të disponueshëm, i përkisnin programit të vitit 2025. Pra, kemi të bëjmë me një program të zbatuar me vonesë, një problem që duket se është përsëritur edhe në vitet e mëparshme në veprimtarinë e Postës Shqiptare.

Nuk është një çështje thjesht administrative. Respektimi i kalendarit të emetimeve përbën një element të rëndësishëm të seriozitetit dhe besueshmërisë së një administrate postare. Vonesat ndikojnë drejtpërdrejt te koleksionistët vendas dhe të huaj, të cilët planifikojnë blerjet dhe plotësimin e koleksioneve në bazë të programeve të shpallura. Ato krijojnë gjithashtu paqartësi në dokumentimin dhe ndjekjen e zhvillimeve filatelike nga organizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe Bashkimin Postar Universal (UPU).

Është veçanërisht e papërshtatshme që një numër kaq i madh emetimesh të përqendrohet në muajt shtator dhe tetor të vitit 2026. Një praktikë e tillë e vështirëson ndjekjen e rregullt të programit dhe e privon çdo emetim nga një pjesë e vëmendjes që do të meritonte nëse do të prezantohej në kohën e parashikuar. Për më tepër, deri në këtë moment mbetet e paqartë se si do të veprohet me programin e emetimeve të vitit 2026 dhe në çfarë mase ai eshte i mundur te realizohet. Një tjetër mangësi vërehet në informimin që ofron faqja zyrtare e Postës Shqiptare në internet. Në disa raste, të dhënat e publikuara aty nuk janë të plota dhe nuk përputhen me informacionin më të hollësishëm të qarkoreve shoqëruese.

Një shembull konkret është mungesa e tirazheve të pullave, të dhëna me rëndësi të veçantë për dokumentimin dhe studimin filatelik. Në kohën kur informacioni digjital është mjeti kryesor i komunikimit, një administratë postare duhet të garantojë që të dhënat për emetimet të jenë të plota, të sakta dhe lehtësisht të aksesueshme.

Në përfundim, viti 2026 dëshmoi se filatelia shqiptare ka potencial për të realizuar emetime me përmbajtje të pasur kombëtare, me vlera historike, kulturore, artistike dhe edukative. Përzgjedhja e temave ishte përgjithësisht e qëlluar dhe meriton vlerësim. Por cilësia e përmbajtjes nuk duhet të jetë e vetmja masë e suksesit. Ajo duhet të shoqërohet me korrektësi në zbatimin e kalendarit, transparencë në publikimin e të dhënave dhe vazhdimësi në informimin e koleksionistëve.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që programi filatelik të shpallet që në fillim të çdo viti dhe të shoqërohet me një kalendar të qartë realizimi, të cilit Posta Shqiptare duhet t’i përmbahet. Vetëm kështu mund të ndërtohet një marrëdhënie besimi me koleksionistët dhe të rritet vlerësimi për filatelinë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Suksesi në përzgjedhjen e tematikave duhet të ndiqet nga i njëjti seriozitet në realizimin e tyre. Filatelia shqiptare ka nevojë jo vetëm për emetime të bukura dhe me përmbajtje, por edhe për një administrim të rregullt, të parashikueshëm dhe profesional.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.