21.5 C
Tirana
E mërkurë, 21 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Kush ishte Lekë Margjini?

Kush ishte Lekë Margjini?

0
Lekë Margjini
Gjon Marku
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

Lekë Margjini lindi më 2 shkurt 1895 në Bulshar të Mirditës, në një familje të varfër. Shkollën fillore e kreu pranë kishës, në shkollën që kishte çelur abati i Mirditës, Prend Doçi, me rezultate të shkëlqyera. Mësues pati Cin Gurakuqin nga Shkodra.

Në atë kohë mbreti i Bullgarisë, Ferdinandi, e parashikonte shkatërrimin e pashmangshëm të Perandorisë Osmane dhe ëndërronte një Bullgari të madhe, që do të përfshinte edhe pjesë nga trojet shqiptare. Për këtë arsye i shpalli shqiptarët miq të tij. Pas një takimi me një familje shqiptare, ai mori vendimin e pazakontë që djalit të tij t’i mësohej gjuha shqipe. Donte që princi të njihte jo vetëm gjuhën, por edhe historinë dhe doket e shqiptarëve. Për këtë qëllim iu drejtua për ndihmë Perikli Cilit, atëherë profesor i latinishtes dhe i greqishtes së vjetër në gjimnazin e Sofjes dhe personalitet i njohur shkencor e shoqëror në Bullgari.

Nëpërmjet konsullatës bullgare në Shkodër, Kallushëvi i kërkoi abatit të Mirditës, Prend Doçi, një djalosh malësor nga Oroshi, vendin që ai e konsideronte kështjellë të pathyeshme në thellësi të trojeve shqiptare. Djaloshi duhej të rrinte e të edukohej në pallatin mbretëror dhe t’i mësonte shqipen të birit të mbretit.

Imzot Prend Doçi zgjodhi Lekë Margjinin si më të aftin ndër nxënësit e shkollës së tij dhe e bindi familjen ta jepte djalin. Persona të ngarkuar prej tij, bashkë me pjesëtarë të familjes, e shoqëruan Lekën, 15 vjeç, deri në Kotor, ku e priste ambasadori i Bullgarisë në Stamboll, Danef. Para nisjes, abati ishte kujdesur që Leka të merrte mësime të gjuhës italiane nga Agustin Gurakuqi.

Mirditasi 15-vjeçar mbërriti në Sofje i veshur me kostumin tradicional të Mirditës. Atje u rrit dhe u shkolluan në oborrin mbretëror. Abati i dërgonte vazhdimisht libra në shqip për gjuhën dhe historinë e shqiptarëve, dhe princi bullgar u interesua veçanërisht për historinë e Shqipërisë, sidomos për Skënderbeun.

Me porosi të abatit, Leka u njoh me shqiptarët që jetonin në Bullgari dhe, që në vitet e para të qëndrimit në pallatin mbretëror, u aktivizua në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Për këtë veprimtari duket se nuk pati ndonjë mbështetje të veçantë nga mbreti Ferdinand. Vetë Leka, vite më vonë, shprehej:

“Edhe për Shqipninë, si komb ngjitur me atë Maqedoninë, dëshirojmë një zgjim e përparim kulturor e shoqëror, me ngarkate me ndjenja e me besnikëri për lëvizjen kulturore e politike të shtypit kombëtar, qi kishte kryet e shtypshkronjës «Mbrothësia» e Kristo Luarasit.”

Lekë Margjini jetoi në pallatin mbretëror në shoqëri me princat bullgarë, ndër ta edhe Borisin. Pasi mbaroi shkollën ushtarake, u gradua nëntoger.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore mori pjesë në luftime si ushtarak i ushtrisë bullgare, ashtu si princat bullgarë, përfshirë Borisin. Luftoi në frontin e Selanikut kundër grekëve dhe francezëve gjatë viteve 1914–1918. Në këtë periudhë përfundoi edhe Akademinë Ushtarake në Sofje. Pas luftës, më 1919, kishte gradën kapiten.

Traktati i Neuilly-sur-Seine e shkatërroi strukturën e ushtrisë bullgare. Më 1920 kapiten Lekë Margjini u kthye në Shqipëri dhe më 1921 iu njoh grada togeri. U emërua në një togë të ushtrisë shqiptare dhe u gjend mes ushtarakëve që mbrojtën Kongresin e Lushnjës. Shërbeu si oficer në zonat veriore të vendit dhe mori pjesë në operacionin për shtypjen e rebelimit të Mirditës më 1921.

Më 1922 u gradua kapiten dhe u caktua komandant i repartit në Va-Spas, përballë forcave serbe që vepronin atëherë në atë trevë. Pas pak kohësh u kthye me gjithë repartin në Pukë dhe, jo shumë më vonë, u caktua në një repart të posaçëm kufitar me qendër në Zgaj, në një kohë kur marrëdhëniet me Serbinë ishin acaruar shumë.

Më 21 shkurt 1923, major Preng Jaku, si komandant i atij krahu, i dërgoi Lekës një urdhër operativ lidhur me gjendjen e krijuar. Urdhri thoshte se duhej treguar shumë kujdes dhe se serbëve duhej t’u bëhej e qartë që këto pozicione ishin shqiptare, për të shmangur konfliktet. Në rast sulmi, ushtarët duhej t’i prisnin siç duhej, pa lëshuar asnjë pëllëmbë tokë. Sipas dokumenteve arkivore, Lekë Margjini i zbatoi udhëzimet me përpikëri.

Gjatë ngjarjeve të pranverës së vitit 1924 mori pjesë në Revolucionin e Qershorit dhe u caktua komandant i garnizonit të Tiranës. Në fund të vitit, pas një vargu luftimesh në Qafë të Urrizit, në Tujan dhe në afërsi të Tiranës, u largua nga atdheu në dhjetor 1924 si kundërshtar i Ahmet Zogut dhe u vendos në Bari të Italisë.

Më 1926, në bashkëpunim me Hysni Currin, shkoi në Gjakovë. Më pas u kthye në Itali, ku u kujdes shumë për studentët shqiptarë që ndiqnin studimet atje. Dokumentet flasin edhe për mbështetjen që u jepte shqiptarëve që dëshironin të shkonin për të luftuar në Spanjë.

U kthye në Shqipëri pas prillit 1939. Mustafa Kruja i propozoi gradën kolonel të milicisë, por ai nuk e pranoi. Në atë kohë edhe mbreti i Bullgarisë i bëri thirrje të vendosej në Bullgari, por ai nuk pranoi. Lekë Margjini e dënoi ashpër pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939.

Më 1942 u caktua nënprefekt në Strugë, ku e ndihmonte njohja e mirë e gjuhës dhe e sjelljes së sllavëve të Maqedonisë. Pas pak kohësh u transferua nënprefekt në Gostivar. Sipas Gjon Kamsit:

“Lekë Margjini qe arrestue prej gjermanëve në vjetin 1944 dhe dërgue në kampin e Prishtinës.”

Lekë Margjini ishte i martuar në Korçë me vajzën e Sotir Peqit. Pavarësisht nga kultura dhe formimi i tij, nuk pati përkrahjen e duhur dhe punoi në punë krejt të thjeshta deri më 1959, kur ndërroi jetë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.