KONTRIBUTI I MIRDITËS NË LUFTËN E PËRBASHKËT PËR LIRI DHE PAVARËSI TË NJË KOMBI TË SHQIPËRISË

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Gjon Marku

Mirdita, qysh herët, u bë vatër kryengritjesh të mëdha kundër sundimit të huaj, kundër taksave, shtypjes dhe poshtërimit të shqiptarëve. Historia e saj është e mbushur me luftëra e flijime të krerëve, me vuajtje e qëndresë të pashoqe, të udhëhequra nga prijës të bekuar, që për të mbrojtur tokën dhe të ardhmen e vendit luftuan e derdhën gjak për lirinë e vatrave, të kombit, të gjuhës dhe të fesë katolike.

Banorët e saj kanë dalë përballë kundërshtarit me armë në dorë, në një luftë të pabarabartë me pushtuesit e shumtë që u derdhën mbi trojet tona, për të ruajtur qëndresën dhe vlerat e të parëve. As sllavëve, as turqve të Sulltanit, as ushtrive të këmishëzinjve të Hitlerit nuk iu përkulën. Pa këto qëndresa vetëmbrojtëse nuk mund t’i krahasojëm e as t’a kuptojëme plotësisht historin e këtyre banorëve, të cilët, u qëndruan stuhive të pushtimit që shpërthyen furishëm mbi tokën tonë.

Në vitet e stuhishme të luftërave çlirimtare e mbrojtëse që organizoi e drejtoi për 25 vjet rresht Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, banorët e Mirditës u radhitën në ushtritë ngadhënjimtare dhe treguan trimëri të pashoqe. Disa nga bijtë e kësaj krahine kreshnike Skënderbeu i ngriti në shkallët e larta të komandës ushtarake, duke i graduar deri në gjeneralë, si Pjetër e Gjon Perlatin, Pal Kukën e mjaft të tjerë, të cilëve u besoi fronte të rëndësishme të luftërave të tij. Gaullorët ishin ambasadorët e tij më të besuar.

Pas vdekjes së Skënderbeut (1468), mbi trojet tona u derdhën mijëra ushtarë turq, të cilët pushtuan njërën pas tjetrës kështjellat shqiptare, vendosën administratën e tyre në shumë teritore të vendit dhe nisën shfrytëzimin e popullsisë me metodat më primitive e barbare. Rrethanat e krijuara në fund të shekullit XV, me pushtimin e qendrave kryesore, e shpërngulën qëndresën shqiptare në zonat malore. Mirdita u bë një nga ato krahina nga të cilat shpërthyen herë pas here kryengritjet më të mëdha popullore. Bashkë me territoret e tjera të unitetit të Dukagjinit, ajo u ra ushtrive osmane në Lezhë e në kalanë e Dukagjinit dhe i çliroi përkohësisht ato.¹

Sulltanët e Turqisë dërguan ushtri të shumta për të shuar rezistencën e malësorëve tanë. Këto rrethana i dhanë një formë të veçantë luftës e qëndresës së banorëve të maleve: zënien e pritave në rrugët që lidhnin qendrat e administratës si Shkodrën me Prizrenin apo Shkodrën e Lëzhën me Dibrën dhe shkatërrimin e karvaneve të osmanëve.

Për t’i dhënë fund kësaj qëndrese, pushtuesit osmanë u përpoqën gjatë shekullit XVI të futnin në zonat tona malore sistemin e timareve, të emërtuar timarli në nahijet Mirditë, Fan i Vogël, Fan i Madh dhe Dibër. Këto territore, nga gjysma e dytë e atij shekulli, formuan unitetin krahinor të Mirditës. Përpjekjet e turqve për të vendosur këtë sistem shfrytëzimi hasën në qëndresën e banorëve të këtyre nahijeve, të cilët nuk pranuan as të regjistroheshin në kadastrën osmane.²

Dhuna e ushtruar nëpër malësi çoi në kryengritjet e mëdha të viteve 60–70 të atij shekulli. Për shuarjen e tyre perandoria osmane mobilizoi mijëra ushtarë, ekspeditat e të cilëve shpërbënë unitetin e Dukagjinit. Por kjo nuk e shuajti rezistencën e malësorëve: në vend të tij u krijuan dy unitete të reja, ai i Mirditës në jug dhe ai i Malësisë së Madhe në veri të Drinit.³ Pas mbytjes në gjak të kryengritjeve, turqit u munduan përsëri të kryenin regjistrimin e tokave dhe të banorëve të nahijeve Mirditë, Plakëz, Fan i Vogël, Fan i Madh e Dibër, si dhe të krahinave fqinje, dhe t’i ngarkonin ata me detyrime e taksa. Por qe e pamundur të shuanin qëndresën e armatosur të këtyre banorëve. «Ata – shkruajnë sanxhakbenjtë e Dukagjinit – janë vazhdimisht në kryengritje dhe, si rebelë kokëfortë, u bien karakolleve e karvaneve tona në dromet që kalojnë nëpër krahinat e tyre drejt Lezhës e Shkodrës…» Dhe divani i madh perandorak urdhëron sanxhakbenjtë e Ohrit, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës e Dukagjinit: «…të merren masa kundër tyre, të vriten rebelët e t’u merren peng gratë e fëmijët».⁴

Rezistenca kundër dhunës osmane në malësi gërshetohet në këtë periudhë ngushtë me përpjekjet e banorëve të fushave për çlirim. Kështu lind nevoja e bashkimit dhe e luftës së organizuar kundër pushtuesit. Për këtë qëllim u mblodhën kuvendet mbarëshqiptare në malësinë e Lezhës (1593), në Ndërfandë (1594), në Orosh (1601-1602) dhe në Kuç (1614). Nga Kuvendi i Ndërfandës, që u mbajt në vitin 1594 pranë manastirit të Shëmrisë, u dërguan për të kërkuar ndihmë e përkrahje te Papa i Romës dhe te mbreti i Spanjës Tom Plezha dhe krerët e Mirditës, vëllezërit Mark e Gjon Gjini⁵ si dhe Nikollë Mekaisi, ashtu siç u dërguan nga kuvendet e tjera të organizuara në malësitë tona krerë e udhëheqës popullorë në dyert e dinastive katolike të Evropës.

Udhëheqësit e Mirditës, bashkë me krerët e tjerë shqiptarë, u munduan të gjenin një mbështetje të jashtme dhe të shfrytëzonin situatat e krijuara në fillim të shekullit XVI e në fillim të shekullit XVII për një luftë të kombinuar kundër pushtuesve osmanë. Por një aleancë e tillë, për një varg rrethanash të kohës, nuk u formua, as në shekujt pasardhës. Kështu populli i Mirditës shtrëngoi radhët dhe, me vëllezërit e tjerë shqiptarë, mbi supe mbajti pushkën besnike e vazhdoi rezistencën duke shkruar me gjak historinë e vet. Kjo luftë e gjatë, në kushtet e rrethimit të egër nga pushtuesit osmanë, nuk qe e lehtë. Banorëve të malësive nuk u mungonin vetëm armët për t’u mbrojtur, por edhe buka për fëmijët, pasi tokat e pakta nuk jepnin prodhim të mjaftueshëm, ndërsa marrëdhëniet me zonat fushore dhe me tregjet e brendshme shqiptare ishin ndërprerë për mirditasit e rrethuar.

Në shekullin XVII perandoria osmane e shtrëngoi edhe më shumë rrethimin mbi popullin tonë, në fusha e në male. Zonat fushore dhe qytetet i ngarkoi me taksa të rënda; në zonat malore, futi sistemin e bajrakëve. Në këto kushte, pa asnjë ndihmë e përkrahje nga jashtë, të veçuar nga rrethimi dhe me një ekonomi të varfër e të prapambetur, mirditasi⁶ nuk pranuan kërkesën e sulltanëve për t’u lidhur me ta dhe vijuan kryengritjet e pandërprera. Mirditasit i detyruan sulltanët t’u njihnin të drejtën e vetëqeverisjes sipas zakoneve tradicionale, të mbanin armët dhe të ruanin fenë e krishterë.⁷

Kjo bëri që mirditasit të merrnin pjesë, përkrah vëllezërve shqiptarë, në luftërat për çlirim që u organizuan në shekujt XVIII-XIX; Mirdita mbeti gjithmonë një plagë e hapur për Portën e Lartë.

Shekulli XVIII shënoi shthurjen e sistemit feudal ushtarak në Shqipëri. Në çerekun e fundit të atij shekulli u krijuan pashallëqet e mëdha shqiptare, që bënë një luftë të vendosur kundër aparatit burokratik osman. Mirdita, tashmë një krahinë relativisht e gjerë, u bë krah i këtyre oxhaqeve feudale, të cilat luftonin për shkëputje nga Turqia. Shembja e pashallëqeve (1822-1831) i detyroi mirditasit të tërhiqeshin, por ata e vazhduan rezistencën kundër dhunës osmane.

Rritja e lëvizjes kombëtare shqiptare në vitet 50-70 të shekullit XIX, që erdhi si rezultat i dhunës turke për të vendosur reforma të reja centralizuese, u pasqyrua edhe në jetën politiko-shoqërore të Mirditës. Duke u mbështetur te gatishmëria luftarake e fshatarësisë mirditore, në fillim të vitit 1862 grupi i atdhetarëve të Shkodrës, me Zef Jubanin në krye, hodhi idenë e organizimit të një kryengritjeje në Shqipërinë veriore, për ta detyruar Portën e Lartë t’i njihte autonominë Mirditës, nismëtares së kësaj lëvizjeje. Rreth saj do të mblidheshin gradualisht edhe krahina të tjera shqiptare.

Idenë e grupit të Shkodrës e propagandoi me zell abati Gaspër Krasniqi, bashkë me peshkop Pal Dodmasejn, dhe ajo gjeti mbështetje të plotë nga masat e varfra fshatare të Mirditës. Ata nxituan për në Shëmpal, ku mblidheshin të gjithë burrat e krahinës, dhe që andej, nën thirrjet e zjarrta të Gaspër Krasniqit, shpërtheu kryengritja kundër pushtuesve osmanë. Kryengritësit sulmuan drejt Pukës, duke bllokuar rrugën Shkodër-Prizren, dhe drejt Kallmetit, ku u përballën me osmanat, të cili u përpoq të pengonte shpërthimin e kryengritjes.

Situata për Portën e Lartë u bë shumë kërcënuese, prandaj për shpëtimin e saj ndërhynë fuqitë e mëdha, Anglia dhe sidomos Austria, e cila e ndiqte me shqetësim të madh zhvillimin e ngjarjeve në Shqipërinë veriore. Ndërhyrja ndërmjetësuese austro-hungareze dhe arrestimi i udhëheqësit kryesor të kryengritjes, Gaspër Krasniqit, e dobësuan lëvizjen. Turqit, pasi nënshkruan armëpushimin me Malin e Zi në gusht të atij viti, sollën ushtri të shumta në frontin e Mirditës. Gjatë muajve shtator-tetor 1862 ata u detyruan të vazhdonin jetën si më parë, në rrethim.

Konflikte të armatosura kishin shpërthyer në ato vite jo vetëm në Mirditë, por edhe në Mat, Dibër, Kosovë e Shkodër. Në këto lëvizje ishin përfshirë, ashtu si në Jug gjatë viteve ’50, të gjitha shtresat e popullit: jo vetëm fshatarët, por edhe masat e qytetit dhe një pjesë e feudalëve, interesat e të cilëve preheshin rëndë nga reformat centralizuese. Lëvizja antiosmane kishte përfshirë edhe popujt e nënshtruar të Ballkanit, nga Bullgaria deri në Malin e Zi. Fuqitë e mëdha, në rivalitet me njëra-tjetrën për zona influence në kurriz të popujve të nënshtruar të Perandorisë Osmane, mbanin qëndrime të ndryshme ndaj lëvizjeve çlirimtare të këtyre popujve.

Porta e Lartë, megjithëse pezulloi përkohësisht masat shtrënguese për zbatimin e reformave në disa krahina malore, në fund të viteve ’60 filloi përsëri t’i vendoste ato. Në fund të vitit 1868 mori masa të reja ndaj Mirditës: pas vdekjes së Bib Doda Pashës, osmanët mori sërish masa shtërnguese ndaj MIRDITËS. Këto masa e acaruan përsëri konfliktin e mirditasve me pushtuesit. Konflikti shpërtheu hapur në vitin 1873, kur mirditasit, të mbledhur në Neraç, i dërguan guvernatorit të përgjithshëm të Shkodrës, Hamdi Pashës, një memorandum me të cilin kërkonin pezullimin e masave shtrënguese ndaj Mirditës, respektimin e kanuneve dhe kthimin e Preng Bib Dodës i cili ishte internuar në Stamboll.

Situatën e krijuar për Portën nga lëvizja e popujve të Ballkanit, e sidomos nga konflikti i Mirditës, u përpoq ta shfrytëzonte përsëri grupi i Shkodrës. Zef Jubani dhe shokët e tij mendonin se kishte ardhur koha që lëvizja shqiptare të çonte në krijimin e shtetit unitar kombëtar autonom. Për ta arritur këtë, ai u përpoq të përfitonte nga gjendja e krijuar midis mirditasve dhe autoriteteve osmane, prandaj e këshilloi Preng Bib Dodën të ngrinte flamurin e Mirditës dhe ta shpallte Mirditën autonome ose të pavarur. Por, në vend që ta ndizte kryengritjen dhe ta shtrinte edhe në krahinat e tjera fqinje, edhe pse qëndresa e mirditasve, ishte e madhe dhe mbizotëronte gjendja e kryengritjes nuk mund të shtrihej në krahinat e tjera.

Idetë përparimtare të grupit të Shkodrës nuk u realizuan, sepse kundër tyre vepruan diplomacia e fuqive të mëdha dhe monedhat osmane, që e bënë për vete shumë krerë të Shqipërisë veriore. Ato, së bashku me idetë dhe përpjekjet e rretheve të tjera patriotike brenda e jashtë vendit, u realizuan vetëm në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lëvizja kombëtare shqiptare arriti një nga kulmet e saj, duke nxjerrë para botës dhe duke vënë për zgjidhje çështjen shqiptare.

Politika shkombëtarizuese e Portës së Lartë ndaj popujve të Ballkanit, e sidomos ndaj shqiptarëve, në vitet ’70 të shekullit XIX, si dhe qëndrimi i fuqive të mëdha ndaj lëvizjes shqiptare, vunë përpara popullit tonë dhe rretheve të tij demokratike nevojën e organizimit e të bashkimit të kombit. Kjo u arrit në Kuvendin e Prizrenit më 10.6.1878. Besëlidhja e Prizrenit mobilizoi mijëra shqiptarë, të cilët morën armët dhe dolën në fushë të mëdanit për të mbrojtur tokën e të parëve dhe për t’ia këputur asaj zinxhirët me të cilët e kishin lidhur sulltanët kalifë të Anadollit. Edhe në këto ngjarje vendimtare për fatet e popullit tonë mirditasit nuk u ndanë nga vëllezërit e tjerë shqiptarë, sado që Porta me kërcënime me lajka u munduan t’i largonin nga pjesëmarrja në Lidhje.

Duke parë se Shqipëria po nxirrej nga fuqitë e mëdha në pazarin e dinastive ballkanike si tokë e askujt, ata, me fjalën e dhënë besa, nxituan për në Prizren për të firmosur memorandumin drejtuar Kongresit të Berlinit për njohjen e kombit shqiptar e të trojeve të tij, dhe e vulosën me gjykimin e pushkës aktin e pjesëmarrjes në radhët e asaj besëlidhjeje të madhe kombëtare. Duke njohur si atdhe tërë tokat ku flitej shqip, ata sfiduan nenin 113 të atij Kongresi dhe mësynë drejt Tuzit me armë në dorë atë ditë prilli të vitit 1880, për t’u dalë zot vëllezërve të tyre të Hotit, Grudës e Kelmendit, që po u dorëzoheshin si dhuratë danajsh Malit të Zi.

Jehona e viteve të Lidhjes së Prizrenit rrezatoi përtej periudhës së veprimtarisë së saj. Me programin e saj vepruan lëvizjet tona në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX dhe ato të fillimit të shekullit XX, kur lëvizja kombëtare shqiptare u ngrit më lart dhe mori karakter të përgjithshëm. Kjo u kushtëzua jo vetëm nga dëshira e zjarrtë për çlirim e pavarësi kombëtare, por në radhë të parë nga kundërveprimi ndaj aleancave të fshehta të dinastive shoviniste fqinje, prapa të cilave vepronin fuqitë e mëdha për coptimin e Shqipërisë.

Gërshetimi i dhunës xhonturke me synimet aneksioniste serbe, malazeze e greke nuk i pengoi çetat kryengritëse mirditase e të mbarë Shqipërisë, as rrethet e tyre patriotike, në veprimet luftarake; përkundrazi, e shtroi para tyre nevojën e bashkimit.

Edhe këtë herë, Kosova e martirizuar shpalosi e para flamurin e luftës për pavarësi. Kjo ndodhi ngaqë dhuna xhonturke u gërshetua më shpejt se gjetkë me reaksionin serbomadh, prandaj në atë rrafsh vepronin organizatorët e luftës për pavarësi: përfaqësuesi i Komitetit të Stambollit, Hasan Prishtina, dhe heronjtë e disa betejave, si Isa Boletini, Bajram Curri, Zef i Vogël, B. Doklani, P. Çeli e M. Zajmi, së bashku me dhjetëra udhëheqës të tjerë popullorë që u vunë në krye të lëvizjes antiosmane për pavarësi. Lëvizja e nisur prej tyre, në atë varg luftërash e heroizmash, në vitet 1909–1910 nuk mbeti e vetmuar, por u përhap si kushtrim në Mirditë e Malësi të Madhe, në Korçë e Gjirokastër, në Berat e Zadrimë, ku bijtë e shqipes nxorën armët dhe shtrënguan radhët për t’i dalë zot vatanit.

Mirdita kryengritëse, e cila mbeti e rrethuar për gati pesë shekuj si një kala e paprekshme, brenda së cilës gjallonte një popull trim e i zgjuar, nuk e kishte pushuar asnjëherë luftën me pushtuesit, por ende nuk kishte fituar. Tani, në fillim të shekullit XX, ajo u ngrit si asnjëherë tjetër dhe, ashtu si vëllezërit e saj kosovarë, i nisi luftën turqve.

Kalimi i Shefqet Turgut Pashës nëpër Mirditë në gusht të vitit 1910 dhe masat e tij shtrënguese për marrjen e rekrutëve nga fshatarësia mirditore, si dhe për çarmatimin e përgjithshëm të saj, i acaruan keq mirditasit me autoritetet turke dhe me krerët përkrahës të tyre. Qysh atë ditë kur pasha turk erdhi në Mirditë, shumë djem të kësaj krahine lanë shtëpitë dhe dolën në mal si komita për lirinë e Shqipërisë. Në verën e atij viti malet e Mirditës, si ato të shumë krahinave fqinje, u mbushën me komita kryengritës, të cilët formuan çeta me nga 40–50 vetë dhe filluan të sulmojnë garnizonet turke të Kashnjetit, të Oroshit e të Rreshenit.⁸ Në janar të vitit 1911, çetat kryengritëse të bajrakut të Oroshit rrethuan mydyrrin e Rreshenit dhe e detyruan të largohej për në Durrës më 1 shkurt të atij viti.⁹

Çetat kryengritëse që vepronin në bajrakët e Kushnenit e të Dibrrit sulmuan në Kallmet e Vekrypë, bastisën dyqanet e u larguan nëpër male, duke u thënë shërbëtorëve: «Ne po i marrim çfarë ka këtu për gjallimin e komitës që po heq ditët e zeza atje në male. Thuaj Pashës se ne nuk jemi kusarë, por komita për lirinë e Shqipërisë…»¹⁰

Shpërthimi i kryengritjes së Malësisë së Madhe në mars 1911 dhe thirrja e dërguar nga Kelmendi në Mirditë për të mos dorëzuar armët¹¹ i dhanë hov lëvizjes së çetave kryengritëse të Mirditës. Autoritetet turke të Shkodrës, duke patur frikë nga ndezja e një zjarri të ri në vijë të Vilajetit, me anë të krerëve përkrahës dhe të parave të shumta që derdhën në këtë krah, bënë çmos për të përçarë çetat dhe për të penguar kthimin e lëvizjes së tyre në kryengritje. Këtij plani i shërbeu edhe mbledhja e krerëve të Mirditës, Malësisë, Gjakovës, Dibrës e Lumës në Orosh, në fillim të prillit të atij viti, e cila u shpreh për ndalimin e veprimeve kundër turqve, për sa kohë ata nuk i sulmonin drejtpërdrejt këto krahina.¹²

Kundër rritjes së lëvizjes antiosmane në Mirditë e në mbarë Shqipërinë po vepronte me tërë forcën e saj Porta e Lartë. I shqetësonte veçanërisht lëvizja e Mirditës, që sa vinte e bëhej më kërcënuese. Kjo ndoshta ndodhi sepse në çetat kryengritëse të Mirditës ishte kontaktuar edhe Torenc Toci,¹³ i cili ishte plotësisht nën influencën e qarqeve italiane. Me propagandën e tij Toqi kishte përparuar mjaft në radhët e komitës kryengritëse dhe, nëpërmjet tyre, kishte fituar njëfarë simpatie në mbarë popullin e Mirditës. Mbi këtë bazë, në rrethanat e rritjes së lëvizjes çlirimtare, ai arriti të sigurojë mbledhjen e përfaqësuesve të 12 bajrakëve të Mirditës dhe të shumë krerëve të Shqipërisë veriore në Kimëz, më 22 prill 1911.

Për të fituar besimin e plotë të kryengritësve dhe të popullsisë së Mirditës, ai ngriti flamurin kombëtar dhe të mbledhurve u paraqiti një qeveri provizore.¹⁴ Në platformën e zhvillimit të kryengritjes Toqi parashikonte çlirimin e Lezhës për të dalë në Shëngjin, nga do të vinin «ndihmat» e Italisë. Kur në Deçiqit u ngrit flamuri ynë kombëtar, Kol Toma shpalosi flamurin e kryengritjes, dhe trimi i Traboinit, Ded Gjoluli, i çoi fjalë se ishte i një mendjeje me të. Në këtë mënyrë lëvizjet e çetave kryengritëse të Mirditës sa vinin shtohej në lëvizjen e përgjithshme të popullit shqiptar për pavarësi.

Në pranverën e vitit 1912, kur të dërguarit e Qeverisë së Stambollit mundoheshin ta shuanin kryengritjen e popullsisë së Kosovës e të Malësisë së Madhe me anë të premtimeve të shumta, kryengritësit e Mirditës dhe të Zadrimës bllokuan forcat turke që mësynin Mirditën në Gomsiqe. Jehonën e pjesëmarrjes së Mirditës në këtë luftë e përhapi ato ditë edhe shtypi përparimtar i kohës që dilte jashtë vendit, me lajmin «U ngrit e fuqishmja Mirditë».¹⁵ Synime grabitqare e vunë përpara kryengritësve shqiptarë domosdoshmërinë e bashkimit e të koordinimit të veprimeve në të tërë vendin. Dhe, ashtu si në vitet e stuhishme të Lidhjes së Prizrenit, filloi tubimi i shqiptarëve dhe lidhja e besës në Junik e Sinjë, në Zejmen e Rubik.

Kryengritësit ngritën armët dhe u betuan të çlironin Vatanin dhe të mos lëshonin asnjë pëllëmbë tokë të tij. U lidh besa në Zejmen midis Mirditës e Bregut të Matës, për të mos ia ndarë pushkën turkut derisa të jepte lirinë e kërkuar; në Qafë të Kishës së Selitës u mblodhën burrat e Kthellës, të Selitës e të Rrasës me ata të Matit e të Dibrës dhe lidhën besën për veprime të përbashkëta kundër turqve që mund të kalonin nëpër krahinat e tyre. Në Junik u miratua programi i kryengritjes së përgjithshme shqiptare dhe ato ditë mirditasit u ranë turqve në Rraboshtë, në Lezhë e në Zejmen.

Në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Rubikut, 300 burra të beselidhur u nisën për të çliruar Durrësin; mbi gërmadhat e kalasë së moçme ngritën flamurin kombëtar dhe e përgatitën qytetin për pritjen e delegatëve shqiptarë në Kuvendin e Pavarësisë së Kombit. Po ato ditë, më 11 gusht 1912, Zefi i Vogël u nis drejt Shkupit, qendër e administratës së Vilajetit të Kosovës, në krye të 200 kryengritësve kosovarë, duke u treguar turqve dhe fuqive të mëdha se shqiptarët nuk duronin më. Kështu kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, e diktuar nga një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, përfshiu të gjitha krahinat e vendit tonë. Mirdita edhe në këtë luftë dha kontributin e saj. Nga gjiri i popullit të Mirditës dolën luftëtarë të zotë e udhëheqës popullorë si Zefi i Vogël, Kol Toma, P. Çeli e dhjetëra të tjerë, të cilët, me zgjuarsi e trimëri, bashkë me udhëheqës të tjerë të krahinave shqiptare, e udhëhoqën luftën e masave popullore drejt pavarësisë kombëtare dhe për mbrojtjen e trojeve të kombit tonë.

Kurorëzimi i asaj lufte të gjatë e të lavdishme mbarëshqiptare ishte shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimi i shtetit sovran shqiptar. Ana tjetër, po aq e madhe, e saj – mbrojtja e tërësisë së trojeve – në kushtet e Luftës Ballkanike dhe të politikës së fuqive të mëdha nuk u realizua. Dënimi i egër imperialist i paqes së vendosur në Shën Stefan e në Berlin u zbatua në vitin 1913 me cungimin e madh territorial të trojeve tona në favor të dinastive shoviniste fqinje serbe, malazeze e greke.

Në këtë rrugë historike, të gdhendur me shpata e të larë me gjak, shpallja e pavarësisë përbën një ngjarje të shënuar të historisë së kombit shqiptar dhe të krahinës së Mirditës, e cila krijoi një bazë të rëndësishme për luftën e mëvonshme për demokraci e përparim shoqëror.

Literatura

1. I. Zamputi, «Përpjekjet e shqiptarëve për liri në dy shekujt e parë të sundimit osman», Tiranë 1961, f. 85–86.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit